http://www.albaniapress.com/lajme/9190/IDENTITETI-DHE-RRUGA-JONE.html

*IDENTITETI DHE RRUGA JONË*
**
*(Reagim ndaj shkrimit “Konflikti me vetveten dhe kërkimi i identitetit
evropian të shqiptarëve” të autorit Gjon Keka, botuar në të përditshmen
“Kosova Sot” të datës 16.06.2009) *
**
Shkruan: Blerim HALILI

Analiza dhe trajtimi me karakter politik, kulturor, historik dhe shkencor më
së paku lejon abuzim të fakteve dhe manipulim me të vërtetat i frymëzuar, si
duket, nga ndikimet ideologjike dhe etnocentrike sesa nga objektivizmi dhe
shpërfaqja reale e fakteve.
Të qasurit dhe analiza ndaj dimensioneve kulturore dhe historike të jetës
sociale, përkatësisht ndaj çështjes së identitetit kërkon pikësëpari
(ç)lirim nga mjegulla e paragjykimeve dhe e shpifjeve me rrënjë në
injorancën e sheshuar botërisht, dhe çuditërisht pa turp.

Çka i hyn në punë “studiuesit” kur shkruan me kaq subjektivitet për
identitetin tonë që “na e paska mbuluar e humbur ndikimi oriental e sllav”
(barazimi plotësisht pa vend), që t’i “rrëfejë” përralla lexuesit se gjoja
(librin e shenjtë të shumicës së shqiptarëve), Kur’anin (bile shkruan me “k”
të vogël, gabim) e paskan shkruar “disa që dinin të shkruanin mirë
dredhërisht” e të cilët “i paska urdhëruar Muhamedi” (a.s.)?
A nuk i paska ardhur fundi kësaj logjike? Jo, e dimë se jo. Por, nëse jo pse
atëherë shprehet më kaq ironi kjo rrenë, bile aty ku fare s’i duhet, bile
aty ku ia zbeh pa masë karakterin objektiv shkrimit.

Po s’është çudi. Ndoshta ky është edhe një hap tjetër në vazhdën e
përpjekjeve të zotërinjve dhe vëllezërve(!) të tillë, për thirrje në atëfarë
“kthimin tonë atje mbrapa në histori…”, njëmend mbrapa, bile tepër mbrapa,
ndoshta gjerë në paganizëm, të cilët si duket ende po vuajnë nga “imponimi”
dhe ngjyra e këtij identiteti shqiptar të lartë moralisht, kulturalisht dhe
me vend meritor në rrafshin qytetërues.

Çka i duhet tani autorit të shpreh paragjykimin e tij e të “rrëfejë” rrenën
se “islamizmi” (i shkruar gabim, në vend të: Islami) qenka “pjellë e
Muhamedit” gjersa shkruan për identitetin tonë shqiptar, (“Pa bizantizëm e
islamizëm” siç na shprehet ai)?!
Kush ka thënë ashtu bre? Ç’është ky korrelacion: “identiteti ynë” - nga
njëra anë, dhe, “të qenit e Islamit pjellë e dikujt” – nga ana tjetër. A mos
ndoshta është shprehur në trajtën “bie fjala”?! Do të kishim dëshirë të
ishte ashtu. Por druajmë se kjo i shërben thirrjes dhe jehonës idiote të
lartpërmendur. Gjonizëm i mbrojtur me fanatizëm!

Të barazosh një fe dhe mesazh që për një kohë të shkurtër jehoi në të katër
anët e botës duke kultivuar shpirtin human, paqen, drejtësinë dhe moralin,
apo siç thotë Sami Frashëri, që “…zëvendësoi politeizmin me monoteizëm,
barbarinë me qytetërimin, paditurinë me dituri, urrejtjen me respektin ndaj
njëri-tjetrit, dembelinë me përpjekje në punë, papastërtinë me pastërti,
poligaminë me monogami, shthurjen familjare me harmoni familjare,
amoralitetin me moralin, egoizmin me zemërgjerësinë, nëpërkëmbjen e femrës
me barazinë me mashkullin, padrejtësinë me drejtësi, etj.”, islamin - nga
njëra anë, dhe, një ideologji radikale dhe antihumane që shkaktoi gjak,
dhunë, mjerim shpirtëror dhe moral kudo që provokoi ekzistencën e vet mbi
faqe t’dheut, komunizmin – nga ana tjetër, është absurde

E nuk po di, kush janë ata që po u thirrkan, sipas autorit, në “kulturën
turke, arabe...”, prej ne shqiptarëve, e që janë duke e gënjyer vetveten për
integrim në Unionin Evropian?! E pse të identifikohet integrimi në Unionin
Evropian me integrimin në sistemin e vlerave të shëndosha? Për vlera të
shëndosha s’kemi nevojë për model. Në Unionin Evropian mund dhe duhet të
hyhet veç me vetveten e jo me tjetërsim, pra me sistemin tonë vleror e
kulturor e jo me tëhuajësim të vetvetes. S’është identiteti rrobë që hiqet
kur të duash, bile as rroba s’hiqet ashtu.

Gërshetimi i vlerave tona të ruajtura si popull, e që, mjerisht kanë marrë
tatëpjetën, me të arriturat dhe sistemin politik të shteteve evropiane janë
dy gjëra që kërkojnë njëmendësi.
Nuk është kusht për integrim në Unonin Evropian apo në këtë farë “sistemi
vlerash” (!) të përfaqësosh “kulturë të pastër” (të njëllojtë, kjo është
absurde) dhe identitet të pastër (të mos krahasojmë bile pastërtinë e
proklamuar hitleriane me këtë kërkesë). Ne shqiptarët kemi identitet për
mburrje bile, që shënoi ekzistencë të gjertanishme me unitetin maksimal
ndërfetar. Larmia kulturore, fetare është pasuri e një populli e jo pengesë
integrimesh, është për mburrje e jo për të fshehur kokën.

Të përfaqësosh dhe të identifikohesh me një kulturë dhe qytetërim me përmasa
botërore, që i la botës gjeni të fushën e dijes, shkencës, filozofisë,
moralit përgjatë tërë historisë nuk është diçka negative që të shprehet në
trajtën “infeksion i islamizmit”.
Shqiptarët kanë nevojë të mendojnë, por veç duke qenë këta që janë, kanë
nevojë të shfletojnë historinë, por s’janë të padenjë që bashkëjetesën dhe
ekzistencën e kamotshme në kuadër të një sistemi politik, kulturor e fetar
me larmi identitetesh, me një respektim maksimal të tyre, ta konsiderojnë si
humbje të identitetit.

Para shumë shekujve paskemi qenë të krishterë dhe paskemi pasur kulturë të
lartë! Ani de! Kemi shqiptarë të krishterë ende, e që, sipas asaj logjike
paskemi edhe pak kulturë të lartë. Por, kultura e lartë nuk identifikohet
gjithsesi me krishterimin e shqiptarëve të asaj kohe. Shqiptarët myslimanë
të atyre shekujve që po urrehen dhe paragjykohen nga autori pa të drejtë
dolën kolosë të dijes, shkencës, letërsisë, artit, mjeshtërisë që nuk u
izoluan në kontekste të ngushta hapësinore, madje fatmirësisht as kohore. E
kësaj çka i thonë, a s’është kulturë e lartë? Po, është, bile këto janë
aspekte më thelbësore të saj.
“Rruga e brendshme e arsyes dhe trokitja në ndërgjegje të shqiptarëve” nuk
konsiston realisht në kthimin tonë “atje” ku po proklamohet nga autori.

Por rrugë e arsyes është të pranohet identiteti real i shqiptarëve me
ngjyrimet e mirëqena kulturore dhe fetare e të lihen thirrjet e zbrazëta,
boshe, plot subjektivitet që nën maskën e luftimit të ideologjisë,
identifikojnë një ideologji në vete, që sjell çorientim (bile edhe
përçarje).
Bile ne shqiptarët jemi popull për tu krenuar për faktin se përfaqësojmë
shembullin më të mirë të gërshetimit të dy qytetërimeve dhe të identitetit
të dyfishtë, të Lindjes dhe Perëndimit.

E sa për konflikt me vetveten, më parë do të ishte e drejtë të quhet krizë
me vetveten në kërkim të identitetit, jo në kuptimin e shtruar në shkrimin
që po e citojmë, por në një kuptim diçka më ndryshe, gjë e cila s’mund të
mohohet në vazhdën e brohoritjeve për integrime dhe tjetërsime e që, për
rrjedhojë do të ketë thellim të krizës.

Fundja secili mund ta ndjejë veten çfarë të dojë, por është pa vend të
lëshohen zëra të tillë çorientues, të bëhen përgjithësime. Nuk duhet të
shikohen gjërat vetëm nga një prizëm pa marrë në konsideratë kontekste më të
gjera sociale, kulturore, dhe të shtrembërohen pa të drejtë të vërtetat dhe
esenca e ngjarjeve, personaliteteve dhe e rrjedhave historike, politike dhe
kulturore, në kontekste lokale dhe globale, ngase çështja e identitetit
është më e ndërlikuar se ç’mund të hamendësojmë dhe s’mund të jepen receta
me absolutizime të tilla për udhëtimin e një kombi në trajektoren kulturore
dhe kohore.

Student i Sociologjisë, Universiteti i Prishtinës
**



-- 
www.altruisti.com - Rob i Mbretit të Qiejve dhe Tokës!

--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan