AGJËRIMI, SHKOLLË EDUKIMI
“Ai që i jep iftar një agjëruesi ka shpërblim sa edhe ai që ka agjëruar, pa iu pakësuar atij nga shpërblimi fare” Kaluam dhjetë ditët e para të muajit Ramazan, për çka I jemi shumë falënderues Zotit. Fillimi, ndoshta, paksa i vështirë, me vapë, por, ja, u adaptuam me të, kështu që Allahu po na ndihmon, po na e lehtëson këtë agjërim, po kënaqemi me të dhe shumë lehtë po e përballojmë. Muaji Ramazan, dhuratë e madhe nga Allahuxh.sh., të mirat e tij janë të shumta dhe të panumërta, zaten sikurse mos të ishte në dobinë tonë nuk do të na kishte obliguar me të, por pa dyshim që ka dobi dhe të mira për këtë botë dhe për botën tjetër, t`i cekim në vazhdim vetëm disa nga ato në pika të shkurtra: - Agjërimi, shkollë e devotshmërisë – zaten kjo është edhe arsyeja kryesore që Allahu I Madhëruar na e ka obliguar me këtë agjërim, e që do të thotë: t`I ruhesh hidhërimit të Allahut, ta prezantosh përcjelljen dhe kontrollin e Tij të vazhdueshëm. Me fjalë të tjera, kur besimtari do të bëjë ndonjë mëkat pasi t`ia ketë zbukuruar atë shejtani i mallkuar, e kujton Allahun xh.sh. Lartmadhërinë e Tijashtu që largohet nga ai mëkat. Apo, siç thotë një dijetar: “Devotshmëria është të punosh në dëgjueshmëri ndaj Allahut, me dritën e Allahut, duke shpresuar shpërblimin e Allahut, duke iu shmangur mëkateve, duke iu frikësuar dënimit të Allahut”. Këtë shkallë shumë të lartë devotshmërie agjërimi i Ramazanit të ndihmon ta arrish, ngase agjërimi është vepër e cila bëhet fshehurazi, përderisa veprat apo ritet e tjera, apo adhurimet e tjera nuk mund t`i bësh pa të vërejtur dikush, si për shembull namazin ose haxhin. Për këtë thotë hadithi kudsij (): “…agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të” sepse vetëm Allahu e si a je i agjërueshëm apo jo. E besimtari, nga devotshmëria që ka, agjëron, jo për sy e faqe siç ka mundësi t`i bëjë adhurimet tjera. Ka thënë Imam Shafiu: “Gjërat më të shtrenjta janë tre: Bujaria në varfëri, skamje, devotshmëria në vetmi dhe fjala e vërtetë (me fol hakun) para atij që njerëzit i frikësohen”. - Agjërimi, shkollë sociale – nga parimet që i ka islami dhe synon realizimin e tij është edhe barazia njerëzore, siç thotë Pejgamberi a.s. “Njerëzit janë të barabartë sikurse dhëmbët e krehrit”, edhe pse Allahu i ka dalluar në pasuri, pozitë, pushtet etj., por në anën tjetër synon që ata të j anë sa më afër njëri- tjetrit dhe se dallimi në pasuri e pozitë mos të jetë shkak i ndarjes së njerëzve në shkalla klasore, për atë arsye nxit të pasurin që mos t`i harrojë të varfrit, por gjithherë t`i kujtojë ata duke ua shtrirë dorën e ndihmës, në mënyrë që të jenë të ndërlidhur mes vete sikurse me qenë një trup. Në këtë fushë agjërimi ndihmon në disa kënde: - a) gjatë muajit Ramazan edhe i pasuri po edhe i varfëri janë të agjërueshëm, pra edhe ai që ka edhe ai që nuk ka duhet të qëndrojnë pa ngrenë, e kjo ndikon që të pasurit t`i bie ndërmend më shumë e më shpesh për të varfrit të cilët edhe jasht Ramazanit nuk kanë. E, siç thotë populli, “I ngiti nuk ia di të uriturit”, kështu që kjo ndikon që të jenë sa më afër njëri-tjetrit dhe sa më të ndërlidhur mes vete. - b) Islami nxit shumë që gjatë muajit Ramazan t`i jepet njerëzve të hanë, siç thotë Pejgamberi a.s. “Ai që i jep iftar një agjëruesi ka shpërblim sa edhe ai që ka agjëruar, pa iu pakësuar atij nga shpërblimi fare”. Për këtë arsye gjithherë myslimanët e pasur kanë shtruar sofra të iftarit për të varfrit, e kjo ndikon që të varfrit bile gjatë muajit Ramazan ta kenë bukën e siguruar, e natyrisht si rezultat i kësaj pason afrimi i zemrave të myslimanëve mes vete. - c) Në fund të muajit Ramazan është obliguese nxjerrja apo dhënia e një lëmoshe – sadakatulfiter, e cila në shkallë të parë u dedikohet të varfërve, çka do të thotë se ata jo vetëm që sigurojnë ushqim për Ramazan, por edhe për Bajram, bile edhe pas Bajramit diçka. Kështu që në këtë muaj gëzohen të varfrit sepse e ndjejnë veten më të privilegjuar, por gëzohen edhe të pasurit që po i kryejnë urdhrat e Allahut dhe po u jepet mundësia me qenë sa më afër të varfërve. - Agjërimi, shkollë e programimit të kohës – agjërimi ndihmon dhe edukon besimtarin që t`i ketë parasysh terminët, ta shfrytëzojë kohën në maksimum, ashtu si ia vlen të shfrytëzohet, ngase kjo botë nuk është krijuar kaos, pa ndonjë renditje apo radhitje të punëve. Kështu që agjëruesi nuk bën asgjë, vetëm sipas programit të caktuar, nuk ha e nuk pi, edhe pse shumë ka nevojë pa e lejuar Allahu, pa ardhur koha e csktuar, ashtu që qëndron para sofre i ulur duke shikuar ushqime të shumta para tij, por dorën nuk e zgjat derisa të vijë koha. Kjo dmth që besimtari të ketë edukatë dhe kulturë me Allahun xh.sh. po edhe me Pejgamberin a.s., ngaqë nuk punon tjetër vetëm se atë çka është e përputhur me traditën e tij. E kur edukohet me Allahun dhe Pejgamberin a.s. e tij në shfrytëzimin e kohës, mbajtjes së terminëve kohorë, premtimeve e të ngjashme, atëherë edukohet edhe me njerëzit, ngase kjo çështje i bëhet shprehi dhe pjesë e kulturës dhe edukatës së tij. Nga kjo myslimanët duhet të jenë njerëzit më precizë në kohë, punë, terminë etj. Na mbetet edhe shumë të flasim për këtë temë, gjegjsisht dobitë e shumta të nxjerra nga agjërimi, por këtë herë – kaq. E vazhdojmë inshallah javën tjetër. Deri atëherë, selam alejkum ve rahmetullah! Epoka e Re – e premte 4 shtator 2009 Dr.Shefqet Krasniqi – Mos na harroni në lutjet e juaja … _________________________________________________________________ Share your memories online with anyone you want. http://www.microsoft.com/middleeast/windows/windowslive/products/photos-share.aspx?tab=1 --~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~ Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në Google Groups. Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected] Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në [email protected] Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në http://groups.google.com/group/fjalaebukur -~----------~----~----~----~------~----~------~--~---
