Fara e hivzit-1
Hamdi Nuhiju

Rrugëtim i trefishtë midis tokës, qiellit dhe shpirtit. Po njeriu ku
gjendet? Ajo krijesë madhështore e cila i referohet meditimit, ngadhënjimit,
sinqeritetit dhe dashurisë? Ato sy të molepsur të tij, a`thua ku gjejnë
prehjen dhe pushimin?
Secili harf i gdhendur në shpirtin e tij në mënyrën e gërvishtjes e aspak të
bojës së boshatisur nëpër qoshet e dynjasë. Të renditura ndjenjat e
lartësisë së shpirtit, kërkojnë nga udhëtari i vetmuar që ta freskoj
memorien e tij. Ai shtyhet edhe me qiejt për nga barra e përgjegjësisë. As
kodrat e as malet nuk mund të pranojnë një sfidë të tillë.
Ky lartësim i mendjes nga ana e të Lartësuarit, kërkon nga ne një kujdes të
veçantë. Nuk duhesh t`i shndërrosh shkronjat e Krijuesit në produkte
ushqimore që shiten e blihen me para të kësaj bote. E as ta paramendosh
veten para një profesioni mjaftë fitimprurës. Ti je fitimprurës, por nuk je
i dhënë pas kësaj bote. Bota e hafëzit është botë asketi, i dhënë pas
ahiretit e aspak i lidhur për dynjanë. Shpirti hafëzit shprehet me ndjenjat
dhe fjalët e Imam Aliut r.a. kur dynjasë i tha që ta mashtrojë dikë tjetër e
jo atë. Por, sot ka ndryshuar kahja e dëshirës së vërtet për të kryer
misionin fisnik. Janë nda bota e dijes nga bota e memorizimit. Njeriu në
mënyrë mekanike memorizon fjalët e Krijuesit, ndërsa zhvishet nga kuptimet,
sqarimet dhe jeta me ato urdhra e fjalë.
Kjo gjë ndodhi kështu, kur ne filluam që të largohemi nga Kur`ani, Sunneti
dhe ndjekja e rrugës së dijetarëve të mëdhenj. Lexuam fjalën e Zotit, por ne
ishim shumë larg asaj. Ne nuk morëm shembull Omerin r.a. i cili mësoi ajetet
kur`anore dhe menjëherë i zbatoi, por morëm shembuj të mbrapshtë ku mësuam
fjalët e Zotit për dekor dhe zbukurim.
Njeriu gjendet në varfëri ekstreme shpirtërore kur nuk jeton me krijesat
tjera që zbukurojnë qiejt e tokën, shpirtin e trupin.
Seid Nursi preferon:” Atëherë dëgjoji yjet, dëgjoje adresimin e tyre të
melodishëm e harmonik! Shiko se çfarë ka zbukuruar shkrimi i ndritshëm i
urtësisë mbi ekzistencë.” ( Risale Nur-2, Stamboll 2006, f.33)
Si ti dëgjojë yjet kur jam i shurdhuar nga të ardhurat që marr prej leximit
të Kur`anit? Po ku ta gjej adresimin e yjeve në mënyrë të melodishme e
harmonike kur e di se zemra ime është e lidhur për dynjanë? Njeriu ka nevojë
që të kalojë nga ngurtësia e zemrës së tij, në gjerësinë e Mëshirës së
Mëshiruesit. Ai duhet të kapërcejë çdo sfidë për të arritur deri tek caku i
meditimit të skajshëm shpirtëror. Sytë shohin dhe lexojnë mbi gjithësi. Ata
duhet të sillen vërdallë për të medituar skajshmëritë, bukuritë dhe
mrekullitë e Zotit. Vet sytë janë mrekulli në vete të dhuruara nga ana e
Krijuesit të Plotfuqishëm. Njeriu ia di vlerën syve të tij, vetëm kur sheh
që në botë ka njerëz pa sy. Edhe kjo gjë është një formë e qortimit dhe
udhëzimit të tij ka e mira e aspak krenari, ose hipokrizi në falënderim.
Fara hedhet në tokën pjellore, e aspak në atë tokë të egër. Nga toka
pjellore dalin edhe shumë fryte të cilat janë të dobishme për shoqërinë. E
në momentin e tentimit të shndërrimit të tokës jo pjellore në tokë pjellore
përmes rrugëve artificiale, atëherë ne duam të nxjerrim nga guri një fryt.
Ekzistenca e qenieve njerëzore në tokë është një mrekulli e cila e stolisë
botën me gjithçka që ka brenda dhe jashtë saj. Zoti xh.sh. deshi që njeriu
të jetë një mëkëmbës që do të përfaqësoj të drejtën dhe të vërtetën. Ai, pra
njeriu, nuk guxon që të mendoj, ose të tentoj të luaj rrolin e Zotit në
tokë. Por, ai duhet që të kujdeset për botën dhe krijesat për rreth, në
aspektin e ndërgjegjësimit dhe vlerësimit të gjërave dhe krijesave tjera.
Por, përderisa ne harrojmë fjalën e Zotit duke e hedhur në sirtar e duke mos
punuar me të, në botë ndodhin shkatërrime të ndryshme, të paparashikueshme
që cenojnë integritetin e krijesave të ndryshme.
Njeriu jo që është i prirur kah e keqja me krijesat tjera, por ai, edhe me
vet njeriun bëhet shtypës. Historia njerëzore e mësuar nga meditimit
kur`anor na sqaron për shumë popuj e individë të ndryshëm sikur Faraoni e
Karuni që ishin jashtë rrugës së Zotit e që pretendonin të vërtetën. Ata në
emër të vërtetës së tyre, shkatërruan, vranë e rrënuan aq shumë saqë fjala
hyjnore i bëri shembull për të keq.
Si mund të dimë për këto shembuj të përmendur në Kur`an kur ne ende nuk e
kemi përgatitur tokën për ta hedhur farën e hivzit? Kur them hivzi, nuk
mendoj vetëm në memorizimin e fjalës hyjnore pa ia ditur kuptimet, sqarimet
dhe pa jetuar me atë fjalë. Fjala hyjnore, ose fjala e Zotit duhet që të
mbillet nëpër shpirtrat dhe zemrat tona, para se të hedhet në mendjet tona.
Sot shoqëria jonë është larguar shumë nga kuptimet e vërteta të memorizimit
të Kur`anit. Secila anë shikohet me përbuzje. Madje edhe vet ekzistenca e
hafëzëve nuk ndryshon gjë nga këto paragjykime.

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan