ARABIA DO T'I TURPEROJE



Arabia Saudite do t'i turpërojë
shumë vende islamike me
pozicionin e ri për Kosovën
duke i shtyrë ato ta njohin
pavarësinë. Qemajl Morina,
prodekan në Fakultetin e
Studimeve Islamike, thotë se
Kosova ka më shumë arsye se
Serbia të lobojë në këto
shtete. Sipas tij, shumë shtete
islamike po ashtu do të
turpërohen që ia mbajnë
krahun Serbisë kur t'u thuhet
se ajo ka vrarë myslimanë në
Kosovë dhe në Bosnjë.

Shpend Limoni
[email protected]



Prishtinë 23 prill — Njohja e pavarësisë
nga Arabia Saudite do të
ndikojë edhe tek shumë shtete të
botës arabe dhe islamike që të njohin
Kosovën.
Qemajl Morina, Prodekan në
Fakultetin e Studimeve Islamike,
ka deklaruar të enjten për Express
se Arabia Saudite ka ndikim të
madh sidomos në shtetet e Ligës
Arabe dhe të Konferencës Islamike.
"Arabia Saudite ka ndikim
shumë të madh në Konferencën
Islamike për arsye se është edhe
financuesja më e madhe e saj.
Kështu që, sipas deklaratës së Sekretarit
të Përgjithshëm Ekmeleddin
Ihsanoglu, njohja nga Arabia
Saudite do të jetë faktor kyç për
njohje tjera nga kjo pjesë e botës",
ka thënë Morina.
Por cili është ndikimi i Serbisë
në këto shtete kur dihet se disa
prej tyre kanë thënë se nuk do të
njohin pavarësinë e Kosovës pas
vizitave të zyrtarëve të Serbisë në
ato vende?
Morina thotë se Serbia ka ndikim
të kufizuar.
"Serbia ka ndikim te një numër
i vogël i shteteve. Unë javën e kaluar
kam qenë në Damask, në një
simpozium shkencor ndërkombëtar,
dhe kam parë që vetëm
strukturat shtetërore janë ato që
kanë qëndrim kundërshtues
ndërsa strukturat shoqërore dhe
intelektuale dhe popullata në
përgjithësi janë në anën e Kosovës",
thotë ai
Mendohet se njohja nga Arabia
Saudite ka rrotulluar gjërat në favor
të Kosovës.
"Njohja nga Arabia Saudite do
të bëjë që edhe ata ta ndiejnë vetën
të turpëruar dhe ta ndryshojnë
qëndrimin".
Morina thotë se Kosova duhet
të jetë më e përgatitur për këto
vende dhe ka më shumë arsye të
lobojë tek bota arabe dhe shtetet
islamike.
"Nëse Serbia e cila ka kryer
krime mbi myslimanët në Bosnjë
dhe Kosovë nuk heziton të kontaktojë
me këto shtete, pse duhet
të hezitojmë ne që tu tregojmë ne
atyre për realitetin dhe t'i bëjmë
ne që ato turpërohen për qëndrimin
që mbajnë rreth Kosovës",
thotë ai.
Morina ka mirëpritur lajmet për
hapjen e Ambasadës së Kosovës
në Riad. Por, ai thotë se një delegacion
i Kosovës shumë shpejt
duhet të niset drejt Arabisë për të
falënderuar për njohjen.
"Një hap tjetër është vendosja
e lidhjeve diplomatike dhe hapja
e ambasadës për arsye se është
një vend për të cilin Kosova ka nevojë
jo vetëm në aspektin moral
dhe politik, por ka nevojë edhe
për ndihmë ekonomike që mund
të vijë nga ky vend i pasur me
naftë".
Shumëkush vonesën e Arabisë
Saudite për të njohur pavarësinë
e Kosovës e ka parë të paarsyeshme,
por Morina thotë se ajo
ka ndodhur në kohën e duhur derisa
potencon faktin se njohja ka
ndodhur për shkak se Kosova dhe
Arabia Saudite kanë lidhje fetare.
"Që prej shpalljes së pavarësisë
së Kosovës ,Arabia Saudite e ka
pasur në agjendë njohjen e pavarësisë
së Kosovës në veçanti për
shkak të elementit fetar. Përmendet
edhe në deklaratën e MPJ'së
se lidhjet fetare janë ato të cilat
ata i vejnë në rend të parë".
Ai përmend, po ashtu, edhe fillimin
e procesit të Kosovës në Gjykatën
Ndërkombëtare të Drejtësisë
duke thënë se njohja pikërisht
në këtë kohë shkon në favor
të Kosovës.
"Kjo i ka prishur punë Serbisë",
thotë ai.
Morina thotë se Kosova duhet
ta kërkojë njohjen edhe nga Irani
një vend që ka deponuar dosje në
GJND në favor të Serbisë.
"Unë besoj se me ardhjen e
Obama's në pushtet do të ndryshojnë
edhe marrëdhëniet me Iranin
kështu që në duhet ta bëjmë
punën tonë dhe të kontaktojmë
edhe me ata që kanë mendim të
kundërt për arsye se edhe me kontaktet.
Një mendim të tillë e ka
pasur edhe Indonezia por kohëve
të fundit ajo ka ndryshuar dhe pritet
njohja edhe nga Indonezia"
Njohja nga Arabia Saudite është
pritur me entuziazëm sidomos
nga njerëzit e Bashkësisë Islame
të Kosovës të cilët tani ndjehet më
të çliruar.
"Është një satisfaksion sepse ka
qenë sepse Bashkësia Islame ka
qenë ajo që ka pasur lidhje të mëhershme
me Arabinë Saudite dhe
vende tjera islame por kjo është
po ashtu satisfaksion edhe për
vende tjera arabe dhe islame që
do të jenë në pozita më të mira
dhe me siguri do ta ndjekin rrugën
e saj për të njohur Kosovën".


      
--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan