Falënderimi i takon Zotit të botëve, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin
mbi më të nderuarin e të Dërguarve, Muhamedin, mbi familjen e tij dhe mbi
shokët e tij.

Me kalimin e ditëve dhe netëve imani vjetrohet në zemër, ndryshken shtyllat
e dashurisë, kështu që paraqitet nevoja për ripërtëritjen dhe gjallërimin e
imanit në ditët dhe çastet e pritjes së muajit Ramazan. Robi i Allahut duhet
të përpiqet me vullnet dhe dëshirë duke vepruar vetëm e vetëm që të jetë sa
më afër Allahut.

Në hadithin kudsij Allahu thotë: *“Unë jam te mendimi i mirë i robit Tim,
Unë jam me të gjersa ai më përmend Mua; nëse më përmend në vete, e përmend
në Veten Time, nëse më përmend në ndonjë tubim, e përmend në tubim më të
mirë se ai, nëse më afrohet një pëllëmbë, i afrohem një llërë, nëse më
afrohet një llërë, i afrohem një pash, nëse më vjen duke ecur, i vij duke
nxituar.”* (Transmeton Buhariu)

Fillimi i mbarë duhet të jetë iniciativë nga robi dhe më pas përgjigjja nga
Allahu i Lartësuar: *“Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem!” *(Gafir, 60)*

“Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me
shpërblime).” *(Bekare, 152)

Patjetër duhet të aktivohet dëshira për t’iu afruar Allahut, duke e kujtuar
Atë me veprime dhe duke e përjetuar kënaqësinë e ëmbëlsisë së adhurimit
(ibadetit).
*
“Unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde,”* (Taha, 84)

Patjetër duhet nxituar drejt Allahut duke kërkuar ripërtëritjen e vlerave të
imanit dhe duke e kënaqur vetëm Atë. Në këtë mënyrë eliminohet ndryshku i
padijes, dyshimeve, epsheve, gjynaheve...

Të nderuar besimtarë!

Faktorët e ripërtëritjes së dashurisë në Allahun e Lartësuar janë:

- Njohja dhe të kuptuarit e emrave të Allahut dhe cilësive të Tij

Kjo ndikon pozitivisht në zemrën e njeriut duke ngritur nivelin energjisë
dhe forcës, që nëpërmjet ibadeteve të arrijë kënaqësinë e Allahut.

Mendo për ngjarjen e Ebu Dahdait, kur zbriti fjala e Allahut: *“Kush do t’i
japë Allahut një hua të bukur, që Ai t’ia kthejë shpërblimin
shumëfish?”*(Bekare, 245)

Ebu Dahdai thotë: “Allahu prej nesh kërkon hua?” I përgjigjet i Dërguari i
Allahut: “Po.” Pastaj tha: “Ma jep dorën, o i Dërguar i Allahut.” Pasi e
zgjati dorën i tha: vërtetë unë i jap hua Zotit tim, kopshtin me gjashtëqind
trupa hurmash të rrethuar me mur.” Dhe me shpejtësi e urdhëron gruan,
familjen duke i thënë: “Largohuni nga kopshti, se unë ia dhashë hua Zotit
tim.”

O besimtarë!
Shikoni! Mësoni! Kuptoni se si sahabët e Muhamedit, paqja dhe bekimet e
Allahut qofshin mbi të, i kanë kuptuar fjalët e Allahut.

Në çast vendosnin në favor të vetin, vetëm që të fitonin faljen, kënaqësinë
e Allahut. Zemrat e tyre nuk hamendeshin. Ata me ndihmën e Allahut i kishin
pastruar zemrat nga ndryshku i dyshimeve dhe epsheve.

- Leximi dhe marrja e leksioneve nga mirësitë, dhuratat, favoret e panumërta
të Allahut. Zemrat janë të përgatitura për të dashur atë që i ka bërë mirë.

Ajetet që ia kujtojnë njeriut dhuntitë dhe të mirat e pakufishme janë të
shumta. Atëherë aq sa të kesh njohuri për të mirat e Allahut, aq më tepër të
shtohet lakmia dhe dëshira për ta falënderuar Atë për mirësitë e Tij.

Përkujto mirësitë e Allahut, që po të vinë nga të gjitha anët; shëndeti në
trup, ushqimi, veshmbathja, ajri, uji e gjithë dynjaja në shërbim.

Dy sy për të parë, gjuha, buzët, duart, këmbët... Mendon që është e lehtë të
ecësh me këmb, pyete ata që nuk i ka. Ke nevojë për mbështetje apo për të
mbajtur me dorë, pyete ate që nuk e ka dorën.

Gjumin nuk e peshon dhe nuk ia di rëndësinë, pyete atë që nuk mund të flejë
për shkak të dhimbjeve apo sëmundjes. Ushqimin e merr dhe e fut në stomak,
mendoje këtë dhe falëndero.

Mendo për sytë dhe nuk je i verbër. Mendo për lëkurën që ke në trup dhe
sëmundje lëkure nuk ke. Mendo për mendjen që ke, a pajton të mbetesh i
çmendur?!

A e ndërron të shikuarit me një kodër ar?! A e shet të dëgjuarit për një
kilogram ar?! A e shet gjuhën, dorën dhe të mbetesh pa të për një pallat të
mirë?!

O njeri, mendo për të gjitha këto! Mendo për veten tënde, për familjen, për
shtëpinë, për punën, për shëndetin, për shokët dhe dynjanë!

- Rrekja, përpjekja, nxitimi, angazhimi duke garuar në çdo gjë që ka
urdhëruar Allahu i Lartësuar

*“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe xhenetit,”* (Aliimran,
133)

*“Prandaj rrekuni me njëri-tjetrin, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe
një kopsht...” *(Hadid, 21)

*“Për këtë, le të përpiqen ata që përpiqen.”* (Mutafifin, 26)

I nderuar!

Mëso! Nëse je prej tyre që dëshirojnë zgjimin, epërsinë, mallëngjimin për të
ecur drejt Allahut të Lartësuar, atëherë mobilizohu edhe para Ramazanit për
ta rritur prodhimin e adhurimit. Ky gjallërim është një lloj lënde djegëse
imanore dhe katalizator që ia mundëson adhuruesit shijimin dhe përjetimin e
adhurimit dhe lutjes.

Ajo që është më përmalluese dhe kurora përfundimtare e të mirave të Allahut
në xhenet është shikimi i Allahut në xhenet. Ke mundësi ta lexosh fjalën e
Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, duke menduar në vete.
“Vallë cili është përmallimi im për ta parë Allahun? A do ta përjetoj këtë?”

I Dërguari i Allahut thotë: *“Kur do të hynë banorët e xhenetit në xhenet,
Ai u thotë atyre: "A dëshironi ndonjë gjë edhe më tepër (që t’ua plotësoj,
shtoj)?” Do të thonë: “A nuk i ke zbardhur fytyrat tona? A nuk na ke futur
në xhenet e na ke shpëtuar prej xhehenemi?” Kështu zbulohet (e heq
mbulesën), atëherë nuk u dhurohet atyre asgjë më të dashur sesa shikimi në
Zotin e tyre.”* (Transmeton Muslimi)

*“Ata që bëjnë vepra të mira, do të kenë shpërblim të mirë, madje edhe më
tepër!”* (Junus, 26)

Sferat dhe fushat e mallit janë të llojllojta: malli për ta takuar Allahun,
për xhenetin e Tij, Mëshirën e Tij, shikimi në Fytyrën e Tij, takimi me
Muhamedin, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, në Firdevsin e lartë.

Kini kujdes mos t’ju mashtrojë hajduti sidomos në Ramazan, duke ua grabitur
kohën, si: pasuria, gruaja, fëmijët, që të mos mundesh ta realizosh mallin.

Kujdes, bëhu i vendosur, ec rrugës për tek Allahu dhe motoja jote të jetë në
Ramazan: *“Unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë
Tënde.”*(Taha, 84)



Përgatiti: Ulvi Fejzullahu
www.klubikulturor.com
9.8.2009

--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan