*Nata e Kadrit*
**
Allahu i Madhëruar thotë:
*1. Ha, Mimë. *
*2. Pasha librin sqarues (të së drejtës nga e kota)! *
*3. Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar (në Natën e Kadrit). Ne dëshiruam
t'u tërheqim vërejtjen e njerëzit të jenë të gatshëm. *
*4. Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të prerë. *
*5. Urdhër i përcaktuar nga Vetë Ne. S'ka dyshim se Ne dërguam të dërguar. *
*6. (E zbritëm) Nga Mëshira e Zotit tënd; Ai është Dëgjuesi, i Dijshmi. *
(Duhan,1-6)
Allahu i Madhëruar dërgoi Kuranin në këtë natë të cilën Zoti e ka përshkruar
si të bekuar. Shprehja *"Në atë (natë) zgjidhet çdo çështje në mënyrë të
prerë"* do të thotë se në atë natë fati i të gjitha krijesave vendoset për
vitin e ardhshëm.
Në atë natë shkruhet se kush do të jetojë, kush do të vdes, kush do të
shpëtohet, kush do të mallkohet, kush do të paracaktohet për në xhenet, e
kush do të paracaktohet për në xhehenem, kujt do t'i dhurohet nderi, kush do
të turpërohet, ku do të paraqitet thatësia dhe uria, si dhe çdo gjë tjetër
të cilën e dëshiron Allahu i Madhëruar atë vit.
Ajo që nënkuptohet me idenë se fati i të gjitha krijesave shkruhet në Natën
e Kadrit është (Allahu e di më së miri) se në Natën e Kadrit ato barten prej
Leuhi Mafhudhit.
Kuptimi i fjalës *"kadr"* është nderim ose respektim, d.m.th. ajo është
natë e cila nderohet për shkak të karakteristikave të saj të veçanta, dhe
pasi që personi i cili rri zgjuar gjatë kësaj nate bëhet njeri i nderit.
Eshtë thënë se *"kadr"* do të thotë shtrëngim, në kuptimin që dija se
kur është saktësisht kjo natë, është e fshehur.
Gjithashtu është thënë se *"kadr"* do të thotë kader, d.m.th., se në këtë
natë vendosen urdhërat për vitin e ardhshëm.
Profeti *(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)* ka thënë: *"Kush e
falë natën e Kadrit me besim dhe shpresë, i falen mëkatet që ka bërë më
parë."* Buhariu
Allahu i Madhëruar i ka dhënë kësaj nate karakteristika të veçanta të cilat
e bëjnë atë unike:
Allahu e ka përshkruar atë duke qenë më e mirë sesa një mijë muaj: "*Nata
e* *Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj!"* (Kadr, 3)
Allahu i Madhëruar e ka përshkruar si të bekuar:* "Ne e zbritëm atë (këtë
Kuran) në një natë* *të bekuar (në natën e begatshme të Kadrit)"* (Duhan, 3)
Në këtë natë, engjëjt dhe shpirti (Er ruh) zbresin, "d.m.th., shumë
melaike lëshohen poshtë në këtë natë, pasi që është shumë e begatë.
Kjo natë përshkruhet si paqe, d.m.th., është e sigurtë, pasi që shejtani
nuk mund të bëjë asnjë të keqe ose të shkaktojë dëm në këtë natë.
Allahu i fal gabimet e mëparme të atij i cili qëndron i zgjuar dhe falet
gjatë natës me besim dhe shpresë për ta përfituar shpërblimin nga Ai.
Transmetohet në hadithin e Ebu Hurejres *(Allahu qoftë i kënaqur prej
tij!)*se i Dërguari
*(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)* ka thënë: *"Cilido që agjëron
muajin e Ramazanit nga besimi dhe shpresa për të fituar shpërblim, të gjitha
mëkatet e tij të mëparme do të falen, dhe cilido që rri i zgjuar gjatë Natës
së Kadrit nga besimi dhe shpersa për të fituar shpërblim, të gjitha mëkatet
e tij të mëparme do të falen."* Buhariu dhe Muslimi.
Allahu i Madhëruar ka shpallur një sure që ka të bëjë me këtë natë e
cila do të përsëritet deri në Ditën e Ringjalljes, në të cilën Ai përmend
nderin dhe vlerën e madhe të kësaj nate. "*Ne e zbritëm atë (Kur'anin) në
natën e Kadrit. E ç'të bëri ty të dish se ç'është nata e Kadrit? Nata e
Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në
(atë natë) zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo
(që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit".* (Kadër, 1-5).
I Dërguari *(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)* e kërkonte
këtë natë, me shpresë se do të përfitonte të mira prej kësaj nate dhe ai
është shembull për këtë umet. Eshtë mustehab që të kërkohet ajo natë gjatë
Ramazanit, e sidomos gjatë dhjetë netëve të fundit të muajit. Nata e Kadrit
është në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, siç është përmendur në hadithin
e Ebu Said të përmendur më lartë, si dhe në hadithin e Aishes se i Dërguari
*(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!)* ka thënë: *"Kërkojeni natën e
Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit." *Eshtë më e mundëshme të jetë
njëra prej netëve me numër tek, duke u bazuar në hadithin e Aishes, e cila
ka thënë se i Dërguari i Allahut *(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi
të!)* ka thënë: *"Kërkojeni natën e Kadrit në netët tek të dhjetë ditëve të
fundit të Ramazanit."* Buhariu.
Më e mundëshmja është që të jetë në natën e njëzet e shtatë. Eshtë
transmetuar në një hadith të treguar nga Imam Ahmedi prej Ibn Umerit, dhe
një hadith të rrëfyer nga Ebu Daudi prej Muauijes, se i Dërguari *(Paqja dhe
bekimi i Allahut qofshin mbi të!)* ka thënë: *"Nata e Kadrit është nata e
njëzet e shtatë."* Musned i Ahmedit dhe Sunen Ebu Daud.
Këndvështrimi se është nata e njëzet e shtatë është mendimi i shumicës së
sahabëve dhe shumicës së dijetarëve.
Fakti se zakonisht ajo është nata e njëzet e shtatë (e Allahu e di më së
miri) nuk do të thotë se ky është gjithmonë rasti. Mund të jetë nata e
njëzet e një, siç është përmendur në hadithin e Ebu Seidit ose mund të jetë
e njëzet e tre, siç është përmendur në tregimin e Abdullah ibn Unejs (*Allahu
qoftë i kënaqur me të!).* Sipas një hadithi të rrëfyer nga Ibn Abas *(Allahu
qoftë i kënaqur me të!)* i Dërguari *(Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi
të!)* ka thënë: *"Kërkojeni në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, atëherë
kur kanë mbetur nëntë ditë, dhe kur kanë mbetur shtatë ditë, dhe kur kanë
mbetur pesë ditë."* Buhariu.
Allahu e ka fshehur këtë natë që robërit e tij të përpiqen e ta kërkojnë e
të përpiqen në adhurimin e tyre, ashtu sikur ka fshehur edhe orën e xhumasë
në të cilën pranohet duaja. Pra, thelbësore është që besimtari duhet të
përpiqet të bëjë sa më shumë adhurim me këmbëngulje gjatë netëve të këtyre
dhjetë ditëve.
Transmetohet se Aishja ka thënë: "*O i Dërguar i Allahut, nëse e përjetoj
Natën e Kadrit, çfarë duaje të them?'* Ai tha: "*Thuaj "Allahume ineke
Afu-un Kerimun tuhibul afue fe afuani" *Tirmidhiu.
* "Zoti im! Ti je Falës, Bujar, e do faljen, ndaj më fal mua!" *
Nuk është thelbësore për atë që e "gjen" Natën e Kadrit të dije se e ka
"gjetur" apo jo; qëllimi është të përpiqet shumë dhe të jetë i sinqertë në
adhurimin e tij.
Lusim Allahun e Madhëruar të na e pranojë agjërimin tonë dhe namazin tonë
gjatë natëve të këtij muaji, dhe të na ndihmoje ta përkujtojmë, ta
falënderojmë dhe ta adhurojmë Atë ashtu siç duhet edhe në muajt e tjerë!
Përgatiti: Erion Sula
http://www.klubikulturor.com
--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në [EMAIL PROTECTED]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---