REAGIM
T=Sakramentet e spërkatjet e priftit Pren Kola dhe mallkimi i
Nënës Fatime
NT=Një debat që ka filluar
dhe s’ndalet në disa forume të internetit e që merr shkas një njoftim nga data
28. 07.2008, për “kthimin në fenë katolike” të familjes së Bajram Kabashit ka
shkaktuar konfuzion të konsiderueshëm në qytezën Gurrakoc të komunës së
Istogut. E kemi parë
si një konstrukt shumë të papastërt propagandistik, i cili meriton një sqarim.
Shkruan Salih KABASHI
[EMAIL PROTECTED]
03.08.2008
E para,
sepse në këtë vendbanim, ku shumica e banorëve përbëhet prej kabashëve,
ç’prejse dihet ka pasur dhe aktualisht ende ka shumë persona me emrin e bukur
Bajram, që para së gjithash u vihet fëmijëve kur ata lindin në ditët e festës
myslimane të bajramit, apo për të evokuar emra trimash e heronjsh shqiptarë siç
kanë qenë Bajram Daklani a Bajram Curri, apo edhe për t’i përtrirë emrin ndonjë
axhe, gjyshi a daje. Ky Bajrami që përmendet në shkrimin e cituar është, pra,
një
nga disa bajramat e shumtë kabashës, gurrakocas e tomocas. Le ta identifikojmë
Bajramin e debateve në internet. Baba i tij, Hyseni dhe e ëma Fatimja, ia patën
lënë këtë emër sepse ai kishte lindë, si fëmijë i tyre i pestë, ditën e parë të
Bajramit të Madh të 1957-ës, në fshatin Tomoc. Le ta them menjëherë se
pikërisht unë isha fëmija i parë i Hysen Ahmetit dhe i Fatime Osman Morinës, e
cila ende rron dhe ka 85 vjet. Këtë dëshirojmë ta bëjmë të qartë qysh në fillim.
Sepse askush nuk e ka hallin, as i bëhet dert, as kërleshet fare pse Bajrami më
nuk dëshiruaka të mbetet Bajram. Natyrisht pos nënës sonë plakë, e cila nuk e
gjen dot fillin se çfarë zori e shtyri birin e saj të ndërrojë fe... Ndoshta
është mirë të sqarohet se Bajram Hysen Kabashi dhe gruaja e tij Ajshe, kanë
edhe dy pasardhës, tashmë të rritur, Dardanin dhe Dardanën, të cilët gjyshja me
shumë dashuri i ka rritë dhe u është përkushtuar më shumë se sa vetë e ëma. Le
të bëjmë me dije se Dardani e Dardana nuk u impresionuan dhe nuk pasuan aktin
shpërndërrues të prindërve të tyre. Le ta themi se vajzën e vogël të tyre deri
më sot të gjithë e kemi njohur dhe e njohim me emrin Puhizë, e jo Driada, siç
kishte
pohuar i ati i saj.
E dyta punë.
Kushdo ka të drejtën e mendimit të lirë, të ndërgjegjës dhe të besimit. Fundja,
kështu shkruan edhe në nenin 18 të Deklaratës së përgjithshme të Kombeve të
Bashkuara mbi të drejtat e njeriut. Dhe jo vetëm kaq. Po ajo deklaratë përmban
edhe lirinë e individit për ndërrimin e bindjeve dhe të fesë. Edhe për këtë
shkak
personalisht e as familjarisht nuk na bëhet vonë, as na pikëllon dhe as na
impresionon pse Kisha e Zallkuqit (serbisht Zllakuçane) qenka bërë streha
shpirtërore e Bajramit tonë konvertit. Porse, na vjen keq pse Bajrami para se
të bëhej Gjergj, ka do kohë që me ndonjë shkrim, me ndonjë deklarim, me disa
sjellje,
kishte treguar se veprimin apo aktin e tij të tashëm të shpërndërrimit, po e
bënte,
shumë më shumë se sa nga bindja-nga një urrejtje e papërmbajtur, e
pajustifikueshme dhe me asgjë relevante të argumentuar kundër fesë islame. Me
këtë ai ka treguar se jo vetëm nuk e njeh fenë islame, po ai shihet se nuk e ka
të qartë dhe pothuajse nuk e njeh as fenë e Krishtit (Hazreti Isasë). Besimit
islam i kanë takuar së paku 10 breza nga trungu gjenealogjik familjar. E njëjta
gjë vlen edhe për nënën tonë, familja e së cilës ndër breza kanë qenë myslimanë
të përkushtuar jofanatikë. Është për keqardhje pse me urrejtjen e tij të
shfrenuar
antiislame, ikjen e vet nga myslimanizmi në kristianizëm, Bajram Kabashi e ka
bërë
në mënyrën më të pandershme të mundshme, skajmërisht të padinjitetshme dhe
aspak burrërore.
Me deklarimet e tij ai ka
fyer rëndë ndjenjat fetare të shumicës së shqiptarëve, posepo edhe të familjes
së tij pak më të gjerë. Ndërkohë që mund të besohet se as katolikët e shumtë
shqiptarë, të ndershëm e të mençur siç dijnë të jenë ata, nuk mund të ndjehen aq
mirë me ardhjen brenda komunitetit të tyre të një njeriut me kaq shumë
obsesione,
me aq tepër paragjykime, me aq tepri paranoje e urrejtjeje. Shkurt, Bajrami po
del para syve të tjerëve si njeriu që shkatërroi të gjitha urat mbi të cilat ka
kaluar mbi 50 vjet të jetës së tij. Nuk besoj se dikush mund të ndjehet mirë
kur ka pranë vetes atë që ka këputur fijet e marrëdhënieve njerëzore e
familjare gjysmëshekullore, që ka shkelë me këmbë mbi një jetë të tërë të
përbashkët familjare dhe që në fund i ka bërë shkrum zemrën e nënës plakë, duke
u larguar për në Norvegji menjëherë pas konvertimit (ai jeton atje pandërprerë
nga lufta e këndej).
Le të jetë si të jetë,
inshallah! Bajrami tash e tutje, bile si Gjergj, do të gjejë paqen shpirtërore
dhe këndelljen e tij shëndetsore. Nëse
do të ngre farë shtëpie (gjë që deri tani nuk e ka bërë), atëherë do të shohim
nëse atij transferi nga mysliman në katolik do t’i ketë sjellë farë dobie apo
jo...
Prifti. Nëse
duhet t’i besojmë shkrimi që qarkullon në internet, priftin, i cili me aq sevda
po i bëka katolikë myslimanët shqiptarë, e quakan Pren Kola. Dhe ai prifti i
nderuar paska pas thënë:
“... kthimin në fenë e vjetër,
familja Kabashi e ka bërë me dëshirën dhe vullnetin e vet dhe me përkrahjen
edhe nga të afërmit e tyre.”(kursivi
im)
Nëse këtë ia ka thënë
Bajrami, të cilit prifti ynë ia paska bërë të mundshme të bëhet Gjergj,
atëherë, unë me të gjithë pjellën e Hysenit e të Fatimes, minus Bajrami,
deklaroj(më) me keqardhje se Bajrami e paska nisë me rrenë fenë e re (a të
moçme,
le ta quajë si t’ia dojë qejfi). Por, nëse këtë priftit ia ka thënë mendja dhe
ia
ka shprehë goja e tij, atëherë ky klerik duhet të qortohet për këtë shpifje të
pashembullt dhe për këtë rrenë të kulluar. Bile duhet paralajmërohet, dhe ne po
e paralajmërojmë seriozisht, se për shpifje e gënjeshtra të tilla mund të
paditet
edhe në gjyq.
Edhe e katërta ka të bëjë prapë me priftin, por edhe me dhënësin e
dhënësit e informacionit. Nënshkruesi i informacionit të lë përshtypjen e një
zëdhënësi që merr rrogë nga prifti. Në fakt, tërë shkrimi-informata s’është gjë
tjetër pos një propagandë e ultë, arrogante dhe primitive fetare dhe përçarëse.
Gati tri dekada jetoj në Evropë dhe ende nuk më ka rastisë të lexoj që gazetarë
e gazeta serioze të vihen në shërbim të klerit, të kishës e të hapjes së faqeve
të tyre për propaganda fetare. Bashkësitë e komunitetet fetare kudo në botë
kanë mediat e tyre. Le t’i ketë edhe Bashkësia Islame, edhe Kisha Ortodokse,
edhe Kisha Katolike. Atje le të shkruajnë sa të duan dhe sa herë të duan për
transfere të ngjashme ndërfetare. Ky farë prifti ynë, duke keqpërdorur një
përçues
informatash (sheshazi) të papërvojë (apo edhe të blerë!?) të një gazete me
përvojë, e cila, përmëtepër, lavdërohet aq shumë për profesionalizmin e saj, me
paralajmërimin-thirrjen e bujshme (!) se “të
dielën e ardhshme” grigja katolike do të begatohet edhe me konvertim e “16
anëtarëve të familjes Mehaj nga Prigoda”,
ka ra shumë poshte dhe është zhveshur tërësisht në tendenciozitetin,
militantizmin dhe fanatizmin e tij brutal fetar. Gazetat dhe gazetarët do të
duhej të mos tërthureshin në gracka të tilla klerikësh hilexhinj e të pabesë,
sepse
në atë mënyrë cënohet objektiviteti i secilit medium dhe dëmtohet ndershmëria e
objektiviteti i çdo gazetari. Informatori (gazetari) ka abuzuar me konstruktet
gjuhësore “Familja Kabashi”, “Familja Mehaj”, etj., kur dihet se në Nënbjeshkë
(Podgur), kabashë e mehaj janë qindra familje.
A mos po kujton prifti
zallkuqas (zllakuqanas), Pren Kola, se jemi në vitin 1990 kur shqiptarët patën
hedhur librezat e kuqe të Lidhjes së Komunistëve dhe në vend të 200 mijë sa
kishte Lidhja e Komunistëve të Kosovës, qenë bërë, për pak ditë - 500 mijë
anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës? Lum prifti, mos fluturo se bëhesh
qesharakë edhe më shumë se sa je bërë deri tashti! Transferi i para gati dy
decenieve ishte i motivuar atdhetarisht dhe diç e tillë nuk mund të ndodhë edhe
njëherë, sidomos jo kur thirrjet bëhen për mobilizime mbi baza të një feje
kundër fesë tjetër. Grigja e besimtarëve katolikë nuk shtohet pse një Bajram
bëhet Gjergj, një Ajshe bëhet Anë, pse 16 mehaj nga Prigoda, punë e madhe, mund
të ndërrojnë fe e emra... Sepse, edhe Gjergji, edhe Ana, edhe mehajt (ajo pjesë
e farefisit të Ajshes së Bajramit), do të shkojnë në Norvegji, dhe pasi “të
bëjnë letrat”, natyrisht duke u ankuar para autoriteteve azildhënëse se janë
nën presion nga “islamistët e dhunshëm”,
ndonjëri prej tyre gjatë pushimeve do të vijë që të shohë dhe ndoshta prapë të
angazhohen edhe për konvert-transfere të tjera, me qëllim, pos tjerash, edhe që
ta zbrazin Kosovën duke e lënë të shkretë pishinën e bukur dhe, në këtë rast
krejtësisht të pafajshme në Zallkuq, ku nga ata që laheshin e lahen nja 98
përqind janë shqiptarë të bërë synet...
Krejt në fund, pasiqë
prifti në mënyrë fort hileçare na ka përmendur si familje, respektivisht të
“afërm” që gjoja e e paskemi mbështetur aktin e kthimit të Bajramit në
katolicizëm,
kam autorizimin të deklaroj në emër të farefisit e të familjes së ngushtë e të
gjerë se ne as kemi ditur as mund të imagjinonim se çfarë fabrikonte koka e e
Bajram Kabashit. Dhe për të qenë të ndershëm deri në fund, ne të gjithë mbesim
me shumë bindje dhe shumë krenarë në fenë tonë islame, në besimin e baballarëve
e të nënave, të gjyshërve e të gjysheve, të stërgjyshërve e stërgjysheve...,
duke e konsideruar këtë fe të mrekullueshme e të hyjnueshme. Por, me një
ndryshim nga desh e dele të reja (në trajta Bajramash-Gjergjash), bashkuar
grigjës së priftit ridikyl Pren Kolës, ne nuk urrejmë e nuk fyejmë fetë e
tjera, as besimtarë të konfesioneve të tjera minoritare jomuhamedane në trojet
shqiptare..., dhe as më gjerë në botë.
Ky është edukacioni ynë ardhur nga familja dhe predikuesit e fesë së Muhamedit
a.s.. Bajramit neve nuk kemi çka i themi, feja e tij e re, ishte zgjedhja e
tij e lirë, ndërsa trishtimin që ai i ka
shkaktuar nënës sonë, po pati fuqi njerëzore, le ta tallë e le ta injorojë...
Pastë kohë e paftë nëse për të ishte më e rëndësishme e njerëzore të spërkatej
në
kishë nga Pren Kola apo të kursente nga vuajtjet e dhimbjet nënën e tij Fatime,
aq të dashur për gjithë Gurrakocin dhe rrethinën. Eh, na mbante shpresa, por
duket se e paskemi pasur gabim, se Bajrami do të mund të posedonte ide të
tijat, se mund të kishte mendime të vetat dhe se nuk do të vinte në gjendje që
të lërë përshtypjen se është bërë vetëm konsumator i pavëmendshëm i ideve të të
tjerëve.
Krejt në fund: ai, sado i
lajthitur, nevrik..., sado tepër i paqartë dhe paragjykues në konceptet e tij
mbi fetë, kombin, kulturën e historinë, megjithatë është dhe do të mbetet
vëllau ynë nga nëna e baba, nga gjaku e gjuha, nga trolli që na ka rritë, nga
gjinjtë e vetëm të nënës sonë shqiptare myslimane e devotshme që na kanë
ushqyer.
“Vëllezërit tanë
myslimanë” apo “vëllezërit tanë shqiptarë ortodoksë” si dhe “vëllezërit tanë
katolikë”, janë shprehje tepër të fuqishme dhe nuk rrënohen dot nga
tërrta-vërrtat
propagandistike të Dom Pren Kolës dhe të aleancave e tij kundërkombëtare e
anticivilizuese të para dhjetë vjetëve...
Nuk po themi më shumë,
sepse edhe jemi në prag të muajit të madhërueshëm të Ramazanit, e pastaj
gjithmonë
vijnë bajramat. Jemi në të hyrë të muajit të shenjtë të agjërimit. Për mall të
dynjasë nuk e prishim vetë dhe këtë hare që na vjen bashkë me të, nuk na e
prish dot askush tjetër.
SALIH KABASHI
PS
Kam edhe kërkesën nga pjesa
tjetër e familjes së Hysen Kabashit, të familjve të gjera të Selim e Smajl
Kabashit
nga Gurrakoci, Tomoci, Tomoci i Epërm e Lubjana që të bëhen pjesë e këtij
sqarimi)
--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në [EMAIL PROTECTED]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---