Agjërimi –
një dhuratë e madhe hyjnore
Rrallëherë në histori trupi
ka pasur përparësi dhe ka dominuar ndaj shpirtit sikurse në ditët tona. Vështirë
që ndonjëherë pasioni dhe dëshirat e pakontrolluara të kenë pasur lirinë sikurse
e kanë sot. Sa më shumë që njeriu prosperon në planin material, aq më shumë ai
molepset
dhe asfiksohet shpirtërisht, duke u bërë skllav i prodhimit dhe konsumit. Ai
trajtohet si kafshë si nga ana e biologëve ashtu edhe nga ana e filozofëve,
kurse
mendësia materialiste e kundron thjesht si një vegël dhe makinë lëvizëse.
Ajni Sinani
Shpeshherë njeriu i bën padrejtësi vetes dhe e
dëmton atë duke iu nënshtruar pasioneve dhe dëshirave trupore të tij. Ai largon
dobinë dhe të mirën me veprime të pamenduara mirë. Nën cytjet e djallit egoizmi,
urrejtja dhe pangopësia po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë jetën e tij. Për
rrjedhojë në shumë shpirtra njerëzorë sundon boshllëku dhe zbrazëtia.
Ndërkaq çdo dispozitë islame që vjen nga Allahu i
Gjithëdijshëm dhe i Gjithëmëshirshëm janë për të mirën e njeriut. Ato synojnë
pastrimin e njeriut dhe të shpirtit të tij nga çdo njollë, si dhe pajisjen e
karakterit
të tij me virtyte dhe cilësi pozitive. Agjërimi, padyshim, është i dobishëm për
trupin dhe shëndetin e tij dhe motivon të falënderuarit e Allahut.
Sikurse ujërat e tokës, përrenjtë, vijat dhe
lumenjtë që ndjekin një linjë drejt derdhjes në dete dhe së bashku formojnë
oqeanet e pamatshme të botës, njëlloj edhe dispozitat islame synojnë që njeriu
të ecë drejt vullnetit, mëshirës dhe kënaqësisë së Zotit.
Adhurimet që i ka obliguar Islami kanë për qëllim
që ta mësojnë muslimanin të jetojë jetë të vërtetë dhe të pajiset me moral të
mirë pavarësisht kushteve dhe rrethanave, larg mëkateve që zemërojnë Krijuesin.
Agjërimi është faktor i pazëvendësueshëm në
edukimin moral të njeriut dhe formimin e personalitetit të tij. Pejgamberi a.s.
thotë: “Essijamu Xhunnetun” (Agjërimi është mbulesë, pengesë) që do
të thotë është pengesë nga gjynahu e gabimi dhe mburojë nga zjarri i xhehenemit.
Prandaj me të drejtë Ramazani konsiderohet muaji i
devotshmërisë, i ngritjes shpirtërore dhe afrimit me Zotin, në të cilin çdo
vepër shpërblehet shumëfish, e veçanërisht agjërimi që bëhet vetëm në emër të
Zotit. Në një hadith kudsi Allahu xh.sh. ka thënë: “Për çdo vepër të mirë do të
jepet shpërblimi dhjetëfish e më shumë,
kurse agjërimi është i Imi dhe Unë do të shpërblej për të (në mënyrë të
veçantë).”
Dukuritë negative
Dukuritë negative kanë vërshuar shoqërinë tonë për
shkak se njohuritë fetare janë shumë të përcipta e sipërfaqësore. Familja jonë
është në rrezik. Shoqëria jonë sot ballafaqohet jo vetëm me varfëri ekonomike,
por ajo po përjeton edhe mjerim të madh moral. Kultura dhe tradita fetare, që e
kanë mbajtur familjen të shëndetshme dhe e kanë mbrojtur nga ndikimi i
kulturave të huaja dhe nga infektimi i dukurive negative, kanë filluar të zbehen
dhe sot asaj i kanoset rreziku i shthurjes dhe zvetënimit.
Prandaj, Ramazani është rast i volitshëm që të
evitojmë çdo gjë që është në kundërshtim me mësimet islame dhe që zbeh vlerat e
mirëfillta në familjet tona. Ramazani duhet të shfrytëzohet si një përvojë e
papërsëritshme që të përmirësojmë gjendjen tonë jo të mirë morale sepse “Allahu
nuk e
ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete.”
(Er Ra’d: 11).
Secili përgjegjës i familjes duhet të kujdeset për
familjen e tij veçanërisht në këtë muaj duke i nxitur ata të agjërojnë, të dinë
rregullat e tij, të pendohen, të falen, të lexojnë Kur’anin dhe të shtojnë
veprat e mira. Secili duhet të kultivojë tek ata ndjenjën se bindja ndaj
Allahut është rruga e suksesit dhe shpëtimit në dynja dhe Ahiret.
Ramazani është muaji i pendimit, i dhikrit dhe adhurimit
të Allahut në çdo çast dhe i shtimit të veprave të mira. Në të filloi zbritja e
Kuranit fisnik, me të cilin Muhammedi a.s u urdhërua nga Allahu që t’i ftojë
njerëzit në fenë e vërtetë – në Islam. Ai është muaji i mirësive dhe i
begative, muaji i shpërblimeve dhe dhuratave të pamasa: “Kush e kalon muajin e
Ramazanit duke u falur gjatë natës, duke besuar
fort dhe duke shpresuar shpërblim të mirë (vetëm nga Allahu), atij do t’i
falen mëkatet e mëhershme”. (Buhariu dhe Muslimi)
Ramazani është si mysafir i veçantë që gëzon zemrat dhe
shpirtrat tanë duke sjellë me vete begati dhe mirësi të pamasë. Fillimi i tij
është mëshirë, mesi i tij falje prej gjynaheve dhe fundi lirim nga dënimi i
zjarrit. Në këtë muaj Allahu ofron favore dhe shpërblime të shumta për
agjëruesit. Secili individ duhet të përgatitet që ta shtojë intensitetin
e ibadetit të tij dhe t’i pakësojë sa më shumë shprehjet dhe veset e këqija.
Gjatë Ramazanit kalitet shpirti dhe trupi prandaj ai
konsiderohet një shkollë hyjnore ku individi dhe shoqëria pajisen me mësimet e
tij të vlefshme sikurse janë: bindja, vullneti, këmbëngulja, qëllimi fisnik,
pastrimi i vetes dhe sinqeriteti.
Agjërimi i pastron zemrat që janë vend i
dashurisë, mëshirës dhe guximit dhe kultivon tek muslimani cilësinë e
vigjilencës së vazhdueshme të Allahut. Ai është lartësim i shpirtit dhe ngritje
drejt dëlirësisë. Ai fisnikëron shpirtrat, që janë vend i përkushtimit,
devotshmërisë, nderit, moralit dhe virtyteve njerëzore:
“O besimtarë! Ju është urdhëruar
agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga
të këqijat.” (El Bekare: 183)
Agjërimi është një gjendje e veçantë dhe
përmbajtje jo vetëm nga ushqimi e pija, duhani, marrëdhëniet intime por edhe
nga shpifja, gënjeshtra, shikimi i ndaluar dhe nga çdo gjynah. Prandaj agjërimi
më shumë duhet të ndihet me zemër dhe shpirt se sa të njihet dhe kuptohet me
logjikë e arsye.
Aspekti social
Vlera dhe rëndësia e Ramazanit ngërthen jo vetëm
aspektin fetar dhe moral por edhe atë social. Agjërimi i kuptuar drejt si një
institucion social zhvillon altruizmin dhe dashurinë tek njeriu dhe edukon
ndjenjën e vetëmohimit dhe sakrifikimit. Ai zhvillon ndjenjat për nevojat e të
tjerëve dhe nxit në bërjen e hajrateve. Islami dëshiron të ndërtojë një njeri
që sakrifikon të mirat materiale dhe jetën e tij për të mirën e shoqërisë.
Pikërisht
për këtë, krahas agjërimit, në këtë muaj të bekuar është bërë obligim edhe
sadakai-fitri
dhe preferohet dhënia e zekatit, si
dhe ndihma e të varfërve.
Shoqëria islame nuk guxon të ketë mjerim social
dhe dallime klasore. Egoizmi dhe individualizmi i skajshëm duhet të jenë të
panjohur
për muslimanin. Muhammedi a.s. ka thënë: “Nuk
është musliman i vërtetë ai që ka barkun plot, kurse fqinji përkrah tij është i
uritur.” Prandaj, të gjithë muslimanët gjatë këtij muaji janë më të
devotshëm, më dorëlirë dhe më modestë.
Kusht për një jetë të virtytshme dhe të moralshme
është harmonia e brendshme mes instinkteve të nevojshme dhe synimeve morale:
“Allahu nuk ka nevojë për njeriun që e
braktis ushqimin e pijen, e nuk e braktis fjalën e keqe dhe veprën e ligë!”
(hadith, Buhariu).
Agjërimi është një dhuratë e madhe hyjnore dhe
burim i virtyteve të larta. Ai është e kundërta e rrymave të kohës së sotme,
sepse filozofirat materialiste që dominojnë në Lindje dhe Perëndim e njohin
tokën, por nuk e njohin qiellin, e njohin trupin por nuk e njohin shpirtin, e
njohin dynjanë por nuk e njohin ahiretin.
Duke mposhtur epshet që nxisin në mosbindje dhe
gjynah, duke u liruar nga gjërat materiale dhe nga robërimi nda tyre, agjëruesi
bëhet rob i vërtetë i Allahut. Njeriu me durimin e urisë e të etjes zgjon forca
të brendshme duke zotëruar dëshirat e ulëta, sikurse janë shpërthimi i epsheve,
zemërimit dhe grykësisë. Duke agjëruar, njeriu nuk e shkatërron epshin e tij,
por e mban nën kontroll atë. Agjërimi është një
metodë perfekte për zhvillimin e virtyteve individuale dhe për kontrollin e
vetvetes. Ai synon ta pasurojë shpirtin dhe zemrën me sinqeritet,
mëshirë, mirësi dhe humanizëm.
Pejgamberi a.s. i përgëzonte shokët e tij më
ardhjen e muajit fisnik dhe u thoshte: “U
erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar. Allahu ua ka obliguar agjërimin e tij.
Në të hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe lidhen shejtanët.
Në të është një natë më e vlefshme se njëmijë muaj, kush privohet nga e mira e
saj është privuar (prej shumë të
mirave).” Sigurisht se besimtari gëzohet me hapjen e dyerve të xhenetit,
mbylljen e dyerve të xhehenemit dhe me lidhjen e shejtanëve.
Muhammedi a.s ka thënë: “Edhe agjërimi, edhe Kurani, Ditën e
Ringjalljes do të ndërmjetësojnë për besimtarin. Agjërimi do të thotë: O Zot!
Unë agjëruesin e pengova ditën nga të ngrënët, të pirët dhe nevojat e tjera të
natyrshme. Pranoma ndërmjetësimin për faljen e tij!” Edhe Kur’ani do të
thotë: “O Zot! Unë lexuesin e pengova
natën nga gjumi dhe pushimi: Jepmë leje të ndërhyj për faljen e tij!”
O Allah! Na bëj prej atyre që e meritojnë këtë
ndërmjetësim!
--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---