*Diçka po zihet!*

*Hamdi Nuhiju*

* *

Njëherë një miku im më patë sqaruar shkurtimisht tezën e tij filozofike,
duke më treguar titullin e kësaj teze, e cila duhej të dilte në pah nga
nuhatja ime. Kjo tezë filozofike titullohej:”Shumë çka-ja përfshinë
asgjënë”.

Në fakt, teza e tij sa filozofike është edhe mjaft pragmatike bile edhe
politike për vrojtimin e lirë të mendjes së varur. Nuk e besoj se ka definim
më të saktë për termin Enciklopedi. Por, me këtë konstatim ne nuk dalim në
krahun e “Ariut” dhe të bërtasim e ti trembim krijesat tjera pse ne po
bërtasim. Edhe pse ekspertët e gramatikës do të ngjiteshin pas termit dhe do
na merrnin një jetë të tërë duke na gjetur gabime. Zaten nëse nuk bëj gabime
unë në të shkruarit, rrezikohet ekzistimi i ushtrisë së gramatikanëve, pa të
cilët, ne, publicistët, nuk do të kishim mundësi të frymonim lirshëm. Për
publicistin, gramatika është oksigjeni që i mundëson të jetojë në skenën
publicistike. Ndërsa politika është rruga e cila mundohet që ta zhduk
publicistin prej skenës së vërtet. Sidoqoftë, publicistët, nuk kanë shumë
problem me nuhatjen, pasi që nuhasin edhe shijet jo të mira, por ato kanë
problem me dëgjimin, pasi që nuk dëgjojnë kërcënimet e politikës dhe të
bartësve të saj. Pasi që kanë problem me të dëgjuarit, ata flasin pra, ashtu
si mendojnë, dhe nuk mendohen shumë rreth asaj çka flasin. Ndoshta dikush
mund ti akuzojë se po llomotisin, ndoshta disa nga zilia mund ti thonë se
edhe të çmendurit flasin ashtu si mendojnë, por në fakt, mendimet më të
sinqerta dhe më të pastra dalin prej mendjes së pavarur dhe prej të mos
dëgjuarit të trokitjes së kërcënimeve në derën tonë.

Është mirë të flitet ajo që mendohet, bile edhe të shkruhet, pasi që fjalët
e thëna mund të humben, por e shkruara ngelet histori. Pasi dolëm në skenën
e historisë, po dëgjojmë një erë në vendin e quajtur Maqedoni dhe në
shënimin e historisë së saj. Diçka po zihet e përzihet, siç zihej kaherë dhe
ndoshta tash kemi filluar të nuhasim pak më mirë. Disa filluan që të nuhasin
vonë, ata nuhatnin në momentin e paraqitjes së gjellës para tyre për ta
shijuar dhe ngopur barkun. Kanë barkun bosh, prandaj e ndjejnë zierjen e
kësaj gjelle jo të mirë, pasi që barku i tyre ka nevojë për këtë gjellë.
Zaten të uriturit brengat mund t`ia dijë vetëm i urituri dhe askush tjetër.
Të renditesh në të njëjtin krah me Ariun, duhesh të kesh fuqinë e tij se
përndryshe një ditë Ariu mund ta zë uria dhe ti gjendesh para një rreziku të
madh. Është rrezik ekzistence paraqitja jote trash para Ariut të uritur.
Ndoshta dikush nuk e vëren, por vetëm ata të cilët kanë tentuar ti bëjnë
lajka arinjve të shekullit XXI, mund ta dinë këtë konstatim në mënyrë
pragmatike. Zaten vetëm mendimi se janë në të njëjtin krah me Ariun, i
hollon përpjekjet e tyre për të vepruar punët e planifikuara qysh para disa
viteve. Kësaj here ti mund të jesh Ariu, ndërsa enciklopedistët munden të
jenë të trashurit të cilët kanë nevojë të kuptojnë zërin tënd. Shqiptarët
reaguan unanimisht kundër Enciklopedisë së parë maqedonase, në të cilën
thuheshin shumë të pa vërteta për shqiptarët e këtij vendi, por edhe të
trojeve ballkanike. Ndoshta është hera e parë në historinë tonë kur të
gjithë shqiptarët ishin unanim se duhet që të urrehet kjo që po zihet nga
ana e akademikëve maqedonas, të cilët janë mjeshtër të mëdhenj të
veprimtarive denigruese në këtë shoqëri të pa integruar. Në këtë konstatim
na ka bindur historia e ekzistencës së tyre. Ishim të bindur edhe nga
paraqitja në skenë e librit “Zhvillimi i çështjes nacionale sllovene” nga
ana e Edvard Kardellit qysh në vitin  1939. Për idetë e tyre denigruese
shqiptarët me dekada të tëra kanë vuajtur nëpër burgje dhe kanë qenë të
internuar nëpër vende të ndryshme. Zaten po vazhdohen të njëjtat procese të
realizohen mbi ne, ato që dekada me radhë na binin kokës sikur të ishim të
domosdoshëm për të mësuar historinë e tyre, idenë, nevojën për një shtet të
tyre unik. Sot shqiptari i Maqedonisë edhe me diplomë universitare merr
mësime se si duhet që ta ruaj këtë shtet nga një polic i thjeshtë i cili
gjënë një milion mënyra se si tët maltretojë psikologjikisht por edhe
fizikisht. Nuk është rastësi kjo gjellë jo e mirë e cila u përgatitë nga
akademidhët maqedonas. Zaten nga gjellët e tyre të helmuara ne jemi me
pasoja dekada me radhë. Por, kësaj here në skenën e kundërshtive dolën dy
akademi shqiptare të cilat ia banën me dije gjellëbërësve se nuk ekziston më
dashuria për idealin e njëjtë marksist midis shqiptarëve dhe sllavëve të
Ballkanit. Sot shqiptarët dhe sllavët në Ballkan mund të jetojnë bashkë
vetëm në saje të konceptit të “laicizmit të mirëkuptimit” dhe asnjëherë nuk
do të kenë mundësi që të jetojnë nën brendinë e konceptit të
“bashkim-vëllazërimit”. Zaten urrejtja e maskuar e një populli ndaj një
populli tjetër është më e rrezikshme sesa shprehja e dashurisë së Ariut ndaj
teje në momentet e dhënies së bananes prej dorës tënde. Ti ndoshta mund të
jesh në rrezik gjatë dhënies së bananes, por e di saktë se ke punë me ariun
i cili nuk logjikon dhe është një krijesë tjetër e cila ka nevojë për
ushqimin të cilin ti ia jep. Të gjitha gjërat e maskuara janë të rrezikshme
jo vetëm urrejtja. Por, urrejtja e maskuar është një metodologji e të
vepruarit të sllavëve në Ballkan në skenën politike. Shqiptarët tashmë të
faktorizuar përmes dy shteteve në Ballkan reaguan ashpër ndaj një paraqitje
në pah dhe largimin e maskës së urrejtjes nga ana e maqedonasve ndaj tyre.
Disa Maqedodhinë, do e quanin një vend të vogël pa shumë peshë! Ndërsa unë
do e quaja një vend të vogël me sherrin e madh. Jo rastësisht ky vend ka
dalë prej ish-Jugosllavisë pa luftë dhe vite me radhë po pengon shqiptarët
që të integrohen dhe të demokratizohen në botë.

Unë i gëzohem paraqitjes në skenë të urrejtjes së sllavëve ndaj shqiptarëve,
pasi që ndonjëherë ne po harrohemi në kolltukët e pushtetit dhe po përpijmë
gjithçka vetëm për hir të atij kolltuku, bile nuk po pyesim se çfarë gjelle
po na ofrohet. I frikësohem mos organizimit të shqiptarëve dhe mos
përgatitjes së tyre politikisht që të mos kenë mundësi të bëhen lojë e
lojërave politike të përgatitura nga forcat sllave në Ballkan. I gëzohem
Enciklopedisë së parë maqedonase në këtë mënyrë si është, pasi që të gjithë
shqiptarët e Ballkanit por edhe në diasporë e kuptuan se kemi dy akademi
shkencash në Ballkan, dhe disa akademikë shqiptar në Akademinë Maqedhonase,
të cilëve zërin nuk ia kemi dëgjuar për disa vite me radhë. Shqiptar, kujdes
gjellët që po zihen në Maqedhoni!

--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan