AGJËRIMI DHE DOBITË E TIJ
“O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush. Kështu që, të bëheni të devotshëm” S`ka dyshim se krejt ajo që Allahu i Madhëruar ka urdhëruar është në dobi dhe në interes të njeriut, sepse në essence e tërë feja nuk ka ardhur për tjetër, vetëm se për të mirën dhe interesin e tij, në këtë botë dhe tjetrën. Nga kjo themi se të gjitha dispozitat e sheriatit, qofshin ato urdhëresa apo ndalesa, kanë urtësi. Ne me aftësitë tona të kufizuara herë i kuptojmë ato urtësi, herë s`i kuptojmë. Disa prej tyre na i ka treguar ligjvënësi, disa të tjera i kemi kuptuar me aftësitë tona, të cilat i kemi, si, psh. Urtësitë e ndalimit të alkoolit i kemi të gjithë të qarta sepse ato i kemi kuptuar nëpërmes vetëdijes së shëndoshë, nëpërmjet shkencës, mjekësisë etj. Mirëpo, si do që të jetë, i kuptuam apo jo ato urtësi, ne si myslimanë çdo gjë e cila na vjen nga Allahu i Madhëruar apo i dërguari i Tij, e besojmë dhe e praktikojmë duke u bazuar në rregullin e lartpërmendur. Nga dobitë e pjesshme të cilat na ka informuar Allahu i Madhëruar janë dobitë e agjërimit, mirëpo njerëzimi me kohë ka zbuluar dhe shumë dobi tjera të agjërimit të cilat nuk i ka përmendur Allahu drejtpërdrejt në Kuran, por ato I ka zbuluar shkenca,. Pasi jemi në prag të agjërimit, ia vlen të ndalemi tek ky obligim fetar, i cili është një nga shtyllat islame, pa të cilën myslimani është i mangët. Ramazani është një dhuratë e madhe nga i Madhi Allah për njerëzimin. Me këtë dhuratë Allahu ka nderuar edhe popujt e tjerë të mëhershëm para nesh, siç thotë Allahu i Madhëruar: “O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush. Kështu që, të bëheni të devotshëm”. (El Bekare:183). Pra, Allahu i Madhëruar sin e ashtu edhe popujve të tjerë të mëhershëm na ka bërë obligim agjërimin, sepse Allahu do që të gjithë njerëzit të jenë të devotshëm, të ndërgjegjshëm. Një nga urtësitë më të rëndësishme të agjërimit është që njeriun ta bëjnë të devotshëm, e që do të thotë ta bëjnë njeri të mirë, të sinqertë, të vyeshëm, i cili i jep hakun secilit, i jep hakun Allahut të Madhëruar duke e njohur atë si Krijues, Sundues, Mbikëqyrës, duke vepruar vepra të mira dhe larguar nga veprat e këqija. E bënë atë t`ia jape hakun familjes, shoqërisë, shtetit e kështu me radhë… Thënë ndryshe, të jetë I devotshëm do të thotë të jetë i mirë, i dobishëm, frytdhënës… krejt kjo hyn Brenda devotshmërisë në të cilën thërret agjërimi, gjithashtu ndikon në formimin apo ndritjen e saj. Për këtë, Pejgamberi, paqja e Allahut qoftë mbi të!, ka thënë: “Ai i cili agjëron Ramazanin, me bindje në Allahun xh.sh. dhe duke kërkuar shpërblim nga Ai, do t`i falen gjynahet”, gjithashtu ka thënë: “Namazi deri në namaz, xhumaja deri në xhuma, Ramazani deri në Ramazan janë falje të mëkateve që bëhen në mes tyre nëse u shmangeni mëkateve të mëdha”. Sa shumë kemi nevojë ne sot për njerëz të tillë të vyeshëm dhe të dobishëm për shoqërinë?! Pra, Allahu i Madhëruar nuk është në zor për agjërimin tonë, gjegjësisht që ne të rrimë pa ngrënë e pa pirë, mirëpo, përderisa agjërimi është një rrugë e veçantë për të ndikuar pozitivisht në jetën e njeriut në të gjitha drejtimet, na ka bërë atë obligim, sepse: Me agjërim, njeriu, përpos që ngrihet nga ana shpirtërore, ngrihet edhe nga ana sociale, sepse me të ndjen barazi me të varfrit, sepse të gjithë agjërojnë përnjëherë, edhe i pasuri edhe i varfri, e kjo ndikon që i pasuri të mendojë më shumë për të varfrin, t`ia shtrijë dorën e ndihmës, sepse, siç thotë populli, ( i ngopuri nuk ia beson të uriturit), e të paktën në Ramazan kujtohen për të varfrin, mos më shumë. Pastaj edhe nga ana e të varfrit, ai e ndjen veten se është i barabartë me njerëzit tjerë, bile së paku në Ramazan, kur për të kujtohen të pasurit duke ia shtrirë dorën e ndihmës, apo ftuar në sofrën e iftarit, e kështu me radhë. Kjo është një dobi tjetër nga ana sociale, apo shoqërore, të cilën vështirë se e gjen kund jashtë myslimanëve. Agjërimi, gjithashtu, është një shkollë e shkëlqyeshme nga ana e edukimit shpirtëror, sepse agjëruesi gjatë këtij muaji u largohet gjërave të cilat jashtë tij i ka të lejuara, mirëpo, për hir të Allahut, u largohet atyre. E kjo ndikon që ai të mund të dominojë ndaj epsheve kurdo që ato e shtyjnë atë, apo I bëjnë presion atij. Agjërimi ndikon me të madhe që njeriu të kalitet dhe të adaptohet për të bër durim në raste të vështira, si kriza ekonomike, duke e adaptuar veten të jetojë me pak ushqim. E kalit atë që përballojë çfarëdo vështirësie, e cila i paraqitet gjatë jetës, sepse, ai i cili duron ndaj ushqimit dhe epsheve të tij gjatë muajit Ramazan, në temperature të lartë, apo t`i largohet epsheve të tij, ai e ka shumë lehtë t`i përballojë edhe vështirësitë e tjera të cilat mund t`i shfaqen gjatë jetës. Agjërimi ka ndikim të madh në unitetin e myslimanëve për shumë arsye. Myslimanët të gjithë përnjëherë hanë syfyr dhe përnjëherë hanë iftar. Gjatë Ramazanit vizitohen më shumë mes vete duke e ftuar njëri-tjetrin për iftar, pastaj në këtë muaj njerëzit janë më bujarë, më solidarë, më të butë, më të qetë, më të durueshëm. Krejt kjo ndikon që myslimanët ta ndjejnë veten më të afërt mes vete dhe më unikë. Nga dobitë e shumta dhe të rëndësishme të agjërimit është edhe dobia shëndetsore, zaten këtë dobi, apo urtësi të agjërimit e ka cekur edhe vet Pejgamberi, paqja e Zotit qoftë mbi të!, duke thënë: “Agjëroni se shëroheni”. Tregojnë mjekët se dobitë e agjërimit për shëndetin e njeriut janë të shumta dhe të llojllojshe, si nga ana psikike, ku agjërimi ka një ndikim të madh në mjekimin e shumë sëmundjeve, si stresi, ankthi etj., deri tek ato trupore, si mjekimi i sëmundjeve të lukthit (stomakut), sëmundjeve të veshkave, pakësimi i peshës, tensioni i lartë i gjakut, yndyra në gjak e shumë të tjera. Për këtë nuk çuditemi kur e gjejmë mjekun zviceran Barsilon, i cili, mes tjerash, shkruan: “Dobia e urisë është shumë herë më e dobishme sesa përdorimi i barnave”. Ndërsa mjeku Filip pacientët e tij i ndalonte nga të përdorurit e ushqimit disa ditë radhazi, e pastaj u jepte ushqim të lehtë, kjo si metodë efikase për shërimin sa më natyral të shumë sëmundjeve bashkëkohore. Pra, ne myslimanët kemi pse të agjërojmë, kemi pse të krenohemi me fenë tone dhe dispozitat e saj. Kemi pse të krenohemi me Ramazanin të cilin e agjërojmë, me të cilin e kënaqim Zotin tonë dhe e ruajmë shëndetin tonë. Mbetet t`i drejtohemi këtij populli, në veçanti intelektualëve tanë, ta studiojnë këtë fe me të gjitha tiparet e saj, e të shohim se çfarë vlerësimi do të kenë për të dhe rreth saj. Prandaj, le të gëzohemi shumë për ardhjen e këtij muaji të shenjtë dhe le të përqendrohemi shumë në të, ngaqë çmimi është shumë I shtrenjtë, frytet janë shumë të mëdha, të mirat janë të papërshkruara, për këtë arsye I urojmë mirëseardhje: Mirëserdhe Ramazan! Allahu ua lehtësoftë të gjithëve agjërimin e këtij muaji të madh! Na bëftë prej atyre që përfitojmë shumë nga ky muaj I bekuar! Allahu qoftë i kënaqur me ne në këtë botë! Qoftë i kënaqur edhe në botën tjetër! Agjërim të lehtë dhe të pranueshëm të gjithve! Deri në javën e ardhshme me një temë të re. Esselamu alejkum ve rahmetullah! Urime muaji i Ramazanit! Zoti ju shpërbleftë! Epoka e Re – e premte 21 gusht 2009 Dr. Shefqet Krasniqi Përgatiti: www.ferki-mirena.tk _________________________________________________________________ Show them the way! Add maps and directions to your party invites. http://www.microsoft.com/windows/windowslive/products/events.aspx --~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~ Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në Google Groups. Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected] Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në [email protected] Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në http://groups.google.com/group/fjalaebukur -~----------~----~----~----~------~----~------~--~---
