Rezoluta pret shtetin
Edhe
pse nuk shpreh përkrahjen eksplicite për pavarësinë e Kosovës, rezoluta e
Damaskut paraqet një hap përpara në raportin e vendeve myslimane përballë
Kosovës.
Por problem do të mbetet fakti që Kosova nuk bën kurrfarë hapi në drejtim të
këtyre vendeve, në kohën kur kërkon njohje prej tyre
AGRON BAJRAMI
Edhe një lexim i shpejtë e sipërfaqësor i tekstit të rezolutës
së Organizatës së Konferencës Islamike për Kosovën, të miratuar dje në Damask,
e bën të qartë se ky dokument është përkrahje për Kosovën, por jo edhe për
pavarësinë e saj. Derisa përkrahësit e pavarësisë kanë nxjerrë miratimin e
rezolutës
në një formë që përparon pozicionin e përbashkët mysliman ndaj Kosovës dhe hap
mundësi të reja që tashti duhen shfrytëzuar, kundërshtarët e pavarësisë
megjithatë
kanë arritur që të “pastrojnë” tekstin nga thirrjet për njohje të pavarësisë së
Kosovës dhe përkrahjen e hapur të saj. Kjo mbase edhe ka qenë për t’u pritur,
marrë
parasysh pozicionet tashmë të njohura të shumicës së 57 shteteve anëtare të
këtij organizmi panislamik. E megjithatë e tërë historia e rezolutës së Damaskut
është shndërruar në një “dramë” politike, me deklarime fitoresh dhe suksesesh
diplomatike, që në njëfarë mënyre ia humbin efektin e vërtetë momentit, duke e
shndërruar atë në një çështje të rëndomtë të politikës ditore, të destinuar për
t’u harruar sapo të vijë e nesërmja me skandalin apo incidentin e ardhshëm
politiko-ekonomikosocial.
* * *
Rezoluta e Organizatës së Konferencës Islamike, nëse lexohet
mirë dhe nëse trajtohet në kontekstin e duhur, mund edhe t’i shërbejë Kosovës
për të parë më qartë se çka, saktësisht, nuk është duke funksionuar në raportin
tonë me këto vende. Së pari, edhe pas rezolutës së Damaskut, problemet që
kishte Kosova me botën myslimane mbesin po të njëjtat sikur edhe para saj. Një
numër vendesh të mëdha myslimane, si Egjipti, Siria, Indonezia apo Algjeria,
mbajnë një distancë refuzuese ndaj Kosovës, dhe kjo distancë përbën pengesë për
njohje më të gjerë myslimane. Kjo pengesë nuk do të tejkalohet as me lobim
nëpër korridoret e Kombeve të Bashkuara, as me aplaudime zyrtare përmes
deklaratave
të lëshuara nga kabinetet në Prishtinë, as me paraqitjet elektorale që
përfundojnë me drejtim akuzues gishtash nga individët, duke kursyer Qeverinë.
Dhe
pengesat nuk do të tejkalohen as duke u mbështetur vetëm në përkrahjen e miqve.
Sado që miqtë shprehen të gatshëm të telefonojnë, shkruajnë draftrezoluta,
negociojnë njohje dhe të lobojnë në çdo mënyrë tjetër, një numër vendesh kurrë
nuk do t’i përfitojmë nëse nuk u qasemi drejtpërdrejt si shtet e shoqëri.
Kosova,
me historinë që ka, nuk do të duhej ta kishte aq vështirë të fitonte një
përkrahje
më të madhe në botën myslimane, nëse do të kishte një strategji për t’u marrë
me këto vende. Por rrethanat politike janë të tilla, që atë strategji nuk mund
të na e bëjnë as Amerika e as propagandistët izraelitë. Në fakt, atë strategji
askush më mirë nuk do të duhej të ishte në gjendje ta bënte sesa ne vetë. Një
strategji që do ta shihte kryeministrin e Kosovës për vizitë zyrtare në Arabinë
Saudite apo në Malajzi bashkë me një delegacion ekonomistësh e biznesmenësh.
Një strategji që do ta shihte një editorial të presidentit të Kosovës të botuar
në ndonjërën prej gazetave të mëdha e me renome arabe, në ditën kur Konferenca
Islamike
do të diskutonte një rezolutë për Kosovën. Një strategji që do ta shihte
ministrin
e Jashtëm të fliste në kanalet e televizioneve të shumta satelitore të Lindjes
së Mesme dhe të botës arabe e myslimane, në kohën kur ai ka pengesa që të flasë
e të takohet me zyrtarët e këtyre shteteve. Një strategji që do të hapte dyert
e komunikimit me shoqërinë myslimane, dhe jo vetëm që do të kërkonte njohje
prej largësisë. Një strategji që do të jepte kornizat e bashkëpunimit shtetëror
ekonomik me vendet myslimane e arabe që e njohin Kosovën. Një strategji që do
të thyente mitin të cilin ende e besojnë në botën myslimane se Serbia është
trashëguesja e Jugosllavisë së painkuadruar të Titos, ndërsa Kosova është një
produkt artificial i politikës imperialiste të Perëndimit. Strategjinë për ta
bërë Kosovën anëtare të Organizatës së Konferencës Islamike. Strategjinë që do
të flakte kompleksin e lidershipit kosovar të lindur nga frika se mos shihen si
tepër të afërt me botën myslimane për të qenë sa duhet evropianë. Strategjinë
që do të trokiste edhe në “adresa të dyshimta” për të nxjerrë atë që ka nevojë
shteti: njohjen e plotë nga e tërë bota. Sepse porosia e vërtetë e rezolutës së
Damaskut është se bota myslimane, sado e ndërlikuar të jetë, tashmë e bën hapin
e afrimit me Kosovën. Problemi i vërtetë mbetet se Kosova, sado që ka nevojë
për afrim, vetë nuk bën as hapin më të vogël në drejtim të botës myslimane. Dhe
kjo është arsyeja pse rezoluta e Damaskut as që ka pasur shans të jetë më e
mirë.
* * *
Rezoluta e Damaskut është një mundësi për të parë mangësitë
dhe për të shikuar mënyrat si duhet evituar ato. Por, nëse liderët dhe zyrtarët
e Kosovës vazhdojnë me lojën e shfrytëzimit të çdo zhvillimi, të mirë a të keq,
të vogël a të madh, për të promovuar veten si kult, politikën ditore si vizion,
suksesin personal si qëllim, pushtetin e përhershëm si ardhmëri, atëherë edhe
një rezolutë me të cilën e gjithë bota e njeh Kosovën shtet nuk do të na
ndihmojë të shpëtojmë nga vetvetja. Sepse, me gjithë deklaratat e mëdha, është
Kosova ajo që ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet.
[email protected]
___________________________________________________________________
And do not follow (blindly) any information of which you have no (direct)
knowledge. (Using your faculties of perception and conception, you must verify
it for yourself. (In the Court of your Lord,) you will be held accountable for
your hearing, sight, and the faculty of reasoning."[17:36]
__________________________________________________________________
Yahoo! Canada Toolbar: Search from anywhere on the web, and bookmark your
favourite sites. Download it now
http://ca.toolbar.yahoo.com.
--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---