*Vlera e muajit Muharrem dhe agjërimi i Ashuras

*

 Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut të Lartësuar, i Cili e
bëri obligim haxhin për ata të cilët kanë mundësi. Salavatet qofshin mbi të
Dërguarin e Tij, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij,
mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë muslimanët deri në Ditën e Gjykimit.

Nuk ka dyshim se muaji Muharrem është një muaj i vlefshëm dhe është muaji i
parë i vitit të ri hixhri (të muslimanëve), një prej muajve të shenjtë, për
të cilin Allahu i Madhëruar ka thënë: *"Tek Allahu numri i muajve është
dymbëdhjetë (sipas hënës), ashtu si është në librin e Allahut prej ditës kur
krijoi qiejt dhe tokën. Prej tyre katër janë të shenjtë. Kjo është fe e
drejtë. Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në ata (katër muaj).
Luftoni të gjithë idhujtarët pa dallim, siç ju luftojnë ata juve pa dallim,
e dijeni se Allahu është me ata që ruhen (të këqijave)."* (Et-Teube, 36)

Kurse Ebi Bekrete, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Pejgamberi
salallahu alejhi ue selem ka thënë: *"Viti i ka dymbëdhjetë muaj, prej tyre
katër janë të shenjtë, tre muaj (të shenjtë) janë një pas një (e që janë):
Dhulkade, Dhulhixhe dhe Muharrem, kurse muaji Rexheb është në mes muajit
Xhemad dhe Shaban."* Buhariu 2958.
Muaji Muharrem është quajtur kështu për shkak të vërtetësisë së ndalesës së
luftës në të. Kurse fjala e Allahut thotë: *"Pra, mos e ngarkoni (me mëkat)
veten tuaj në ata (katër muaj)."* Kjo ndalesë ka ardhur për shkak se mëkatet
në këta muaj janë më të mëdha se në muajt e tjerë.

Kurse Ibn Abasi në komentin e këtij ajeti ka thënë: "Mëkati në këta muaj
është më i madh dhe gjithashtu edhe shpërblimi i ibadeteve në këta muaj
është në i madh."

Katade për fjalën e Allahut: "Pra, mos e ngarkoni (me mëkat) veten tuaj në
ata (katër muaj)", ka thënë: "Me të vërtetë mëkati në muajt e shenjtë është
gabim më i madh se në muajt e tjerë, edhe pse në të gjithë muajt mëkati
është i madh, por Allahu i Lartësuar i bën të shenjtë cilët muaj të
dëshirojë. Kështu, Allahu i Lartësuar i ka zgjedhur disa prej njerëzve
(Pejgamberët), gjithashtu i ka zgjedhur disa prej melaikeve dhe i ka bërë të
dërguar (për t'u dërguar Pejgamberëve shpallje) dhe ka zgjedhur vend më të
mirë në tokë xhamitë, dhe ka zgjedhur prej muajve muajin e Ramazanit dhe
prej ditëve ka zgjedhur ditën e xhuma, kurse prej netëve ka zgjedhur Natën e
Kadrit, prandaj shenjtëroni atë që ka shenjtëruar Allahu.

*Vlera e agjërimit në muajin Muharrem*

Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari alejhi
selam ka thënë: *"Agjërimi më i mirë dhe më me vlerë pas muajit të Ramazanit
është muaji i Allahut, Muharrem, dhe namazi më i mirë dhe më
me vlerë pas namazeve farz është namazi i natës."* (Muslimi 1163)

Nuk ka ndonjë argument që tregon se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e
ka agjëruar muajin Muharrem të plotë. Muaj të plotë ka agjëruar vetëm muajin
e Ramazanit dhe ky hadith tregon për vlerën e agjërimit në këtë muaj, pra sa
të ketë mundësi njeriu të agjërojë, aq më mirë, mirëpo jo të gjithë muajin.

Kurse agjërimi i ditës së nëntë dhe të dhjetë të muajit Muharrem (ditës së
Ashuras) është sunet i fortë. Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ibn Abbasi,
Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë: "I Dërguari salallahu alejhi
ue selem erdhi në Medinë dhe i pa çifutët duke agjëruar ditën e Ashuras dhe
tha: * "Ç'është kjo?"* Ata thanë: "Ditë e mirë, në të cilën Allahu e kishte
shpëtuar Musain alejhi selam dhe Beni Israilët nga armiqtë e tyre dhe për
këtë agjëroi Musai." Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: *"Unë kam më
shumë të drejtë për Musain se ju"*, dhe e agjëroi ai atë ditë dhe urdhëroi
të tjerët të agjërojnë.

Gjithashtu, transmeton Ebu Katadeja se i Dërguari salallahu alejhi ue selem
ka thënë: *"Shpresoj nga Allahu i Lartësuar se agjërimi i ditës së Ashures
është shkak për shlyerjen e mëkateve të vitit të kaluar."* Muslimi 1162.

Preferohet të agjërohet një ditë para ditës së Ashuras, d.m.th. ditën e
nëntë. Transmetohet se Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë:
"Meqë i Dërguari i Allahut agjëronte ditën e Ashures dhe urdhëroi për
agjërimin e kësaj dite, sahabët i thanë: "O i Dërguari i Allahut, ajo është
ditë që e madhërojnë çifutët dhe të krishterët." Dhe i Dërguari salallahu
alejhi ue selem tha: *"Vitin e ardhshëm, nëse do Allahu, do të agjërojmë
edhe ditën e nëntë."* Mirëpo, kur erdhi viti i ardhshëm, i Dërguari
salallahu alejhi ue selem kishte ndërruar jetë (Muslimi 1134).

Vërejtje: Disa dijetarë kanë preferuar që të agjërohet edhe dita e
njëmbëdhjetë, pas agjërimit të ditës së nëntë dhe të dhjetë, duke
argumentuar me hadithin që transmeton Ibn Abasi, se i Dërguari salallahu
alejhi ue selem ka thënë: *"Agjëroni ditën e Ashures dhe kundërshtoni
çifutët duke agjëruar një ditë para dhe një ditë pas saj."* (Ahmedi 2418,
Humejdi 485 dhe Ibn Maxhe 2095), mirëpo ky hadith është i dobët dhe nuk
merret si argument. Allahu e di më së miri!


Përgatiti: Eroll Nesimi
4.1.2009
www.klubikulturor.com

--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
You received this message because you are subscribed to the Google Groups 
"Fjala e Bukur - Grup" group.
To post to this group, send email to [email protected]
To unsubscribe from this group, send email to 
[email protected]
For more options, visit this group at 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur?hl=sq
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan