Paqja në LM është interes nacional
për Amerikën

 

Një paqe gjithëpërfshirëse
në Lindjen e Mesme, ka thënë Mitchell, është me rëndësi jo vetëm për Izraelin,
palestinezët dhe vendet rajonale por edhe për Shtetet e Bashkuara dhe njerëzit
në gjithë botën.

 

Ajni Sinani

Me rastin e vizitës së tij të tretë në Lindjen e
Mesme dhe vizitës së parë pas formimit të qeverisë së djathtë të Benjamin
Netanjahut, i dërguari special amerikan për Lindjen e Mesme, ish-senatori George
Mitchell, është përpjekur që të paraqesë idenë amerikane për arritjen e një
zgjidhjeje bazuar në dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez. 

Qëndrimi amerikan ka hasur në heshtjen e qeverisë
izraelite, që e hedh poshtë idenë mbi dy shtete, por ajo thekson se është e 
gatshme të bisedojë me
palestinezët për paqe, në bazë të planit për zhvillim e tyre ekonomik. 

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka
kërkuar, gjatë takimit në Jerusalem me George Mitchell-in, nga palestinezët që 
ta
pranojnë Izraelin “si shtet hebre” para së të fillojnë bisedimet. Çdo zgjidhje
e paqes me palestinezët sipas tij duhet të ruajë”interesat e sigurisë së
Izraelit" gjë që lë të kuptohet se Izraeli nuk do të tërhiqet plotësisht në
kufijtë e 1967.

Kërkesa që Izraeli të pranohet nga palestinezët si
“shtet hebre” është bërë në nëntor të vitit 2007, nga paraardhësi i Netanjahut,
Ehud Olmert. Mirëpo udhëheqësi i negociatorëve palestinezë, Ahmed Qorei, një
kërkesë të tillë e kishte quajtur “të papranueshme” dhe kishte thënë se
Autoriteti Palestinez e pranon shtetin e Izraelit në kufijtë para luftës së
vitit 1967 dhe se nuk do ta pranonte karakterin e veçantë të tij.

Pranimi i një kërkese të tillë, vlerësojnë palestinezët,
do të thoshte heqje dorë nga “e drejta e kthimit” të rreth 5 milionë
refugjatëve palestinezë në vendin e tyre. Madje 1 milionë e 300 mijë palestinez
që jetojnë brenda Izraelit dhe përbëjnë më shumë se 20 % të popullatës së tij 
kanë
thënë se një gjë e tillë do ishte tradhti. Ata druajnë se më vonë mund të bëhej
largimi i tyre duke i këmbyer me 250 mijë kolonë izraelitë që janë në Bregun
Perëndimor, ide që e ka promovuar ministri i tanishëm izraelit i punëve të
jashtme, Avigdor Liberman, gjatë fushatës së tij zgjedhore.

Edhe gjatë vizitës në Bregun Perëndimor Mitchell ka thënë se zgjidhja e vetme 
është ajo që bazohet në
dy shtete. Një paqe gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme është me rëndësi jo
vetëm për Izraelin, palestinezët dhe vendet rajonale por edhe për Shtetet e
Bashkuara dhe njerëzit në të gjithë botën. Në një konferencë për shtyp, ai ka
thënë se “SHBA-ja do t’i përmbahet formimit të shtetit të pavarur palestinez.” 

Gjatë takimit me Mahmud Abasin në Ramallah, Mitchell
ka thënë “se ky konflikt ka zgjatur tepër dhe popujt e këtij rajoni duhet të
mos presin shumë për të arritur një paqe të drejtë në rajonin e tyre.” Ai ka
vlerësuar se zgjidhja e përgjithshme është interes nacional për Amerikën dhe ka
thënë se iniciativa arabe e paqes duhet të jetë pjesë e përpjekjeve për të
arritur këtë objektiv. 

Iniciativa arabe e iniciuar
nga Arabia Saudite në Bejrut më 2002 dhe e konfirmuar më 2007 në Riad, që ka
mbështetjen e gjithë vendeve arabe, i ka ofruar Izraelit vendosjen e 
marrëdhënieve normale me të gjitha vendet
arabe në kthim për tërheqjen e plotë nga tokat e pushtuara në luftën e 1967
sikurse janë Bregu Perëndimor, Jerusalemi Lindor, rrafshnaltat siriane të
Golanit, si dhe Rripi i Gazës dhe formimin e një shteti palestinez që do të
përfshinte 23 për qind të territorit të Palestinës historike. 

Zyrtarët e SHBA, duke përfshirë dhe Presidentin
Barack Obama, kanë përmendur planin  e iniciativës
arabe të paqes pa u shprehur qartë se sa do të merret parasysh ai. As Mitchel
nuk ka dhënë shumë sqarime. Megjithatë kryenegociatori palestinez Saeb Erekat e
ka vlerësuar vizitën e Mitchell-it, duke thënë se kjo është hera e parë që një
zyrtar amerikan thekson se "arritja e plotë e paqes në rajon është një
interes nacional amerikan" dhe se iniciativa arabe e paqes është "një
nga themelet e zgjidhjes." Prandaj kjo, ka thënë ai, “vërteton se SHBA-ja
po punon seriozisht që të arrihet një zgjidhje me dy-shtete dhe ne shpresojmë
që ajo të vazhdojë që ta arrijë këtë objektiv."

Presidenti palestinez Abas ka ngritur një sërë
çështjesh, sikurse është “nevoja për të ndalur rrënimin e shtëpive palestineze
në Jerusalem Lindor, ndalimin e ndërtimit të vendbanimeve për kolonët çifutë në
Jerusalem dhe ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha aktiviteteve në lidhje me
vendosjen e kolonëve izraelitë”. Kjo sipas Abasit do të ishte “prova më e
rëndësishme e përpjekjeve të administratës amerikane."

Ai, gjithashtu, ka bërë thirrje për "trajtimin
e njëjtë mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, duke unifikuar standardet për
zbatimin e angazhimeve"- për të cilat janë zotuar të dy palët. 

Moszgjidhja e problemit palestinez e ka zbehur
imazhin dhe besueshmërinë e Amerikës në sytë arabëve dhe muslimanëve. Andaj
ekspertët janë të mendimit se zgjidhja e konfliktit izraelito-palestinez do ta
ngrejë prestigjin dhe besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara në botën muslimane.


Senatori John Kerry thotë
se pa demonstrimin e angazhimit nga SHBA për të vepruar si ndërmjetës i
ndershëm në zgjidhjen e konfliktit, asnjë përpjekje për të përmirësuar
marrëdhëniet me muslimanët kudo në botë nuk do të ketë sukses. 




      
--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan