Tesekürler Türkiye
http://www.gazetaexpress.com/images/pdf/pdf042409.pdf

Petrit Selimi

Ndaj Turqisë gjithmonë kemi pasur ndjenja të përziera.
"Mall turk", themi kur na prishet ndonjë vegël e blerë
rishtazi. Mall i bërë shpejt e shpejt, i kualitetit jo bash
më të mirë.
Mustaqet omniprezente tek burrat e filmave e serialeve
turke të kohës së satelitëve, gjatë nëntëdhjetave
të errëta, po ashtu nuk zgjerojnë kujtime të dashura.
Një amalgamë e tërë veprimtarësh politikë e intelektualë,
përbërë prej Kryetarit të ndjerë Ibrahim
Rugova, e deri shkrimtari Ismail Kadare, ishin bartës
të teorisë së identitetit perëndimor të shqiptarëve,
me përqendrim në madhërinë epike të rezistencës
së krishterimit shqiptar ndaj Perandorisë Otomane.
Por, në mendje e në zemra, ky interpretim nuk ka
fjetur krejtësisht lehtë. Shumë prej asaj që na bënë
shqiptarët dhe ballkanasit europianë pak ma ndryshe,
mban fërkema të Anadollit. Jo veç kafja e llafet e pafundme
turke, por edhe strukturat e mëdha shoqërore
dhe botëkuptimi për shoqërinë dhe individin.
Turqia ka qenë simbol i kaosit dhe anëve të këqija
të shqiptarëve. Atyre të trashëguara nga "okupatori"
(i cili qëndroi dhe u mishërua me të okupuarin aq
gjatë sa që humbi kualitetet e forcës okupuese).
Njerëz shumë më të lexuar e kënduar se autori,
kanë dokumentuar e analizuar për këtë thyerje tek
shqiptarët midis orientalizmit dhe oksidentizmit.
Mendimi im për Turqinë ka qenë i ngjashëm. Jo
edhe shumë entuziast. Kurrë nuk kam shkuar në
bregdetin turk, pak edhe për shkak paragjykimeve.
Dy momente, në dy vitet e fundit, ma ka ndryshuar
thelbësisht mendjen.
Njëra ka të bëjë me një kënd të Turqisë midis Prishtinës.
Tetë vjet pas rënies së Konstantinopojës së pushtuar
nga Sulltan Mehmet II al-Fatih - Sunduesit, në
mes të Prishtinës ndërtohet një xhami e bukur
dedikuar prijësit më të madh botëror të anno domini
1460.
Sot mbetet relikt i rrallë, xhamia e fundit në tërë
Ballkanit dedikuar Sulltanit. Është margaritar i vërtetë
i Kosovës, i listuar si monument i mbrojtur që pesëdhjetë
e kusur vjet. Thonë se mevludet e kënduara aty
kanë prekur edhe melaqet.
Shpesh kam rreh atë rrugë prej qendrës, kah Muzeu
i Kosovës, e Xhamisë së Mbretit, drejt Taslixhes, pakuptimtë
e ri-emëruar Çamëria (a ngjashëm). Vitet e fundit,
së ecuri asaj rruge më është bërë mundim.
Nëse injorojmë pluhurin dhe zhyllin dhe të gjitha
ndërtimet pa leje, nuk ke mundur të injorosh se si po
shkatërrohen ish-hotel Skënderbeu ("Union"), xhamia
e Çarshisë, xhamia e Mbretit, Sahat Kulla, e tutje me
radhë deri tek shtëpia e Hivzi Sylejmanit të ndjerë.
Xhamia e Mehmet al-Fatih përjetoi goditjet më të
rënda. Libraria e djegur në oborr të saj nga policia
serbe, me përplot libra, dorëshkrime e Kuranë të vjetër
otomanë, u zëvendësua me një qendër tregtare me
xhama shitoresh dhe ngjyrë portokalltë të dheztë,
ndërtuar nga Bashkësia Islame e Kosovës. Aty ku kanë
qenë librat, tani shiten miniqat edhe ndonjë bakllavë.
Muri i vjetër i Xhamisë së Mbretit, e vjetër gati 600
vjet, u shpua pa mëshirë pas luftës, për t'u instaluar
erkondishna hoxhallarëve.
Para një viti, Republika e Turqisë ndërmori masa
për restaurimin e xhamisë.
Ju rrëfej bashkëqytetarë, që puna e kryer është e
shkëlqyeshme. E riparuar në tërësi, pa ndryshuar asgjë,
por duke ruajtur shpirtin e kohës, Xhamia e Mbretit
mbetet një nga një duzinë objektesh që jo duke falënderuar
mundimin tonë dhe zellin për të shkatërruar.
Xhamia e ktheu ngjyrën e vet të gurit të bardhë dhe
qëndron lart dhe krenare midis kaosit "turk" [sic!] që
e rrethekon.
Momenti i dytë që përmenda në nëntitull, lidhet
me ditën kur Turqia pranoi pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri Erdogan, në seancë speciale të Kuvendit
të Turqisë, thirri tek foltorja të rinj kosovarë që
studiojnë në Turqi, dhe u uroi atyre shtetësinë dhe
shtetin e ri. E gjitha e transmetuar drejtpërdrejt.
Ishte ndoshta njohja më e prekshme dhe më personale.
Gati familjare.
Dhe kështu zemra m'u hap për Turqinë. Më vjen
mirë që janë rehatuar në një ambasadë simpatike në
Taslixhen e vneshtave perandorake. Më vjen keq që
afër ambasadës tash e sa vite funksionon një deponi
private mbeturinash.
Ndoshta është dashur që kolumnen t'ia dedikoja
Arabisë Saudite.
Por, ata definitivisht s'i kam afër zemrës (edhe
dyshoj që ma zë zemrën ndonjëra nga xhamitë e
shumta të ndërtuar nga ta, me zor e pa shije).
Afër Xhamisë së madhe është shtëpia orientale e
Akademisë së Arteve dhe Shkencave. Edhe hamami
që assesi nuk po rindërtohet.
Aty është edhe Teqeja e Shehut (së familjes së Maksut
Shehut) me drurin e madh të dudit që ka sharruar
varret e buzëve të çara të tërë një qyteti. Shtëpi e
dervishëve tanë mistikë (që tani po rrehen si qenë
nga fundamentalistët puritanistë).
Tablo të një kohe dhe marrëdhënie me Turqinë, që
ishalla në kohëra e reja do të ketë jetë të gjatë.


      
--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan