*Deshifrimi i të shifruarve*

*Hamdi Nuhiju*



Përmes lustracionit po kërkohet që të deshifrohen të gjithë të shifruarit të
cilët kanë pasur lidhje direkt me shërbimin sekret jugosllav. Në këtë mënyrë
ndoshta disa mendojnë se arrijnë deri tek e vërteta e cila duhet të dihet
dhe të krijohet një siguri në vet administratën shtetërore. Por, në fakt
përmes deshifrimit të të shifruarve në këtë shtet krijohet një frikë dhe
turbullirë ende më e madhe. Atëherë kjo praktik i jep leje secilës qeveri që
të etiketoj “armiqtë” e saj si të shifruar dhe në këtë mënyrë lustracionin e
përdor si alibi për të zhdukur prej skenës politike armiqtë e saj. Kjo
mënyrë e veprimit frikëson edhe qytetarët e Maqedonisë, e veçanërisht
shqiptarët të cilët shpesh herë edhe janë pre e montimeve politike të
gatuara nga garnitura të ndryshme sllave. Nuk ka nevojë të kërkohet
deshifrim i të shifruarve në një shtet si Maqedonia, përderisa ky shtet
është pran integrimit të saj në Unionin Evropian dhe i cili më së shumti ka
nevojë për një stabilitet të brendshëm social e politikë. Maqedonisë do i
kushtojë shumë nëse ngec në këto procese integruese dhe nëse nuk gjënë
formulën e zgjidhjeve ekonomike të qytetarëve të saj. Në anën tjetër nuk bën
të amnistohen të shifruarit në kohën e Jugosllavisë të cilët kanë djegur
mijëra qytetar shqiptar të pafajshëm duke i burgosur dhe internuar nëpër
vende të ndryshme. Por, përderisa ekziston edhe politizimi i kësaj çështjeje
nga ana e partisë në pushtet, unë shpresoj që kjo çështje asnjëherë të mos
zgjidhet dhe gjithmonë të ngelet kështu e padefinuar mirë. Përderisa
sulmohet dhe preket në organizimin e të shifruarve të një shteti, atëherë
preket dhe sulmohet në brendinë, shpirtin e atij shteti. Në mungesë të
organizimit të të shifruarve të Kosovës, sot po krijohen shumë kriza
politike atje nga qarqe të ndryshme të cilat dëshirojnë të krijojnë opinion
negativ në shoqëri, se shqiptarët nuk dinë të mbajnë shtet dhe nuk janë në
gjendje as të themelojnë sigurinë e brendshme të shtetit të tyre. Përderisa
në vendet perëndimore i shifruar është edhe një qytetar i thjesht plak i
cili të lajmëron në shtet për ndotjen e ambientit të shtetit të tij, sot në
Kosovë jo që gjejmë të shifruar të këtillë, por edhe të shifruarit e vërtet
nuk kujdesen dhe nuk e ruajnë idenë e shtetit të pavarur. Nëse flasim për
rëndësinë e njerëzve të shifruar, atëherë do të na duhej të përmendim
realitetin e shteteve dhe funksionimit të tyre në botë. Ka të shifruar të
tillë të cilët shesin informatat e tyre për më shumë së një agjenci zbulimi.
Të tjerët bëhen kurban i mos shitjes së informatave deri tek agjencionet
tjera që ofrojnë shërbimeve të këtilla dhe në këtë mënyrë mbrojnë dinjitetin
dhe integritetin e vet shtetit. Nga literatura që kam lexuar në lëmin e të
shifruarve kam hasur në dy burime financimi të veprimtarisë së tyre:
prostitucioni dhe droga. Shteti duhet të përdor burime më të pastra për të
pasur të shifruar më të sigurt dhe më të sinqertë në veprimtarinë e tyre për
shtetin. Bota e tyre njihet si bota e padukshme ose bota e rrezikshme e cila
ekziston, dimë për të, por nuk e njohim. Është një botë e cila ekziston qysh
me krijimin e djallit. Ndoshta kjo është cilësia e vetme e kësaj krijese e
cila i ka shërbe shumë njerëzimit. Sepse njerëzimi bazohet mbi modele të
marra prej krijesave të ndryshme. Ata marrin model insektet, kafshët,
njerëzit, e deri tek djalli i cili luan rolin më negativ në shoqërinë
njerëzore.

Maqedonia ka nevojë për de politizim të organizimit të të shifruarve në këtë
vend. Zaten vet termi i shifruar është enkas për shtetin dhe jo për
popullatën. Vetëm shteti e di formulën e tyre, por jo edhe njerëzit. Kur
tentohet që të shifruarit të lustrohen dhe ta kuptoje edhe popullata se këto
janë të shifruarit, atëherë në shtet krijohet pasiguri dhe i jepet hapësirë
qarqeve të ndryshme politike që sa herë që mbërrijnë në pushtet të kërkojnë
një realizim të këtillë. Në anën tjetër askush nuk mund ta etiketoj dikë si
të shifruar, përderisa vet nuk është pjesë e organizimit të tyre. Këtë gjë
bile nuk duhen ta bëjnë as shtetet e caktuara në publik, por me të shifruar
të këtillë të merren në mënyrë të veçantë dhe ti pastrojnë gjërat e tyre në
atë mënyrë. Por, si duket “monarkut” Gruevski po i duket pak publiciteti i
tij që po i bën mospunës së tij në media, prandaj tash duhet të merret edhe
me të shifruarit me qëllim që të shtoj pak rejtingun e tij nga institute të
themeluara nga nën hija e tij. Kjo nuk do të thotë se unë po i dalë në krah
të shifruarve të Jugosllavisë, se kur ka ekzistuar Jugosllavia dhe ka qenë
në prag të shkatërrimit të saj, ndërsa unë pak para shkatërrimit të saj kam
ardhur në botën e kaosit 19 vjeçar të quajtur Republika e Maqedonisë.
Veprimtaria e “monarkut” Gruevski përmes lustracionit, por edhe përmes disa
dikastereve të tij është mjaft e dëmshme në Republikën e Maqedonisë.

Bëhet bujë e madhe për akreditimin e vetëm disa paraleleve në gjuhën shqipe
në Shkup, nga e cila bujë ende përfundimisht nuk është zgjidhur problemi i
atyre nxënësve, ndërsa ministri i arsimit, ndërhynë në ingerencat e komunave
më të mëdha shqiptare në Maqedoni, Tetovë dhe Gostivar, duke mënjanuar
vendimet e tyre për ndërrim të kuadrit arsimor edhe duke treguar para masës
së gjerë politike dhe masës së gjerë të popullatës se kush është “monark” në
këtë shtet. Përderisa na kaplon një realitet i këtillë politikë a-funksional
në këtë vend, atëherë me deshifrimin e të shifruarve vetëm se i shtohen
brengat qytetarëve të Maqedonisë dhe ende më shumë rritet pasiguria dhe
pakënaqësia e qytetarëve të këtij vendi me qeverisjen e “monarkut” Gruevski.

--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan