Shkëlqimi, ngritja dhe rënia e Imer Selmanit…

*Dritan SKENDERI *

http://lajmpress.com/opinion/3010.html

Nuk është e rastit që këtë shkrim e fillova me parafrazimin e veprës së
njohur të Dritëro Agollit, sepse edhe sot në periudhën post-komuniste hasen
dhe frymojnë persona sikur shoku Zylo, personazhi që shoqëron romanin e
Agollit. Imer Selmani, figura e të cilit u quajt “fenomeni Obama” këto ditë
të fillim vitit fare qartë u pa se nga një shkëlqim dhe ngritje që pati po
bie dhe shfaq fytyrën e vet të vërtetë, pra po na del në sipërfaqe tamam
Imeri i vërtetë. Me një fjalë velloja e tij me të cilën e kishte mbuluar
fytyrën e vërtetë, ra dhe në shesh doli fytyra e tij e vërtetë. Ç’është e
vërteta Imer Selmani nuk shquhej dhe as që shquhet për ndonjë alamet
politikani dhe për këtë fjalët janë të tepërta... Mjafton të kujtojmë se si
deputet ai ishte zgjedhur me mbushje të kutive nga Agim Krasniqi&Company dhe
jo për meritë të tij... Në kohën e participimit të PDSH-së në Qeveri ai
udhëhiqte postin e Ministrit të Shëndetësisë dhe kjo periudhë nuk ka ndonjë
arritje kushedi se çfarë, po edhe nëse karakterizohet në një farë mënyrë e
suksesshme, kjo i atribuohet subjektit nga ku vinte PDSH-së dhe jo mendjes
apo kapaciteteve të tij...

Pas “shkëlqimit” në postin e të qenit Ministër i Shëndetësisë, filloi
vetëkënaqësia e tij dhe nga këtu, tamam si shoky Zylo, filloi të aspiroj për
ngritje dhe avancim të mëtutjeshëm, duke synuar majat e piramidës së
pushtetit. Nisur nga kjo, ai fill pasi u zgjodh deputet i radhëve të PDSH-së
nga AgimKrasniqi&Company, bëri hapin e parë të tij drejt “ngritjes”- u
shkëput nga PDSH-ja dhe formoi subjektin e vet që çuditërisht e pagëzoi
Demokracia e Re (sipas simotrës serbe Nova Demokratija dhe asaj greke Neo
Demokratija, thua edhe kjo rastësi, apo...) dhe nisi guximshëm të hapëroj në
skenën politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Duke qenë i dehur nga “të
arriturat” dhe karizma që fitoi si Ministër, arriti që një pjesë të
deputetëve të pakënaqur nga PDSH-ja t’i merr në krahun e tij dhe kështu të
bëj deputetë pa marrë pjesë fare në zgjedhje.

Mirëpo, hovi i tij me kaq nuk kishte të ndalur. Qartë shihej se synimi i tij
ishte kapja e majës së piramidës... Në zgjedhjet presidenciale të vitit
2008, meqë subjektet shqiptare nuk arritën gjuhë të përbashkët për një
kandidat të vetëm për president, me mjaft mjeshtëri shfrytëzoi këtë boshllëk
dhe u shfaq si i vetmi kandidat shqiptar në zgjedhjet presidenciale, dhe për
rrjedhojë, meqë nuk kishte asnjë kandidat tjetër shqiptar, shumica e
popullatës shqiptare ditën e votimit ia dhanë votat atij, kjo për faktin se
ishte shqiptar dhe jo për diç tjetër. Shton kësaj edhe ca vota që mori në
Maqedoninë Lindore ku u votua nga popullata maqedonase (thua edhe kjo
rastësi apo..) mori flatra dhe synimet e tij më dukeshin açik... Por, po t’i
hedhim një shikim në retrospektivë personalitetit të tij, do të vërejmë se
backgroundi i tij del i mjegullt dhe mjaft çalues... Me një fjalë: Në CV-në
e tij shkruan se studimet për mjekësi i ka filluar në Prishtinë dhe i ka
mbaruar në Shkup në periudhën e qeverisjes së parë të PDSH-së (1998-2002)
gjë që shumëçka le nën hije... Më pas i është rrekur biznesit dhe ka arritur
një mirëqenie ekonomike, por edhe kjo anë e tij është e mbuluar me vello
misteri... Përndryshe, në Maqedoni dhe më gjerë është e njohur publikisht se
është mik i ngushtë me kryeministrin aktual maqedonas Nikolla Grujevski.

Njihet si njeri karizmatik, që as sot e kësaj dite nuk ka arritur qartë të
definohet se i përket spektrit të majtë, atij të djathtë apo të qendrës së
djathtë. Përveç kësaj, ai loz edhe në dy karta: Thirret në emër të çështjes
shqiptare në Maqedoni e nga ana tjetër trumbeton me të madhe se subjekti i
tij është qytetar dhe nuk rresht duke u mburrur se për të kanë votuar edhe
maqedonas, turq, boshnjakë, vllahë, romë etj.

Rënia e “Obamës që Maqedonisë” filloi të vërehej fill pas mbajtjes së
Kongresit. Është e njohur publikisht se sa herë është shtyrë Kongresi dhe
mezi që është mbajtur. Këto ditë, doli në shesh fytyra e tij e vërtetë: U
shfaq tamam Imeri i vërtetë i cili të kujton aparatçikët e kohës së Partisë
Komuniste ku çdo mendim a zë ndryshe anatemohej që në start dhe më pas
pasonin spastrimet staliniste, gjegjësisht ndrydhja e ideve pluraliste dhe
përjashtimi, tamam siç bëri këto ditë Imeri demokrat, ku në fakt shpalosi
figurën e tij të vërtetë e të qenit një njeri totalitar dhe me ide
staliniste. Imer Selmani i përket të kaluarës që e mbylli në mënyrën më të
turpshme dhe një herë e përgjithmonë ra për mos t’u ngritur kurrë. Epo,
ç’t’i bësh, kështu e ka fundin çdo lakmonjës që kurrë nuk di se çka në të
vërtetë do dhe si thotë populli nuk llogarit se ku ia qet mushka drunjtë...
-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan