Përkujtimi i Zotit, është jetë
Njerëz të mëdhenj
Tema e emisionit: Përkujtimi i Zotit, është jetë
Prezantues: Aid Elkarnij
Falenderimet janë për Zotin, paqa dhe mëshira e Tij për profetin Muhamed a.s,
shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij…
Njerëzit e mëdhenj, e përmendnin Zotin dhe e madhëronin Atë, pasi diçka të
tillë e shihnin si furnizim shpirtëror, lumturi, kënaqësi të syve tyre, pastrim
të zemrës, shpirtin e luftëtarëve… kjo, pasi vetëm me përkujtimin e Zotit
qetësohen zemrat. Qetësohen nga zhgënjimi i jetës së kësaj bote, qetësohen nga
frika dhe jeta e stresuar. Me përkujtimin e Zotit qetësohen zemrat, është një
realitet të cilin e përjetuan njerëzit e mëdhenj.
Imam Muslimi, transmeton se Profeti a.s kaloi me shokët e tij pranë një mali
të veçuar nga malet e tjerë dhe u tha shokëve:”Ecni, ky është Xhemedani (për
malin).” Shokët u ndalën duke vështruar se çfarë të veçante kishte ai mal.
Profeti a.s u tha:”Janë dalluar njësuesit.” Të habitur, shokët e pyetën:”Kush
janë njësuesit o i dërguar i Zotit?” Ai u tha:”Janë ata burra dhe gra që e
përmendin Zotin shpesh.”
Një ditë Profeti (a.s.) u tha shokëve: "A t’ju tregoj se çfarë është më e mirë
nga veprat tuaja, që është më e pastër dhe që ka shpërblimin më të madh, që
është më e mirë se të japësh flori apo argjend sadaka, që është më mirë se të
luftosh me armiqtë në rrugë të Zotit?” Sahabet i thanë: “Cila është ajo vepër,
o i Dërguar i Zotit?” Ai u tha: "Përkujtimi i Allahut.
Thotë Zoti në Kuran:“Më kujtoni (me adhurime) që t’ju kujtoj (me shpërblim), më
falenderoni dhe mos më mohoni.” (Bekare 152)
Nëse përkujtimi i Zotit nuk do të kishte dobi tjetër, do të mjaftonte që të
përmend vetë Zoti. Nëse ti e përmend në veten tënde, Ai të përmend me veten e
Tij, nëse ti e përmend mes njerëzve, Ai të përmend mes melekëve, banorëve të
qiellit.
Kur një njeriu të mirë dhe adhurues me përkushtim ndaj Zotit të tij, i
thanë:”Përse nuk e cakton kohën kur përkujton Zotin, në mëngjes, drekë dhe
darkë?” Ai u përgjigj:”Si më kërkoni të caktoj një kohë specifike për të
përkujtuar Zotin, në një kohë që unë këtë e bëj gjatë gjithë kohës, natën dhe
ditën?!”
Thotë Zoti në Kuran:”Ata që e përkujtojnë Zotin në këmbë, të ulur dhe të
mbështetur dhe meditojnë rreth krijimit të qiejve dhe të tokës.”
Imam Ahmedi transmeton një hadith ku thotë:”Përmendeni Zotin aq shpesh, sa të
tjerët t’ju konsiderojnë të çmendur.”
Disa njerëz panë një nga dijetarët muslimanë, i cili gjatë gjithë kohës i
lëvizte buzët me përkujtim të Zotit. Të habitur ata i thanë:”Mos je i çmendur?”
Ai u përgjigj:”Unë kam ilaçin që shëron të çmendurit.”
Kush kërkon zemër të mbushur me qetësi, jetë plot lumturi dhe një arsyetim të
drejtë, e këshillojmë të përmendë sa më shumë Zotin. Tregon Ibnu Tejmije, që
Ebu Hurejre kishte lidhur një mijë nyja në një pe dhe me të përkujtonte Zotin
duke thënë çdo ditë 12.000 herë subhanallah. Siç thoshte vetë ai, këtë e bëj
pasi aq është shpagimi i gjakut dhe thoshte se e bën për të liruar veten.
Tregon Ibnu Rexheb:”Halid ibnu Midan , adhuruesi i përkushtuar, thoshte çdo
ditë njëqin mijë herë subhanallah. Kur vdiq dhe njerëzit u afruan ta varrosin,
papritur melekët e morrën kufomën e tij dhe e vendosën në varr.”
Një burrë i shtyrë në moshë, duke u mbështetur në bastunin e tij, vajti tek
Profeti a.s dhe e pyeti:”O i dërguar i Zotit! Ligjet dhe obligimet fetare janë
shtuar, prandaj më trego diçka më të lehtë që të kapem për saj!” Profeti a.s iu
përgjigj:”Ta mbash gjuhën gjithmonë të freskët me përkujtimin e Zotit.”
Musai a.s, i kërkoi Zotit t’i mësojë diçka të re, me të cilën ta përkujtonte
duke u dalluar nga njerëzit e tjerë. Zoti i tha:”Më përkujto me fjalën: La
ilahe il-lallah” Musai i tha:”O Zot! Të gjithë njerëzit e thonë këtë, unë dua
diçka specifike.” Zoti iu përgjigj:”O Musa! Nëse do të vendoseshin shtatë qiejt
bashkë me tokën në njërën anë të peshores dhe fjala “La ilah il-lallah në anën
tjetër, padyshim që fjala “La ilahe il-lallah” do të rëndonte më shumë.”
Ndodhte që Ibnu Tejmije ulej në xhami pas namazit të sabahut dhe qëndronte ulur
duke kujtuar Zotin derisa të lindte dielli. Më pas çohej dhe u thoshte
nxënësve:”Ky është ushqimi im për sot.”
Tregon Ibnu Tejmije:”Sa herë që hasja vështirësi në çështjet e fikhut, thoja
njëmijë herë subhanallah dhe më vinte zgjidhja menjëherë.”
Shokët dhe nxënësit e tij e shihnin gjatë gjithë kohës duke lëvizur buzët.
Dikush i tha një ditë:”O mësuesi ynë! Të shohim që gjatë gjithë kohës lëviz
buzët!” Ai u tha:”Zemra ime është si puna e peshkut, që po e nxorre nga uji
ngordh. Zemra ime vdes nëse nuk e ushqej me përkujtimin e Zotit.”
Ai vazhdonte ta lexojë suren Fatiha që pas namazit të sabahut derisa të ngrihej
dielli. Kur e pyetën mbi këtë shkak, ai u tha:”Zoti ka shpallur 104 libra
qiellorë, të cilët i ka përmbledhur në katër prej tyre (Zeburi, Teurati,
Ungjilli dhe Kurani). Këta të katër, i ka përmbledhur në një libër, Kuranin.
Vetë Kuranin e ka përmbledhur në suren Fatiha. Kurse këtë sure, e ka
përmbledhur në dy fjalitë:”Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë
kërkojmë.”
Imam Buhariu e përfundon librin e tij të haditheve me hadithin e bukur:”Dy
fjalë të lehta për t’u shqiptuar, të rënda në peshore, të dashura tek Zoti, ato
janë: “subhanallahi ve bi hamdihi, subhanallil adhijm.”
Këta njerëz të mëdhenj si imam Buhariu, muslimi dhe dijetarë të tjerë të
hadithit, porosisin dhe këshillojnë umetin që të përsërisin sa më shpesh
fjalët:”La ilahe il-lallahu vahdehu la sherike lehu, lehul mulku ve lehul hamdu
ve huva ala kul-li shejin kadir.” Kush i përsërit këto fjalë njëqind herë në
ditë, i shkruhen njëqind të mira, i fshihen njëqind të këqija, i quhet sikur u
ka falur lirinë dhjetë skllevërve dhe askush nuk mund të ketë bërë një vepër më
të mirë, përveçse dikush që ka thënë më shumë se ai.”
Profeti Junus a.s, u gëlltit nga balena dhe ndodhej në tre erësira: E barkut të
balenës, e oqeanit dhe e natës, i shkëputur nga të gjithë të afërmit, të
dashurit, fëmijët dhe gruaja. I gjendur në këtë situatë, ai kujtoi Krijuesin e
vetëm dhe të pashok dhe thirri me forcën e besimit:”Nuk ka zot tjetër përveç
Teje o Zot. I pa të meta je Ti, unë i bëra padrejtësi vetes time.” Thotë
Profeti a.s:”Çdo i brengosur që i përsërit këto fjalë, do i largohen brengat.”
Fillimisht, lutjen e tij ai e filloi me fjalët:”Nuk ka zot tjetër përveç Teje o
Zot.” Fjalë me të cilat ai shprehte njësimin dhe ekzistencën e një Zoti të
vetëm, duke mohuar çdo lloj mundësie për ekzistencën e rivalëve të Zotit të
Madhëruar.
Me fjalët:“I pa të meta je Ti” ai përforcon idenë dhe bindjen e tij se Zoti
është larg çdo të mete, Ai është larg çdo lloj padrejtësie. Më pas, Junusi a.s
pranon gjynahin e bërë:” unë i bëra padrejtësi vetes time.”
“Dhennuni (Junusi) kur doli i zemëruar (prej popullit) dhe kujtoi se nuk do t’i
vijë më puna ngushtë. Ai thirri në errësira se nuk ka zot tjetër veç Teje, i pa
të meta je Ti. Unë u solla padrejtësisht ndaj vetes” (Enbija 87)
Kurse Jusufi a.s, u burgos në burg, duke u ndarë nga njerëzit e dashur dhe duke
qëndruar i vetëm në qelinë e tij të rrethuar me hekura. Edhe pse në qeli dhe në
vuajtje, ai gjente kohën e duhur dhe ftonte të burgosurit e tjerë në besim dhe
adhurim të një Zoti të vetëm.
“O ju shokët e mi të burgut, a është më mirë të adhurohen zota të ndryshëm apo
Zoti, i vetmi ngadhnjimtar?” (Jusuf 37
Me këtë, ai u thoshte që para se të shpjegojmë ëndërrat tuaja dhe të flasim mbi
çështje të tjera, le të biem dakort që nuk ka zot tjetër përveç Atij që na ka
krijuar dhe që e merriton adhurimin tonë.
Edhe gjatë luftës, Zoti na nxit që ta përkujtojmë Atë më shpesh. Thotë Zoti në
Kuran:”O ju që keni besuar! Kur të takoheni me kundërshtarin tuaj, rezistoni
dhe përkujtojeni Zotin me shpresë që të shpëtoni.”
Kur dikush e pyeti Ibnu Tejmijen se ç’lidhje kishte përkujtimi i Zotit në
luftën me armikun, ndërkojë që gjithsecili është i zënë me luftën, ai
tha:”Është zakon që në kohët dhe çastet më të vështira, njeri të përkujtojë dhe
t’i shkojë mendja tek më i dashuri i tyre. A ka më të dashur se Zoti për
besimtarët?” Ndërkohë që armiqtë e muslimanëve kujtonin fëmijët, gratë dhe
pasuritë e tyre që kishin lënë dhe me këto merrnin forcë dhe zemër për të
luftuar, muslimanët përkujtonin Zotin e tyre për t’i inkurajuar dhe dhënë
zemër.
Shembullin dhe modelin më të mirë në përkujtimin e Zotit ne kemi profetin
Muhamed a.s. Rrugën e tij e ndoqën dhe dijetarët dhe njerëzit e mëdhenj që
erdhën pas tij. Kishte prej tyre që lexonin çdo ditë suren Ihlas një mijë herë.
Një tjetër thoshte një mijë herë në ditë:”La ilahe il-lallahu vahdehu la
sherike lehu, lehul mulku ve lehul hamdu ve huva ala kul-li shejin kadir.”
Dikush tjetër e thoshte njëzet mijë herë, dikush tjetër e përfundonte leximin e
Kuranit çdo javë...
Zemra është organi që vështrohet dhe kontrollohet nga Zoti i madhëruar. Nëse
atë e mbush me lexim Kurani, përkujtim të Zotit, lutje, madhështi të Zotit dhe
shenjtërim, ajo do i ngjajë një kopështi të mbushur me lule të ndryshme dhe do
të të nxisë për punë të mira, moral, siqeritet, mall dhe besim të fortë.
Por nëse ti e mbush me përgojime, epshe, dëshira për argëtime dhe dëfrime,
dyshime etj... ajo i ngjan një ndërtese të vjetër dhe pothuaj të shembur, e
cila nuk ka gjë brenda përveç minjve, akrepave, merimangave etj... Kjo zemër
është e mbushur me urrejtje, zili dhe smirë, devijim nga rruga e drejtë,
mendjemadhësi dhe epshe.
Tani le të përmendim disa forma me të cilat e kujtonte Profeti (a.s.) Zotin dhe
të përmendim edhe shpërblimin e tyre.
Thotë Profeti a.s:”Fjalët: Subhanallah, vel hamdu lil-lah, ve la ilahe
il-lallah, vallahu ekber, janë fjalët më të mira që mund të thuhen në një ditë
dhe janë veprat më të mira me të cilat mund të fshihen gjynahet.”
Thotë profeti (a.s):"Kush thotë çdo ditë “subhanallahi ve bi hamdihi” një qind
herë, i falen gjynahet edhe sikur të jenë si shkuma e detit.”
Përkujtimi i Zotit kënaq Zotin, dëbon shejtanin, shton veprat e mira në
peshore, qetëson zemrën, mbush shpirtin me freski, është mbrojtës, shton të
mirat dhe fshin të këqijat, të bën të dashur tek Zoti, largon brengat dhe
shqetësimet, të ndihmon dhe të jep forcë për të kryer obligimet ndaj Zotit, të
largon nga gjynahet dhe të jep bereqet në veprat dhe punët e tua.
Është e dobishme që ne muslimanët të studiojmë jetëshkrimet e këtyre njerëzve
të mëdhenj dhe të mësojmë se si ata e madhëronin dhe përkujtonin Zotin e tyre.
Thotë Zoti në Kuran:”Namazi ndalon veprat e ulëta dhe të këqia.”
Kurse Ibnu Tejmije, lidhur me namazin thotë:”Namazi ka dy dobi: Njëra është se
ndalon nga veprat e ulëta dhe e dyta është se me anë të tij përkujtohet Zoti i
Madhëruar. Dhe përkujtimi i Zotit në namaz, është dobia më e madhe edhe se vetë
ndalimi i veprave të ulëta dhe të këqia.
Kurse dijetarë të tjerë, rreth ajetit:”dhe përkujtimi i Zotit është më i madh”
kanë thënë:”Ky veprim ëshë më i madh dhe më i dobishëm se çfarëdo lloj vepre
tjetër të mirë.”
Shumë dijetarë thonë se puna më e mirë dhe më e vlefshme, është përkujtimi i
Zotit, gjë e cila njëkohësisht është dhe puna më e lehtë.
Sa njerëz të mirë janë ata që kohën e mbushin me përkujtim të Zotit! Sa të mirë
janë ata që zemrat e tyre janë plot fjalë përkujtuese dhe madhëruese për Zotin
e tyre! Sa të mirë janë ata që gjuha e tyre është gjithmonë në kontakt me
fjalët e Zotit të tyre.
Profeti a.s vajti një natë tek shtëpia e Ubej ibnu Kab. Kur Ubej vajti të hapë
derën dhe gjeti Profetin a.s tek pragu, u gëzua dhe tha:”Nuk ka mik më të mirë
që ka hyrë në këtë derë, se ky që po vjen sonte.” Profeti a.s hyri dhe i tha:”O
Ubej, Zoti më ka dërguar që të të lexoj suren Bejjine.” Ubej i shtangur dhe i
gëzuar njëkohësisht, i tha:”O i dërguar i Zotit! A e përmendi Zoti emrin tim?!”
“Po” iu kthye Profeti a.s. Atëherë, Ubej shpërtheu në të qarë nga gëzimi, që
Zoti e kishte përmendur emrin e tij mes banorëve të qiellit.
Nëse ti o vëlla dhe o motër e përkujton Zotin në vetmi, Ai të përkujton në
vetmi. Nëse përkujtoni mes banorëve të tokës, ai u kujton mes banorëve të
qiellit.
E lusim Zotin që të na bëjë nga ata që e përkujtojnë, falenderojnë Atë dhe që
ndjekin rrugën e Profetit të Tij të nderuar.
Autori: Aid Elkarnij
_________________________________________________________________
Windows Live: Friends get your Flickr, Yelp, and Digg updates when they e-mail
you.
http://www.microsoft.com/middleeast/windows/windowslive/see-it-in-action/social-network-basics.aspx?ocid=PID23461::T:WLMTAGL:ON:WL:en-xm:SI_SB_3:092010
--
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur