* Si e kanë kaluar Ramazanin paraardhësit tanë besimtarë*

 Ne duhet të shikojmë shembullin e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e
Allahut qofshin mbi të, të shokëve të tij dhe të gjeneratave të hershme të
muslimanëve, nëse dëshirojmë të përfitojmë maksimumin prej muajit të bekuar.
I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thoshte: "*Më të
mirët e umetit tim do të jenë gjenerata pas meje. Pastaj ata pas tyre, dhe
pastaj ata pas tyre."* (Sahihul Buhari: 2652 dhe Sahihu Muslim: 2533)

Ne do të shikojmë disa nga veprat të cilave paraardhësit e devotshëm u kanë
kushtuar vëmendje gjatë Ramazanit.


*Leximi i Kuranit*

Allahu thotë: *"Muaji i Ramazanit është muaj në të cilin ka zbritur Kurani."
* [El-Bekare, 185]

Për këtë arsye, ne shohim se paraardhësit tanë të devotshëm e kanë shtuar
përsëritjen e Kuranit në Ramazan. Ibrahim En-Nehaiu tregon se El-Eswed Bin
Jezidi e ka bërë hatme Kuranin çdo të dytën natë në Ramazan. Ai ka fjetur
vetëm ndërmjet akshamit dhe jacisë. Jashtë Ramazanit, ai ka bërë hatme
Kuranin çdo gjashtë net.

Abdul-Melik Bin Ebi Sulejmani ne tregon se Seid Bin Xhubejri po ashtu e ka
bërë hatme Kuranin çdo të dytën natë.

Po ashtu është thënë që Velidi e ka bërë hatme Kuranin çdo të tretën natë,
por në muajin e Ramazanit ai e bënte hatme atë 17 herë.

Selam Bin Ebu Muti' na tregon që Katades i është dashur normalisht shtatë
ditë për të lexuar Kuranin, por në Ramazan atij i duheshin vetëm tri ditë
për ta bërë këtë. Vërtet ai e bënte hatme Kuranin çdo natë.

Kasim Bin Ali e përshkruan babanë e tij, Ibën Asakirin, autorin e famshëm të
librit "Historia e Damaskut", kështu: "Ai gjithnjë i ka kushtuar vëmendje
namazit të tij me xhemat dhe ishte i përhershëm në këndimin e Kuranit. Ai
gjithnjë e bënte hatme Kuranin të premteve. Mirëpo në Ramazan ai e bënte
këtë çdo ditë dhe tërhiqej në minaren lindore të xhamisë."

Dhehebiu shkruan kështu për Ebu Barakat Hibetullah Bin Mahfudh: Ai lexonte
të drejtën islame dhe lexonte Kuran. Ai ishte i njohur për bamirësinë e tij
dhe veprat e mira. Gjatë muajit të Ramazanit ai e bënte hatme Kuranin
tridhjetë herë."


*Zgjimi për namazin e natës*

Saib Bin Jezidi rrëfen: "Omer Ibën Hattabi ka urdhëruar Ubej Ibën Ka'bin dhe
Temim Ed-Dariun për t'i udhëhequr në namazin e Ramazanit. Secili prej tyre
lexonte njëqind ajete në një rekat, derisa ne duhej të mbështeteshim në
shkop për shkak të gjatësisë që duhej të qëndronim. Ne arrinim ta mbaronim
namazin vetëm pak para kohës së sabahut." [Musannefi i Abdurr-Rezzakut: 7730
dhe Suneni i Bejhekiut: 4392]

Abdullahu, djali i Ebu Bekrit, rrëfen se ka dëgjuar babanë e tij duke thënë:
"Derisa ne përfundonim namazin në Ramazan, shërbëtorët duhej të nguteshin
për të përgatitur ushqimin nga frika se mos po agonte dita." [El-Muwatta':
254]

Abdurr-Rahman Ibën Hurmuzi na tregon se imamët e teravive e përfundonin
leximin e Sures Bekare gjatë tetë rekateve të namazit. Ndërsa kur ata e
përfundonin leximin në dymbëdhjetë rekate, njerëzit konsideronin se lexuesit
ishin duke ua lehtësuar gjërat atyre. [Musannefi i Abdurr-Rezzakut: 7734 dhe
Suneni i Bejhekiut: 4401]

Nafiu tregon se Ibën Omeri falte namaz në shtëpinë e tij gjatë muajit të
Ramazanit. Kur njerëzit dilnin nga xhamia, ai shkonte në Xhaminë e të
Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, duke marrë me vete
ujë. Ai nuk dilte nga xhamia derisa e falte namazin e sabahut. [Suneni i
Bejhekiut: 4384]

Imran Ibën Hudajri na tregon se Ebu Mijlazi i printe xhematit në Ramazan në
lagjen e tij. Ai e bënte hatme Kuranin gjatë shtatë ditëve. [ Musannefi i
Ibën Ebi Shejbes: 7677]


*Bujaria në dhënien e lëmoshës*

Ibën Abbasi thotë: "I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut
qofshin mbi të, ishte më bujari nga të gjithë në bërjen e veprave të mira
dhe ishte në bujarinë më të lartë gjatë muajit të Ramazanit. Xhibrili e ka
takuar atë çdo vit gjatë muajit të Ramazanit dhe i Dërguari, lavdërimi dhe
paqja e Allahut qofshin mbi të, i recitonte Kuran atij. Çdo herë që Xhibrili
takohej me të, ai bëhej edhe më bujar se era e dërguar (e freskët)."
[Sahihul Buhari: 1902 dhe Sahihu Muslim: 2308]

El-Muhal-lebi ka bërë këtë analizë mbi këtë hadith [shih Ibën Batal,
Komentimi mbi Sahihun e Buahriut: 4/22-23]:
"Kjo tregon për mirësinë e veprave të mira dhe që angazhimi në disa veprime
të mira hap rrugë për kryerjen edhe të veprave të tjera. Praktika e kryerjes
së veprimeve të mira ndihmon njëkohësisht në punët e mira të mëtejshme. Këtu
shohim që mirësia e agjërimit dhe takimi me Xhibrilin ka ngritur bamirësinë
dhe bujarinë, aq shumë saqë ai bëhej shumë bujar, si era e dërguar (e
freskët)."

El-Zyan Ibnul-Muniti sqaron krahasimin e "e erës së dërguar (të freskët)"
kështu [shih El-Askalani, në "Fet-hul-Bari": 4/139]: "Bamirësia e tij dhe
trajtimi i mirë për njerëzit e varfër dhe ata në nevojë po ashtu edhe për
ata të pasurit dhe që posedojnë mjete të mjaftueshme është e gjithanshme, si
ndihma që sjell era e dërguar (e freskët)."

Shafiu thotë: "Është e pëlqyeshme për njeriun të shtojë bamirësinë në muajin
e Ramazanit. Kjo është pasim i praktikës së të Dërguarit, lavdërimi dhe
paqja e Allahut qofshin mbi të. Kjo po ashtu arsyetohet me nevojat e
njerëzve dhe mirëqenien e tyre, meqenëse shumë prej tyre anë të shkëputur
nga fitimi i mjeteve të jetesës për arsye të preokupimit me agjërim dhe
namaz."

Ibën Umeri nuk e ka prishur agjërimin nafile asnjëherë, me përjashtim kur ka
qenë duke u shoqëruar me të varfrit. Gjithnjë kur dikush ka ardhur gjersa ai
ishte duke ngrënë dhe kërkonin lëmoshë nga ai, Ibën Omeri merrte prej bukës
së tij atë që konsideronte se është e drejtë e racionit të tij dhe ngrihej
dhe e linte pjesën tjetër të bukës për lypësin. Dhe merrte nga ajo që kishte
mbetur në duart e tij dhe i jepte familjes së tij, kështu që kur zgjohej në
mëngjesin tjetër agjërueshëm, ai nuk kishte ngrënë asgjë prej natës së
kaluar. [Letaiful-Me'arif: 314]

Junus Ibën Jezidi na tregon se gjatë muajit të Ramazanit, Ibën Shihabi nuk
angazhohej në asgjë tjetër përveç leximit të Kuranit dhe ofrimit të ushqimit
të varfërve.

Hammad Bin Ebi Sulejmani ka marrë përsipër ofrimin e ushqimit për pesëqind
njerëz, për t'u dhënë atyre iftar gjatë muajit të Ramazanit. Dhe në ditën e
Bajramit, ai u dhuronte këtyre njerëzve nga njëqind pjesë argjendi.


*Ruajtja e gjuhës*

Ebu Hurejra rrëfen se i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi
të, ka thënë: *"Kush nuk braktis fjalët e pavërteta dhe veprimet false,
Allahu nuk ka nevojë për braktisjen e tij nga ushqimi dhe pija."* [Sahihul
Buhari: 1903]

El-Muhal-lebi ka bërë këtë shpjegim rreth këtij hadithi [Ibën Battal,
Komentimi i Sahihul Buhariut: 4/23]: "Kjo tregon që agjërimi obligon
përmbajtjen prej gënjeshtrave dhe fjalëve të pahijshme ashtu siç obligon
ndalimin nga ushqimi dhe pija. Personi që gënjen dhe flet fjalë të pahijshme
pakëson vlerën e agjërimit, i nënshtrohet pakënaqësisë së Zotit të tij dhe
ka mundësi që agjërimi i tij të mos pranohet.

I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: *"Nëse
dikush nga ju fillon të agjërojë, ai duhet të shmanget prej fjalëve të
pahijshme dhe sjelljeve injorante. Nëse dikush e nënçmon ose dëshiron të
rrihet me të, ai duhet të përgjigjet duke thënë: "Unë jam agjërueshëm, unë
jam agjërueshëm."* [Sahihu Muslim: 1151]

Shpjegimi i El-Mezarit për këtë hadith: "Kjo bëhet për arsye se personit i
është rekomanduar të thotë "Unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm" për ta
përmbajtur nga përfshirja e tij në shkëmbimin e fyerjes."

Omer Ibën Hattabi ka thënë: "Njeriu nuk duhet të ndalet vetëm nga ushqimi
dhe pijet, por po ashtu edhe prej rrenave, të pavërtetave, përgojimit dhe
mallkimit." [Musannefi i Ibën Ebi Shejbes: 8882]

Ali Ibën Ebu Talibi ka thënë: "Agjërimi nuk është largimi nga ushqimi dhe
pijet, por largimi nga gënjeshtrat, të pavërtetat dhe fjalët e kota."
[Musannefi i Ibën Ebi Shejbes: 8884]

Talk Ibën Kajsi na tregon se Ebu Dherri ka thënë: "Kur të agjëroni,
kontrollojeni veten aq sa keni mundësi." Sa për Talkun, kur ai agjëronte, ai
shihej duke dalë nga shtëpia vetëm në rastet kur shkonte të falte namaz.
[Musannefi i Ibën Ebi Shejbes: 8878]

Xhabir Ibën Abdullahu ka thënë: "Kur të agjëroni, dëgjimi, shikimi dhe gjuha
juaj duhet gjithashtu të agjërojnë, duke iu shmangur gënjeshtrave dhe
mëkateve. Ju nuk duhet të abuzoni shërbëtorin tuaj. Ju duhet të ruani
vetëpërmbajtjen dhe dinjitetin gjatë ditës, në të cilën ju agjëroni. Mos e
bëni ditën tuaj të agjërimit të ngjashme me një ditë të zakonshme."
[Musannefi i Ibën Ebi Shejbes: 8880]

Atau na tregon se Ebu Hurejra ka thënë: "Kur të agjëroni, mos u sillni në
mënyrë injorante dhe mos i ofendoni njerëzit. Nëse dikush sillet me
injorancë ndaj jush, thuaj: "Jam agjërueshëm." [Musannefi i Abdurr-Rezzakut:
7456]

Muxhahidi ka thënë: "Nëse u shmangeni dy gjërave, atëherë agjërimi juaj
është në rregull. Ju duhet t'u shmangeni përgojimeve dhe gënjeshtrave."

Ebul-Alia ka thënë: "Agjëruesi është i zënë në adhurim derisa nuk përgojon
dikë."


Dr. Selman Avde
Përktheu: Ardian Klaiqi

Burimi:
http://www.klubikulturor.com/tema/2008/si_e_kane_kaluar_ramazanin_paraardhesit_tane_besimtare.htm

--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në [EMAIL PROTECTED]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan