Përballë vetvetes
Mr. Ejup Haziri
 
Jeni duke qëndruar në kinema dhe në çdo moment pritni që filmi -për të cilin 
jeni ardhur- të ia fillon, shikon sallën e kinemasë e cila është e stërmbushur 
me njerëz që kanë ardhur për të njëjtin qëllim. Sytë e tyre i janë drejtuar 
aparatit kinematografik dhe me ëndje të madhe presin fillimin e filmit. Vjen 
edhe çasti i caktuar dhe në ekran dalin skenat e para të atij filmi. Si do të 
ndihesh nëse krejt papritmas ja fillon filmi që do të elaboronte një pjesë të 
jetës sate që ndokush ka bërë përgjime pa dijen tënde? Duke filluar filmi, 
fillojnë edhe skandalet, marrëzitë dhe mëkatet tua të vazhdueshme! Shikon 
ekranin e zmadhuar dhe ja e sheh veten, sodit mendjen se a je në ëndërr apo ajo 
që e sheh është realitet e jo fantazi, fshin sytë se mos vallë ato pamje janë 
imagjinata, por gabon posa t’i hapësh sytë ngase skenat skandaloze mbesin të 
njëjta, dhe tashmë bindesh se personi në aparatin kinematografik je pikërisht 
ti e jo ndokush tjetër. Shikon përreth vetit sa në të djathtë e sa në të majtë, 
dhe ja që gjithë sytë e tyre janë drejtuar kah ti. Ul kokën poshtë nga turpi, 
fytyra të skuqet, trupi të dridhet nga ajo që sheh, zemërimi të kaplon, ndërsa 
pulsi i zemrës sate sa vjen e shtohet. të gjitha ato që i sheh janë veprimet 
tua, që ndoshta në momentin e veprimit ke konsideruar veten të guximshëm e 
ndoshta edhe revolucionar. Sheh padrejtësitë tua karshi të dëmtuarve, zhytjen 
tënde në nderet e njerëzve, bartjen e gënjeshtrës, përgojimet, premtimet e 
thyera, mashtrimet e kota, mëkatet e ndryshme, sheh gjithçka madje edhe 
imtësitë më të vogla, por të tëra këto skena nuk janë të ekzagjeruara, por një 
realitet i vërtetuar me fakte e dëshmi që tronditin rëndë ndërgjegjen tënde, 
saqë fjalët sado të fuqishme që janë ato prapëseprapë nuk mund ta shprehin 
gjendjen e atyre çasteve. Shikon poshtë dhe lutesh që të të hapet toka dhe ti 
të fundosesh në brendësinë e saj. Ndien se toka të është ngushtuar ani pse ajo 
është mjaftë e gjerë. Ngrit kokën lart dhe lutesh që Zoti të ta merr shpirtin 
para se të turpërohesh dhe të poshtërohesh para gjithë asaj turme njerëzish. 
Por, për çudi, as toka nuk hapet e as qielli nuk të bie sipër, e as vdekja nuk 
ngjan edhe pse ti me ngulm e kërkon atë. 
Gjërat që dikur ishin në dorën tënde, tashmë janë në dorën e ndokujt tjetër dhe 
fatkeqësisht fuqia jote për të stopuar skandalet e tua janë tentativa të kota 
dhe krejtësisht të pavlera. A do të ngrihesh para gjithë atyre njerëzve dhe ta 
lëshosh sallën e kinemasë apo do të vazhdosh ashtu i turpëruar dhe tepër i 
dëshpëruar duke shikuar marrëzitë skandaloze të jetës sate? Nëse ngrihesh 
padyshim se gjithë ata shikimin e tyre do ta drejtojnë karshi teje, e nëse 
mbetesh aty, atëherë poshtërimi veç vjen e shtohet. Sigurisht që asnjëra prej 
këtyre nuk do të duket ndonjë zgjidhje, madje që të dyja të duken si një 
ekuacion algjebrik, por para vetit s’ke ndonjë rrugëdalje tjetër. 
Shikon orën dhe mendon se akrepat janë ndalur në tërësi dhe se ajo fare nuk 
lëviz. Koha të duket e gjatë dhe ato inserte filmi të duken sikurse ti je ulur 
aty me vite e ndoshta edhe me dekada.
Shqetësimet e brendshme janë të papërshkruara. Brenga, mundime, mërzitje e 
madhe, ngushtime të tepërta, hall e siklete, janë vetëm disa prej atyre që do 
të shoqërojnë në ato momente të vështira dhe kritike.
Mendon se si do të vjen fundi, por fundi është larg, dhe për të arritur deri 
tek fundi, duhet kohë dhe durim të madh në përballimin e atyre shqetësimeve të 
mëdha.
Ky ishte një përfytyrim dhe figurë imagjinare, e cila mund të ndodh edhe në 
realitet, por që ky përfytyrim imagjinar i ngjan një ditës tjetër që është 
realitet dhe pasqyrim real.
Ajo është dita kur pas ringjalljes do të qëndrojmë përballë Zotit në mënyrë që 
të japim llogari për vetveten tonë, do të jetë e gatshme çdo gjë që e kemi 
vepruar sa ishim gjallë. Do të na paraqitet edhe libri i llogarisë së përpiktë. 
Lexo se çka thotë i Plotfuqishmi: “Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë 
për punën e tij dhe Ne, do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta 
gjejë të hapur (e do t’i themi): “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si 
llogaritar kundër vetvetes!”[1]
Vallë, paramendoje këtë situatë, i ndalur me gjithë njerëzimin, shikon në të 
djathtë e fundi i njerëzve fare nuk shihet, shikon në të majtë e gjendja është 
e njëjtë si në anën tjetër. Dielli të është afruar mbi kokë, djersët mbulojnë 
këmbët tua, shikimi yt është shumë i mprehtë, shpresa sa vjen e zbehet, 
shpëtimi kushtëzohet nga libri i dhuruar ose nga mëshira e falur e Krijuesit 
tënd. Para vetit ke librin tënd që është regjistruar çdo detaj i jetës sate. 
Nuk mund të besosh se tërë ajo që ke vepruar është regjistruar, por nuk mund 
t’i mohosh faktet. Sheh se asgjë nuk është shtuar, një llogari e drejtë. Lexon 
librin tënd, apo më mirë të themi lexon marrëzitë tua, ndalesh pranë mëkateve, 
gabimeve dhe marrëzive tua në jetën e kaluar. Mezi fryma del e gjuha shqipton, 
fytyra të skuqet kur kalon pranë të këqijave që ke vepruar, këmbët të dridhen 
dhe mezi të mbajnë, por leximin e atij libri duhet vazhduar.
Çuditesh kur sheh para vetit njerëz të shumtë, që qëndrojnë pranë teje, gjithë 
ata kërkojnë dëmshpërblim nga ti. O Zot! Si ma vështirësojnë gjendjen! Por, 
ndoshta ke harruar se edhe ti ua ke vështirësuar ndokujt gjendjen. Këta të 
ardhurit janë ata që ti u ke bërë padrejtësi në jetën tënde; ke bërë shpifje, 
ke nëpërkëmbë nderin, ke gënjyer, ke bartur fjalë, ke bërë këtë e atë, andaj 
ata tani kërkojnë dëmshpërblim prej teje. Si do t’ia bësh këtij halli? Çka do 
t’u japësh atyre në ato momente kritike? Do t’ua japësh të mirat tua nëse të 
mjaftojnë për gjithë ata, e nëse nuk mjaftojnë, atëherë do ua marrësh atyre të 
këqijat. Vaj halli për llogarinë tënde të asaj dite të tmerrshme, sa ditë e 
gjatë dhe sa e vështirë do të jetë! Dhashtë Zoti të mos jemi prej atyre që atë 
ditë do të tmerrohen: “Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do 
t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do 
të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të 
madhe apo të vogël pa e shënuar atë”. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që 
kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.”[2]
 




[1] Kur’an, Isra: 13-14.

[2] Kur’an, Kehf: 49




Momentet e gëzuara---lavdëroje ALLAHUN
Momentet e vështira---lutju ALLAHUT
Momentet e qeta---adhuroje ALLAHUN
Momentet e dhimbjes---beso ALLAHUN
Çdo moment---falënderoje ALLAHUN
 
   ***Me respekt nga: Ejupi***

_________________________________________________________________
Drag n’ drop—Get easy photo sharing with Windows Live™ Photos.

http://www.microsoft.com/windows/windowslive/products/photos.aspx
--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan