Dr. Ismail Bardhi / Shkup
 


Nën barrën e mendësisë relativist-prakticist
E mërkurë, 31 Dhjetor 2008 10:08
 

(Shkas: Fillimi i vitit të ri hixhri)
 
"Atij i luten ata që janë në qiej dhe në tokë, në çdo çast Ai gjendet në çdo 
gjë. Po cilën dhunti të Zotit tuaj mohoni?!" 
(er-Rrahman, 29-30)
 
 
 
Nëse hedhim një vështrim kritik mbi ne dhe mbi kohën tonë, mbi kufijtë 
shpirtërorë dhe përcaktimet e botës së nesërme, do të gjendemi para një 
panorame të gjerë të aktivizmit prakticist në të cilën është vështirë të 
vërehen përcaktimet e forta dhe konstantat e qarta, të cilat do të ishin themel 
dhe mbështetje e të nesërmes. Çdo gjë bëhet dhe zhvillohet "nga dita në ditë", 
nga rasti në rast, nga situata në situatë. Në të vërtetë dëgjohen edhe zëra më 
seriozë, ceken parime konstante, përmenden drejtësia, përparimi dhe siguria, 
mirëpo jeta rrjedh sikur nuk ka asgjë nga këto; përkundrazi, sikur kjo mos të 
jetë as e nevojshme. Veprimi kompenson çdo gjë: i mbulon dhe fsheh gjithë ato 
mangësi dhe lëshime të prakticizmit bashkëkohor dhe të relativizmit jetësor. E 
kështu nuk është vetëm në sferën e jashtme, shoqërore-politike; e njëjta gjë 
ndodh edhe në rrjedhat e mendimit bashkëkohor,
 në fe, në art, në filozofi, në shkencë dhe kulturë. Mungojnë fryma dhe 
shpirti, themele dhe parime vlerësuese të cilat do ta jepnin vulën e 
përhershmërisë dhe të vlerës. Kështu, më së shpeshti çdo gjë jeton nga dita në 
ditë, pa ambicie dhe aftësi më të mëdha për t'u imponuar, për të qëndruar ose, 
më mirë, që vërtet të vlejë. Përkundrazi, relativizmi dhe prakticizmi sikur e 
fshijnë stabilitetin, atyre u intereson efekti i çastit, i momentit dhe i 
situatës.
Kjo, si duket, dalë ngadalë ka kaluar në gjendje të përgjithshme, në vetëdijen 
dhe mentalitetin e njeriut të sotëm, kështu që ai as nuk e vëren se është 
kështu, gjegjësisht se mund të jetë edhe ndryshe. Ose, më saktësisht, edhe kur 
e vëren, konsideron se kjo është normale dhe se ashtu duhet të jetë. Koha dhe 
"moda", e as mos t'i përmenim jehonat e çfarëdolloj mendimesh dhe filozofishë 
që kanë sjellur deri te koha dhe "moda" e këtillë, e bëjnë të veten, ato lënë 
gjurmë të thella mbi vetëdijen dhe jetën.
Në gërshetimin e këtillë të të bërave jetësore dhe të ngjarjeve historike 
vështirë është që të dikush të ngrihet mbi mjedisin e vet, t'i rezistojë 
ecurisë ekzistuese dhe, përkundër çdo gjëje, të kërkojë konstanta të sigurta 
dhe përcaktime të forta të mendimit dhe jetës, parime këto "të përhershme" të 
njeriut dhe të njerëzimit. Tekefundit, në çka të thirret kur nuk ka, siç thonë, 
pikë të fortë dhe kritere të sigurta me të cilat do të llogaritej dhe nga të 
cilat do të nisej? P.sh. estetika që nga fillimi i shekullit 20. ka kaluar në 
relativizëm, kur parimi i vjetër i artit për unitetin e "të bukurës, të mirës 
dhe të vërtetës", nuk kishte ku të mbështetej fuqishëm; kur ideja për bukurinë 
absolute e humbi prototipin e saj, mbi të cilin arti ndërtohej me shekuj të 
tërë. Herët a vonë ky relativizëm apo ndonjë i ngjashëm i kaploi edhe sferat e 
tjera, kështu që sot ka rastin të
 imponohet në përgjithësi, madje edhe aty ku nuk do të pritej.
Dhe vërtet, nëse e shikojmë realitetin tonë fetar, apo më saktësisht atë 
teologjik- refleksiv, ndjejmë ndikimin e fuqishëm, në mos valën e njëjtë, të 
prakticizmit dhe relativizmit bashkëkohor të cilët, si edhe në sferat e tjera, 
sa për dukje i kompensojnë shumë mangësi të gjendjes dhe kuptimit të tillë, por 
që në realitet pas vetes lënë zbrazëti të thella. Kjo në këtë çast nuk mund të 
vërehet lehtë, sepse në horizontalen bashkëkohore muslimane mjaft ndjehet edhe 
vertikalja (Shpallja). Nga ana tjetër, në dukje shpesh përjetohet fotografia e 
zbukuruar. Kjo aq më tepër që psikologjizimi, gjegjësisht angazhimi, veprimi 
dhe praktika bashkëkohore në sytë e njeriut të sotëm zënë vend të lartë. Ato 
edhe tregojnë disa rezultate, mirëpo, për një kohë më të gjatë, në shteg më të 
gjatë, nuk mund të ndërtohet pa themele të forta, të sigurta. Askush nuk mund 
të thotë se ato themele nuk
 ekzistojnë, por vetëm parashtrohet pyetja se nëse vazhdohet kështu, a do të 
"ekzistojnë" ato themele nesër, d.m.th. a do të jenë të dukshme, të pranueshme, 
a do të mund të llogaritet në to. Sepse, lëshimet e gjeneratës sonë në mënyrë 
më të prekshme do t'i ndjejë ardhmëria. Prandaj sot përveç veprimit dhe 
praktikës duhet të vijojë edhe një konceptim më i fuqishëm teorik teologjik i 
njeriut dhe i botës, ndërlidhje jetike dhe mendimore e njeriut me vertikalen 
mbi të cilën ndërtohet horizontalja. Prakticizmi është i gjymtë, psikologjizimi 
i tepërt nëse nuk i ndjek realiteti më i thellë i cili është në gjendje t'i 
motivojë dhe frymëzojë praktikën, angazhimin dhe veprimin. Ky realitet në 
rastin tonë do të duhej të ishte teocentrik, që këtu unë do ta quaja – 
teosferë. Përndryshe edhe teologjisë do të mund t'i ndodhë ajo që qysh moti i 
ka ndodhur estetikës: e ka shpërfillur prototipin e vet dhe
 është thërmuar  në detin e përjetimeve subjektive. Ndërsa është e qartë se me 
rënien e teologjisë do të binte dhe çintegrohej edhe dhënia religjioze, 
shpallja do të "tretej" në detin e "përjetimeve religjioze" personale.
Nuk dëshiroj të jem profet ogurzi apo kritik i njëanshëm. Ky është më tepër 
paralajmërim sesa konstatim, sepse do të ishte tepër e guximshme të përfundohet 
se teologjia relativizohet për shkak se aty-këtu në mënyrë implicite lihet 
anash mundësia e vërtetë për premisa të forta dhe të vërteta të sigurta. 
Mirëpo, nuk është e tepërt të tërhiqet vërejtja se të gjithë ne nga pak 
trashëgojmë nga kjo botë dhe mentalitet i ri, të cilat kriteret e tyre të 
vlerësimit i zhvendosin nga premisat e forta kah konkretizmi dhe prakticizmi 
jetësor, duke rënë kështu spontanisht në subjektivizëm dhe relativizëm, të 
cilët gjithnjë e më shumë i përcaktojnë klimën dhe kuptimin publik. Ndërsa 
pikërisht ajo klimë dhe ai kuptim bëhen model për gjeneratat e reja, për ne, 
dhe kështu në mënyrë të dukshme apo të padukshme veprojnë edhe mbi përjetimet 
tona religjioze, madje edhe mbi bisedat, diskutimet dhe konkluzat
 tona teologjike. Është indikative nëse p.sh. në tubimet, kurset, shkollat, 
mbledhjet teologjike ose vazet/lutjet më tepër flitet për përvojën personale, 
sesa për vetë thelbin dhe porosinë e fesë, për shpalljen dhe praninë e Zotit, 
për shkencën e sigurtë dhe arsyeshmërinë e saj të fuqishme. Ngase fenë duhet 
lajmëruar, bartur, interpretuar dhe mësuar në mënyrë të qartë dhe kuptimplotë. 
Prandaj edhe vihet në kurse, shkohet në shkolla. Natyrisht, duhet pasur edhe 
qasje më të gjerë në mjedisin konkret, e prandaj nuk duhet anashkaluar 
prapaskenën psikologjike dhe strukturën sociologjike të një ambienti dhe kohe 
të caktuar, por kjo nuk është teo-logos, ato janë vetëm mjete që realiteti 
teologjik më mirë të realizohet, të japë fryta të mira.
Tekefundit, askush i mençur nuk është kundër praktikës humane fetare, kundër 
dëshmisë së porosisë muslimane në të a.q. mishërim horizontal, praktik të 
Islamit, në horizontalen e jetës. Nuk duhet dhe nuk mund të kemi gjë kundër 
metodave të reja, bashkëkohore dhe aktivitetit human të institucionit fetar. 
Këtu bëhet fjalë për realitetin e prekshëm me anë të të cilit gjykohet edhe për 
themelet më të thella të porosisë islame dhe për pranueshmërinë e konceptit 
islam në përgjithësi. Praktika jetësore është mjaft e rëndësishme në kuptimin 
islam të botës. Pra, nuk jemi kundër përvojës, dëshmisë dhe praktikës islame, 
mirëpo skjashmëritë janë skajshmëri. Nuk guxojmë ta harrojmë artikullimin dhe 
afirmimin e vertikales – takimin me Zotin – për çka pa dyshim me rëndësi është 
edhe horizontalja, veprimi horizontal i Islamit. Edhe njëra edhe tjetra janë të 
nevojshme, njëra pa tjetrën çalon.
 Mirëpo ashtu siç sot që më shumë ndjehet vala e prakticizmit, paralajmërimi 
ynë nuk ka të bëjë aq shumë me vetë praktikën, sa me përcaktimet themelore të 
vetëdijes dhe veprimit tonë musliman, me premisat e sigurta të fesë. Duke 
mbajtur llogari për vlerat e përbotshme, për gjithë atë që e quajmë sferë e 
gjerë e horizontales, teologjia jonë bashkëkohore do të duhej më tepër të 
flitnin për vetë vertikalen, për Zotin dhe vërtetësinë e Tij, duke e frymëzuar 
kështu praktikën me premisa dhe parime të sigurta. Natyrisht, ajo e folur duhet 
të dalë nga totaliteti i përvojës njerëzore, i cili mban llogari për të gjitha 
aspektet e qenies njerëzore, konceptimin dhe përjetimin e tij, nëpërmjet 
thellësive empirike-psikologjike të shpirtit njerëzor, pa i nënvlerësuar ose, 
thënë më mirë, pa pasur frikë që ekzistimi i Zotit dhe realiteti religjioz të 
ndriçohen dhe shtjellohen sa me qasjet jetësore aq
 edhe me ato të drejtpërdrejta mendore. Duke u mbajtur fuqishëm për veprimin 
dhe metodën personale, teologjia është e thirrur që ta artikullojë botën e vet, 
që në mënyrë të afërt ta shprehë teo-logosin e vet, dhe kësisoj t'i ofrojë 
mbështetje besimtarit bashkëkohor dhe praktikës së gjerë muslimane. Kjo do të 
ishte kundërpërgjigjja më e mirë ndaj prakticizmit dhe relativizmit të 
tepëruar, të cilët në përmasa më të gjera gjithnjë e më shumë harrojnë se 
realiteti i Zotit është kriter edhe i realitetit njerëzor.
Edhe një çështje me rëndësi, çështja e prezentimit, argumentimit dhe përjetimit 
të vet ekzistimit të Zotit, gjegjësisht arsyeshmërisë së pranimit të fesë sot 
qëndron nën barrën e skepticizmit dhe të neopozitivizmit. Pas periudhës 
triumfaliste të apologjetikës, sot kemi rënë në një skajshmëri tjetër, në 
dyshimin dhe mosbesimin, në të dyshuarit e fjalëve dhe arsyetimeve të 
kuptueshme. Duke e larguar racionalizmin racionalist dhe pozitivizmin e 
vetëbesuar, si duket e kemi larguar edhe çdo veprim racional, rrugën dhe 
metodën në qasjet ndaj Zotit. Nuk kemi besim në metafizikën dhe reflektimin, 
sikur Zoti, si i tillë, vërtet është i paarritshëm dhe i pakapshëm a priori për 
çdo njeri, në nivelin e të kuptuarit dhe të menduarit të zakonshëm njerëzor. Pa 
dyshim teologët nuk e mohojnë Zotin, por ata sot më tepër kërkojnë strehim në 
kur'anizëm, misticizëm, përvojën personale apo madje edhe
 karizmatizëm. Njësoj si poetët të cilët shërbehen me meta-gjuhën, shumë 
teologë shërbehen me meta-teologjinë: në vend që të thonë, ata poetizojnë dhe 
premtojnë.
Këtu do të mund të thonit se ka pak teprim. Po, ka, por a nuk është e çuditshme 
nëse teologët dhe filozofët me ironi flasin për qasjet racionale ndaj Zotit? 
Rrugët e besimit dhe të mosbesimit janë të ndryshme, të gjera dhe misterioze 
njësoj siç është i gjerë dhe misterioz njeriu me tërë qenien e tij. Asnjë rrugë 
nuk do ta "zbulojë" dhe nuk mund ta "zbulojë" Zotin. E dimë, Zoti në vete është 
fshehtësi, mister. Prandaj pajtohem se Zotin nuk duhet "tematizuar". Ai 
tejkalon çdo temë, çdo lëndë hulumtimi. Mirëpo, konsideroj se teologjia 
bashkëkohore duhet pandërprerë – sidomos sot – t'i kërkojë dhe ndriçojë të 
gjitha rrugët dhe mënyrat që shpien nga Zoti, paçka se ato mund të quhen të 
përvojës, psikologjike, filozofike, njerëzore, transcendente, jetësore ose 
mistike... Natyrisht, dikujt do t'i konvenojë njëra, e dikujt tjetra, ndërsa 
dikujt – që është plotësisht e kuptueshme ngaqë nuk
 ekziston ndonjë rrugë ekzakte për ekzistimin e Zotit – nuk do t'i konvenojë 
asnjëri. Në të vërtetë, vetëm besimtari për të cilin ekzistimi i Zotit është i 
qartë (mubejjin), nuk do të kërkojë rrugë të reja e as që do t'i vlerësojë 
rrugët dhe metodat e vjetra, sepse, siç thamë, rrugë ekzakte nuk ka, ndërsa 
evidentja nuk ka nevojë për kurrfarë arsyetimi. Mirëpo, në ditët tona kur 
materializmi me aq vetëpëlqim hedh parullat: "Zoti është i tepërt, i 
panevojshëm", "Zoti nuk mund të dëshmohet", "Zoti është trillim" (hasha) e të 
ngjashme, ose kur për Zotin me të madhe flasin edhe ata që nuk e besojnë dhe 
respektojnë, është për t'u habitur që mendimtarët muslimanë gjithnjë e më shumë 
"ikin" nga ballafaqimi mendimor, nga besimi në arrtitjet njerëzore të 
realitetit religjioz. Është e qartë se ata janë nën ndikimin e botës dhe të 
mentalitetit bashkëkohor, në të cilin, edhe përkundër
 falimentimit të pozitivizmit, metafizika, mendimi dhe filozofia ngecin pas 
shkencave natyrore, praktikës, eksperimentit dhe përvojës, kështu që as që 
dëshirojnë që në mënyrë serioze të paraqiten para publikut "të huaj".
Përkundër të gjithë kësaj, teologjia, dhe në kuptimin më të gjerë edhe mendimi 
musliman, do të duhej të vepronin ndryshe. Sepse, ç'duhet teologjia nëse nuk 
është në gjendje ta arsyetojë dhe argumentojë, dua të them: njerëzisht ta 
artikullojë dhe në mënyrë të kapshme ta ndriçojë ekzistimin e Zotit? Po e 
përsëris se nuk bëhet fjalë për kurrfarë veprimi apo prove matematikore, bëhet 
fjalë vetëm për argumentim dhe afirmim të praktikës dhe mendimit religjioz. Kjo 
na mungon, ndërsa sot është aq e nevojshme. Pa këtë gjithnjë e më shumë futemi 
dhe do të vazhdojmë të futemi në relativizëm, misticizëm dhe prakticizëm. 
Teologët, si dhe shkrimtarët dhe mendimtarët e tjerë muslimanë, do të duhej ta 
thyejnë heshtjen e imponuar për Zotin. Vetëm me afirmim të arsyeshëm të Zotit 
dhe parimeve të fuqishme muslimane që bazohen mbi të, bashkëkohësia dhe 
ardhmëria jonë do t'i ikin dhe do t'i rezistojnë
 barrës së rrezikshme të mentalitetit relativist-pozitivist i cili po na shtyp 
dhe na nënçmon në fe, në kulturë, në shtetësi.
Tekefundit, aty ku vihen në dyshim vetë themelet e fesë duhet që edhe mbrojtja 
e saj të zhvillohet jo në skajet dhe në temat dytësore, por nga vetë themeli, 
sepse: "Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ai të mos e 
ndryshojë vetveten" (er-Ra'd, 11).

http://mesazhi.com/author_article_detail.php?id=551

___________________________________________________________________
And do not follow (blindly) any information of which you have no (direct) 
knowledge. (Using your faculties of perception and conception, you must verify 
it for yourself. (In the Court of your Lord,) you will be held accountable for 
your hearing, sight, and the faculty of reasoning."[17:36]


      __________________________________________________________________
Yahoo! Canada Toolbar: Search from anywhere on the web, and bookmark your 
favourite sites. Download it now at
http://ca.toolbar.yahoo.com.
--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan