FACEBOOK, SI NJË FILIAL I CIA-S

[image: http://www.ballkan.com/brenda_s/0.gif]

Le të supozojmë se takoni një njeri krejt të panjohur: në kafene, në metro,
në një bulevrad. Ky i panjohur ju pyet, se ku banoni, a jeni i fejuar apo i
martuar, apo çfarë bindjesh politike keni. "E ç´ju duhet juve kjo?" - do të
përgjigjeshit ju, si person real. Por për shumë persona që depozitojnë
profilet e tyre në internet, një gjë e tillë konsiderohet më se normale, si
p.sh. në rrjetin "Facebook". Kthehemi 25 vjet më pas, në fillim të viteve
80. Qeveria gjermane planifikoi asokohe numërimin e popullsisë. Për këtë
qytetarëve iu shtruan disa pyetje personale:
Jetoni në apartament apo në shtëpi? Keni telefon? Çfarë profesioni keni?
Miliona qytetarë e quajtën një gjë të tillë si ndërhyrje në sferën private
dhe krijuan qindra iniciativa qytetare kundër kësaj nisme të qeverisë. Këto
lëvizje patën sukses: më 15 dhjetor 1983 Gjykata Kushteteuese Gjermane e
ndaloi numërimin e popullsisë, në mënyrën se si ishte planifikuar të kryhej
ai. Gjykata e argumentoi këtë me të drejtën themelore mbi privatësinë e të
dhënave personale: Çdo qytetar ka të drejtë të vendosë vetë mbi publikimin
dhe përdorimin e të dhënave personale.
A jeni beqar? Ku banoni? Ç numër konfesioni keni?
Sot jemi në vitin 2009: E drejta për privatësinë e të dhënave personale
vazhdon të jetë në fuqi. Çdo njeri mund të vendosë vetë se çfarë të dhënash
dëshiron të publikojë. Vetëm se sot miliona njerëz nuk ruhen më për të
publikuar të dhënat personale, përkundrazi, në internet ata e bëjnë këtë
vullnetarisht, në të ashtuquajturat rrjete sociale ose komunitete online.
Këto janë portale interneti, në të cilat kushdo mund të paraqesë profilin e
vet, me fotografi, me tipare të karakterit dhe listën e miqve. Në mbarë
botën llogaritet që në të tilla rrjete sociale të jenë regjistruar një
gjysmë miliardë njerëz. Facebook-u është njëri prej më të mëdhenjve me 200
milionë anëtarë. Pothuajse secili prej tyre i lejon të tjerët që të kenë
akses në të dhënat e veta.
Çfarë lexoni ju? Cilat janë bindjet tuaja politike? Çfarë lloj marrëdhënieje
keni?
Në internet qarkullon një link për një video, përmes së cilës satirizohen
praktikat e rrjeteve sociale si Facebook-u. Një folëse lexon me zë të akullt
kushtet e sipërmarrjes Facebook-ut: "Përmes paraqitjes së përmbajtjeve në
faqe ju i garantoni autmatikisht Facebook-ut të drejtën e parevokueshme, të
përhershme, të transferueshme, joekskluzive, gratis dhe mbarëbotërore për
përdorimin, kopjimin, prezantimin, realizimin, riformatimin, përkthimin dhe
përhapjen e përmbajtjeve ose për përpunimin e përmbajtjeve derivate, apo
inkorporimin e tyre në të tjera përmbajtje dhe për dhënien nën licencë të
përmbajtjes paraprirëse." Imazhet që shoqërojnë videon janë fabrika, në të
cilat nga njëra anë depërtojnë të dhënat e përdoruesve dhe nga ana tjetër
fluturojnë përmes oxhakut kartëmonedha simbolike dollarësh. Më pas filmi
vendos edhe një lidhje mes investuesve të Facebook-ut dhe shërbimit sekret
CIA. Teori komplotesh konspirative ose jo, fakt është që Facebook-u mbledh
sasi të mëdha të dhënash. Të dhëna me vlerë dhe të dhëna, ndaj të cilave
sipërmarrja i siguron vetes të drejta masive. Shumë ofrues të tjerë, që janë
të varur prej kreativitetit dhe kontributeve të përdoruesve, kanë kushte të
ngjashme. Juristët, megjithatë, kanë dyshime, nëse delegimi kaq masiv i të
drejtave ndaj të tretëve është i lejueshëm – të paktën sipas ligjit gjerman
një gjë e tillë është me pikëpyetje. Përdoruesit nuk e vrasin shumë mendjen
për këtë. Në muajin shkurt Facebook-u donte t i ashpërsonte kushtet e
përdorimit. Si reagim ndaj kësaj pati protesta dhe Facebook-u përpunoi një
projekt të dytë, për të cilin përdoruesit duhet të votonin deri në fund të
prillit. Pjesëmarrja në votim ishte 0,3 %.

*http://www.ballkan.com/index.php?page=shownews&newsID=1075*

* *

*Thomas Reintjes/Vilma Filaj*

--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan