*Të duam e të duhemi*

*Hamdi Nuhiju*

* *

Shpeshherë mendoj rreth dashurisë si fenomen, i cili është i pamundur të
definohet. Edhe si i tillë, dashuria gjithmonë kërkon definim nga njerëzit!
Por, më së shumti nga zemrat, ndjenjat, emocionet. Edhe në sytë e njerëzve
materialist sheh rrugën që ndjekin ashikët në këtë botë. Ata janë
materialist, por në zemër duan të ndjejnë diçka. Zemrat e tyre nuk janë të
verbëruar tërësisht, edhe pse veprat i kanë të ngurta dhe në kundërshtim me
ëmbëlsinë e dashurisë.

Përmes dashurisë njeriu futet në ekstazën e imagjitanës dhe fluturon lart
mbi qiej, duke kërkuar rrugën e cila quhet lumturi. Fundi i rrugës së
dashurisë është lumturia. Po kjo është e vërteta.

Fillimi i rrugës në këtë botë është dashuria, dhe fundi i kësaj rruge është
lumturia. Rruga e dashurisë nuk mund të ketë përfundim tjetër pos lumturisë.
Krijuesi, në sajë të dashurisë i krijoi të gjitha krijesat, botët, njerëzit,
kafshët dhe rruga ashtu si e ka ndërtuar Krijuesi përmes dashurisë,
përfundimin e ka në lumturi “Xhennet”. Nuk ka dashuri që të ketë përfundim
tjetër pos lumturisë. Përndryshe dashuritë që definohen me përfundim
tragjik, nuk janë dashuri, por sëmundje, varësi ose ndryshe edhe devijim
prej dashurisë. Devijimi prej dashurisë e dërgon njeriun në humnerë!

Ajo, pra dashuria, nuk ka ditë, nuk ka orë, sekondë ose moment të caktuar.
Njeriu mund ta kërkojë dhe do e gjejë dashurinë. Po, dashuria gjendet në
zemrën e tij, në palcën e shpirtit të tij. Dhe jo çdokush e kupton këtë gjë
në këtë mënyrë. Njerëzit e keqinterpretojnë atë dhe mendojnë se të dashurosh
d.m.th. të futësh në zemër dikë tjetër jashtë Allahut (xh.sh). Ky është një
problem që ka lindur nga filozofitë perëndimore, të cilat kanë nxitur mjetet
e ndryshme për ‘dalldisjen’ shpirtërore, të frymëzuar nga lindja, dhe në
këtë mënyrë e kanë larguar prej konceptit të dashurisë Krijuesin, i cili
mban në ekuilibër njeriun, shpirtin dhe krijesat tjera.

Poeti i shpirtrave dhe zemrave Junus Emre tha:

"Ejani të njihemi, të dimë si quhemi

dhe punën ta bëjmë të lehtë;

Të duam, të duhemi;

Bota asnjeriu s'do t'i mbetet!..."

Do të ndalemi, të marrim frymë thellë, dhe të vazhdojmë meditimin mbi këto
vargje. Eja edhe ti me mua, të udhëtojmë bashkë mbi këto vargje, ti
gërvishtim mendimet, e të ndërtojmë një strukturë ushtarësh të renditur në
shkronja.

Ai tha: “Ejani të njihemi, të dimë si quhemi”. Mos u frikëso, eja edhe ti
pranë shpirtit dhe zemrës sime. Ne kemi nevojë të njihemi, nëse synojmë që
të duhemi dhe të bëhemi të lumtur. Si quhesh? - të pyet zemra ime. Ajo nuk
mund të ekzistojë vet, pa botën, pa njerëz. Njerëz të gjitha ngjyrave, të të
gjitha popujve, ejani të njihemi dhe të dimë se si quhemi.

Nëse nuk dimë se kush jemi dhe si quhemi, nuk do të kemi mundësi të duhemi.
Por, do të urrehemi, do të vritemi, do të përdhunohemi. Ndonjëherë njeriu
nuk e njeh vetveten! Del në skajin tjetër të mendimeve dhe kujton se tashmë
bota është vetëm e tij, e drejta e sundimit mbi të është vetëm e tij dhe nuk
ka vend për të tjerët. Bile këtë gjë e argumenton me fjalë dhe mendime, të
cilat kërkojnë dhunim psikologjik të njerëzve të tjerë. Mos harro, o lexues!
Eja, të njihemi, e të dimë se si quhemi. Po, nuk ditëm se si quhemi, po nuk
u njohëm, do të paragjykohemi, do të lindin keqkuptime dhe harmonia e
njerëzimit do të shkatërrohej. Kur njeriu bëhet shkatërrues në tokë dhe jo
ndërtues, fundi i rrugës së tij nuk është lumturia, por humnera.

Ai tha: “Dhe punën ta bëjmë të lehtë”. Pas çdo vështirësie Allahu sjell
lehtësinë. A nuk e ke dëgjuar këtë fjalë gjatë jetës sate bile nja një mijë
herë? Dhe ende mendon se puna e rëndë nuk mund të bëhet e lehtë? Njeriu kur
nuk ndien kënaqësi në punën e tij, në jetën e tij, në shkollimin e tij,
gjithçka i duket rëndë. Bile i rëndohet edhe më shumë, në momentin kur e
humb shpresën se do të gjendet ndonjë zgjidhje për çështjen e caktuar. Por,
ti o mik, duhesh të vish, të bëjmë punën të lehtë. Nuk guxoj unë të të
ngarkoj ty me përgjegjësi më shumë se ç`mund të mbash. Kur të shoh se je
shumë i ngarkuar, të thërras që ta bëjmë punën të lehtë. Se kështu do të
duhemi më shumë. E rezultati i dashurisë gjithmonë është lumturia.

Ai tha: “Të duam, të duhemi;/ Bota asnjeriu s'do t'i mbete!..." Me të
vërtetë bota asnjë njeriu nuk do ti ngelet përgjithmonë. Të mos frikësohemi
se po i treguam dashuri dikujt, ai do të na përbuzë neve dhe në këtë mënyrë
do të bëhemi konfuz dhe nuk do të kishim të drejtë mbi botën. Përmbi botën
është dashuria, e përmbi dashurinë qëndron Zoti, i Cili ka krijuar dashurinë
si rrugën më të lehtë dhe më të këndshme për tu shtuar njerëzimi, për të
jetuar në harmoni dhe për të arritur deri në rezultatin përfundimtar,
Xhenetin.

Prandaj, nuk është mirë të hidhemi në kthetrat e urrejtjes dhe të na marrë
lumi i ndarjes. Por, gjithmonë duhet të ndjekim rrugën e lumturisë, atë të
dashurisë për hir të Krijuesit.

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan