Lulet në shkretëtirën e ftohtë
http://www.alb-drejtesia.com/al/news.php?readmore=796

*Shkruan: Saimir LLESHI*

Nën strehën e heshtjes së shpirtit tim, vështroja minutat rinorë, që iknin
në autostradën e kohës. Kishin lënë pas kujtime të vetmuara, të mbetura në
pragje hijesh në një diell të fjetur kah mot. Po sikur Zoti, të më rikthente
në kohë, e ta vështroja edhe një herë atë film që luhej thellësive të
mendimeve të mia. E në s’mundej, kishte të tjera kohë për të vrapuar me
shpirtin e zhveshur, në asfaltin e ftohtë të mbrëmjeve vetmitare. U shtriva
lehtë, në atë të rëndë mendim, në atë të zjarrtë mall, që kishin pranguar
sekuencat e ritmeve të jetës. Ndjeva se një erë e lehtë, frynte në atë
shkretëtirë të ftohtë, duke iu dhënë shkëlqim syve të ndjenjave. Por si në
petalet e një lule maji, rrëshqiti, oshtima e një zemre që rrihte fort, e të
trokiturat e saj, hapën një e nga një në të gjitha dritaret e historive të
shkuara. Pashë se nuk mund t’i përballoja ato vështrime të gjata që linin
pas doza melankolie. Pashë fytyra të ngrysura, të njerëzve të shkuar. Ata
kishin ikur si të gjithë vdekatarët, e porsi lundërtarët, ishin ngjitur në
të tjera dallgë historie. Qëndrova diku aty i hutuar, e sigurisht një lot i
fortë u derdh brendive, por sytë nuk mi pushtoi. Mora frymë thellë, për të
nxjerrë prej andej atë flakë ndjenjash, që po digjej si zhiva brenda cipëzës
së zemrës sime. U ula pa krenari, si një i moshuar që nuk i ka mbetur tjetër
për të provuar në këtë jetë. Nuk isha pesimist. Një lloj ndjesie përzihej si
tajfun, duke më përkëdhelur në vuajte, e duke më dhuruar prej andej, copëza
poezish, thënie ikjesh, e ditë të humbura kot në skutat e boshatisura të
kohës. Më ndjej o Zot!-thashë në atë çast, duke braktisur për një moment
botën time të harrimit. Njerëz pa fund kalonin përbri, e unë i hutuar e
mendja ime ishte shpërndarë si grimca baruti pas një shpërthimi. Qëndroja në
një njërën prej dritareve, ku me siguri kisha parë më shumë nga bota ime, e
asaj bote që qëndron mister, e fshehur përtej shpirtit tonë, përtej
mundësive tona. Duke lozur me shpirtin e erës, ndjeva ikjen e kohës,
braktisjen, lamtumirën. Lamtumirën e asaj dite, që ma kishte turbulluar atë
muzikë të qetë të gëzimit tim. Më në fund po flisja për gëzimin. Po
kacavirresha në atë pëlhurë të vjetruar, e ardhur nga kohët e pafajësisë. U
përplasa atje, njësoj si era mbi mure, ashtu pa mëshirë për të mos shkundur
pjalmin e dashurisë së luleve. Janë të gjata ato momente ku lulet e vogla të
dashurisë, shpërthejnë si në bjeshkë të mallkuara me ftohtësinë e
përjetshme. Jam atje, ku lulet dinë vetëm të dashurojnë, e nuk njohin
marrëzi njerëzore. Jam atje, për të flijuar ndjenjën time, pa marrë asnjë
shkëmbim, duke iu dorëzuar i tëri Zotit. Atje riktheva dashurinë e ardhur,
mbi çatinë e një shtëpie të zhurmshme, dilemash, që bënte qytet brenda
shpirtit. Kuptova se diçka brenda meje, ishte e ngrohtë, kuptova se një
ndjenjë malli më pushtonte shpesh herë, duke më bërë të dashuroj edhe më
shumë. Po sikur Zoti, t’ua falte ndjenjën time njerëzve, e me të, të jetonin
përgjithmonë të lumtur?! E në s’duhet, e mbaj brenda vetes, duke më
shkaktuar vuajte herë pas here. Edhe dashuria është vuajtje. Vuajtje, kur
kujton të shkuarën e artë, vuajtje kur tenton të dhurosh shumë dashuri, e
s’mundesh. Qëndroj ende në atë dritare, duke parë përrallën e jetës. Atje
shoh se si jeta luan me ndjesitë e mia, duke i mykur brenda meje. Të
kapërcej përtej nuk mundem. Nuk mundem as të lëviz, por vetëm të shoh se si
luhet kumar ndjesia e shpirtit tim. Më ndjej o Zot, kam shpresuar gjithmonë
se vetëm Ti mundesh të kuptosh atë që gjendet brenda asaj bote që
rrotullohet tek unë, duke më sjellë stinë. Atje robërojnë kohët e mia,
brengat e mia, e vetëm Ti o Zot, mi qetëson plagët e një zhgënjimi të fortë
që më shkakton tërmet në të gjithë ndërtesën time.


-- 
" Une shkruaj njerez nuk shkruaj libra"-Imam SHEHID HASAN el BENNA

--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan