Disa rregulla të përdorimit të Messenger-it
Në kohën e fundit është përhapur me të madhe përdorimi i një programit 
Messenger për komunikim të njerëzve mes tyre. Përdorimi i këtij programi dhe 
programeve të ngjashme me të është bërë gjë e rëndomtë dhe e përditshme, saqë 
të rralla janë ato shtëpi në të cilën nuk ka kompjuter dhe lidhje të 
internetit. Përdorimi i këtij programi në masë të madhe mes njerëzve ka 
shkaktuar jo pak rënie në gabime gjatë përdorimit të tij. Këto gabime dikush i 
bën pa qëllim, e disa i bëjnë me qëllim. Andaj, në këtë shkrim do të orvatemi 
të përmendim disa prej këtyre gabimeve dhe të japim këshillë në lidhje me to. 
Do të fillojmë me hapin e parë të përdorimit të Messenger-it: 

1- Kontakti i ri. 

Gjatë shtimit të kontaktit të ri në listën e shokëve dhe miqve duhet të kesh 
parasysh disa gjëra: 
a) Nëse je mashkull prano vetëm meshkujt në listën për komunikim. 
b) Nëse je femër prano vetëm femrat në listën për kontakt dhe komunikim. 
Këtë e themi sepse komunikimi mes meshkujve dhe femrave në internet zakonisht 
sjell pasoja të këqija për dy palët. Andaj, nëse dëshirojmë të kontaktojmë dhe 
komunikojmë me gjininë tjetër duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të ruhemi 
nga gabimi dhe rënia në gjëra që nuk kanë epilog të mirë. Ne ju këshillojmë, që 
nëse detyroheni të kontaktoni me gjininë tjetër, të mundoheni maksimalisht që 
të jenë të pranishëm njerëz të tjerë dhe mos të ketë vetmi. 
c) Ndokush mund të ndihet ngushtë nga regjistrimi i kontaktit të ri, andaj 
preferohet që së pari ta lajmërojmë me dërgim të emailit dhe kërkimit të lejes 
e pastaj ta regjistrojmë. 

2- Selami. 

Shumë herë futemi drejtpërsëdrejti në biseda pa filluar sipas edukatës islame e 
ajo është fillimi me selam, duke thënë: Esselamu alejkum ve rahmetullahi ve 
berekatuhu. Nëse e ke mik dhe nuk e ke parë për një kohë të gjatë, është pjesë 
e edukatës islame që ta pyesim për gjendjen e tij, e jo sikurse ndodh shumë 
herë, me hyrjen në messenger fillon drejtpërsëdrejti me bisedë rreth ndonjë 
teme që të preokupon vetëm ty. Pra, harron dhënien e selamit dhe pyetjen për 
hallin dhe gjendjen e tij. Kjo që thamë për fillimin e bisedës vlen edhe për 
përfundimin e tij. Është pjesë e komunikimit të mirë përdorimi edhe i disa 
shprehjeve të bukura dhe të këndshme gjatë fillimit të bisedës dhe përfundimit 
të saj, sepse këto gjëra e gëzojnë bashkëbiseduesin. 

3- Mos të zgjasim bisedën në përshëndetjet. 

Këshilluam që bisedën mos ta fillojmë pa selam dhe pa pyetur dhe u interesuar 
për gjendjen e bashkëbiseduesit, mirëpo kjo assesi nuk duhet t’i kalojë të 
gjitha parametrat e bisedës normale dhe në suaza të pranuar. Nuk duhet të 
marrim rolin e prokurorit dhe inspektorit dhe të fillojmë të pyesim 
bashkëbiseduesin sikurse të jetë në stacion policor, por duhet të mjaftohemi me 
pyetjet bazë dhe standarde. Nëse e zgjasim shumë bisedën duke e pyetur për 
çështje banale dhe të përditshme, kjo e mërzit atë dhe nuk sjell ndonjë fryt të 
dobishëm në bisedë. 

4- Mos harxho kohën e bashkëbiseduesit tënd. 

Për disa djelmosha dhe vasha koha është flori e për disa dhé, pa vlerë. 
Muslimani nuk duhet ta harxhojë kohën e vet në gjëra të kota, sepse është shumë 
me vlerë; andaj, në vend që ta harxhosh kohën në gjëra të padobishme, mund ta 
shfrytëzosh në gjëra që të bëjnë dobi në ahiret, e nëse nuk e shfrytëzon në 
këtë mënyrë, atëherë së paku shfrytëzoje për çështje të dynjasë. 
Andaj, kur të hysh në bisedë me ndonjë vëlla në messenger, futu 
drejtpërsëdrejti në temën të cilën dëshiron të bisedosh, debato dhe merr 
mendimin e tij dhe përfundo komunikimin. Assesi nuk lejohet që messenger-i të 
bëhet shkak dhe mjet i humbjes dhe harxhimit të kohës kot. Për këtë, hulumto 
njeri i cili kur hyn në messenger edhe ai kujdeset për kohën dhe i dhimbset ta 
harxhojë në gjëra të kota dhe pa vlerë. 
Nuk themi se të gjitha bisedat duhet të jenë serioze, sepse kjo nuk është e 
mundshme, mirëpo kemi për qëllim që mos ta përdorim këtë mjet vetëm për të 
humbur kohën, për të gjetur njerëz si ti që kanë kohë për ta harxhuar kot. 
Pastaj dikujt edhe i vjen turp të thotë se nuk ka kohë dhe ka detyra dhe 
angazhime e të ndërpresë bisedën me ty, andaj ti duhet të jesh ai që duhet ta 
ketë parasysh këtë gjë. 

5- Respekto dëshirën e palës tjetër. 

Shumë herë vërejmë se njerëzit në messenger vendojnë shenjën "i zënë", kurse ne 
nuk e respektojmë këtë shenjë dhe i nisim letër me bisedë, duke i thënë: e di 
se je i zënë, mirëpo kam një çështje për të cilën dëshiroj të bisedoj, apo kam 
diçka që dëshiroj të lajmëroj". Ose i thotë: "e di se je i zënë, mirëpo më 
duhesh një minutë" etj. 
Kjo vepër është në kundërshtim me porosinë Kur'anore: 
"...e nëse u thuhet kthehuni, ju pra kthehuni ...". (En-Nur: 28). 
Ne duhet të kuptojmë se njeriu që ka vendosur këtë shenjë dëshiron të punojë 
rehat pa e penguar dikush dhe nuk duhet ta sjellim punën që të na thotë: më fal 
se po më pengon! 
Ajo që na habit disa herë është fakti se dikujt kjo sjellje i pengon, madje 
edhe hidhërohet dhe të qorton nëse nuk i përgjigjesh, dhe nuk i shkon ndër mend 
të qortojë vetveten, sepse nuk respekton shenjën që ke vendosur e as kujdesin 
që ke për kohën. 

6- Ki mendim të mirë për miqtë tuaj. 

Shpeshherë na ndodh që të kemi komunikim të keq me njëri-tjetrin nëpërmjet 
messenger-it dhe atë për shumë shkaqe. Me dikë për shkak të mos respektimit të 
shenjave të komunikimit, ose për shkak të mosnjohjes së mirë të përdorimit të 
kompjuterit apo internetit etj. Kjo gjendje shpesh bëhet shkak për mendim të 
keq ndaj mikut tonë. Andaj kur e takon të nesërmen i thua: dje të fola, mirëpo 
nuk më dhe përgjigje?! "Të fola disa herë e ti aspak nuk më përgjigje" etj. 
Këto shprehje tregojnë gjykimin tënd ndaj mikut tënd para se të njohësh 
tërësisht rrethanat në të cilat ka qenë ai, është rezultat i mendimit të keq 
për vëllanë tënd, sepse gjykon se ai nuk ka dashur të përgjigjet dhe me këtë 
vepër nuk ka treguar respekt ndaj teje! 
Duhet të kemi mendim të mirë për miqtë tanë vazhdimisht, sepse ka mundësi të 
ketë shumë shkaqe për mungesë të përgjigjes, lidhjet telefonike të dobëta, 
interneti i dobët, kompjuteri i vjetër, mungesa e dijes mbi përdorimin e 
kompjuterit etj. Shumë herë ndodh që të jesh jashtë lidhjes, kurse emri yt 
mbetet e figuron sikurse je në lidhje. Për këto shkaqe duhet të kemi mendim të 
mirë për vëllezërit tanë dhe në vend që të gjykojmë dhe flasim me hidhërim t’i 
themi: "a të arritën fjalët e mija mbrëmë?", "çka ndodhi se nuk munda të 
komunikoj me ty?" e kështu me radhë. 

7- Kërko leje para se të bëhesh i treti në bisedë. 

Ndodh disa herë që të bisedojmë me dikë dhe të futet i treti në bisedë, vallë 
kjo sjellje është e saktë? 
Në këto raste duhet kërkuar leje, sepse ndoshta biseda që janë duke bërë këta 
dy është private dhe intime dhe nuk kanë dëshirë që t’i di këto gjëra një i 
tretë, andaj mos i çrehato dhe mos u bë shkak për ta ndierë veten ngushtë. Nëse 
përsëriten shpesh këto sjellje, tjetri do të detyrohet që të bllokojë 
komunikimin me ty. 
Andaj, zbato këtë sjellje islame, kërkimin e lejes gjatë hyrjes në biseda të 
huaja. 

8- Njerëzit kanë gjëra private andaj mos ndërhy në privaticitetin e tyre. 

Nuk duhet të jemi shumë kureshtarë dhe të mundohemi të dimë të gjitha gjërat 
për miqtë tanë, pa marrë parasysh se a janë të rëndësishme dhe të dobishme këto 
gjëra ose jo dhe pa marrë parasysh se këto pyetje a i paraqesin problem ose jo. 
Duhet të mos të fusim hundët gjithkund, sikurse thotë populli ynë. 
Nuk duhet të ngulim këmbë me pyetjet tona që të dimë si quhet bashkëbiseduesi 
ynë, çfarë punon, nga është etj, nëse ai është dakord të na tregojë nuk prish 
punë, mirëpo nëse i rrëshqet përgjigjes, nuk duhet të këmbëngulim. 

Disa vërejtje 

Vërejtja e parë: Këto këshilla kanë të bëjnë me kontaktet tona të përgjithshme 
dhe ndoshta nuk merren në konsideratë gjatë kontakteve tona me miqtë tanë shumë 
të afërt, sepse miqësia e gjatë dhe e afërt i tejkalon disa herë këto 
përkufizime. 
Gjithashtu duhet të dimë se gabimet dhe rrëshqitjet janë pjesë e natyrës tonë 
njerëzore dhe normalisht që do të kemi mangësi dhe të meta, pasi "ai që kërkon 
shok pa të meta mbetet pa shok". 
Vërejtja e dytë: Inkurajojmë secilin musliman që rri gjatë në internet, ka 
kontakte të shumta dhe me njerëz të ndryshëm dhe ka përvojë të gjatë në 
përdorimin e Messenger-it, të na ofrojë këshilla të tjera për përdorim sa më 
efikas të këtij programi dhe për mënyrat se si mund ta shfrytëzojmë për thirrje 
në fe të Allahut. 
Vërejtja e tretë: Kemi dëgjuar dhe lexuar disa tregime trishtuese si pasojë e 
shfrytëzimit të keq të internetit dhe Messenger-it në veçanti, andaj 
inkurajojmë ata që kanë dëgjuar tregime të këtilla apo kanë lexuar gjëra të 
tilla, t’i shkruajnë këto tregime dhe t’i publikojnë, për të qenë shembull dhe 
mësim për tjerët. 
Allahu na pasuroftë me besim të fuqishëm dhe vepra të mira, na bëftë çelës të 
veprave të mira dhe mbyllës të veprave të këqija. Amin. 

Shkruan: Bekir HALIMI 
_________________________________________________________________
Connect to the next generation of MSN Messenger 
http://imagine-msn.com/messenger/launch80/default.aspx?locale=en-us&source=wlmailtagline
--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në [EMAIL PROTECTED]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan