Qëndrimi i Islamit ndaj poezisë
http://www.alb-drejtesia.com/al/news.php?readmore=426



 

Shkruan: Muhamed SYTARI

(...Profeti ua lejoi njerëzve poezinë, e dëgjoi atë, nxiti për të dhe shpërbleu 
për të...) 

Nëse do të flasim për çfarëdo lloj qëndrimi të fesë islame ndaj poezisë, do të 
na duhet, pikësëpari të kthehemi në faqet e librit të fundit të zbritur nga 
qielli, si pikë e parë referimi. Do të na duhet të kontrollojmë në suret dhe 
rreshtat e Kur'anit, për shenja a gjurmë të "poetëve" e "poezisë", që të na 
mundësohet më pas një përcaktim sa më i qartë i qëndrimit të Islamit ndaj tyre. 
Që përcaktimi i këtij qëndrimi të jetë sa më i saktë, do të na duhet më pas, të 
kontrollojmë edhe në "arkivat" e pafund të citateve të Profetit Muhammed (a.s), 
ku do të na duhet të gjejmë gjithashtu vendin e "poetëve" dhe "poezisë" së tyre.

Nga një studim serioz i Dr. Muhammed Osman Ali, pedagog i letërsisë arabe në 
Fakultetin e Gjuhësisë, pranë Universitetit "Fet'h"- Libi, konstatohet se: 
"Termi "poet" është përmendur katër herë në Kur'an, në katër ajete, sikurse do 
të gjejmë se termi "poezi" është përmendur në një ajet të vetëm dhe termi 
"poetët", gjithashtu në një ajet të vetëm".[1]



Ajetet kur'anore ku përmendet "poezia" dhe "poetët"



Më poshtë, po përmendim në mënyrë të detajuar ajetet kur'anore, të cilat 
citojnë qartas "poetët" dhe "poezinë" e tyre, për të arritur më pas, nëpërmjet 
ndihmës së komenteve të ndryshme të këtyre ajeteve, në një konkluzion të qartë 
rreth vendit të "poezisë" dhe "poetëve" në Kur'an e Islam.

1. "Ata madje thanë (për Kur'anin): Ëndërra të përziera, madje thanë se ai 
(Muhammedi) vetë e trilloi, ai është poet!..."[2]

2. "Dhe thoshin: "A do t'i braktisim ne zotat tanë për një poet të 
çmendur?"..."[3]

3. "E ata thonë: "Ai është poet, po presim kohën ta zhdukë"...".[4]

4. "Ai nuk është fjalë e ndonjë poeti, po ju nuk besoni".[5]

5. "Ne as nuk ia mësuam atij (Muhammedit) poezinë, e as që i takon ajo atij, ai 
(Kur'ani) nuk është tjetër vetëm se këshillë dhe Kur'an i qartë".[6]

6. "E për sa u përket poetëve (që Muhammedi nuk është i tillë), ata i ndjekin 
të humburit (nga e vërteta). A nuk sheh se ata hidhen në çdo anë (sa 
lavdërojnë, sa përqeshin). Dhe ata janë që flasin atë çka nuk punojnë. Me 
përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që e përmendën shumë 
All-llahun dhe që u mbrojtën pasi që atyre iu bë e padrejtë. E ata që bënë 
zullum do ta kuptojnë se ç'përfundimi i shkojnë (ç'dënim të ashpër ose ç'vendi 
në Xhehennem do t'i nënshtrohen)".[7]

"Ajetet që flasin rreth poezisë, nuk e prekin atë -si poezi-, as për të mirë, 
as për të keq, por për një arsye të fortë: hedhjen poshtë të pretendimeve të 
jobesimtarëve arabë për qenien e Muhammedit (a.s) poet. Njëkohësisht, Kur'ani 
vërtetoi, se të vërtetat me të cilat erdhi Profeti i fundit, janë shumë larg 
poezisë..."..[8] 



Përse Kur'ani hedh poshtë, në mënyrë të theksuar,

qënien e Muhammedit (a.s) poet?



Kjo është një pyetje, sa intriguese aq edhe e domosdoshme për t'u bërë në këtë 
pikë të këtij studimi. A ishte Profeti Muhammed (a.s) poet apo jo? Përse 
Kur'ani refuzon me kaq ngulm qënien e tij poet? Çfarë është poeti në 
këndvështrimin e arabëve kurejshitë e jokurejshitë, "nofkë" me të cilën, në një 
mënyrë a një tjetër, "gjuhej" edhe Profeti i fundit, Muhammedi (a.s)? 

Arsyeja e këtij refuzimi të bërë nga Kur'ani, është fare e thjeshtë: "Sepse 
arabët mendonin se në mendjet e poetëve ka "dorë" a prekje xhinësh, a se disa 
shejtanë u inspironin atyre vargjet, të cilat ua recitonin më pas njerëzve... 
Shkak tjetër është, se shumë prej poetëve në "xhahilijet"[9], njiheshin për 
veprimtaritë e tyre të fshehta imorale, teprinë në epshet e ndryshme, si dhe 
dhënien pas kënaqësive materiale, si: alkooli, kumari, etj.".[10]



Profeti Muhammed, "poetët" dhe "poezia"



Qëndrimin e tij ndaj poezisë, Profeti Muhammed (a.s) e ka shfaqur në dy pika: 

Së pari: Ndalimi që i ka bërë thurjes së vargjeve që prekin nderin, që nxisin 
hasmëritë dhe që ngjallin ndjenjat e strikticizmit ndërfisnor.

Së dyti: Luftimi që i bëri angazhimit të madh me poezinë, saqë të ndikojë te 
njeriu për të mos kryer detyrimet e besimit të tij, përmendjen e All-llahut e 
leximin e Kur'anit. 

Sidoqoftë, mund të themi se Profeti ua lejoi njerëzve poezinë, e dëgjoi atë, 
nxiti për të dhe shpërbleu për të, gjë për të cilën dëshmojnë faktet. 
Konkretisht përmendet se Profeti (a.s) dëgjoi Nabiga Dhubjanin, poetin e njohur 
arab, kur me varg tha:

Erdha te Profeti,

kur me udhëzim erdhi,

dhe lexoi Librin,

si shkëndijë ndriçon...

Këto vargje e të tjera që tha në prezencë të Profetit (a.s) tërhoqën vëmendjen 
e tij dhe poetit iu drejtua me këto fjalë: "Mos ta mbylltë All-llahu gojën".[11]

Profeti (a.s) dëgjoi edhe nga Ka'b ibni Zuhejri, kur ky i fundit erdhi në xhami 
e tij duke i thurrur ca vargje, nga poezia e tij e famshme, që fillon me 
pikëllimin e tij për ikjen e Suadës, të dashurës së tij. E kur, arriti në 
vargjet:

Profeti është dritë, me të cilën ndriçohemi,

Luan, nga shpatat e zhveshura të Indisë.

Profeti ndërhyri duke e korrigjuar: "nga shpatat e All-llahut", dhe Ka'bi e 
korrigjoi.[12]



Studioi 

Muhamed Sytari



--------------------------------------------------------------------------------

[1] Dr. Muhammed Osman Ali, "Fi edebil-Islam", fq. 84.

[2] Kur'ani: Enbija- 21:5. 

[3] Kur'ani: Saffat- 37:36. 

[4] Kur'ani: Tur- 52:30. 

[5] Kur'ani: Hakka- 69:41. 

[6] Kur'ani: Jasin- 36:69. 

[7] Kur'ani: Shuara- 26:224- 227. 

[8] Dr. Muhammed Osman Ali, "Fi edebil-Islam", fq. 85.

[9] Periudha para dërgesës profetike të Muhammedit (a.s).

[10] Dr. Muhammed Osman Ali, "Fi edebil-Islam", fq. 85.

[11] Dr. Muhammed Osman Ali, "Fi edebil-Islam", fq. 88, që i referohet: 
"El-khaberu vesh-shi'ru fish-shi'ri vesh-shuarai", i Ibni Kutejbes, vëll. i 1- 
rë, fq. 208-209.

[12] Transmetuar edhe në historinë e Ibni Hishamit.



      
--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në [EMAIL PROTECTED]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan