Pas gjashtëdhjetë vitesh martesë, ia zbuloi fshehtësinë në shtratin e vdekjes
 
Një çift bashkëshortor për gjashtëdhjetë vite me radhë i tregonte njëri-tjetrit 
çdo gjë dhe ishin të lumtur me kalimin e kohës duke biseduar dhe duke i 
shërbyer njëri-tjetrit. Ndërmjet tyre nuk ekzistonte asgjë e fshehtë, mirëpo 
gruaja e moshuar kishte fshehur një sënduk mbi një raft. Ajo e këshillonte 
bashkëshortin e saj gjithnjë që mos ta hapte atë dhe mos ta pyeste rreth atij 
sënduku. Bashkëshorti i respektonte dëshirat e saj dhe asnjëherë nuk u 
interesua për çështjen e kutisë, deri në momentin kur sëmundja e rraskapiti 
bashkëshorten dhe mjeku i tha se ditët e saj ishin të numëruara.

Bashkëshorti i pikëlluar filloi të bëhej gati që të jetonte i ve (vejan) dhe 
filloi t’i vendoste gjërat e saj në çanta, që t’i ruante si kujtime. Syri i tij 
u drejtua nga sënduku, e mori atë dhe shkoi te shtrati ku ishte e shtrirë 
bashkëshortja e tij e sëmurë. Sapo e pa sëndukun, ajo nisi të buzëqeshte me 
dhembshuri dhe i tha atij: “Në rregull, mund ta hapësh sëndukun.” Burri e hapi 
sëndukun dhe brenda tij vërejti dy lodra (kukulla) pëlhure dhe gjilpërën e 
thurjes dhe nën to një shumë të hollash prej 25 mijë dollarësh. Burri e pyeti 
për ato gjëra, kurse ajo me një pëshpëritje tha: “Kur u martova, gjyshja ime më 
tregoi se fshehtësia e martesës së suksesshme fshihet në evitimin e polemikës 
dhe grindjes. Gjithashtu më këshilloi që sa herë që të hidhërohem me ty, ta 
fsheh hidhërimin dhe të ngrihem të bëj një lodër pëlhure duke përdorur 
gjilpërën.”

Në këto çaste burri duke i rrjedhur lotët, e pyeti: “Vetëm dy lodra? Nuk je 
hidhëruar me mua gjatë gjashtëdhjetë viteve? Vetëm dy herë?!”
Me gjithë pikëllimin për faktin se bashkëshortja e tij ishte e shtrirë në 
shtratin e vdekjes, ai ndjeu lumturinë për shkak se e kishte hidhëruar atë 
vetëm dy herë.

Pastaj e pyeti: “Po mirë, mësova fshehtësinë e dy lodrave, po si është puna e 
njëzet e pesë mijë dollarëve?” Ajo iu përgjigj: “Kjo është shuma që kam 
mbledhur nga shitja e lodrave.”

Përktheu: Almedin Ejupi
                                          

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan