*"E MËSON PESHKUN TË NOTOJË" – THËNIE E URTË LATINE*

*Kundërpërgjigje për analistin "fetaro-politik" –Gazmend Islami, përkitazi
me shkrimin skandaloz: "Shefqet Krasniqi tejkalon moralen dhe njerëzoren"–
botuar në telegrafi*

*(Shënim: Shkrimi në formë opinioni "Shefqet Krasniqi tejkalon moralen dhe
njerëzoren"- ishte botuar para disa ditësh në portalin Telegrafi, dhe këtë
reagim timin e dërgova - si e do rendi - edhe në po të njëjtin portal,
mirëpo redaksia e portalit nuk e ka parë te arësyeshme ta botojë. Derisa ata
i kanë dhënë hapësirë të mjaftueshme shkrimit skandaloz mbushur plot
urrejtje, paragjykim, trillime dhe shpifje kundër një personaliteti, nuk e
shohin të arësyeshme ta hapin edhe anën tjetër të medaljes, mirëpo thuhet me
të drejtë se medalja i ka dy anët e saj, ja edhe ana tjetër.)*


Fehmi Maloku / gazetar

Një artikull befasues që lexova para pak ditësh më ka shokuar. Artikulli
ishte i mbushur me paragjykime dhe urrejtje, saqë më shtyu detyrimisht të
hedh sadopak dritë mbi të. Autori i këtyre shpifjeve me emrin Gazmend
Islami, i prezantuar si analist politik, ka marrë rolin që nuk i takon dhe
bën kërdi mbi figurën e dr. Shefqet Krasniqit, duke i përdhosur parimet
etike e profesionale të gazetarisë.

Me plot kualifikime, me plot shpifje e gënjeshtra - pa asnjë argument ai i
është vërsulur dr. Shefqet Krasniqit, të cilin siç shihej nga krejt
artikulli, personazhin e tij të urrejtur, autori nuk e njeh as për së
afërmi, dhe, përveç emrit që vonë ia ka mësuar nuk di asgjë më shumë për të.
Ai, madje e quan Shefqet Kraniqi – pa e ditur se personazhi i tij është edhe
doktor i shkencave islame dhe Imam i Xhamisë së Madhe, dhe si për të mirë si
për të keq, rendi e do që personazhin që ke zgjedhur ta kritikosh a ta
lavdërosh- ta paraqesësh ashtu siç është, me ato grada që i ka, a që nuk i
ka. Por urrejtja dhe paragjykimet duket nuk e lënë autorin ta vendosë qoftë
edhe një shkronjë me kuptim pozitiv ndaj personazhit të tij. Meqenëse nga
profesioni jam gazetar dhe e njoh etikën dhe profesionin e gazetarisë, jam i
befasuar se si i mundësohet botimi i këtyre shpifjeve analistëve të tillë.
Po t'i shohim më poshtë se cilat janë shpifjet dhe shkarjet e rënda të këtij
analisti fetaro-politik, kundër një personazhi të cilin duket se nuk e njeh
fare.

Për t'iu kundërpërgjigjur më saktësisht paragjykimeve (shpifjeve) të autorit
analist, reagimin tim po e shkruaj në formë bashkëbisedimi.

Ai (autori analist) thotë:
- Deklaratat dhe veprimet e Shefqet Krasniqit, në kohën e fundit i kanë
kaluar të gjitha normat morale të një predikuesi fetar, e çka është më tepër
një presoni i cili thirret në një fe siç është Islami.
- Heu ç'na paska gjetur neve! Sa shumë mirë që i kishim punët , por ja që na
plasi ky sherr tash?!

Të falemnderit analist që na alarmon për këtë rrezik që na qenka shfaqur e
s’e kemi ditur, por a nuk na thua drejt te lutem; Cilat saktësisht, cilat
deklarata ose edhe më saktë, cila deklaratë dhe cilat veprime – më saktë
cili veprim aq i kobshëm i atij personi që thirret në një fe siç është
Islami (Në të vërtetë, ai thërret në Islam – e nuk thirret në Islam!)?! Pra,
a nuk po na tregon se cilat janë ato deklarata e ato veprime – përmendi
disa, së paku një?! – S'ka përgjigje!

Analisti fetaro-politik, pa dhënë fare asnjë dëshmi për akuzën, në të
vërtetë për akuzat e para të rënda, vazhdon fjalimin, por e ndërron kahjen
dhe jep Fetva!

Citoj analistin fetaro-politik: "Vetë fjala “Islam” d.m.th. paqe, prandaj
misioni (mungon- i) kësaj feje është që në rruzullin tokësorë (ka shtuar një
ë-panevojë) të reflekton (ndoshta të reflektojë – F.M.) tolerancë, bamirësi,
luftimin e të keqes (ndoshta e së keqes – F.M.), kundër dhunës etj. Feja
Islame është tolerante ndaj vetë myslimanëve po edhe ndaj jomyslimanëve,
vetë traditat e saj kanë treguar se popujt mysliman (ndoshta duhet një- ë)
që nga koha e Muhamedit a.s. e deri në ditët e sodit (ndoshta e sotme) kanë
ditë (apo ditur) t’i ruajnë vlerat e veta por edhe t’i respektojnë vlerat e
të tjerëve".

O sa fetva e bukur e një analisti kjo! Na trembi së pari kur tha se
deklaratat (domethënë shumë, shumë deklarata) dhe veprimet (prapë shumë,
shumë veprime të pamatura) e Shefqet Krasniqit (për informimin tuaj
personazhi juaj e ka gradën dr. i shkencave, është edhe Imam i Xhamisë së
Madhe – dhe s'mund t'i hiqen këto grada kaq lehtë!), i kanë kaluar të gjitha
normat morale – bash të gjitha normat morale, por cilat se?! S'ka asnjë
përgjigje!, por, menjëherë një fetva tjetër! Analisti politik, po jep fetva
fetare e na mëson ne të gjorëve se: "Vetë fjala "Islam" d.m.th. paqe..."–
çudi si nuk e paska ditur askush deri më tash që Islami na qenka paqe, sa
bukur qe dolët ju dhe e zbërthyer këtë emër z. analist! Si nuk e paska ditur
këtë përkufizim, madje as personazhi i shkrimit tuaj, i cili për të mësuar
këtë Islam që ju e zbërtheni tash pas gjithë kësaj kohe, kishte studiuar
rrum 15 vjet në bazën e Islamit në Medine?!

Analisti politik, Gazmend Islami – ose Gazmend Paqësori, nuk ndalet një
moment për t'i zbërthyer edhe këto fetva ashtu si na e zbërtheu aq
mrekullueshëm Islamin në paqe, por vazhdon të lëshojë sërish fetva tjera dhe
qysh në fillim të fetvave të pazbërthyera e jep diagnozën pa asnjë kontroll
ku thotë, citoj: "Vetë fjala “Islam” d.m.th. paqe, prandaj misioni (mungon –
i) kësaj feje është që në rruzullin tokësor(ë) të reflekton tolerancë,
bamirësi, luftimin e të keqes, kundër dhunës etj. Feja Islame është
tolerante ndaj vetë myslimanëve po edhe ndaj jomyslimanëve, vetë traditat e
saj kanë treguar se popujt mysliman që nga koha e Muhamedit a.s. e deri në
ditët e sodit kanë ditë t’i ruajnë vlerat e veta por edhe t’i respektojnë
vlerat e të tjerëve. (!!)
- Meqenëse analisti nuk e vë shkronjën i - aty ku duhet, nuk po më çudit hiç
që e vë shkronjën ë - aty ku nuk duhet - në rruzullin tokësor-ë !.
Ngadalë more shoku analist mos u ngut se s'të ka hije kështu! Nuk bën kështu
analisti jo! Ndalu njëherë pak dhe argumentoje kritikën tënde kundër
personazhit tënd, se ka kush e sqaron Islamin boll, nuk ke kompetencë t'i
fare për të sqaruar Islamin, se e dimë shumë më mirë se ti çka domethënë
fjala Islam. (Për dijeninë tënde – Paqe është njëri nga shumë kuptimet e
fjalës Islam, një kuptim tjetër i denjë për Islamin është edhe Parim).
Po nuk na tregove akoma se çfarë deklaratash dhe çfarë veprimesh ka bërë
personazhi yt?
Ja ku na qenka menjëherë "argumenti" yt: "Deklaratat e tij janë aq irrituese
dhe skandaloze sa që pyes veten e bënë me vetëdije apo është i obliguar nga
qarqe të ndryshme brenda dhe jashtë vendit që të përçaj komunitetin mysliman
në Kosovë apo edhe të ndjellë urrejtje ndaj të tjerëve" – Ky pra është
argumenti yt z. analist pse ke marrë mundin të shkarravisësh kundër një
personaliteti tejet të madh! Domethënë, prapë Deklaratat e tij (të dr.
Shefqet Krasniqit) qenkan aq irrituese (mos ndoshta irituese) dhe
skandaloze. Vaj medet për ty e për ne çka na paske gjetur, por ende nuk jam
duke ditur cilat deklarata, ose se paku, cila deklaratë e doktorit tonë të
nderuar na qenka aq "irrituese" dhe skandaloze. Te lutem na trego më se na
çmende?!
E lexoj serish artikullin tënd, por as edhe një fakt te vetëm nuk arrij ta
gjej për ta mbështetur sado pak pohimin tënd!!!.
Ti thua se: "Që nga perandoria Osmane e deri në ditët e sodit në Kosovë
është mësuar dhe kultivuar feja duke u mbështetur në shkollën juridike
Hanefi e cila është e pranuar me miliona e miliona myslimanë në mbarë botën,
prandaj edhe ne shqiptarët me dëshirë e vazhdojmë këtë shkollë juridike
sepse kjo vetëm sa e pasuron dijen tonë se si duhet të respektohet feja
Islame, por edhe të tjerët", – dhe çka është kjo?!-Asgjë hiç. Së pari dua ta
kujtoj se në botë sot ka jo miliona, por afër 2 miliardë muslimanë, e dyta
që dua të ta kujtojë, është se t'i tregosh dr. Shefqet Krasniqit për
Shkollën juridike Hanefi, është sikur ta mësosh peshkun të notojë. Urdhëro
pra, mësoje peshkun të notojë!
Ti mandej thua: "Por ma së shumti në këtë situatë kanë përfituar njerëz si
Sheqet Krasniqi i cili sipas veprimeve të tija është duke i shërbyer një
grupi të caktuar njerëzish apo sekti të veçanet (ndoshta të veçantë) dhe kjo
është evidente dhe nuk do koment". Unë si dhe shumë qytetarë të tjerë që i
njoh, nuk kemi dëgjuar asnjëherë që dr. Shefqet Krasniqi, po i shërbyeka një
grupi të të caktuar njerëzish, e as që po i shërbyeka një "sekti të veçanet"
dhe prandaj nuk mund të besoj se kjo na qenka aq evidente dhe prandaj kjo
gjithsesi do koment dhe do shpjegim-po si nuk do?!
Si një njëri që si shumë e shumë njerëz tjerë, kam mësuar bukur shumë nga
ligjëratat e dr. Shefqet Krasniqit, ndihem i obiguar moralisht dhe fetarisht
të dëshmoj se dr. Shefqet Krasniqi, kurrë asnjëherë dhe në asnjë rast, nuk
ka folur për ndonjë grup të veçantë, nuk ka folur për ndonjë sekt dhe kjo
kurrë nuk ka qenë evidente, siç po thoni ju. Ai ka folur çdoherë dhe vazhdon
të flas çdo herë për Ummetin Islam dhe për unitetin-bashkimin e muslimanëve,
dëshmoj po ashtu atë që kam dëgjuar me qindra herë personalisht nga dr.
Shefqet Krasniqi, që të ruhet uniteti i muslimanëve, të ruhet safi i
muslimanëve dhe të mos bëhet asnjëherë përçarje në mes të muslimanëve –
Kurrë, ama bash kurrë nuk ka ftuar në përçarje, e as ne ndonje sekt e as per
ndonjë interes të caktuar, në qindra fjalime-hutbe (ligjërata) e tribuna të
cilat i kam ndjekur me vëmendje të veçantë . Pra, të gjitha pohimet tua janë
shpifje të kulluara, dhe analisti nuk guxon të shpifë apo jo?!
Po ashtu, doktori i nderuar, Shefqet Krasniqi, nuk ka ftuar kurrë për
Vehabizëm, por ka ftuar në Islam sipas parimeve të mirëfillta – Kur'an dhe
Sunnet!
Nësë në një intervistë në gazetën Express , ka sqaruar domethënien dhe
kuptimin e termit vehabi, në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se ja ai paska
ftuar në Vehabizëm – prapë është shpifje e kulluar – e them këtë meqë e kam
lexuar me vëmendje atë Intervistë!
Edhe për konstatimin tënd në fund të tekstit se hoxha paska harruar se jeton
në Europë, mos u brengos ti aspak, se ai më mirë se ti e di ku jeton, ai
madje edhe është duke jetuar këtu në Kosovë dhe nuk ka ikur askund por këtu
është, Europa ndërkaq, po na qorton neve për disa veprime tjera, për
korrupsion, për krim të organizuar, për larje parash, për trafikim me qenie
njerëzore, etj., por jo asnjëherë pse ne jemi myslimanë, asnjëherë jo.
Kështu që në vend se ti dhe patriotët tjerë të merreni me Dr. Shefqet
Krasniqin, i cili paraqet vlera të vërteta kombëtare e qytetare, merruni me
ata që bëjnë veprimtari kriminale e korruptive, për shkak të të cilëve nuk
po arrijmë Europën!

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan