Sefer Daja, bejtexhiu tiranas që vdiq nga
uria‏<http://floart-press.blogspot.com/2009/01/sefer-daja-bejtexhiu-tiranas-q-vdiq-nga.html>

*Bejtet e famshme që u bënë legjenda*

*
http://floart-press.blogspot.com/2009/01/sefer-daja-bejtexhiu-tiranas-q-vdiq-nga.html


Shkruan:Rezarta Delisula,Tiranë

Thuhet se mund të ketë qenë ndër të vetmit persona në Tiranë apo edhe në
Shqipëri, që ka vdekur nga uria.

Varfëria ka qenë bashkudhëtare e tij ndër vite, ndërsa pastronte banjat
publike. E teksa vuante në heshtje injorimin, punën e rëndomtë dhe
ngacmimet, Sefer Daja, bejtexhiu i bujshëm në kryeqytet, nuk rrinte pa i
kthyer përgjigje në formë tallëse kujtdo që e prekte. Pikërisht për këtë,
shpejt njerëzit do të bëheshin kuriozë për batutat e vargjet që formonte
Sefer Daja, njeriu që shumë vite radhazi kishte banjat publike te Partizani
i Panjohur, si strehën e tij. Ka qenë një burrë relativisht i shkurtër, që
mbante brekushe e qeleshe të bardhë. Me një fytyrë ku rrudhat shtoheshin sa
herë që në mendje i vërtiteshin halle. Me veshët pak të mëdhenj e një hundë
që nga dobësia i varej mbi buzë. Ky është portreti i Sefer Dajës, njeriut që
të gjithë qytetarët e kahershëm të Tiranës kanë dëgjuar ndërsa mbajnë mend
vargje të dala nga goja e tij. “Hone pri deti na paske ardhë, midis Tironës
ke zonë ven, kaptinën ma paske si koqe dardhë, do me na dhonë ene men”.

Varfëria

Sefer Daja ka lindur në Tiranë më 1897 dhe ka vdekur më 1977 po në Tiranë.
Ai rridhte nga një familje e varfër, por që para vitit 1945 konsiderohej të
kishte një copë tokë e një shtëpi. Pas kësaj periudhe atij iu konfiskua
gjithçka kishte, ndërsa jeta i mori teposhtë. Varfëria u bë bashkudhëtare e
tij për shumë vjet, deri sa vdiq. Duke mos pasur shkollë ai fillimisht punoi
si ndezës i sobave të tutkallit në Ndërmarrjen e Punim Drurit “Misto Mame”.
Pas kësaj ai punoi deri sa vdiq pastrues i banjave publike të Tiranës, por
më shumë u caktua përballë kinema “Partizani”-t dhe te rruga e “Elbasanit”.
Banorët e kahershëm kryeqytetas e njohin të gjithë. Shpesh batutat e tij i
bënin të mbanin barkun me dorë nga të qeshurat, batuta që ironizonin çdo
gjë. Sefer Daja rrinte vetëm e gjithë jetën e tij kohën e kaloi duke vuajtur
varfërinë e tejskajshme. Ka qenë familja autoktone tiranase e Myslym Sulës,
që banon në rrugën e “Xhafëve”, shtëpia që ka pritur e përcjellur bejtexhiun
e varfër. Ato nuk kishin kurrfarë lidhje gjaku më Seferin, por thjesht e
ndihmonin duke i dhënë pak ngrohtësi familjarë. Kur Sefer Daja vdiq më 1977
ishte djali i madh i kësaj familjeje Aliu, i cili mori përsipër të gjitha
shpenzimet për drekën mortore.

Ndryshe

“Edhe sot kur mendoj, çuditem sesi ai regjim, që krijoi ligjin famëkeq të
agjitacion-propagandës, nuk arriti t’ia mbyllë gojën plakut artist, që e
thumbonte orë e çast pa e çarë kokën fare”, thotë autori i librit Haxhi M.
Deliu, i cili sapo ka nxjerrë në treg botimin më të ri “Sefer Daja nëpër
bejte”. Skicat e librit i ka bërë Bujar Kapexhiu, ndërsa autori shton se
bejtet janë origjinale e po kështu edhe historitë përbri tyre. Dhe në fakt
të gjitha bejtet e Sefer Dajës edhe pse në një farë mënyrë paksa banale,
kujtojnë probleme të theksuara të shoqërisë. Ai mund të shante shtetin, të
bënte ironi me tollonat, apo me ushqimet që s’kishte nëpër dyqane, me natën
e mirë që duhej të bënte hallvë por që s’kishte sheqer për të blerë... me
policët e sigurimit, me rininë që dilte me duar në xhepa sepse s’punonte, me
pushtimin e Tiranës nga të ardhurit... Kur lexojmë bejtet e Sefer Dajës,
edhe pse tashmë e dimë, përputhim faktet. Ai vë në vargjet e tij të ardhurit
më të shumtë që janë kryesisht nga jugu e ato pak të tjerë që janë nga
veriu. Tipike e Sefer Dajës ka qenë përdorimi i fjalorit të rrugës, por që
në rastin e tij i shkon në krahasimet e bëra. Ka shprehje të Seferit që kanë
marrë forma të ndryshme ndër vite, në aspektin e dialektalizmit, por ato
mbeten të njëjta. “Rinis i ka hik itibari, una jom njeri pa shkollë. Po
mustaqe ka ne K... me e marrë hollë-hollë”. Shprehja e Sefer Dajës ka
shpërthyer në ato pak vite liberalizimi dhe lidhet me ata njerëz që duke
lënë mjekra e mustaqe të gjata, duke imituar politikanët sovjetikë, mendonin
se ngjanin më mirë. Pikërisht kjo është përgjigjja që tre djem të rinj me
mjekra morën nga bejtexhiu pastrues, pasi e pyetën se kush është më i bukri.
Bejtet e Sefer Dajës tashmë janë bërë pjesë e historisë kryeqytetase, madje
dhe të banorëve më të rinj, të cilët përballen me vargjet gjithë kunja e
nëse janë kuriozë për burimin, ky ka qenë Sefer Daja.



Libri më i fundit i Haxhi M.Deliu

“Sefer Daja nëpër bejte”, është libri më i fundit i sjellë nga autori Haxhi
M.Deliu, një libër që i ka kushtuar vite pune, për të mbledhur bejtet e
papara të personazhit tiranas. Duke qenë një nga njerëzit që e njihte
personalisht Sefer Dajën dhe batutat e tij, ai vendosi të na shuajë të
gjithëve kuriozitetin se cili ka qenë bejtexhiu që s’mund të rrinte dot pa
folur. Në librin e tij më të fundit, që vjen pas 5 botimeve të tjera,
bashkëpunëtor ka qenë miku i tij Bujar Kapexhiu, i cili ka mundësuar bërjen
e karikaturave për të ilustruar situatat e vërteta. Haxhi M.Deliu është një
tiranas i hershëm autokton. Ai ka mbaruar Liceun Artistik e pikërisht në
këtë periudhë ka njohur Sefer Dajën. Autori ka punuar si regjisor teatri e
estrade e më pas si mësues në Shkollën e Kuqe për 35 vjet.



Bejtet



Adolishenteve

Je pa ndoj herë n’pasqyr mi Gocë?
Sa shpejt na bone për vehte
Me kët surrat si bretkocë
Ene me t’ecmen si puldete

Me fuksin

Për kto punë s’je mo i ri
Të paskan dhonë motor me bojë
E shof se trutë ti paskan dhi
Dashkan me ta fut ene në gojë

Ushtarit

Ty ushtar të paska humbë luga
E don prej meje me ta falë
Ndoi ditë paska me të humbë ene çuka
Shife a e ke ndër shalë?

Provincialit

Do me ditë vaktin shejtoni
Po shyqyr shejton s’kom ndodh
Dil te Kinema Partizoni
Ene shif sahatin e modh

Malsori Druvar

Hyni malokui shpejt si era
Sharrë e sopatë në Gozhdë me i varë
Pa mbërrit hala ke dera
Na i shkunë pordhët Litarë
Paske ardhë hone prej Lume
E rrin n’Tiron pa siklet
Hik e laje ate dreq sume
Masanej ec e bojmë muhabet

Vajza me biçikletë

Tu tek si dacit për zorrë
Nji kjo fjal osht e vërtetë
Yt atë s’ka pas as gamor
Ti na paske hyp m’biçikletë

Llogaritarit

Si s’tu thy moja e kalemit
Ti s’ke majt as nonë e as babë
Kur ti gjindet dermoni ktij temit
Ke për t’msu me bo hesap.

Xhepistit

Ti dukesh që je hajdut
Je njeri pa statut
Ndoji ditë mor hund lopatë
Paske për të vjedh dhe të t’atë.

Sportistin e Tironës

Je bo dy metra i gjatë
Po dymdhjet të rri sahati
S’e marr vesht si t’ma yt atë
Se ty s’të ze as krevati

Me bejtexhiun anonim

Për bejte të paska zon sevdaja
Je pa din e pa Imonë
Po të them una Sefer Daja
Ktë bejte shko knoja sat’om

Adoleshenten

Je tu nejt shumë me siklet
Osht tu ardhë vakti i bukës
Hik në shtëpi shpejt e me lezet
Se po të shtyp ndoj makinë rrugës

Me djalin gricës

Shif punët e tuja, shko drejt rrugës
Ene mos ja me u tall me mu
Shif sa e paske ullukun e hunës
Sa me t’fut i koqe ftu

Me studentë nga Labëria

Jom tuj mendu kahone
Po s’po dij fijen ku ta kap
Ju thoni që ini prej Tirone
Po demete qekeni lab

Me jabanxhinjtë

Qe Tirona veç tironsa,
U mbush plot me tiranas
Drek e Darkë, mjes e mromje
Ul e ngre, hanë vetëm pras

Plazhistët

Jon nis çunat me shku n’plazh
Me u shullu në atë rreze dilli
Veç bukë e djathë ne domate
Mrapa ju vje majasëlli

Të ardhurit

U shkul në Tironë, veriu dhe jugu
Thonë:-Kimi ardhë për t’ju mësu
U kënoqën çunat e Tironës
Se plot goca na keni pru
Rinia pa punë

Jon mbledh çunat tufë si sqep
S’kon zonë punë hala me dorë
Asnji lek s’e kon në xhep
Veç sillen rrugëve si gamorë

Me policin

Vallahi kemi qeveri
S’të le rehat as me u shtri
Se të lësho qenin e zi
E bërtet: Hajt, hik në shpi

Studentëve

Fort student i ri po m’duke
Stilografin mush me bojë
Sytë mi boke si zog squke
Biberonin dashke n’gojë

(Përgatiti për shtyp:Flori Bruqi)*


-- 
" Une shkruaj njerez nuk shkruaj libra"-Imam SHEHID HASAN el BENNA

--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në fjalaebukur@googlegroups.com
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
fjalaebukur-unsubscr...@googlegroups.com
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan