Qumështi (halib; leben)
All-llahu i gjithëfuqishëm thotë: "Ju
edhe në kafshët keni mësim (përvojë). Ne nga një pjesë e asaj që e kanë
në barqet e tyre mes ushqimit të tyre dhe gjakut ju japim të pini
qumësht të pastër, të shijshëm (të lehtë) për ata që e pinë". (En Nahl, 66)
I Gjithëfuqshmi flet gjithashtu për Xhennetin në Kur'an, ku
thotë: "...në të cilin ka lumenj me ujë të mirë për pije, lumenj nga qumështi
me shije të paprishur..." (Muhammed, 15)
Në Sunen është shënuar se i Dërguari i All-llahut ,
s.a.v.s., ka thënë: "Atë
që All-llahu e ushqen, le të thotë: 'I Dashuri All-llah, bekoje atë që
na ke dhënë dhe na jep atë që është më e mirë për ne', ndërsa atë që
All-llahu e furnizon me qumësht, le të thotë: 'Zot, bekoje atë që na ke
dhënë dhe rrite hisen tonë në të', sepse unë nuk di asgjë që do të mund
të krahasohej me qumështin ose me diçka që e zëvendëson atë, dhe të
jetë njëherazi ushqim dhe pije". (1)
Kryesisht qumështi konsiderohet si substancë e thjeshtë që përmban
përzierjen e pjesëve natyrore dhe të pandashme të të tri substancave
ushqyese (2) , siç janë: uji, yndyra dhe
djathi. Sa i përket djathit, natyra e tij është e ftohtë dhe e lagësht.
Ai e furnizon trupin plotësisht dhe, përveç substancave të tjera,
përmban sasi të mëdha të proteinave, antitrupave dhe kalcium. Natyra e
yndyrës në qumësht është mesatarisht e nxehtë dhe e lagësht. Ajo
përputhet me natyrën autentike të trupit të shëndoshë dhe ofron dobi të
shumta. Më tej, yndyra në qumësht lejon një absorbim më të madh të
substancave yndyrore të tretshme dhe ushqyese në qarkullimin e gjakut
nga zorrët. Dhe, në fund, natyra e ujit është e nxehtë dhe e lagësht.
Ai vepron si mjet për zbërthimin që është i nevojshëm për punën e
zorrëve dhe si mjet që krijon lagështinë e përgjithshme të trupit.
Të gjitha së bashku, natyra është e ftohtë dhe e lagësht. Megjithatë,
disa thonë se qumështi i fiton vetitë e të pasurit natyrë të nxehtë pas
mjeljes dhe është më i mirë kur pihet menjëherë pasi të milet, sepse
vlera e tij ushqyese ulet sa më shumë që të kalojë koha. (3)
Qumështi i fresktë është më i mirë. Ai është i ftohtë dhe i lagësht dhe
prodhon lëngun qumështor. Kur të fermentohet qumështi, natyra e tij
bëhet e nxehtë.
Qumështi i
mirë ka ngjyrë të bardhë të ndritshme, ka aromë të këndshme, ka shije
të mirë, ka ëmbëlsi të rafinuar, fortësi stabile dhe substanca yndyrore
të ekuilibruara.
Qumështi më cilësor për fëmijët e posalindur kryesisht është
qumështi dyzet ditë pas lindjes së fëmijës. (4)
Kafsha duhet të jetë e re, e madhe dhe e fuqishme. Pastaj kafsha duhet
të ushqehet me ushqim të mirë (ushqim të thatë kafshësh), të kullotë në
kullosa të mira dhe të pijë ujë të pastër, të pandotur. Një qumësht që
ka këto veti do të prodhojë gjak të mirë, të shëndoshë, do të sigurojë
ushqim të plotë dhe fëmija i gjirit do të ketë zhvillim të shëndetshëm.
Sa i përket personave të
rritur, qumështi i mirë i ndihmon që të evitojnë depresionet dhe
shqetësimet. Ai e qetëson shpirtin dhe ndihmon në shërimin e vrerit të
zi. Pirja e qumështit me mjaltë pastron të thatët e brendshëm që janë
shkaktuar nga sekrecionet e kalbëzuara të trupit. Pirja e qumështit me
sheqer e zbukuron ngjyrën e lëkurës dhe e bën topolak. Pirja e
qumështit pengon çfarëdo pasoja të dëmshme të aktit seksual. Ai u bën
shumë mirë bronkeve dhe mushkërive dhe është i dobishëm për të sëmurët
me tuberkuloz.
Pirja e
qumështit në mënyrë intensive është i dëmshëm sepse shkakton dhembje
koke, dhembje të lukthit, të veshkave dhe të shpretkës dhe mund t'i
dëmtojë dhëmbët dhe mishin e tyre. Për këtë arsye, pas pirjes së
qumështit, goja duhet të shpërlahet me ujë. Në Dy sahiha
është shënuar se sa herë që i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., pinte
qumësht, ai kërkonte ujë për ta shpërlarë gojën. I Dërguari i
All-llahut , s.a.v.s., njëherë e kishte bërë këtë shpjegim: "Ai përmban
shumë yndyrë". (5)
Nuk duhet pirë qumësht kur njeriu ka temperaturë ose morth sepse është
i dëmshëm dhe mund ta dëmtojë trurin për shkak të shpejtësisë së
shndërrimit në vrer. Ibn Abbasi , r.a., ka treguar se i Dërguari i
All-llahut , s.a.v.s., ka thënë se yndyra e qumështit është e dëmshme
për temperaturë dhe për ata që vuajnë nga dhembja e kokës (Është
shënuar në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit). Pirja e
qumështit rregullisht dhe me shumicë mund të shkaktojë errësimin e të
parit, dhembje në nyja, bllokimin e veshkave, gulëçimë ose fryrjen e
barkut dhe të zorrëve. Të gjitha këto reaksione, përveç të tjerave,
mund të korrigjohen nëse qumështit që e pimë i shtojmë mjaltë, nëse
hamë xhenxhefil, ëmbëlsues të ndryshëm ose ushqime të ngjashme bashkë
me qumështin. Këtu duhet të theksojmë se pasoja të tilla të dëmshme,
njësoj si edhe disa reaksione alergjike në qumësht u ndodhin kryesisht
atyre që nuk e pinë me qejf qumështin, e sidomos atyre që nuk janë
mësuar ta pinë.
(1) Qumështi i deles (halib-u da'n)
Qumështi i deles është më i denduri dhe më i lagështi. Përbërja
yndyrore e tij është më e madhe se e qumështit të dhisë dhe të lopës.
Qumështi i lopës shkakton rrjedhjen e sekrecioneve, kurse pirja e tij e
rregullt mund të shkaktojë pigmente të bardha në lëkurë. Qumështi i
deles duhet të zbutet me ujë para se të pihet. Kjo është në përputhje
me rritjen e dobive të tij për trupin, për ta zbutur dëmin e tij, për
ta shuar etjen dhe për t'i përshpejtuar pasojat e tij ftohëse.
(2) Qumështi i dhisë (halib-ul maiz)
Natyra e qumështit të dhisë është mesatarisht i zbutur. Ai i çliron
zorrët, e lagështon strukturën e thatë, ndihmon në disa raste të
ulcerave në fyt, i zbut shqetësimet e kollës së thatë dhe përdoret në
rastet e pështyrjes me gjak (Tuberculosis).
Përgjithësisht, qumështi i kullosave është pija (lëngu) më i kompletuar
dhe më i përsosur për trupin e njeriut për arsye të gjithë substancave
ushqyese që përmban. Ai e pasuron gjakun, përputhet me nevojat e të
posalindurit dhe përputhet me trupin e njeriut. Lidhur me këtë, Ibn
Abbasi ka treguar se kur i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., u ngrit në
udhëtimin e tij natën (isra) deri në Xhennet, meleqi Xhibril,
a.s., ia solli një gotë verë dhe një gotë qumësht. Kur i Dërguari i
All-llahut , s.a.v.s., e mori gotën e qumështit, Xhibrili, a.s., tha:
"Qoftë i lavdëruar All-llahu që të ka udhëzuar në islam". Sikur të
kishe marrë gotën me verë, pasuesit e tu do të devijonin pas largimit
tënd". (6)
Qumështi i fermentuar (Cf. Kefir)
tretet ngadalë, por përzihet mirë me sekrecionet e trupit, dhe lukthi i
nxehtë mund të ketë dobi të madhe dhe mund ta tretë mirë atë.
(3) Qumështi i lopës (halib-ul bekar)
Qumështi i lopës e pasuron trupin, e rrit sasinë e spermës, i bën të
lirshme zorrët dhe përmirëson punën e tyre. Qumështi i lopës është
qumështi më i ekuilibruar dhe ka një butësi të matur, kurse ka
strukturë, ekuilibër, dendësi, pasuri dhe yndyrë më të mirë se qumështi
i deles dhe i dhisë.
Abdullah bin Mes'udi ka treguar se i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s.,
ka thënë: "Pini qumështin e lopës, sepse lopa ushqehet nëpër kullosa me
të gjitha llojet e bimëve". (7)
.
1. Transmeton Ahmedi dhe të tjerët, hadithi është hasen.
2. Qumështi përmban pak hekur dhe vitmainë C dhe niacinë. Sasia e
kalciumit dhe i fosforit në qumësht është e madhe. Sasia e vitaminës A
është e lartë. Struktura e tërë qumështit është përafërsisht: 4.9%
karbohidrate, 3.5% yndyrë, 3.5% proteina dhe afro 87% ujë.
3. Riboflavina është e pranishme në sasi të konsiderueshme në qumësht,
përveç nëse qumështi nuk ka qëndruar në dritë për një kohë të gjatë.
4. Fillimisht, para se të prodhohet qumështi, gjiri i femrës prodhon
kolostrum (kolloshtër), e cila është lëng tejet i verdhë dhe përmban
sasi të madhe të proteinave dhe antikorpave, të cilat do t'i ndihmojnë
të posalindurit që t'i rezistojnë baktereve dhe viruseve që shkaktojnë
sëmundje. Pastaj hormonet e nënës e ndryshojnë ngjyrën e qumështit në
të kaltër të çelur, me strukturë përbërëse në të varfër.
5. Buhariu, 1/270; Muslimi, 358.
6. Hadithi është shënuar në Dy sahiha.
7. Hadithi gjendet në Mustedrek, 4/197; hadithi është hasen.
.
MJEKËSIA E PEJGAMBERIT MUHAMMED
Përgatiti: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi
24.07.2009.islamgjakova.ne
_________________________________________________________________
Drag n’ drop—Get easy photo sharing with Windows Live™ Photos.
http://www.microsoft.com/windows/windowslive/products/photos.aspx
--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---