Ne nuk të
kërkojmë ty furnizim
Fjalimi kuranor është fjalim i sinqertë dhe i drejtë. Lajmet e tij janë të
vërteta dhe vendimtare. Kurani është seriozitet dhe nuk është tallje: "Atij nuk
mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të
Urti që meriton të gjitha lavdet." (Fussilet, 42); ''Sikur ai të mos ishte prej
Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie.'' (Nisa, 82)
Biseda jonë në këtë shkrim do të sillet rreth ajetit kuranor ku Allahu i
Lartësuar thotë: "Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul
për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë furnizim: jemi Ne që të ushqejmë!
Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut." (Taha, 132)
Ajeti, edhe pse i drejtohet të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e
Allahut qoftë mbi të, i drejtohet edhe umetit të tij pas vdekjes së tij.
Urdhëron familjarët në veçanti dhe prijësit në përgjithësi që t'i urdhërojnë
ata që i kanë në përkujdesje me namaz.
Sheriati islam është plot argumente nxitëse për namazin, për faktin se namazi
është shtylla e fesë dhe mbajtëse e saj. Me faljen e namazit mbahet edhe feja,
ndërsa me largim prej tij nuk mbahet feja.
Çështja kryesore në ajet është se fjalimi u drejtohet mbikëqyrësve të familjes
që t'i obligojnë fëmijët e tyre dhe ata që i kanë në përkujdesje me namaz si
parapërgatitje për të. Në hadithin e saktë, të cilin e shënon Ebu Davudi,
thuhet: "Urdhëroni fëmijët tuaj me namaz kur t'i kenë mbushur shtatë vjet,
ndërsa rrihni (nga pak) kur t'i kenë dhjetë vjeç."
Është transmetuar nga Umeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur zgjohej natën
për namaz e zgjonte edhe familjen e tij dhe lexonte fjalën e Allahut të
Lartësuar: "Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për
këtë!''
Pasi zemrat anojnë drejt kërkimit të pushimit dhe janë të plogështa e përtace
për kryerjen e asaj me të cilën janë obliguar, ka ardhur urdhri hyjnor për të
qenë këmbëngulës dhe i vazhdueshëm në kryerjen e namazit.
Nga ajeti dikush mund të kuptojë se adhurimet mund të jenë pengesë në arritjen
dhe fitimin e furnizimit; ajeti ka sqaruar se çështja e furnizimit është
çështje e Allahut të Madhërishëm, Zotit të robërve dhe Rregulluesi i
furnizimeve, kështu që Ai thotë "Ne nuk të kërkojmë ty furnizim", do të thotë
nuk të kërkojmë ta furnizosh veten e as ata, të harrosh namazin për shkak të
preokupimit tënd me furnizim, por Ne të garantojmë furnizimin tënd dhe të
atyre. Ngjashëm me këtë kuptim është edhe ajeti tjetër kuranor kur thotë Allahu
i Madhërishëm: "Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. Unë
nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë. Vërtet, Allahu
është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi." (Dharijat, 56-58)
Lexues i nderuar, ki kujdes të mos kuptosh nga ajeti tërheqjen dhe
mosangazhimin në kërkimin e furnizimit dhe t'i braktisësh shkaqet e tij. Kjo
assesi nuk nënkuptohet me këtë dhe ky është kuptim i mangët i ajetit. Të
mjafton në këtë kontekst fjala e Allahut të Lartësuar: "Ai jua ka bërë tokën të
përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë
Ai." (Mulk, 15). Ajetet kuranore në këtë drejtim janë të shumta, prandaj mos të
të ngatërrohet kjo çështje. Ajo që ndalohet dhe qortohet është të preokupohesh
me shkaqet e furnizimit dhe ta harrosh adhurimin e Allahut të Lartësuar e
sidomos namazin, për faktin se namazi është adhurimi që përsëritet më shumë në
jetën e muslimanit. Nëse është kuptuar kjo, atëherë domethënia e ajetit është:
Nëse e fal namazin – ti dhe familja jote- dhe i merr shkaqet e furnizimit do të
të vijë risku prej nga nuk e pret ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: "Atij që
i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi) dhe do
t’i japë risk prej nga nuk e pret." (Talak, 2-3)
Në këtë kontekst është e dobishme të përmendim hadithin që e transmeton Ebu
Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut ka thënë:
"Allahu i Lartësuar ka thënë: “O biri i Ademit, më adhuro Mua, do të ta mbush
gjoksin me pasuri dhe do ta largoj nga ti varfërinë. E në qoftë se nuk e bën
këtë, atëherë do t’i mbush duart e tua me punë (do të kesh telashe) dhe nuk do
të ta largoj varfërinë." (Shënon Tirmidhi, Ibn Maxhe dhe të tjerët).
Në përfundim të këtij ajeti kuranor themi se çështja e urdhërimit të familjes
me kryerjen e adhurimeve islame në përgjithësi dhe namazit në veçanti dhe
kujdesi për to në këtë konsiderohet obligim parësor prej obligimeve të
prindërve e veçanërisht të babait. Dhe ky obligim ka nevojë për durim, qetësi,
vazhdimësi dhe gjithashtu edhe për urtësi, me të cilën duhet të stoliset çdo
prind.
Gjithashtu ajeti na bën me dije se prindërit nuk duhet të tregohen neglizhues
kundrejt këtij obligimi duke u argumentuar me sigurimin e furnizimit të
fëmijëve të tyre. Këtë çështje e ka siguruar dhe garantuar Allahu i
Madhërishëm, por me marrjen e shkaqeve dhe kërkimin e tij.
Allahu e di më së miri!
Përgatiti: Almedin Ejupi
20.9.2009
_________________________________________________________________
Drag n’ drop—Get easy photo sharing with Windows Live™ Photos.
http://www.microsoft.com/windows/windowslive/products/photos.aspx
--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---