Pse flasim?
Hamdi Nuhiju

Miliona njerëz në këtë botë llomotisin në pandalim. Thonë fjalë të mëdha që
peshojnë sa kodra e Uhudit, ndërsa veprat e tyre janë të vogla sa biruca e
milingonës. Flasin pandërprerë! Ata mendojnë se bota rrotullohet rreth
fjalëve të tyre. Kujtojnë se në të folurit fshihet fshehtësia e argumenteve.
Sa shumë fjalë janë thënë e sa shumë pak njerëz po binden. Në të kaluarën sa
pak flitej e sa shumë bindeshin njerëzit. Por, atëherë nuk flisnin fjalët,
por ndjenjat, veprat, puna.
Të flasësh është një prej mirësive të Allahut të Madhërishëm. Pejgamberi
Musai a.s. kishte nevojë për vëllanë e tij Harunin a.s. i cili dinte të
flasë rrjedhshëm, dhe betejën para Faraonit në këtë segment ta fitojë.
Misioni i Harunit a.s. ishte që t’i ndihmojë Musait a.s. në betejën
ideologjike karshi budallallëkut të Faraonit.
"Esenca e thirrjes ose filozofia e saj nuk përhapet vetëm përmes fjalës së
thënë. Ajo nuk përhapet edhe vetëm përmes fjalës së shkruar. Bazë e fjalës
duhet të jetë të argumentuarit, të mbështeturit në Allahun, sinqeriteti,
pastrimi i nijetit ose qëllimit. Nuk duhet njeriu të mbështetet në fjalën si
pikë kryesore. Edhe pse nga rrëfimet biblike të tilla që na kanë ardhur në
ditët tona, mësojmë se në fillim ishte “Fjala”.
Mesazhi i parë dhe më i rëndësishëm nga filmi dokumentar për biografinë e
mësuesit tim Jakup efendi Asipi (Allahu më takoftë me të në xhenet) ishte
pesha e fjalës. Ai u largua prej Minhenit, u kthye në vendlindje dhe filloi
që të flasë. Edhe pse Sllupçani si fshat është i vogël, pesha e fjalës ishte
e madhe, aq e madhe saqë ndryshoi rrjedhat e lëvizjes islame në të gjitha
trojet tona. Mënyra e të shprehurit, ose elokuenca është ajo që përfiton
zemrat e njerëzve, por pa besimin dhe sinqeritetin ato zemra do të jenë
shkatërrim për ne, në këtë botë, po edhe në ditën e llogarisë. Fjalët tona
do të jenë të zbukuruara si fjalët e djallit të mallkuar, e në ditën e
llogarisë ndjekësve tanë do t’iu themi jo ne “nuk të kemi thënë të veprosh
kështu, ne besojmë Allahun”.
"Allahu xh.sh. e mësoi Musain a.s. se si t’i drejtohet Faraonit. I tha që ti
flasë butë, fjalë të buta, ndoshta zemra e tij qetësohet dhe udhëzohet.
Ndërsa ne ende pa filluar që të veprojmë në lëvizje islame, me vet familjet
tona bëhemi arrogantë. Faraoni ishte ai që pretendonte se është “zot” dhe ua
priste kokën të gjithë atyre që e kundërshtonin. Faraoni ishte ai i cili
kishte bërë shumë të këqija, kishte shpikur sistemin e robërisë së njerëzve,
edhe pse Allahu xh.sh. ata njerëz i ka krijuar të lirë. Ndërsa Musai a.s. u
porosit nga ana e Allahut xh.sh. që po këtij Faraoni famëkeq ti flasë butë,
me shpresë që zemra e tij të udhëzohet dhe të kthehet në rrugën e Allahut.
Shoh shumë të rinj dhe të reja që bien në grackën e arrogancës, bile disa
herë, edhe unë bie në grackën e arrogancës. Allahu na ruajt se me të vërtet
ne jemi shumë të dobët. E kemi harruar Musain a.s. për nga simboli i
mirësisë dhe fjalëve të buta, ndërsa marrim shembull Faraonin për nga
vrazhdësia dhe arroganca. Është interesant të nxirret në pah realiteti i
urdhrit për Musain a.s. nga ana e Allahut xh.sh.. Musai a.s. kishte nevojë
për një ndihmës që të flasë karshi Faraonit. Kishte nevojë për një njeri që
di të shprehet bukur dhe me elokuencë. Ndërsa vetë Musai a.s. urdhërohet që
të flasë butë, dhe jo Haruni a.s. vëllai i Musait, i cili ishte i dërguar me
këtë mision nga ana e Allahut xh.sh."
Sa herë që kam folur, jam bërë pishman pse jam shprehur, ndërsa gjithmonë
kur kam heshtur nuk kam gabuar. Kështu në parafrazim tingëllon një thënie e
një dijetari të madh mysliman. Por, kjo thënie nuk ka baza nëse gjendet
karshi një tradhtie, të keqe, sulmi ndaj myslimanëve etj. Shpeshherë njeriu
ka nevojë që ta ngritë zërin e tij karshi padrejtësive që ndodhin në
shoqëri. Padrejtësitë janë shtuar, me ardhjen e sistemeve laike, ndërsa
dikur ato ishin shumë të pakta.
Bota ka marrë një vizion tjetër me fjalën. Pa fjalën, ajo do të ishte e
zhveshur prej besimit, rrugës së mirësisë, udhëheqjes së drejtë. Por, fjalën
e mësuan edhe engjëjt edhe djajtë, edhe njeriu. Ndonjëherë njeriu di t’i
ngjasojë shumë djallit të mallkuar.
Secila vepër shpërblehet sipas qëllimit të saj, kështu u shpreh Resulullahu
s.a.v.s. D.m.th. nxori tinguj, ose fjalë, që ne sot i shkruajmë dhe i
mësojmë e veprojmë sipas tyre. Por, tinguj dhe fjalë nxori edhe djalli i
mallkuar kur tha se unë jam më me vlerë sesa njeriu, prandaj nuk i bindem
urdhrit tënd o Zot, dhe nuk i bie në sexhde njeriut.
Në funksion të kësaj hyn qëllimi ose nijeti pse duhet të flasim. Nëse flasim
për t’u dukur se po dimë të flasim, atëherë ne qëllimin nuk e kemi të
pastër, dhe do të shpërblehemi në bazë të këtij qëllimi. Nëse flasim për të
ndryshuar shoqërinë për të mirë dhe për të ndaluar nga e keqja, atëherë
fjalët tona do të zënë vend në zemrat e njerëzve. E kur të zënë vend në
zemrat e njerëzve ne do të sprovohemi më shumë, do të na lindin disa sprova,
për hir të asaj që të mos shohim menjëherë rezultatet e fjalëve tona e të na
hyjë vetja në qejf.
Allahu xh.sh. në Kur`anin Famëlartë ka thënë: ”Ai (Muhammedi) nuk flet nga
mendja e tij”.( En-Nexhm, 3).
As njeriu i ditëve të sotshme nuk duhet të flasë në bazë të mendjes së tij,
por në bazë të qëllimit, dhe aktualitetit e realitetit që e rrethon. Ai nuk
guxon që të flasë pa argumente, se të folurait pa argumente është shenjë e
djallit të mallkuar. Ai i zbukuronte fjalët e tij pa argumente, sa për t’i
mashtruar njerëzit dhe ashtu i nisi drejtë xhehenemit.
Allahu na ruajt prej fjalëve të thëna e të shkruara e që nuk kanë qëllim
arritjen e kënaqësisë së Allahut. Amin.

Redaktor profesional: Fahrudin Rexhepi

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan