http://www.koha.net/index.php?cid=1,12,51893
 
ENVER ROBELLI
 
Lojë me zjarr pa zjarrfikësSi po keqpërdoret në Kosovë feja islame për qëllime 
politike dhe pse Qeveria e Prishtinës urgjentisht duhet të insistojë që 
shqiptarët në diasporë të integrohen në shoqëritë nikoqire?



Tani të gjithë janë të tronditur. Të shokuar. Të dëshpëruar. Të hidhëruar. Të 
zhgënjyer. Jo pak pëshpëritin: “Si është e mundshme që një shqiptar të hapë 
zjarr kundër ushtarëve amerikanë, shpëtimtarëve të këtij populli, atyre që 
sollën lirinë bashkë me ushtarë të vendeve të tjera evropiane?” Ka një lloj 
irracionaliteti në reagimet shqiptare pas vrasjes në Frankfurt, sepse dorasi me 
emrin Arid Uka është rritur dhe radikalizuar islamikisht në Gjermani, pra pak 
ka të bëjë me Kosovën. Në bazë të njoftimeve mediale dhe hetimeve të 
deritanishme ky kosovar me origjinë nga Mitrovica duket se e ka përqafuar 
terrorizmin në emër të fesë tek gjatë muajve të fundit, pasi është shëtitur 
nëpër internet, duke shikuar disa video me propagandë islamike dhe duke lexuar 
predikime urrejtëse në forumet fundamentaliste. Thuhet po ashtu se ai ishte i 
ndikuar nga disa predikues ekstremë fetarë, të cilët
 janë të njohur për autoritetet e sigurisë në Gjermani. Profili kriminalistik i 
Arid Ukës është frikësues për çdo hetues kundër terrorizmit: Kosovari, me sa 
duket, ishte një lloj “ujku i vetmuar” (Lone Wolf), pra pas tij s’qëndronte 
ndonjë rrjet që e kishte nxitur për të kryer krimin e llahtarshëm, vrasjen e dy 
ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit. Persona të tillë, të cilët 
radikalizohen brenda mureve të shtëpisë, duke e kompletuar nga interneti 
koktejin privat me helm pseudofetar, është shumë vështirë të zbulohen, 
parandalohen dhe arrestohen. Ata mund të lënë gjurmë digjitale në internet, por 
jo diçka më shumë. Ndonëse Arid Uka është rritur në Gjermani dhe mbase islami 
radikal kosovar nuk ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë shtytës mbi të për të 
kryer krimin kundër ushtrisë amerikane, megjithatë ky rast duhet t’i shërbejë 
politikës në Kosovë, sidomos autoriteteve të
 sigurisë, që ta marrin shumë seriozisht ballafaqimin me rrezikun e terrorizmit 
që vjen nga qarqet e vetëshpallura si islamike. 

Patriotizmi i rasojit 

Tre zyrtarë mbajnë përgjegjësinë parësore për të bllokuar dhe çrrënjosur 
aktivitetet radikale islamike në Kosovë: Bajram Rexhepi si ministër i Punëve të 
Brendshme, Reshat Maliqi si shef i Policisë së Kosovës dhe Ramë Buja si 
ministër i Arsimit. Që të tre duhet të kërkojnë mbështetje nga vendet evropiane 
dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër elementëve që 
keqpërdorin fenë për qëllime politike, që kërkojnë shamia nëpër shkolla, pasi e 
kanë lexuar ideologjikisht Kuranin dhe synojnë shtypjen dhe degradim shoqëror 
të femrës. Njëkohësisht Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë nga shtetasit 
kosovarë që jetojnë në Gjermani, Zvicër, Austri, Suedi dhe vende të tjera 
evropiane që të integrohen në shoqëritë nikoqire. Integrimi nuk është humbje 
identiteti. Kush është i integruar mirë e ka më lehtë të ruajë vlerat kombëtare 
dhe identitare. Kush s’pranon të integrohet, mbetet i
 konservuar në arkaizmin kulturor dhe bën një jetë jashtë shoqërisë nikoqire, 
ku lidhje e vetme me botën është përmes antenës satelitore. Qeveria e Kosovës 
duhet të apelojë sidomos te prindërit shqiptarë në diasporë që fëmijëve të tyre 
t’ua mësojnë së pari gjuhën e vendit nikoqir, pastaj, gjithsesi, edhe gjuhën 
shqipe. Por, ata shqiptarë që mendojnë të jetojnë në Zvicër, Gjermani, Austri e 
gjetiu, duhet patjetër të përvetësojnë gjuhën vendore. Është e tmerrshme që 
shumë shqiptarë të ardhur në mërgim para 30 vitesh ende flasin tepër dobët, ta 
zëmë, gjermanisht apo frëngjisht. Shpesh të njëjtën rrugë e ndjekin edhe 
fëmijët e tyre, të cilët rriten në ambiente shtëpiake të dominuara me disa 
fotografi të zverdhura të figurave kombëtare, por pa asnjë libër në raft, sepse 
të gjitha raftet janë të zëna me turshi të sjella nga vendlindja. Diaspora 
konservative duhet të heqë dorë nga
 patriotizmi i rasojit, sepse Kosova ka ndryshuar, nuk është më ajo e viteve 
60-të dhe 70-të. Nga ana tjetër edhe shoqëria e Kosovës duhet të heqë dorë nga 
një lloj etnoracizmi ndaj diasporës, e cila nuk është trup homogjen.
Është për keqardhje që politikanët e Kosovës vazhdojnë ta injorojnë si rrezikun 
nga radikalizmi islamik ashtu edhe refuzimin e jo pak shqiptarëve në diasporë 
për t’u integruar. Pas sulmit në Frankfurt kryeministri Hashim Thaçi ose së 
paku ministri i tij (edhe) për diasporë është dashur t’u drejtohen opinionit 
kosovar përmes televizionit dhe gazetave dhe të dërgojnë apele në drejtim të 
diasporës mbi domosdoshmërinë e integrimit. Nuk mjafton që politikanët e 
Prishtinës vetëm të nënshkruhen në “Librin e zisë” në Ambasadën e SHBA-së, të 
ngrysin fytyrat dhe të shprehen me fjalë tronditëse mbi atë që ndodhi në 
Frankfurt. Qeveria e Kosovës kurrsesi nuk duhet ta bëjë gabimin e kryeministrit 
popullist turk Recep Tayyip Erdogan, i cili para disa ditësh qëndroi në 
Düsseldorf të Gjermanisë, ku mbajti një fjalim para bashkëkombësve të tij, me 
ç’rast tha se turqishtja, jo gjermanishtja, duhet të
 jetë gjuha e parë që duhet ta mësojnë fëmijët e prindërve turq. “Ju jeni 
shtetas të mi”, tha Erdogan me ton polemist. Gazetat gjermane e quajtën 
fjalimin e tij “një predikim urrejtës”. Sulltani nga Allamani, siç e përshkroi 
revista “Der Spiegel” kryeministrin turk, bashkëkombësve të tij tërthorazi u 
tha që të mos integrohen në Gjermani dhe të ruajnë rolet tradicionale në 
familje, ku babai është maço dhe femrat martohen fare të reja. Nuk është 
befasuese që edhe gjenerata e tretë e turqve në Gjermani shpesh jeton në geto. 
Para tri vitesh Erdogan në Köln kishte thënë se asimilimi është krim kundër 
njerëzimit, ndonëse askush në Gjermani nuk kërkon as prej turqve, as prej 
shqiptarëve që të asimilohen, por vetëm të integrohen. Paraqitje të tilla të 
Erdoganit vetëm sa e shtojnë skepticizmin në Bashkimin Evropian (BE) se Turqia, 
përkundër demokratizimit gjatë viteve të fundit, megjithatë,
 në thelb, nuk është e gatshme të përvetësojë vlerat e shtetit modern, prandaj, 
njëherë për njëherë, as që mund të bëhet fjalë për anëtarësimin e saj në BE. 
Kosova nuk duhet të shkojë kësaj rruge.

Damkosja me kamxhik 

Republika e Kosovës duhet të ndjekë një rrugë tjetër, pra rrugën thellësisht 
proevropiane, duke përvetësuar ligjet, rregullat, vlerat, iluminizmin 
tradicional evropian. Kosova dhe politikanët e saj duhet të ballafaqohen edhe 
me një fenomen anësor, por jo të parrezikshëm: radikalizmin islamist, i cili 
përdhos islamin tradicional shqiptar, fyen ndjenjat fetare paqësore të shumicës 
së shqiptarëve, të cilët nuk duan ta ndërrojnë plisin me kësula arabe, as 
tirqit dhe xhinset me pelerina të “modës” shkretinore. Kjo shoqëri dhe 
politikanët e saj seriozë (nëse ka mbetur ndonjë i tillë) duhet të shqetësohen 
kur në Prizren “persona të panjohur” rrahin brutalisht një qytetar të krishterë 
protestant, i cili shpërndan Bibla. Kjo shoqëri duhet të shqetësohet kur një 
provokator religjioz, siç është Shefqet Krasniqi, e fyen Nënë Terezën, duke 
thënë se kjo murgeshë dhe humaniste e ka vendin në ferr, sepse,
 sipas kësaj logjike të mbrapshtë teologjike, parajsa qenka e rezervuar vetëm 
për myslimanë. Kush e ka parë Shefqet Krasniqin duke predikuar, lehtë mund të 
mendojë se gjendet para një drejtuesi të ndonjë sekti, të tillë që predikojnë 
shëlbim kolektiv të shpirtit. Ky kolumnist i mediave të afërta me Partinë 
Demokratike të Kosovës (PDK) shfaqet para besimtarëve në xhami, fillon të 
tregojë për çastet e fundit të jetës së profetit Muhamed dhe befas i shkojnë 
lotët rrëke, thua se Shefqet Krasniqi ia paskësh flladitur ballin të dërguarit 
të Perëndisë para se ai të largohet në parajsë. Ky teolog s’është gjë tjetër 
përveç se një manipulator shpirtrash në një shoqëri të varfër e të poshtëruar 
nga pushteti, siç është shoqëria e Kosovës. Nga kjo pozitë Krasniqi ka filluar, 
sidomos kohëve të fundit, të merret edhe me politikë, të damkos me kamxhik disa 
parti politike, siç është
 “Vetëvendosja”, dhe të bëjë propagandë për parti të tjera, të cilat udhëhiqen 
nga persona që në opinion çirren se janë myslimanë, por gjatë netëve të gjata 
në metropolet evropiane ekzaltohen me shërbimet që ofrohen në këso ambientesh 
me drita të kuqe. Të tillët s’e kanë problem të shkojnë në xhami për vota, t’ua 
puthin dorën imamëve injorantë dhe, njëkohësisht, të kapërdijnë mish të 
gjithfarshëm, siç njoftonte këto ditë shtypi kroat. Këta janë aleatët e 
vetëshpallur të Shefqet Krasniqit - aleatë që sot kapardisen nga fronet e 
zaptuara të (pu)shtetit.
Do të ishte interesante për opinionin e Kosovës të dinte se me çfarë 
dokumentesh e kaloi vitin e kaluar Shefqet Krasniqi kufirin me Serbinë dhe 
shkoi në Preshevë, ku në shtëpinë e kulturës mbajti një ligjëratë fetare për 
shqiptarët e atjeshëm? Policia serbe nuk lejon asnjë udhëheqës politik shqiptar 
të Kosovës të shkojë në Luginën e Preshevës, prandaj opinioni ka të drejtë të 
pyes pse mund të shkojë atje Shefqet Krasniqi e jo Jakup Krasniqi ose ndonjë 
lider tjetër politik? Ndoshta shteti serb ka interes që në Preshevë të 
predikojnë teologë radikalë islamikë nga Kosova dhe jo profesorë universiteti. 
Shefqet Krasniqi mund të predikojë lirshëm në Serbi, kurse profesorët e 
Universitetit të Prishtinës me origjinë nga ky rajon shpesh janë të detyruar të 
shkojnë fshehurazi në vendlindje nga frika e arrestimit. Atje, në Preshevë, 
mund të shkojë edhe Myftiu i Kosovës Naim Tërnava, i cili stoikisht
 hesht pas çdo skandali që shkakton Shefqet Krasniqi. - Sidoqoftë, çdo mysliman 
i vërtetë e i ndershëm në Kosovë, që fenë e sheh si pasurim personal dhe si 
çështje private të ndarë nga shteti, duhet ta kujtojë përherë porosinë e 
profetit Muhamed, i cili thoshte: “Në sytë e Allahut krim më i vogël është 
prishja e Qabesë se sa vrasja e një njeriu”. Në Kosovë nga qarqet islamiste 
supozohet se janë rrahur teologë liberalë, ndërsa kritikë të lëvizjes 
selafiste-vahabiste janë kërcënuar me vrasje dhe janë fyer me shprehjet më 
vulgare. Në mungesë të argumenteve kjo duket të jetë rruga e tmerrshme e këtyre 
elementëve; pas botimit të këtij teksti as autori i këtyre radhëve nuk pret 
ndonjë reagim logjik nga ky fraksion ideologësh, të cilët fenë islame prej 
vitesh po e keqpërdorin për qëllime politike. Sjelljet e tyre të kujtojnë 
nazistët e viteve 1930-të, të cilët kur nuk kishin argumente për
 t’u ballafaquar me hebrenj, dilnin e propagandonin me zë të lartë: “Të gjithë 
hebrenjtë e kanë hundën e shtrembër”.

Popullizëm fetar 

Qeveria e Kosovës deri më tani e ka injoruar çdo paraqitje skandaloze publike 
të Shefqet Krasniqit, këtij agjitpropi të islamit politik. Siç e ka injoruar me 
vite edhe aktivitetin pseudoislam, në fakt radikal të njëfarë Kastriot Dukës 
nëpër fshatrat e varfra të Drenicës. Kosova ka një traditë të mirë të imamëve 
patriotë, por pas luftës i erdhi radha një imami-prevarant nga Shqipëria të 
predikojë islamin në trevat tona. Ishin disa gra të ndershme dhe të guximshme 
të Drenicës që iniciuan dëbimin e Dukës nga Kosova, ndonëse ai, sipas disa 
njoftimeve, prapë është kthyer. Mbetet të shihet a do të vazhdojë të qëndrojë 
duarkryq ministri Bajram Rexhepi. Deri më tani piromanët fetarë kanë vepruar 
gati të papenguar, sepse në Kosovë mungojnë zjarrfikësit që mbrojnë shtetin. Në 
kuadër të manipulimit me fe hyn edhe parada me lutje fetare e kryeministrit 
turk Erdogan dhe e kryeministrit të Kosovës Hashim
 Thaçi vjeshtën e kaluar në një xhami në qendër të Prishtinës. Erdogani dhe 
vëllai i tij Thaçi dolën në oborr të xhamisë dhe luteshin së bashku. Hashim 
Thaçi këtë nuk e bëri pse është besimtar i devotshëm, por sepse përpiqej t’u 
hynte në hatër myslimanëve të Kosovës para zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Ky 
veprim nuk ka emër tjetër përveçse popullizëm fetar. Si person privat Thaçi 
mund të falet pesë herë në ditë, por këtë duhet ta ndajë nga jeta publike, 
sepse feja është çështje private; si kryeministër i vendit, ndërkaq, ai duhet 
të ketë parasysh se nuk është prijës fetar, por politikan që përfaqëson shtresa 
të gjera të shoqërisë dhe besimtarë të feve të ndryshme në një shtet që 
zyrtarisht është laik. Por, shpesh Thaçi dhe parimet janë si dy copë magneti, 
që kur kthehen në anën e kundërt s’ngjiten kurrë!
Një ndër skenat më absurde të keqpërdorimit të fesë për qëllime politike janë 
edhe paraqitjet e tashmë ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani nëpër disa xhami 
nëpër zona industriale të Zvicrës. Ekzistojnë edhe video të postuara në 
internet nga këto paraqitje. Aty ky mjek flet për rrezikun që u kanoset të 
rinjve nga droga dhe si shpëtim propagandon fenë islame. Dhe këtë e thotë në 
një shtet si Zvicra, ku ekzistojnë institucione shëndetësore për trajtimin e të 
droguarve, ku aradhe mjekësh hulumtojnë në këtë fushë. Sikur Zvicra të mund t’i 
zgjidhte problemet me narkomanë duke iu thënë atyre që vetëm duhet të besojnë 
në Jezu Krishtin, atëherë punët do të ishin shumë mirë. Atëherë do të 
kurseheshin qindra miliona franga që Qeveria në Bernë dhe kantonet zvicerane 
ndajnë për të luftuar këtë problem. Të përkujtojmë se Ferid Agani ka bërë edhe 
një zbulim epokal, kur ka thënë se
 homoseksualiteti na qenkësh sëmundje mendore. Nëse ai si ministër i 
shëndetësisë viziton ndonjëherë Zürichun, atëherë këtë mund t’ia thotë edhe 
kryetares së qytetit, e cila është lesbike dhe kjo dihet publikisht, siç dihet 
edhe për shumë politikanë evropianë, mes tyre edhe ministra. Falë koalicionit 
me partinë e një tyxhari politik partia e Aganit i futi në Parlament edhe tre 
deputetë, agjenda e të cilëve është një miks fetar-ideologjik në kundërshtim me 
traditën religjioze dhe kombëtare të shqiptarëve. Këto ditë edhe një eksponent 
tjetër i Qeverisë së Kosovës, ministri i Kulturës Memli Krasniqi, befas u bë 
pjesë e imazhit negativ të vendit. Për karrierën e tij politike sigurisht ka 
qenë më mirë që ai të mos portretizohej në gazetën “Frankfurter Rundschau” si 
islamist i rrezikshëm që heq fotografi të Nënë Terezës dhe Ibrahim Rugovës nga 
selia e tij. Edhe pse ky gabim tashmë është
 përmirësuar, dinamikën e lajmit të keq s’mund ta ndalë askush, madje as 
Saatchi & Saatchi me ato 6 milionë euro që i fshiu nga buxheti i Kosovës në 
emër të përmirësimit të imazhit. Ka qenë më mirë sikur pushtetarët e Kosovës 
këta 6 milionë euro t’ia kishin ndarë një njësie të specializuar të policisë, e 
cila do të kishte hulumtuar edhe burimet e mbështetjes financiare të elementëve 
radikalë islamikë në Kosovë. Shumë njerëz që ia duan të mirën këtij vendi do të 
ishin tronditur me zbulimet që do bënte kjo njësi.











--------------------------------------------------------------------
Behar Beqiri
Sllatinë e Epërme / VITI
044/407-258; 049/175-379
www.kosovahosting.com
[email protected]
___________________________________________________

www.BESIMTARI.com



____________________________________________

Forumi i të Rinjve Muslimanë në Kosovëështë organizatë joqeveritare e 
regjistruar ne Ministrinë e Shërbimeve Publiketë Qeverisë së Kosovës dhe ka për 
qëllim afrimimin dhe ruajtjen e vlerave dhekulturës se traditës Islame në 
Republikën e Kosovës.  Është eregjistruar në Ministrinë e Shërbimeve Publike me 
date: 08.06.2008 me numërregjistri: 5111875-8



      

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan