BISMILAHI RRAHMANI RRAHIM
Falenderimi i takon vetem Allahut Zotit te boteve, i vetmi qe meriton te
adhurohet me te drejte.Salavatet dhe selamet tona qofshin mbi pejgamberin
Muhammed s.a.v.s. mbi familjen e tij te paster , mbi shoket e tij besnik dhe
mbi te gjithe ata qe e pasojne rrugen e tij deri ne diten e gjykimit !
Esselamu alejkum !
JASHTËTOKËSORËVE U NDALOHET HYRJA NË KOSOVË!
- Edhe një herë rreth shamisë, laicitetit dhe hipokrizisë -
Halil IBRAHIMI
Në një debat në TV Klan Kosova, Nehat Mustafa zyrtar i MASHT-it sqaron se
urdhri administrativ me ‘uniformë fetare’ nuk nënkupton ndalimin e bartjes së
shamisë së vajzave muslimane në shkolla por bartjen e uniformës së hoxhës,
priftit dhe rabinit! Hajde mençuri hajde! A keni parë ndonjëherë në ndonjë vend
të botës nxënës me uniformë hoxhe, apo arsimtar të veshur si rabin, ose drejtor
shkolle të futur në kollare prifti? Siç duket dikush në Ministrinë e Arsimit
nuk e lexon drejtë akronimin e institucionit ku punon por e kupton në ndonjë
gjuhë tjetër duke e kthyer kështu në Ministri të Fantazive dhe Imagjinatës. Kë
tentojnë ta mashtrojnë?
Në Diznilend dhe në botën e Hari Poterit gjithçka mund të ndodhë: shtrigat mund
të fluturojnë mbi bishta fshesash, autobusët mund të hyjnë nëpër vrima
gjilpërash dhe jashtëtokësorët mund të jetojnë vetëm me ajrin e Tokës. Duke
vrojtuar zhvillimet e përditshme sociale, ekonomike dhe juridike në vendin
tonë, nuk ke si të mos stepesh kur e sheh se Kosova jonë fort e dashur
fatkeqësisht është shndërruar në një shoqëri fantastiko-shkencore ku nuk të
çuditë më as lajmi më i pazakontë. Në vazhdën e ngjarjeve të fundit rreth
përjashtimit të nxënëseve shqiptare muslimane nga shkollat për shkak të shamisë
prapë nuk ke si të mos e konsiderosh Kosovën në të njëjtin nivel me
Diznilendin, Hari Poterin apo Shoqërinë e Unazave.
Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë me aferën rreth ndalimit të
shkollimit për nxënëset muslimane në Kosovë e ka kthyer vetveten në një shoqatë
magjistarësh ku lejohet edhe fantazia edhe hipokrizia edhe budallakia.
Fillimisht MASHT-i duke dashur të ndalojë bartjen e shamisë së vajzave
muslimane në shkollat publike doli me një urdhër administrativ ku e ‘ndalon
ndalimin e bartjes së uniformës fetare’. Kjo ishte e mjaftueshme për të kuptuar
se çfarë njerëzish kemi zgjedhur për të na udhëhequr dhe për ta përparuar e
menaxhuar jetën tonë të përditshme. Në vend që urdhri administrativ të ndalonte
bartjen e uniformës fetare siç ishte koncipuar nga krijuesit, ai e bënte të
kundërtën; e ndalonte ndalimin e bartjes së uniformës fetare. Gafa të tilla
mund të bëjnë vetëm palo-zyrtarë të cilët direkt nga kopetë e lopëve kanë
ardhur për të udhëhequr kopetë e njerëzve pa kaluar asnjë ditë kalimthi nëpër
bankat e shkollave. Kjo i bie njësoj sikur ligji i cili ndalon vrasjen e
fëmijëve të shkruhet si ‘ndalim i ndalimit të vrasjes së fëmijëve’ që do të
thotë se është e ndaluar të ndalosh vrasjen e fëmijëve, pra të gjithë ata,
qofshin zyrtarë shteti apo qytetarë, që mëtojnë të parandalojnë vrasjet do të
jenë të ndaluar nga ligji dhe jo vetë vrasësit.
Nuk kaluan ditë dhe MASHT-i e korrigjoi gabimin e bërë duke e treguar fytyrën e
vërtetë antihumane, antinjerëzore dhe kundër të drejtave e lirive individuale.
Në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe me kushtetutën e vendit
ata ua shkurtojnë të drejtën e shkollimit femrave të cilat kanë zgjedhur që të
përmbajnë një të drejtë fetare njësoj siç kanë bërë me shekuj të tërë edhe
gjyshet e stërgjyshet tona, qofshin katolike apo muslimane. Është rrenë nga më
banalet se bartja e shamisë së vajzave muslimane është futje e ndonjë tradite
të re tek shqiptarët. Nëse jo nënat, atëherë definitivisht gjyshet e
partizanëve që marrin vendime kundër shkollimit të vajzave shqiptare muslimane
kanë bartur shami në kokat e tyre.
Kur çështja e shamisë u bë e madhe, pas protestave të qytetarëve të Kosovës,
Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë për ta hequr barrën e
përgjegjësisë nga vetvetja del me një tjetër fodullëk edhe më të madh. Në një
debat në TV Klan Kosova, Nehat Mustafa zyrtar i MASHT-it sqaron se urdhri
administrativ me ‘uniformë fetare’ nuk nënkupton ndalimin e bartjes së shamisë
së vajzave muslimane në shkolla por bartjen e uniformës së hoxhës, priftit dhe
rabinit. Libri i shenjtë i këtij të fundit e ka një thënie të mençur “Mund ta
edukosh të marrin por nuk mund ta bësh kurrë të mendojë”. A ka menduar
ndonjëherë para se ta lëshojë këtë margaritar z. Mustafa se çfarë marrëzie ka
nxjerrë në publik? Sipas pohimit të këtij zyrtari të MASHT-it del se ndalohet
që nxënësit dhe arsimtarët në shkollat publike të bartin veshjen e hoxhës,
priftit, rabinit apo liderit hindus? Hajde mençuri hajde! A keni parë
ndonjëherë në ndonjë vend të botës nxënëse vajza me uniformë hoxhe, apo
arsimtare femra të veshura si rabin, ose drejtoresha shkolle të futur në
kollare prifti? Unë jo dhe nëse z. Mustafa ka parë ndonjëherë në Kosovë diçka
të tillë bën mirë të na tregojë sepse do të ishte një kuriozitet i rrallë
ekzotik. Me gjasë në katundin e z. Mustafa, drejtori i shkollës qe veshur me
mbështjellësen budiste, ose mësuesja e tij ia mësonte Abetaren me çallmën e
hoxhës! Siç duket dikush në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nuk
e lexon drejtë akronimin e institucionit ku punon por e kupton në ndonjë gjuhë
tjetër duke e kthyer kështu në Ministri të Fantazive dhe Imagjinatës.
Kë tentojnë ta mashtrojnë? Kaq të pamençur iu dukemi zyrtarëve tonë shtetërorë?
Kjo është njësoj si të thuash se mbishkrimi “Ndalohet hyrja për të papunët” në
ndonjë institucion shtetëror nënkupton ndalimin e hyrjes për jashtëtokësorët
apo për të vdekurit, sepse fundja edhe të parët edhe të dytët janë të papunë.
Çka mund të presim në vazhdim nga zyrtarë të tillë të cilët i kemi votuar e
zgjedhur vetë! Të na tregojnë se urdhri “Ndalohet parkimi i veturave jozyrtare”
në ndonjë parking nënkupton ndalimin e qilimave fluturues apo të raketave të
jashtëtokësorëve? Nuk është për tu çuditur edhe nëse ndodhë!
Laicizmi është keqkuptuar skajshmërisht kur tentohet që shamia të futet në
kthetrat e tij. Një shtet sekular apo laik nuk nënkupton luftim të çfarëdo
vlere fetare në kufijtë e tij por vetëm neutralitet dhe barazi të të gjitha
besimeve fetare. Feja përherë ka qenë burim dhe brum i ngjarjeve më të
rëndësishme në historinë shqiptare. Ndodhitë më të mëdha kanë qenë të bartura
nga njerëz me virtyte dhe ndikime të qarta fetare dhe kjo as nuk e ka prishur
ndonjëherë harmoninë fetare e as që ka pasur ndonjë ndikim të keq. Nëse
laicizmi nënkupton flakje të gjithçkaje fetare nga shqiptarët atëherë historia
jonë e kaluara dhe e tashmja ngelin lakuriq fare. Pjesa më e mirë e letërsisë
klasike shqiptare duhet të ndalohet, njerëzit më eminentë të kulturës,
politikës dhe përpjekjes shqiptare duhet përjashtuar dhe ngjarjet më frymëzuese
duhet retushuar. A mund ta imagjinojmë dot kulturën dhe historinë shqiptare pa
Sami Frashërin, Qerbelanë, Lulet e Verës, Mesharin, Fishtën, Ismail Qemalin,
Haxhi Zekën, Lidhjen e Prizrenit apo Adem Jasharin!
Në anën tjetër është hipokrizi mënyra se si është trajtuar veprimi i shtetit
laik në Kosovë duke u nënkuptuar nga aparati shtetëror vetëm si luftë karshi
shqiptarëve myslimanë. Nëse një vajzë myslimane nuk mundet të hyjë në shkollë
me shami si ka mundësi që Gonxhe Bojaxhiu po me shami në kokë është prezente jo
vetëm nëpër shkolla, libra zyrtare shkollore, zyre shtetërore por bile edhe
rrënohen shkolla për tu ngritur shtatore të kësaj gruaje me kokën mbuluar.
Zyrtarët shtetërorë bëjnë mirë që sa më parë të fillojnë të mendojnë për
qytetarët që i kanë votuar si qytetarë të denjë me të drejta të mirëfillta
sepse këta të fundit nuk janë aq foduj sa të besojnë në përjetësi përralla me
magjistarë dhe kuaj fluturues. Sepse vetëm kur ta zbulojnë Gonxhe Bojaxhiun,
kur ta rruajnë Sami Frashërin dhe kur të heqin gjithçka fetare nga Qerbelaja
ose Lulet e Verës së Naim Frashërit, ne qytetarët e Kosovës do të pajtohemi me
palaçot e Ministrive apo Komunave tona për të na kufizuar të drejtat njerëzore
më elementare. Deri atëherë, mirupafshim në zgjedhjet e ardhshme!
Me respekt
Lulzim Bajrami
www.KerkesaOferta.com
_________________________________________________________________
Hotmail has tools for the New Busy. Search, chat and e-mail from your inbox.
http://www.windowslive.com/campaign/thenewbusy?ocid=PID28326::T:WLMTAGL:ON:WL:en-US:WM_HMP:042010_1
--
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur