*NËSE KAM GABUAR, KËRKOJ FALJE, *

*NËSE GABUAN ATA ALLAHU UA DHËNTË HAKUN!*



*…Përpiqen që qimen ta bëjnë buall, apo ndoshta ky skenar i përngjan një
njeriu, i cili, nga moskujdesi i tij i duhur, e hedh një bishtuk të cigares
diku në rrugë, e pas tij shkon një dashakeq, i cili atyre gacave të mbetura
ua hedh një kovë benzinë, me çka shkaktohet një zjarr i madh e pastaj edhe
një dëm.  A thua, cili e ka fajin më të madh, ai i cili e hodhi cigaren në
rrugë, apo ai i cili ia hodhi benzinën?!*

* *

Kjo botë dhe jeta në të është shumë interesante.  Kur`ani na tregon se që
nga fillimi i jetës mbi këtë sipërfaqe e deri më sot është ndeshur e drejta
dhe e shtrembëta, e vërteta dhe e pavërteta.  Kjo më së miri tregohet nga
jeta e Pejgamberëve të Allahut, të cilët kanë qenë njerëzit më të mirë dhe
që më së shumti ia kanë dashur të mirën njerëzimit.  Zaten – qëllimi kryesor
i tyre ka qenë përmirësimi i gjendjes dhe rregullimi shoqëror, p.sh.:
Shuajbi a.s i thoshte popullit të tij*: “O populli im… unë nuk dua tjetër
vetëm të përmirësoj (gjendjen shpirtërore dhe atë  njerëzore) aq sa mundem,
por këtë mund ta arrijë vetëm me ndihmën e Allahut, vetëm Atij iu kam
mbështetur dhe vetëm tek Ai jam i drejtuar!” (Hud: 88)* dhe kështu radhazi
edhe Pejgamberët e tjerë, deri te Musa, deri tek Isa dhe deri te Pejgamberi
ynë dhe i fundit, Muhamedi a.s.



Mirëpo me gjithë qëllimin e mirë të tyre, karakterin e lartë, urtësinë dhe
mençurinë e atyre burrave të mëdhenj, atyre gjithherë u paraqiteshin armiq,
të cilët u dilnin para dhe me tërë potencialin e tyre përpiqeshin t`i
pengonin në realizimin e atij amaneti të marrë nga ana e Allahut xh.sh, e që
ishte rregullimi dhe përmirësimi i gjendjes së njerëzimit nga ana
shpirtërore dhe ajo trupore.  Në të gjithë librat qiellorë e kemi të qartë
armiqësinë e faraonit ndaj Musaut a.s dhe misionit të tij, apo më herët
Ibrahimit a.s. dhe mbretit të asaj kohe, Nemrutit.  Dhe kështu, radhazi deri
te Pejgamberi a.s, i cili pati armiq të shumtë, mirëpo çdoherë triumfonte e
vërteta, dilte haku në shesh, herët a vonë, ngaqë ata armiq të misionarëve
të Allahut xh.sh kishin harruar se me këtë i kanë shpallur luftë Allahut të
Madhëruar, se ata i kanë dale para ligjit të Allahut.  Për atë Allahu xh.sh.
gjithherë i ka mundur, bile shumëkënd nga ta edhe i ka shkatërruar, siç
përmendin qartë Bibla dhe Kur`ani.



Një ligj i tillë vazhdoi të mbretërojë edhe tek pasardhësit e Pejgamberëve,
tek ata të cilët marrin mbi sipër vazhdimin e rrugës së tyre, e që është
nxjerrja e njerëzve nga errësira në dritë, gjegjësisht rregullimi shoqëror.
 Kështu që, edhe atyre ju shfaqen armiq dhe kundërshtarë, të cilët me çdo
mund përpiqeshin ta pengonin atë mision, qoftë me propaganda të ndryshme,
qoftë me përhapje të urrejtjes, qoftë edhe me përpjekje të likuidimit të
tyre.  Thjesht, arsyeja është se shumëkënd e pengon stabilizimi dhe
rregullimi i gjendjes shoqërore nga të gjitha këndet.  Kështu që,
përpiqeshin ta destabilizonin gjendjen për përfitime të caktuara.  Kjo është
vërtetuar dhe po vërtetohet dita-ditës nga faktorë të ndryshëm, gjithandej
nëpër botë, por, mjerisht, edhe te ne, ku më së shumti kemi nevojë për
rregullim shoqëror, e më së paku për përçarje vëllazërore apo kombëtare.  Është
e vërtetë se armiqtë e këtyre misionarëve të sotshëm nuk janë sikur të
Pejgamberëve, porse edhe ne nuk jemi sikur Pejgamberët, ne jemi njerëz që
gabojmë, sepse siç thotë populli, “*kush hanë bukë bën edhe troha*”, e
armiqtë e paqes, të mirësjelljes, e në këtë rast me keqardhje “*armiqtë e
fesë dhe kombit*”, duke xhelozuar këtë përparim të këtij populli në sfera të
ndryshme e, fatmirësisht, edhe ne atë fetare, dhe duke qenë të paaftë ta
pengojnë këtë përparim, përpiqen që qimen ta bëjnë buall, apo ndoshta ky
skenar i përngjan një njeriu, i cili, nga moskujdesi i tij i duhur, e hedh
një bishtuk të cigares diku në rrugë, e pas tij shkon një dashakeq, i cili
atyre gacave të mbetura ua hedh një kovë benzinë, me çka shkaktohet një
zjarr i madh e pastaj edhe një dëm. A thua, cili e ka fajin më të madh, ai i
cili e hodhi cigaren në rrugë, apo ai i cili ia hodhi benzinën?!



Njeriu, çfarëdo profesioni të ketë, patjetër se do të ketë hapësirë për ta
korrigjuar punën e tij, do të bëjë lëshime dhe ndoshta edhe gabime.  Mua,
falë Allahut, më njohin njerëzit fort mirë nga Bashkësia Islame e deri te
xhemati i thjeshtë, studentë dhe intelektualë të ndryshëm.  Më njeh mirë
edhe Rrustem Berisha, ish komandant i Brigadës 138, më vonë “Agim Ramadani”.
 Më njihte shumë mirë i ndjeri Sali *Ç*eku, me të cilin patëm kaluar çaste
të mrekullueshme në Kosharen e ëmbël.  Po ashtu edhe i ndjeri Agim Ramadani
dhe shumë të tjerë.



Atëkohë, kur për ta luftuar shkaun, vendosa ta lë doktoraturën dhe jetën e
ëmbël në Medinën e Shenjtë, duke i lënë atje gruan me tre fëmijë, e vetë ia
mësyva Maleve të Koshares, që me emrin e Allahut të jemi nga burrat që jo
vetëm teorikisht, por edhe praktikisht ta çojmë amanetin në vend. E të dalin
sot njerëz të cilëve ua kemi sjellë lirinë me gjak e ata duke ndenjur në të
terur, të na akuzojnë për tradhti kombëtare, kjo është për çudi!  Por në
këtë botë çdo gjë ndodh. Jo rrallëherë tradhtari bëhet patriot dhe patrioti
tradhtar. Për 50 vjet radhazi kemi mësuar nëpër shkolla se Shaban Polluzha e
Tahir Meha dhe shumë të tjerë kanë qenë tradhtarë, ndërsa sot del kryetari
dhe e shpall Shaban Polluzhën – Hero të Kombit. Ndërsa në anën tjetër, 50
vjet radhazi e kemi kënduar me çifteli Boron dhe Ramizin dhe shumë të tjerë
si heronj, por e vërteta doli në shesh, qoftë edhe pas një kohe.  Nuk ka
dert.  Historia do ta vërtetojë, por edhe vetë populli do ta dëshmojë, se
kush është burrë i mire e kush i keq.  Fundja-fundjes, Zoti e di, e kjo
është e rëndësishmja.



Nëse ka merituar dikush të preket, ngase kinse deklarata ime për Gonxhe
Bojaxhiun, e cila nuk po më kujtohet se kur dhe ku e kam thënë apo është
skenar i përgatitur nga dikush pa dijen time, ka të drejtë Ipeshkëvia e
Kosovës, ngaqë qenka prekur personaliteti i saj, së cilës i kërkoj falje
publike, duke i siguruar se nuk kam pasur qëllim fyes e as nënçmues, sepse
njerëzit janë të lire në besim, ndërsa për rebelët e fesatxhinjtë e “*
Ekspresi*t” të cilët po bëhen më katolikë se Papa, as që mërzitëm e as që
shqetësohem ndopak.  Jam thellë i bindur se do të vijë koha kur vetë ata,
apo disa nga ta, do të ndjejnë keqardhje për këtë huti të shkaktuar, për të
cilën më së paku ka nevojë Kosova tani.  Neve ka rrezik të na shkojë gjysma
e Kosovës e nuk merremi me të, por nxjerrim dhjam nga pleshti!



Allahu u a dhëntë hakun të gjithëve!

Deri në javën e ardhshme me një temë tjetër, Selam alejkum!



Gazeta Epoka e Re - e premte 27 shkurt 2009

Prof. Dr. Shefqet Krasniqi

--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në fjalaebukur@googlegroups.com
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
fjalaebukur-unsubscr...@googlegroups.com
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan