*Duke pritur syfyrin-1 (13.06.2010)* *Hamdi Nuhiju*
Nata kërcëllon përmbi supet e meditimit tim. Ofshan si shpirt i shpërndarë në gjashtë pjesë. Sikur e gjithë bota të sillej rreth kësaj nate përsëri ajo çuditshëm nuk do të vërente asnjë veçanti të botës. Ajo, pra nata, e pret mysafirin e për-vjetshëm, për të mos thënë fillimin e rrugëtimit në tejdukshmëri. Ngjyrat e verës mbi horizontet e çiltra hapin dyert e mrekullisë. Troket si tis në suren Tarik, ylli i afërt ndriçues i mendjeve dhe zemrave. Shpirti fillon të kthjellet dhe përgatitet për afrinë e erërave të agjëruesve sinonim të aromave të Xhennetit. ‘Lebejk Allahume Lebejk’ në vetën e parë si miop përgjigjet mendja. Kaos i çuditshëm në botën e djajve për fillimin e prangosjes së tyre. ....... Është vapë! Kushtet shkretëtirore të verës e pëlcasin ngjyrën e këndshme të flladit. Në polin e ndjenjave besimtari gjithmonë qëndron i palëkundur karshi ushtarëve të djallit të mallkuar. Nata po kuvendon me mëkatet tona, porse nijeti ndryshon rrjedhat e vjetërsisë. A mos je i çmendur? Më tha një zë i brendshëm duke aluduar në vapën dhe punën fizike që do të bëj ditën e parë të agjërimit për këtë vit. Deveja po të mos ishte deve, me siguri do të shfrytëzonte rezervat e mëdha të ujit për ta shuar etjen. Zaten po të mos ekzistonte dëshira, besimi, vullneti dhe nijeti i njeriut për të përballur me vapën, vështirësitë e punëve fizike, degjenerimin e shoqërisë, etj, nuk do të ekzistonte as Zoti. Robi yt po pret para Madhërisë Tënde për të nisur nënshtrimin me çeljen e syfyrit. Dhe Ti o Zot, ndihmoi atij dhe gjithë të tjerëve të dëshmojnë ekzistencën e bindjes dhe nënshtrueshmërisë ndaj Teje. Amin! -- Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në Google Groups. Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected] Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në [email protected] Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në http://groups.google.com/group/fjalaebukur
