*Hoxhallarët dhe besimtarët
Justinian Topulli *

Varësia që krijohet ndërmjet një besimtari të thjeshtë dhe hoxhës të tij,
krijon një nyje e cila mund të trashet së tepërmi dhe është me pasoja për të
dyja palët.
Në njërin krah qëndron besimtari i thjeshtë i cili kthehet në një mekanizëm
deri diku të varur apo edhe plotësisht të varur nga hoxha i tij dhe në
krahun tjetër hoxha i cili jo vetëm tejkalon cakun e rolit që duhet të ketë,
por edhe nuk ka nivelin për ta bërë këtë. Besimtari i thjeshtë bie pa e
kuptuar në një robëri intelekti ku për çdo gjë duhet të pyetet hoxha, deri
edhe në imtësi më të vogla të jetës së përditshme, si rrjedhim një njeri i
tillë nuk do të ecë me këmbët e veta, më së paku për sa i përket çështjeve
të fesë, por `jeta dhe vdekja e tij' është e lidhur me `jetën dhe vdekjen' e
hoxhës së tij. Dashur padashur kjo gjendje varësie e plotë apo gjysmë e
plotë sajon një lloj shirku që në doktrinën islame quhet si shirku i
bindjes. Duket pak si e habitshme pasi ne jemi mësuar të lexojmë nëpër libra
apo edhe të dëgjojmë nëpër mësime se një shirk i tillë lind kur bindja ndaj
dikujt arrin deri atje sa të pranohet hallalli për haram dhe harami për
hallall. Dhe këtu na vjen në ndihmë ndodhia e Adij ibn Hatimit, që më parë
kishte qenë i krishterë, me Profetin (salallahu alejhi ue selem) kur Adiji
iu drejtua atij për ajetin: Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot
rabinët dhe murgjit e tyre... Duke i thënë: O i dërguari i Allahut ne nuk i
konsideruam ata si zotër! Dhe Profeti tha: Posi jo! A nuk jua bënin haramin
hallall dhe ju e konsideronit të tillë dhe po kështu edhe hallallin haram
dhe ju e pranonit për të tillë? Dhe Adiji i përgjigjet: Po. Atëherë Profeti
i thotë: Pikërisht kjo ishte adhurimi i tyre.

Tani unë pyes veten edhe ju, a vallë këtu bëhet fjalë vetëm për çështje
madhore, për të cilat qartazi janë sqaruar verdiktet në shpalljen e Allahut?
Natyrisht që mendoj se jo. Këtu futen edhe dhjetëra e dhjetëra çështje për
të cilat nuk ka tekst të drejtpërdrejtë dhe për të cilat është shumë e lehtë
të manipulohet dhe të biesh preh e devijimit të hoxhallarëve sesa për ato
madhoret. Dhe për rrjedhim të bëhesh preh e pranimit të hallallit si haram
dhe haramit si hallall. Bindja e verbër apo gjysmë e verbër të shtyn ta bësh
këtë! Dhe ky është një lloj shirku.

Kush mund të thotë me siguri se hoxhallarët janë të ruajtur nga pozita të
tilla?!

Po jua shpjegoj sesi ndodh kjo: Në radhë të parë duhet ditur se jo çdo hoxhë
mund të japë përgjigje për çdo gjë, nuk mjafton të kesh mbaruar një shkollë
apo fakultet apo të kesh lexuar filan libër dhe X libër, duhet të kesh veç
të tjerash siç thonë dijetarët aftësinë e ixhtihadit, sepse si hoxhë duke
dhënë një fetva po bën një nënshkrim në emër të Zotit, siç e quan këtë Ibn
Kajimi, dhe afërmendsh që hoxha nuk e di gjithmonë vendimin e Zotit. Jo në
të gjitha rastet kur njerëzit kërkojnë fetva, ka ngjashmëri të plotë me ato
çka ne dimë nga fetvatë e mësuara, dhe jo gjithmonë mund të bëhet analogji
me fetvatë e të tjerëve, dhe raste të tilla janë të shumta. Veç kësaj, hoxha
duhet të ketë një përvojë e mjeshtëri të përfituar nga koha e gjatë dhe
njohja e realitetit, por jo duke u përplasur i vetëm me të, drejtpërdrejt,
por duke e përfituar atë nga vetëstudimi dhe vëzhgimi i vazhdueshëm i
ngjarjeve dhe i situatave, i librave dhe teksteve fetare, i njerëzve më të
ditur se ai, i dijetarëve të mirëfilltë. Sepse kjo punë nuk është si ajo e
një mekaniku apo një marangozi, i cili mëson dhe perfeksionohet në profesion
e tij dhe korrigjon gabimet e tij sa më gjatë dhe sa më shumë të punojë.
Puna e hoxhës i ngjan deri diku profesionit të mjekut, i cili për dhjetë
vjet studimi, ushtron edhe praktikën në terren dhe ku ai asnjëherë për këto
dhjetë vjet, nuk është ai që ka frenat e mjekimit të pacientit, ai vetëm
vëzhgon, pyet dhe mëson. Por mjeku mund të mësojë edhe nga gabimet, përvoja
dhe eksperimentet e tij që mund të shkaktojnë pasoja deri edhe në vdekje,
sepse ai e ka të lehtë psikologjikisht ashtu si edhe marangozi dhe mekaniku
që t'i perfeksionojë me kalimin e kohës teknikat e fshehta të profesionit,
ndërsa me hoxhën kjo gjë është shumë më e vështirë në disa drejtime:

E para: askush nuk mund të thotë përfundimisht se kjo fetva e dhënë ka qenë
më e mira dhe se nuk mund të jepej një tjetër dhe se kjo tek Allahu është më
e pranueshmja, dhe për këtë mangësi është përgjegjës hoxha. Kapja pas
ixhtihadit të gabuar nuk i justifikon gjithmonë gafat dhe gabimet.

E dyta: koha jo gjithmonë tregon vërtetësinë dhe të qëlluarin në shenjë apo
jo të një fetvaje, pasi vlerësimet njerëzore në këtë drejtim më së shumti
janë subjektive dhe relative.

E treta: njeriu ka egon dhe sedrën e tij përballë të tjerëve dhe ai do që ta
ruajë këtë dinjitet. Mjeshtëria e hoxhës është një mjeshtëri tërësisht
publike dhe si e tillë, lëvizjet sa majtas djathtas dhe gabimet janë pak ose
aspak të tolerueshme, çka e detyrojnë hoxhën të vihet shpeshherë në
pozicione që ose të përballojë situatën ose të tërhiqet mbrapa. Të zgjedhësh
tërheqjen do të thotë për shumë njerëz, gabimisht, të mos jesh i aftë për
asgjë! Do të thotë të humbësh prestigjin dhe të drejtën për të udhëhequr
masat! Kështu që dashur padashur detyrohesh të zgjedhësh përplasjen,
përplasje e cila edhe mund rezultojë e humbur me fetvanë që ke dhënë. E kush
mund ta thotë këtë?! E kush është në gjendje të thotë 100% se ishte e gabuar
apo jo, veç Allahut?! Ndaj dhe një përgjigje të tillë, qoftë edhe e gabuar,
hoxha vështirë se mund ta ndryshojë. Për të ruajtur dinjitetin dhe për të
treguar karakterin e fortë të tij, ai do ta ketë të vështirë ta ndryshojë
këtë fetva, ka të bëjë me një publik që do e zhvlerësonin plotësisht nëse e
bën një gjë të tillë!

Njerëzit nga natyra janë të prirë të pasojnë më së shumti stoikët, qofshin
këta edhe të gabuar. Të jesh gjithmonë në qendër të vëmendjes, të
përgjigjesh për çdo gjë për të cilën pyetesh, tua mundësosh njerëzve që tek
ty të shohin udhërrëfyesin e vetëm do të thotë praktikisht që besimtarët
naivë të të admirojnë tej mase, pse jo edhe të të adhurojnë, dhe nuk janë të
paktë ata që mund t'i afrohen një pozite të tillë. Ndaj për të mos rënë në
një pozitë të tillë ku në njërin krah do të përballesh me zemërimin e
Allahut dhe në tjetrin mund të zhvlerësohesh plotësisht dhe njerëzit të
humbasin edhe atë të vërtetë që hoxha e di dhe nuk mund ta gjejnë diku
tjetër; duhet ta fitosh pozitën e një myftiu me metodën e mjekut, madje pas
një mundimi shumë më të lodhshëm sesa ai i mjekut.

Dhe në këto momente më vjen ndërmend fjala e urtë e Umerit (radijallahu
anhu) kur thoshte: Mësoni përpara se të bëheni prijës.[1]

Kemi të bëjmë me Xhenet apo Zjarr, me ardhmërinë e një umeti…

Veç kësaj, duhet tu mësojmë njerëzve atë çka është më kryesorja:
devotshmërinë ndaj Allahut. Duhet tu mësojmë atyre se fetvaja e hoxhës në të
vërtetë, nuk e bën hallallin haram dhe haramin hallall, edhe nëse ai
gabimisht mund tua thotë diçka të tillë. Duhet tu mësojmë besimtarëve të
ecin me këmbët e veta në rrugën e devotshmërisë dhe të dijes që në njërën
anë ata të mos i afrohen adhurimit të hoxhës dhe në anën tjetër, hoxha të
mos e shohë veten si një lider i pazëvendësueshëm, humbja e të cilit
praktikisht rezulton në humbje të bashkësisë.

Nëse do t'i kthehemi historisë islame të djeshme dhe të sotme do të shohim
se si një gjë e tillë përbën realitet për shumë grupe njerëzish. Por duke
mos u zgjatur në këtë fenomen shikoni zgjidhjen: Shikoni Profetin tonë
(salallahu alejhi ue selem), ai ndërroi jetë dhe megjithëse ishte i vetmi që
nuk mund të zëvendësohej, la pas një umet, i cili qe në gjendje të ecë me
këmbët e veta fuqishëm. Kur Ebu Bekri tha: Ai i cili e adhuron Muhamedin le
ta dijë se Muhamedi ka vdekur dhe kush e adhuron Allahun le ta dijë se
Allahu është i gjallë dhe nuk vdes kurrë. A nuk të krijohet përshtypja sesi
ky njeri i mençur pat vënë re në ato momente sesi te njerëzit qe shfaqur,
qoftë edhe si ndjesi kalimtare, adhurimi ndaj Profetit? Nëse nuk qe kështu
ai së paku vuri re rrezikun që ata mund të binin në një situatë të tillë dhe
me të shpejtë mori frerët e tyre në dorë duke u recituar ajetin: Muhamedi
është vetëm i Dërguar, para të cilit ka pasur edhe të dërguar të tjerë. Nëse
ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa,
nuk i bën kurrfarë dëmi Allahut. Dhe Allahu do t'i shpërblejë falënderuesit.
Dhe njerëzit u zgjuan nga tronditja që u shkaktoi humbja e Profetit. Ata u
zgjuan shpejt, sepse ishin edukuar në mënyrë të tillë; me teuhidin e pastër
dhe vartësinë e plotë ndaj Allahut, ishin edukuar ndër të tjera që edhe të
mos e pyesin shpesh dhe të mos kërkonin gjithçka nga Profeti. Dhe ndoshta
veç urtësive të tjera kjo qe edhe një nga urtësitë pse Profeti ua pat
ndaluar atyre që jetonin në Medine me të ta pyesnin atë. Neuas ibn Sem'ani
tregon se vetëm dëshira për ta pyetur Profetin e pengonte atë që të
emigronte dhe të vendosej përfundimisht në Medine pranë Profetit. Një ditë
tek qëndronte si vizitor në Medine e pyet Profetin për mirësinë dhe mëkatin
dhe ai i përgjigjet: Mirësia është morali i mirë, e ndërsa mëkati është ai
që të qepet në shpirt dhe nuk dëshiron që ta dinë njerëzit.[2] Kështu i
mësonte Profeti njerëzit, i mësonte ata se shumë prej pyetjeve nëse diçka
është e mirë apo e keqe mund ta merrnin përgjigjen nga vetvetja. Profeti iu
drejtua Uabisetu ibn Ma'di-it duke i thënë: Ke ardhur të më pyesësh për
mirësinë dhe për mëkatin? I thashë: Po. Dhe ai bashkoi tre gishtat e dorës
dhe më ra në gjoks duke më thënë: O Uabisetu, pyete veten tënde! Mirësia
është ajo tek e cila zemra gjen qetësi dhe shpirti rehatohet. E ndërsa
mëkati është ai që të qepet në zemër dhe të dridhet në kraharor edhe nëse të
japin fetva njerëzit.[3] Dhe të japin fetva…kushdo qoftë ai që ta jep. Një
besimtar i fortë dhe i devotshëm, nuk ka nevojë për fetva të shumta, vetë
Allahu është Ai që i jep atij rrugëdalje në jetë. Shpeshherë njerëzit me
dobësinë e tyre të besimit, e vënë veten e tyre në situata, për të cilat
kërkojnë fetva dhe hoxha detyrohet të japë fetva.

O njerëz, pa mendoni se në ç'pozitë e vini veten dhe hoxhallarët! Dhe
sidomos në këtë kohë në të cilën ne jetojmë, ku për të dhënë fetva ndoshta
po të ishte Umeri gjallë, do të kish mbledhur Ehli Shuran (këshillin e
konsultimit)!

O hoxhallarë, pa mendoni sesa dije dhe përvojë keni për të marrë përgjegjësi
të tilla, që edhe malet do të stepeshin! A mos mendoni se jeni imam Shafiu
që filloi të japë fetva që në moshën të re? Hoxhë i vërtetë është ai që
ngrihet ngadalë dhe bindshëm dhe që u mëson njerëzve të ecin me këmbët e
tyre.

Allahu e di më së miri!

[1] Sahih Bahari mea Fet'hul bari, kap. el-igtibat fil ilmi uel hikme.

[2] Transmeton Muslimi kap.tefsir Bir uel ithm shih dhe komentin e imam
Neueuiut.

[3] Transmeton Ahmedi me isnad të mirë. Për të dyja këto hadithe mund të
shohësh Dyzet Hadithet e Neveviut nr.27.


MashAll-llah TeberekAll-llah!

--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan