*Hosh bulldun, Tironë...!!!* *Hamdi Nuhiju*
*( 3-6 janar, 2010)* * * Me ftesë të dr.Olsi Jazexhit me datë 3 janar u nisa prej Kumanovës për në Tiranë. Kjo vizitë ishte e paplanifikuar nga ana ime. Nuk ka dyshim se njeriu sa më shumë që udhëton, aq më shumë pjekët, mëson gjëra të reja, përjetime, si dhe mësohet të përballohet me situata të ndryshme. Vet rruga prej Kumanovës për në Tiranë ishte përjetim në vete duke mos mënjanuar as pjesën e jetësuar në këtë vend të bukur dhe të çuditshëm. Ishte destinacioni im i parë për në Shqipëri, por ishte edhe hera ime e parë që shoh qen në autobus. Autobusi i mbushur deri në fund me student nga Presheva, Medvegja, Bujanoci, Kumanova, Gjilani që studionin në Tiranë kishte me veti edhe qenushen Dea. Qenushja Dea ishte pronë e një studenti të medicinës nga Presheva. Ajo, pra Dea kishte lindur me 8 maj 2008. Ajo kishte mjetet e udhëtimit, pasaportën, ushqimin e saj të preferuar, si dhe shumë simpatizantë nga autobusi. Sytë e Deas ishin të zinj, ndërsa ngjyra e lëkurës ishte zi në të kaftë. Qenushja Dea ishte e trajnuar të mos bëhet monotone e njerëzve që e shikonin. Rrugës ia kaluam shumë mirë, deri në momentin kur e shikova pak më gjatë në sytë e saj të bukur. Ajo mu vërsul dhe unë u detyrova të marrë masa. Nga shikimet e meshkujve edhe qenushet po tremben, e të mos flasim për gocat të cilat mezi presin një shikim me ashik. Rruga deri në Tiranë ishte e lodhshme dhe e mundimshme, por në prezencë të qenushes Dea bëhej e lehtë. Me të arritur në Tiranë më duhej të shkoja në lagjen Kombinat të Tiranës. Kështu hipa në taksi dhe mësova disa gjëra të reja. Rrugës prej në qendër të Tiranës e deri në Kombinat kishte edhe njerëz tjerë që shkonin, kështu unë hipa në taksi me disa njerëz të panjohur dhe të gjithëve taksisti na mori kah dhjetë mijë lek ( 8 euro). Edhe pse vet ky akt ishte për tu çuditur, mua personalisht me çuditi një gjë tejet interesante. Në radion e taksistit këndonte sa këndonte këngëtari nga Kumanova Qamil Elezi, komshiu im i tretë, këngën e tij e cila moti kohë është harruar në Kumanovë ( Leb leb). Kënga e tij jehonte në radion e taksistit të Tiranës përderisa në Kumanovë ka pesëmbëdhjetë vite që nuk dëgjohet. Taksisti më ndali para vendit ku kish qenë busti i Stalinit. Të nesërmen për të vizituar Tiranën më duhej të hip në autobus ku ndodhi një përjetim tjetër interesantë. Autobusët lokal në Tiranë po pritnin udhëtarët deri sa të mbushen e pastaj të nisen. Mu kujtua tentativa e kryetarit të Shkupit që autobusët lokal tashmë të i bëjë në dy kate dhe të ndërtoj një metro që do të lidhte Shkupin me lagjet e tij. Rrugës prej në Kombinat e deri në qendër të Tiranës në autobus na argëtonte një burrë i dehur përmes këngëve të tij. Ai nuk pagoi biletë udhëtimi, madje edhe fitoi disa lek nga njerëzit që ishin bashkudhëtarë të tij. Ai këndonte muzikë tallava ndërsa një pjesë e bashkudhëtarëve qesheshin e disa të tjerë kënaqeshin. Disa vargje prej këngës që këndonte ishin : “Në sytë e tu moj vashë, shoh dhimbje, mall. Të lutem mos vuaj, se unë të dua deri në Amshim. Shinajnaj naj, tiki tiki tak tak, shinajnaj çokollata...” Gjatë qëndrimit tim në Shqipëri dhe udhëtimit me autobus lokal, unë askund nuk pashë shoferin së bashku me kolegun e tij mashkull që kërkonte biletat e udhëtimit. Por të gjithë kolegët e shoferëve ishin femra të moshuara dhe shumë llafazane. Ishte hera e parë në jetën time që pija një pije e cila formohej prej një bime të quajtur Salep. Sipas mikut tim Saimir Lleshi, kjo pije tek njeriu shtonte oreksin për seks. Megjithatë edhe pas pirjes së saj, unë nuk e ndjeva ndryshimin. Lagja Kombinat kishte mbi 150.000 banor dhe vetëm një xhami shumë të vogël. Sipas banorëve të kësaj lagjeje, këtë lagje e ka ndërtuar Stalini. Ndërkaq qëndrimi im në Kombinat ishte në një objekt ku kishin qëndruar Sovjetikët. Para objektit ku qëndroja gjendej ish kinoja, stacioni i autobusëve, si dhe vendi ku ka qëndruar për gjatë kohë busti i Stalinit. Vendi dukej i vjetër por mjaft i bukur. Ngjasonte shumë me lagjet e Moskës, ose edhe me ndonjë paralagje të Meksikës. Në objektin ku qëndroja më dukej vetja si një mariaço spanjoll që merrte kitarën për të kënduar serenada. Megjithatë nuk kishte as një gocë para objektit që të dëgjonte ndonjë tentativë timen për të kënduar serenada. Në çdo skaj të Tiranës, në rrugë, shihja njerëz duke shitur banane. Kishte gjatë kohë që pata lexuar shkrimin e Kastriot M(u)tfaraj për kryetarin e shtetit shqiptar që me profesion ishte veterinar. Ai bënte dallim midis kryetarit të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, atij të SHBA-ve, të Francës si dhe të Shqipërisë. Sipas tij, politika pranon çdo lloj profesioni përveç atij të veterinarisë. Sidoqoftë unë kam respekt për hierarkinë politike të shtetit shqiptar, edhe pse nuk pajtohem me shumicën e veprimeve të tyre politike. Tirana si qytet kishte shumë pak xhami, më dukej se gjashtë dhe shumë diskoteka. Në këtë vend gjendeshin edhe disa mishtore hallall, bile kishte edhe disa restorante hallall. Ne, në Maqedoni nuk kemi frikë nga ushqimi që na ofrohet, ndërkaq vëllezërit dhe motrat tona në Shqipëri kishin probleme esenciale për ushqim të pastër dhe hallall. Edhe pse Tirana si qytet ka mbi një milion banor, gjashtë xhamitë as për së afërmi nuk plotësojnë nevojat elementare të besimtarëve mysliman. Për këtë gjë duhet drejtuar kritikat kah shoqatat turke dhe arabe që veprojnë në Shqipëri. Gishti ndoshta duhet drejtuar edhe tek dyert e aluminit të komunitetit mysliman të Selim Muçës. Problemi i xhamive është një problem esencial dhe serioz për një komunitet mysliman. Pejgamberi s.a.v.s. nuk ka lejuar që vetëm katër ditë të mos kalohen pa prezencën e xhamisë, e të mos flasim që të ketë qytete të tëra në Shqipëri pa asnjë xhami, ashtu si më treguan tironsit. Unë vizitova xhaminë e Dine Hoxhës, atë të Tabakëve si dhe xhaminë e Et`hem Beut. Xhamitë tjera nuk pata mundësi të i vizitoj për shkak të mungesës së kohës dhe karakterit të vizitës sime në Shqipëri. Të tre xhamitë ishin të bukura arkitektonisht, por ishin xhami të lagjeve të një qyteti të vogël si Kumanova dhe jo xhami për një metropol si Tirana. Jeta fetare në Dine Hoxhe ishte shumë e gjallë dhe aktive. Logjikisht sikur të mos ishte e tillë, nuk do të kishte mundësi qëndrimi për gjatë kohë i Islamit në Shqipëri si dhe ringjallja e tij. Ishte hera e parë në jetën time që pi birra pa alkool. Edhe pse para se ti shijoja ato, unë isha kritikuesi më i madh i tyre, në momentin e shijimit të tyre kam ndërruar mendje dhe jam bërë pishman për kritikat e mia. Afër xhamisë së Dine Hoxhës gjendej ambasada e Republikës së Maqedonisë. Ndërsa në qendër të Tiranës gjendej ambasada e Rusisë. Edhe pse traditat e shqiptarëve të Shqipërisë dallonin shumë me traditat e shqiptarëve të Maqedonisë, nga mikpritja e nikoqirëve të mi, unë ndjehesha sikur të isha i lindur atje dhe jo një mysafir. U vërtetua fjala e njerëzve tjerë që kanë vizituar Shqipërinë para meje, se shqiptarët e Shqipërisë janë shumë mik pritës. Në Shqipëri ekzistonin shumë sllavizma. Ishte një komunë atje që quhej Komuna e Golemit ( Komuna e Madhe), një fabrikë e shqiptarëve që quhej Uslugi ( Shërbime) dhe në mjaltin që haja për mëngjes shkruante Cveten Med ( Mjaltë prej lulesh). Kjo gjë ishte një dëshmi e gjallë dhe argument kundër nacionalistëve shqiptar të Maqedonisë që e ushqejnë nacionalizmin e tyre me pretekstin e dashurisë ndaj Shqipërisë ëmë. Ndoshta atje ka edhe më shumë sllavizma, por gjatë qëndrimit tim të shkurtër unë hasa vetëm në këto. Dikush në Tiranë më pyeti se pse shqiptarët e Maqedonisë e duan shumë Sali Berishën?! Si duket nga përgjigja ime nuk ishte i kënaqur dhe më tha: Ju e doni Sali Berishën ngaqë ai është nga Tropoja dhe gjithmonë i lidhur me shqiptarët e Maqedonisë. Unë asnjëherë nuk e kam menduar këtë gjë në këtë mënyrë, por nëse është e vërtet atëherë qenka shumë mirë. Për në fund i falëmindërohem dr.Olsi Jazexhiut, familjes së tij, gjithë stafit të redaksisë së Gazetës Impakt si dhe Saimir Lleshit për mikërpritjen e tyre. I kërkoj ndjesë të gjithë atyre miqve dhe mikeshave me të cilët nuk kam pasur mundësi të takohem kësaj here. Ngaqë karakteri i vizitës sime të parë në Shqipëri nuk ishte vetëm turistik, por edhe vizitë pune, prandaj edhe nuk kam pasur mundësi të takohem me gjithë miqtë dhe mikeshat e mia që shprehën dëshirë të takohen me mua. Kjo ishte vizita e ime e parë në Shqipëri dhe shpresoj se jo edhe e fundit.
-- Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në Google Groups. Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected] Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në [email protected] Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në http://groups.google.com/group/fjalaebukur
