Besimi në botën tjetër
Kur kanë besuar njerëzit në ekzistimin e botës tjetër? Sa mund t`u besojë
njeriu shqisave të tij? A mund ta mashtrojnë atë shqisat? A ka ndonjë element
tjetër për të besuar pos shqisave?
Një nga parimet bazë të të gjitha legjislacioneve qiellore, bazë e librave të
shenjta dhe e të gjithë të dërguarve nga Allahu i Madhëruar, ka qenë që
njerëzve t`ua shpjegojnë ekzistimin e botës tjetër dhe se i gjithë njerëzimi do
të ngjallet për të dhënë llogari para të Madhit Zot. Dhe jo vetëm që ka qenë
dhe është parim i librave qiellorë, por është edhe natyrshmëri e mbjell në vetë
shpirtin e njeriut, në natyrën e tij shpirtërore, në botën e tij të brendshme,
ashtu siç është e mbjell bindja për ekzistimin e një superfuqie absolute, e
cila mbizotëron mbi këtë gjithësi dhe e cila ka ndikim të drejtëpërdrejtë edhe
në jetën e njeriut. Nga ky kontekst gjejmë se të gjiths shoqëritë, të gjithë
popujt kanë besuar në diçka të tillë, apo thënë ndryshe nuk ka ekzistuar
asnjëherë ndonjë shoqëri e cila ka qenë e pafe, siç është e vërtetuar edhe
shkencëtarisht nëpërmjet zbulimeve të ndryshme arkeologjike, etnologjike etj.,
ku në lidhje me këtë thotë edhe filozofi i njohur grek Sokrati : "Ashtu siç
ndjen njeriu nevojë të domosdoshme për ajër, ujë e ushqim, ashtu ndjen edhe
shpirti ynë një nevojë të domosdoshme për një ushqim kuptimor qiellor dhe kjo
ndjenjë në traditën tonë quhet fe, në të cilën është udhëzuar në të njeriu i
parë".
Pastaj, se a janë ato besime monoteiste apo politeiste nuk do t`i qasemi këtë
herë, ngaqë nuk kemi atë për synim, ashtu siç nuk do t`i qasemi fundit të kësaj
bote, mënyrës së shkatërrimit dhe të përfundimit të jetesës në të, e as
ringjalljes dhe mënyrës së llogaridhënies para Krijuesit të gjithësisë, të
cilat janë tema në vete dhe ndoshta na vijnë më vonë. Por, desha t`i qasem
mënyrës së të besuarit në botën e fshehtë, gjegjësisht sjelljes së disa fakteve
e dëshmive apo parimeve për ata njerëz të cilët mohojnë të besojnë jashtë asaj
çka e shohin apo prekin, jashtë asaj çka e ndjejnë me shqisa. Për t`i bindur
ata, apo për t`i sfiduar se edhe ata besojnë në diçka çka është e fshehtë, ku e
fshehtë është edhe bota tjetër, e nëse beson në atë, duhet të besosh edhe në
këtë.
Njeriu atë që e ndjen me shqisat e tij nuk dyshon se është e vërtetë dhe se
ekziston apo jo. Nga kjo nuk dyshon në ekzistimin e diellit e të hënës ngase po
i sheh. Nuk dyshon ne ekzistimin e ezanit që thirret nga xhamia, apo të këngës
nga ndonjë këngëtar ngase po i dëgjon. Dhe natyrisht në këtë nuk ka dilemë. Por
nëse e fusim penën në gotë të mbushur me ujë dhe e shikojmë me sy, na del se
ajo është e thyer, a ne e dimë se pena nuk është e thyer. Apo nëse shohim në
kinema ndonjë film me fantazma, e pastaj rrugës duke u kthyer në shtëpi na
duket se po i dëgjojmë disa zëra, apo na duket se ata janë afër nesh dhe se po
ecin me ne, apo bile edhe po na ndjekin, a në realitet nuk ekziston asgjë nga
ajo çka po ke frikë.
Magjistarët shfaqin gjëra të cilat janë jashtë logjikës së njeriut psh. nga
faculetat dalin pëllumbat, apo lepujt. Ashtu na duket me sytë tanë, por në
realitet një gjë e tillë nuk ekziston. Prandaj duhet të pranojmë se shqisat
gabojnë, se ato imagjinojnë, mashtrojnë. Mendoj se këto gjëra nuk mund t`i
mohoj askush. Por kjo nuk do të thotë që shqisave tona mos t`u besojmë ngase
Krijuesi na ka pajisur me një element tjetër shumë të fortë apo bindës për
arritjen e njohjes apo zbulimit të ekzistimit të asaj çka e ndjejmë, e që është
mendja. Kështu që mendja kur e sheh herën e parë lapsin e thyer në gotë mund të
luhatet, por së dyti ajo e kupton se ajo çka po e sheh shqisa e shikimit tashmë
nuk është reale.Por sendet në të cilat shqisat gabojnë apo mashtrojnë janë pak,
janë të kufizuara, kështu që nuk dobësojnë parimin se atë çka e ndjen me shqisa
dhe e kontrollon mendja, është e vërtetë.
Nëse pajtohemi me atë që u cek më lart, të besuarit në atë që e ndjejmë me
shqisa, atëherë ç`të bëjmë me ato gjëra që nuk i kemi parë e as nuk i kemi
ndier?! Natyrisht se edhe në to besojmë, pa dyshuar fare, ngase për to na ka
folur dikush, na ka treguar dikush, psh ne nuk e kemi parë betejën e Kosovës,
sepse nuk kemi qenë në atë kohë, por nuk dyshojmë se ajo ka ndodhur. Ne nuk
kemi qenë në Argjentinë e Peru, por besojmë se ato ekzostojnë. Ne nuk e kemi
parë Musain a.s duke u ballafaquar me faraonin - Mbretin e Egjiptit, por e
besojmë.
U besojmë këtyre gjërave ngase ato kanë ardhur nëpërmjet lajmeve të njerëzve të
ndryshëm, të vendeve ndryshme, gjeneratave të ndryshme. Mundësia e tyre për t`u
marrë vesh për të gënjyer që të gjithë ka qenë e pamundur. Bile nëse shikojmë
këtë do të gjejmë se gjërat të cilat i besojmë e nuk i kemi parë dhe nuk i kemi
përjetuar me shqisa janë shumë më shumë sesa ato që i kemi parë e përjetuar me
shqisa.
E nëse detyrohemi t`u besojmë gjërave të kaluara që na kanë ardhur nëpërmjet
njerëzve të besueshëm, çfarë arsye ka mos t`u besojmë edhe gjërave që do të
ndodhin në të ardhmen, nëse edhe ato na vijnë nëpërmjet njerëzve të besueshëm
?! Kaq këtë herë. Në javën e ardhshme, me emrin e Allahut xh.sh, vazhdojmë po
me të njëjtën temë. Selam alejkum!
vazhdon...
Epoka e re - e premte 29 janar 2010Dr.Shefqet KrasniqiPërgatiti:
www.ferki-mirena.tk
Fundi i Botës
Sa është largësia e njohurisë që e arrijnë shqisat dhe a janë ato në gjendje ta
kuptojnë krejt çka ekzoston? Ç`është imagjinata? A ka kufij ajo, apo është e
lirë?
(vijon nga artikulli i javës së kaluar)Javën e kaluar cekëm disa fakte për ata
të cilët i thonë vetës "materialistë", duke besuar vetëm në atë që mund të
perceptohet me shqisa, për të treguar se edhe ata medoemos besojnë në gjëra që
dalin jashtë shqisave. Ndër ato fakte të cilat i sollëm ishte se njeriu mund
t`i perceptojë gjërat nëpërmjet shqisave duke u ardhur në ndihmë atyre edhe
mendja, mirëpo besojmë edhe në gjëra të tjera, të cilat nuk janë të pranishme
para nesh, por ato i kemi arritur nëpërmejt lajmeve të sigurta, bile këtu janë
edhe më shumë sesa ato që i perceptojmë me shqisa. Andaj erdhëm në përfundim
se, ashtu siç arrihet te bindja e fortë nëpërmes shqisave dhe vështrimit, po
ashtu arrihet edhe nëpërmjet dëshmive të transmetuesve. E vazhdojmë edhe sot
për t`i sjellë disa fakte të tjera bindëse, për të besuar në gjëra të
fshehta:Sa është largësia e njohurisë që e arrijnë shqisat dhe a janë ato në
gjendje ta kuptojnë krejt atë që ekziston? Apo thënë ndryshe: a ka mundur
ndonjëra nga shqisat ta zbulojë gjithë atë që gjendet në botë mbi të cilën ka
vigjiluar?P.sh. nëse dalim në natyrë dhe vështrojmë gjithë atë që gjendet para
nesh, sa larg sheh syri ynë?! Pastaj në mes asaj që sheh syri ynë ka edhe shumë
gjëra të cilat, edhe pse ekzistojnë, ai megjithatë nuk i sheh, p.sh tek një
largësi prej njëqind metrash mund të ketë buburreca, apo insekte të tjera, më
të mëdhenj apo më të vegjël, por ne nuk i shohim, pastaj ai buburrec apo ai
insekt sigurisht se ka zë, por ne atë nuk e dëgjojmë, por patjetër se dikush
edhe e sheh atë buburrec edhe ia dëgjon zërin. Ose marrim gotën me ujë dhe ne
në të nuk vërejmë tjetër pos ujit të rëndomtë, ani pse aty brenda në gotë ka me
miliona mikroorganizma të cilët qarkullojnë e lëvizin. Vendosim mjaltin në
kuzhinë e cila ka aromën e vet, por ne nuk e ndiejmë atë ndërsa buburreci ia
ndien erën, për atë edhe i ofrohet atij mjalti. Po ashtu ndodh edhe me aromën e
sheqerit. Bile edhe më qartë se kaq, jemi në dhomë duke ndenjur në një qetësi
të plotë, fare zëra nuk dëgjojmë. Për një çastë ngrihesh në këmbë dhe hap
radion, ku tashmë ndien zëra të ndryshëm. Zëra këta të cilët kanë qenë edhe më
herët nëpërmjet valëve të ndryshme, por ja që ti nuk i ke dëgjuar, por në
realitet ata kanë ekzistuar. Pra vijmë në përfundim se shumë gjëra nuk hynë në
sferën e shqisave apo ndjenjave, ani pse ato ekzistojnë dhe ne besojmë thellë
në ekzistimin e tyre.
Allahu i Madhëruar për t`iu ndihmuar shqisave dhe për t`i plotësuar ato ka
krijuar imagjinatën, ashtu që falë kësaj dhuntie të Allahut njeriu mund ta
perceptojë një objekt të cilin e ka parë më herët, por tash nuk e ka para syve
të tij. p.sh ai i cili ka qenë në Mekë dhe ka parë Qabën e shenjtë, sa herë që
do mund ta paraftyrojë dhe ta përshkruajë Qabënë, iu duket sikurse është duke e
parë tani. Po ashtu ndodh edhe me ndonjë zë që e kemi ndëgjuar më herët.
Mirëpo, a thua imagjinata është e kufizuar apo e lirë? Thënë ndryshe, a mund të
paraftyrojë diç që nuk e kam ndier me shqisa?! Kemi dy lloje imagjinatash.
Imagjinata konstruktive është ajo që është ndërtuar më herët, është imagjinatë
reale, siç thamë të perceptuarit e Qabesë, dhe imagjinata destruktive, e cila
është joreale, ku njeriu imagjinon diçka çka është jashtë shqisave të tij. p.sh
thotë Allahu i Madhëruar: "Nëse të pyesin ty për shpirtin, thuaju: ajo është që
i takon Zotit tënd, ndërsa juve u është dhënë fort pak dituri" (Kuran, 17:85)
Shtrohet pyetja, si do ta imagjinonte njeriu shpirtin kur as nuk e ka parë e as
nuk e ka dëgjuar, as aromën nuk ia ka ndier e as nuk e ka prekur?! Ose si do
t`i imagjinonte njeriu melaqet - engjëjt, kur ai nuk i ka parë asnjherë?! Kur
kam fjalën te melaqet, më kujtohet kur isha i vogël, disa ashkali i sillnin
disa vizatime, kinse Ibrahimi a.s duke dashur ta therte birin e tij Ismailin, e
në anën tjetër zbriste një melaqe nga qielli me një dash në dorë, për t`ia
dhënë Ibrahimit si kompensim në vend të birit të tij që ta therë kurban.
Ibrahimi ishte i vizatuar në formë të një plaku me mjeker të bardhë, e Ismaili
si një djalosh i ri.
Deri këtu ta zëmë se ishte në rregull, ngase ashtu edhe mund të imagjinohen ata
dy babë e bir, edhe pse artisiti i cili i ka vizatuar nuk i ka parë, por a thua
si e ka imagjinuar melaqen të cilën nuk e ka parë kurrë?! E ka bërë në formë të
një vajze të re, të bukur, me fustan të gjatë dhe me krahë. A thua ashtu është
melaqja?! Asnjëherë. Por kjo është ajo imagjinata destruktive, e cila del
jashtë shqisave dhe asnjëherë njeriu nuk është në gjendje ta imagjinojë ashtu
siç ekzoston, apo siç është reale. Të njëjtën gjë e hasim edhe me imagjinatën e
djallit të mallkuar. Nga kjo themi si ta imagjinojmë xhenetin dhe të mirat e
tij, xhehenemin dhe vuajtjet në të?! Si mund ta imagjinojmë njërin apo tjetrin,
kur ajo që është në atë botë është krejt ndryshe nga ajo çka kemi në këtë
botë?! Pra përfundimisht themi se edhe shqisat edhe mendja e edhe imagjinata
janë të kufizuara. Kaq sa për sot, e inshallah javën tjetër vazhdojmë po me të
njëjtën temë.Deri atëherë selam alejkum ve rahmetullah!
vazhdon...
Epoka e re - e premte 5 shkurt 2010Dr.Shefqet KrasniqiPërgatiti :
www.ferki-mirena.tk
_________________________________________________________________
Your E-mail and More On-the-Go. Get Windows Live Hotmail Free.
https://signup.live.com/signup.aspx?id=60969
--
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur