Rrafshohet xhamia pesëshekullore

http://www.koha.net/index.php?cid=1,9,22048



Prishtinë, 19 maj – Xhamia Hatunije - njëra nga xhamitë më të vjetra në 
Prishtinë - të martën ka gdhirë vetëm me gjysmën e minares. Bashkësia Islame e 
Kosovës është ajo që ka dhënë urdhrin që kjo xhami, cila sipas shënimeve është 
ndërtuar në shekullin XV, ë rrafshohet. Ata thonë se këtë e kanë bërë me leje 
të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Këta të fundit thonë se kanë dhënë leje për 
rikonstruktim, përderisa për rrënimin e saj nuk janë të informuar,ani pse 
xhamia ndodhet jo më shumë se 200 metra larg KK-së. Instituti për Mbrojtjen e 
Monumenteve dhe Muzeu Rajonal i Prishtinës tashmë është alarmuar. Sipas tij 
veprim kësisoj është i jashtëligjshëm. Njëjtë ka reaguar edhe Ministria e 
Kulturës, e cila të martën ka dhënë urdhër për ndërprerjen e punimeve. Xhamia 
Hatunije që në vitin 2001 është në listën e objekteve të inventarizuara të 
trashëgimisë kulturore. Ndërkaq projekti i
 Bashkësisë Islame është që në vend të saj të ndërtojë një xhami të re. 

Rrënimi joligjor 

“Rrënimi i xhamisë është totalisht i paligjshëm, për shkak se nuk ka pasur 
asnjë komision, e pjesë e të cilit të paktën do të duhej të ishte një anëtar i 
IMMP-së, që ka dhënë leje për rrënimin e një monumenti të Prishtinës. Ne të 
paktën për Prishtinë i kemi të gjitha kompetencat”, ka thënë Haxhi Mehmetaj, 
drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeut Rajonal të 
Prishtinës. Ai ka shtuar se në rastin e Xhamisë Hatunije është rrënuar 
monumenti që është në qendër të Prishtinës së Vjetër, një pjesë e së cilës 
ndodhet në listën e trashëgimisë kulturore të mbrojtura me ligj. 
 Të njëjtën gjë thotë edhe Burbuqe Bakija – Deva, drejtoreshë e Divizionit për 
Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ajo thotë 
se deri tani nuk ka informacion se ka leje për rrënimin e saj. 
Por ndryshe thonë në Bashkësinë Islame të Kosovës, e cila ka marrë vendimin për 
rrënimin e saj. 
“Ne vetë kemi kërkuar ta rrënojmë Xhaminë Hatunije, për të ndërtuar një të re”, 
ka thënë kryetari i KBIK-së, Bahri Sejdiu. Sipas tij, Këshilli i Bashkësisë 
Islame ka bërë kërkesën në Komunë për marrjen e lejes së ndërtimit. 
“Atë e kemi marrë nga Zyra urbanistike e Komunës së Prishtinës, duke u 
mbështetur gjithnjë në projektin që ka bërë Instituti për Mbrojtjen e 
Monumenteve të Kosovës”, ka Sejdiu, duke cituar fjalët e Fejaz Drançollit nga 
Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës.
“Instituti ka konstatuar se xhami e vjetër e ndërtuar copa-copa, prej qerpiçi, 
nuk ka ndonjë rëndësi arkitektonike për të cilën do të duhej të ndalej rrënimi. 
Instituti i Mbrojtjes së Monumenteve të Kosovës i ka bërë analizat e xhamisë 
dhe ka konstatuar se ajo nuk ka qëndrueshmëri dhe si e tillë nuk mund t’i 
rezistojë kohës”, ka thënë Sejdiu. “Në Xhaminë Hatunije ka qenë rrezik edhe të 
falet”, ka shtuar ai. 
Por Fejaz Drançolli nuk ka dhënë asnjë sqarim lidhur me këtë.
“Unë nuk di asgjë. Nuk merrem vesh në asnjë fushë”, kanë qenë fjalët e vetme që 
ka thënë Drançolli të martën nëpërmjet telefonit. 

Se Bashkësia Islame e Kosovës ka marrë leje në Kuvendin Komunal të Prishtinës e 
ka vërtetuar edhe zëdhënësi i KK-së, Muhamet Gashi. 
“Bashkësia Islame e Kosovës ka një vit e gjysmë që kur ka kërkuar leje tek 
Drejtoria për Urbanizëm në Komunën e Prishtinës për rikonstruktimin e asaj 
xhamie. Kjo drejtori ka dhënë leje për rikonstruktim duke u mbështetur në 
sugjerimet e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Prishtinës që i ka dhënë 
para një vitit e gjysmë. Ata atëbotë patën konstatuar se xhamia nuk ka ndonjë 
vlerë, sepse është e ndërtuar prej qerpiçi, dheu e balte”, ka thënë Gashi. I 
njëjti rrëfim thuhet edhe nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës, duke 
përjashtuar ekspertët që kanë vlerësuar se xhamia duhet të rikonstruktohet.
Megjithatë Haxhi Mehmetaj ka kujtuar se në të vërtetë BIK-u ka bërë një kërkesë 
në adresë të IMMP-së. 
“Ne ju kemi dhënë udhëzime për konservim dhe restaurim të xhamisë, por prej saj 
sot ka mbetur vetëm gjysma e minares”, ka thënë Mehmetaj, duke dhënë fakte se 
xhamia ka mundur të restaurohej.
“Muret janë rreth 1.20 cm, që do të thotë ka pasur mundësi të restaurohej. 
Përpos kësaj edhe muret e teknika e ndërtimit kanë qenë me vlerë. Ajo ka qenë 
pjesë e zonës së vjetër të qytetit të Prishtinës që i ka takuar shekullit XV 
apo XVI, që ka pësuar intervenime të kohëpaskohshme, por që arkitektura e 
mureve ka mbetur ajo e shekullit XV”, ka thënë Mehmetaj
Në anën tjetër, Ministria e Kulturës tashmë ka ndërmarrë hapat për të ndaluar 
veprimin e jashtëligjshëm për rrënimin e monumentit që renditet në listën e 
monumenteve për inventarizim. Një komision katëranëtarësh të martën ka dalë në 
terren. 
“Kam informatë që rrënimi i xhamisë është ndalur dhe me këtë rast komisioni ka 
konstatuar se është vetëm minarja e xhamisë ajo që i ka shpëtuar ekskavatorit 
që supozohet se ka filluar me rrënim  mbrëmë në mesnatë”, ka thënë Bakija-Deva, 
duke shtuar se të mërkurën (sot) do të fillohet me bisedime me Komunën e 
Prishtinës për Xhaminë Hatunije.
Ajo ka mohuar që ndërtimi i një xhamie të re mund të marrë pëlqimin e MKRS-së. 
Bakija-Deva thotë se e vetmja gjë që mund të bëhet është restaurimi i asaj që 
ka mbetur, nëse komisioni konstaton se vërtet ka mbetur diçka. 
“Për ndërtimin e një xhamie të re ne nuk do të japim leje, sepse ajo ka 
pasqyruar një histori të Prishtinës së vjetër. Do të përkrahim vetëm 
restaurimin”, ka thënë Bakija-Deva.


      

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan