Pastrimi i zemrave!! http://www.alb-drejtesia.com/al/news.php?readmore=858
*Shkruan: Hamdi NUHIJU* Zemrat janë sinonime të dashurisë dhe sinqeritetit. Ato njëkohësisht paraqesin edhe sintezën e shprehjes së ndjenjave dhe lumturisë së njeriut. Nëse njeriu është i lumtur, lumturia e tij diktohet ose vërehet përmes të rrahurave të zemrës së tij, dhe njeriu i cili lëngon prej dyfytyrësisë, ai padyshim se këtë gjë e ka si rezultat i zemrës së vdekur. Ti drejtohesh zemrave me vrazhdësi është një gjë e cila kundërshton vet qenien njerëzore. Zemra duhet që të edukohet dhe pastrohet me butësi, mirësjellje, por edhe me lot. Nëse mungojnë lotët, atëherë janë krijuar parakushtet për ngurtësinë dhe vdekjen e zemrës. Sot gjenë shumë verbalist të cilët studiuesit e sufizmit i sulmojnë pandalim, ndërsa vet premtimet e tyre nuk i mbajnë. Këto verbalist sulmojnë në emër të asaj se ndjekin Sunnetin e Pejgamberit s.a.v.s., ndërsa vet nuk mbajnë premtimet dhe aspak nuk merakosen për këtë gjë. Padyshim njerëzit e këtillë janë ata të cilët para syve të njerëzve paraqiten në emër të zemrave të pastra, ndërsa në fakt zemrat e tyre të cilat i sheh vetëm Allahu xh.sh. janë të ngurta. Ngurtësinë e këtillë ne e nxjerrim në pah si rezultat i veprimeve të tyre të jashtme. Zemra duhet të jetë reflektim i veprimeve tona të jashtme. Nëse nuk është reflektim i veprimeve tona të jashtme, padyshim se ne paraqesim dyfytyrësinë tonë dhe në këtë mënyrë bëhemi pjesë e ushtrisë së djallit të mallkuar. Por, është gabim të pohohet se në emër të pastrimit të zemrave tona ne duhet që të largohemi nga aktivitetet e përditshme dhe në këtë mënyrë të justifikohemi para Allahut se po dëshirojmë që të arrijmë piedestalin e kënaqësisë së Tij. Mendojë se njeriu duhet të jetë një zemër Kur`ani që ecë në rruzullin tokësor. Nëse nuk është i tillë, ai duhet të shndërrohet dhe të mos pres mrekulli për ndryshimin e gjendjes sonë. Koha e mrekullive ka kaluar, tash është koha e studimit, mësimit, leximit, punës e planifikimit. Zemra ngurtësohet dhe bëhet jo imune karshi dukurive negative në rruzullin tokësor duke u kapur pas materializmit dhe duke vrapuar pas kësaj bote. Zemra e cila jeton për këtë botë dhe synon që të vdes për këtë botë, është një zemër e ngurtë, e vdekur dhe jo zemër Kur`ani. Kjo zemër i vendon rëndësi organizimit të “Mevludeve” të ndryshme, organizimit të “Hatmeve” të ndryshme, organizimit të “Qelimeve” të ndryshme, është zemër synetie, vdekje, dasme, etj. Edhe këto veprime nuk do të ekzistonin nëse nuk do të ishin të bashkangjitura me to edhe darkat e drekat e ndryshme, mjetet financiare dhe dashuria e këtyre zemrave për këtë botë. Edhe pse në këtë element pajtohem me verbalistët se ata që e kuptojnë depërtimin e zemrave në shoqëri në këtë formë bëjnë adhurim materies dhe jo Zotit, prapë se prapë nuk pajtohem me to në lidhje me vet ekzistencën e riteve të cilat janë laramani dhe domosdoshmëri e të vepruarit në rrethet dhe traditat tona. Bota asnjëherë nuk mundet me qenë bardh e zi, por ajo gjithmonë ka qenë kolorit ngjyrash. Për këtë arsye nuk janë të justifikueshme as vrapimi kaq i madh pas materializmit nga ana e realizuesve të këtyre riteve, por nuk është e justifikueshme edhe sulmi jetësor i verbalistëve ndaj këtyre riteve duke i identifikuar ato rite me djallin e mallkuar. Sikur të ishte i vlefshëm justifikimi i verbalistëve, atëherë Allahu xh.sh. nuk do të afatizonte djallin e mallkuar deri në Ditën e Llogarisë. Islami nuk është vetëm formë ashtu si e kuptojnë verbalistët, por nuk është edhe vetëm esencë pas të cilës kapën studiuesit e sufizmit. Nëse dimë të gjejmë mesataren midis formës dhe esencës padyshim se do të kuptonim shumë qartë Islamin dhe atë pa asnjë pengesë do e realizonim në praktikë. Kusht për realizimin e Islamit edhe si formë edhe si esencë është zemra e pastër. Nga zemra e ngurtësuar nuk del gjë e mirë dhe gjithmonë ata që posedojnë zemër të tillë janë të destinuar të vdesin edhe pse janë të gjallë. Mevlana Xhelaludin Rumi thotë:” Shumë djaj ka me fytyrë njeriu/ Nuk i jepet secilës dorë, dora./”( Bisedë e urtë me Mevlanan, Tetovë,2008, f.17) Këto djaj që përmend Rumi janë ndjekës të rrugës së djallit të mallkuar i cili djall verbalistët i detyron të mos flasin për brengat e zemrës, të mos pastrojnë zemrat e tyre, të mos shijojnë kënaqësinë e derdhjes lot për Allahun xh.sh., ndërsa studiuesit e sufizmit i detyron ose i orienton në atë rrugë që të thellohen në brengat e zemrës dhe të harrojnë sheriatin e trupit, mendjes dhe të jetuarit në këtë botë. Këto dy ekstreme mendojë se janë pasojë e të kuptuarit ndryshe të formave të aplikimit të sheriatit të Allahut. Dijetari i madh mistik Osman Nuri Topbash thekson:” Zemra është si një ujë i kthjellët. Por, kur turbullohet me punë të këqija dhe mëkate, bëhet që të mos duket asgjë! Në këtë gjendje, për t`i parë margaritarët e frymës shpirtërore dhe dritëzat e të vërtetës, ky ujë duhet kulluar!”( Tasavufi ose mistika islame, Stamboll,2006, f.153) Padyshim këtë zemër e cila turbullohet duhet pastruar përmes veprimeve që janë të domosdoshme për largim nga mëkatet që i bëjmë për çdo ditë. Një zemër e kulluar si uji i kthjellët është zemër e pastër e cila bënë shumë pak mëkate dhe di shpesh herë të pendohet. Kjo zemër llogaritë veten para se ta llogarisin, dhe në emër të zhdukjes së mëkateve ajo bënë revolucione të ndryshme drejtë shndërrimit të negativitetit të njeriut në pozitivitet. E kur njeriu është pozitiv dhe i kujdesshëm ndaj bërjes së mëkateve, ai padyshim është në rrugën e të vërtetës dhe dritës Hyjnore. Zemrat që janë të mbuluara me mëkate nuk dinë që të bëjnë fytyra të lumtura të njerëzve të ndryshëm, por nëse shohim shenja gëzimit tek to ne mund të gënjehemi. Njeriu nuk guxon që të mos flas me zemrën e tij, dhe në asnjë moment nuk guxon që të mos e qortojë zemrën e tij kur ajo zemër fillon të ngurtësohet. Omer Ibën Abdulazizi, Allahu qoftë i kënaqur me të, kishte paguar një këshilltar të tij që Omerit t`ia numërojë gabimet që ai i bënë gjatë punës ose ditës. Ne nuk kemi mundësinë e Omer Ibën Abdulazizit, por padyshim se kemi mundësi të flasim me zemrat tona kur tentojnë që të ngurtësohen t`i qortojmë, kur janë të dhembshura dhe të nënshtruara ndaj Allahut të tentojmë që t`i ujisim vazhdimisht në atë frymë. Përfundojmë këtë qasje me thënien e Mevlana Xhelaludin Rumi-t:” Papastërtinë e brendshme nuk e pastron uji, por loti.”( Bisedë e urtë me Mevlanan, Tetovë,2008, f.17) -- " Une shkruaj njerez nuk shkruaj libra"-Imam SHEHID HASAN el BENNA --~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~ Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në Google Groups. Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected] Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në [email protected] Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në http://groups.google.com/group/fjalaebukur -~----------~----~----~----~------~----~------~--~---
