Poshtë diskriminimi

*Hamdi NUHIJU *

http://lajmpress.com/opinion/3409.html

Nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme të Kumanovës kanë protestuar të
hënën (15 shkurt 2010), kundër diskriminimit. Nxënësit kanë marshuar të qetë
në rrugët e qytetit, kundër diskriminimit nga ana e institucioneve arsimore
të Maqedonisë. Ky reagim i këtyre nxënësve, është një shenjë e pakënaqësisë
edhe të mijëra qytetarëve shqiptarë të Kumanovës, Komunës së Likovës dhe të
shqiptarëve të qyteteve të tjera të Maqedonisë, të cilët, ndjehen të
diskriminuar, të nënçmuar, të terrorizuar nga ana e qeverisë së “monarkut”
Gruevski.

Ndjeshmëria e reagimit, dukshëm është më e madhe në Kumanovë sesa në qytete
të tjera, kjo për dy arsye politike: e para, ngaqë shqiptarët e Kumanovës
historikisht kanë qenë të “eksperimentuar” dhe arsyeja e dytë është ngaqë në
Kumanovë është forca dhe koncentrimi i partisë më të fuqishme opozitare në
vend LSDM. Duket se arsye e dytë, i ka dhënë më shumë shkaqe qeverisë për të
ndjekur një politikë diskriminuese. Qytetarët e këtij qyteti po vuajnë
dënime deri edhe me 5 mijë Euro, për mospagimin me kohë të tatimeve.

Sot reagoi partia LSDM, duke theksuar se qytetarët e Kumanovës nuk janë
qytetarë të rendit të dytë, por janë qytetarë të barabartë njësoj si
qytetarët e tjerë të Republikës së Maqedonisë. Megjithëse edhe LSDM-ja nuk
dallon nga VMRO-DPMNE kur janë në pyetje shqiptarët, situata përkeqësohet në
Kumanovë, për shkak të pozicionit të saj politik, pasojat e të cilit i
vuajnë shqiptarët.

Përndryshe aktet e ndryshme politike në Republikën e Maqedonisë nuk na
habisin shumë për orientimin e këtij shteti në mënyrë nacionaliste dhe
anti-shqiptare. Mjafton që të ‘surfosh’ në internet tek gazetat kryesore
maqedonase e të shohësh nacional-romantizmin maqedonas i cili ngre krye ndaj
‘armiqve’ të përbetuar historik, shqiptarët. Ne nuk jemi kundër
nacionalizmit maqedonas- ato le të mbështeten në atë ndjenjë kur është në
pyetje e drejta e këtij shteti ose e drejta e maqedonasve në Greqi-por nuk
pajtohemi që ajo të jetë reflektim i kundërt ndaj bashkëqytetarëve të
Maqedonisë, në rastin konkret shqiptarët.

Si rezultat i këtij nacionalizmi të theksuar ‘politik’, sot nxënësve
shqiptarë nëpër shkolla fillore qysh prej klasës së parë iu imponohet mësimi
i gjuhës maqedonase, dhe sipas shumë opinionbërësve maqedonas kjo gjë është
domosdoshmëri. Sipas tyre, shqiptarët janë fajtorët kryesor pse Maqedonia
nuk gjendet në NATO dhe BE, ngaqë të mos ekzistonte lufta e 2001, sot
Maqedonia do të ishte në këto instanca ndërkombëtare.

Është e lehtë të hidhet faji tek një popull i diskriminuar, por është
burrërore të pranohet faji në rast se bën padrejtësi, dhe të kërkohet falje.
Zëri i kumanovarëve sot ishte ai zë i brendshëm i të gjithë qytetarëve të
Maqedonisë, zë që kërkon të drejtën e vendosjes së ndonjë figure historike
shqiptare në sheshin e Shkupit, zë që kërkon rindërtimin e Burmali Xhamisë,
zë që kërkon të drejtën e ndërtimit të bustit për heroin Xhemë Hasa në
qytetin shqiptar në Gostivar.

Shqiptarët e Maqedonisë kanë filluar të vetëdijesohen për politikat dhe
kurthet që bëhen kundër tyre. Idetë ose opsionet politike që po hidhen në
tregun e mendimeve politike këto ditë, janë të bukura, të lyera me syrin e
patriotizmit dhe në të mirën e popullit tonë. Por, mënyra se si hidhen në
tregun e mendimeve politike është jo adekuate dhe jo e favorshme për
shqiptarët e këtij vendi. Sfidat në këtë shtet, gjithmonë e më shumë po
shtohen, dhe rruga e përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve vetëm po
ngushtohet.

Me liberalizimin e vizave për Maqedoninë, çuditërisht, vetëm shqiptarët po
lëshojnë Maqedoninë dhe deri më tash nuk kemi ndonjë informatë të saktë se
fluksi i maqedonasve të ikur është kaq i madh sa i shqiptarëve. Këtij
procesi diskriminues indirekt dhe pa qëllim, po i ndihmon edhe liberalizimi
i vizave ndaj këtij shteti.

Megjithatë, të kthehemi tek protestat në Kumanovë, shkollarët e mesëm
kërkuan librat, nga që ende nuk i kanë marrë dhe mësojnë në kushte
katastrofike. Me dikasterin e arsimit po udhëheq një njeri i cili në mënyrë
arrogante po imponon nacionalizmin maqedonas tek nxënësit shqiptarë. Deri
kur do të zgjas kjo dhunë politike, ideologjike dhe sociale, nuk e dimë.
Por, shpresojmë pas netëve të gjata e të errëta, do të vijnë agimet e
ngrohta dhe të bukura.

http://lajmpress.com/opinion/3409.html

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan