Ankesa e muslimanëve, “ngrin” Mirela Bogdani
http://bw.balkanweb.com/shqiperi/ankesa-e-muslimaneve-ngrin-mirela-bogdani-6266.html
TIRANE-Partia Konservatore e Uellsit ka vendosur të pezullojë nga lista e
kandidatëve për deputetë Mirela Bogdanin”, njoftoi dje Forumi Musliman i
Shqipërisë. Vendimi është marrë pas një letre që iu dërgua nga Forumi Musliman
i Shqipërisë, ku informohej se Bogdani, në emisionin “Déjà Vu” të datës
12.12.2009, që u transmetua në stacionin televiziv “Top Channel”, kishte
lëshuar disa deklarata fyese për realitetet multi-kulturore që ekzistojnë në
Britaninë e Madhe. “Partia Konservatore ka shfaqur shqetësim për këtë çështje
dhe unë mund t’ju siguroj se ne e kemi trajtuar atë në detaje. Partia krenohet
për natyrën e saj gjithëpërfshirëse dhe që ka përkrahje nga të gjitha
komunitetet dhe besimet fetare. Unë jam shumë i kënaqur që ne kemi një anëtar
asambleje musliman brenda listës që do t’i çojmë Asamblesë Kombëtare të
Uellsit. Ai është një pjesë e rëndësishme dhe integrale e
grupit tonë dhe të partisë sonë. Pas procesit të zgjedhjes së përfaqësuesve që
janë zgjedhur dhe pasi çështja është hetuar, Mirela Bogdani është pezulluar nga
lista e kandidatëve të Partisë Konservatore. Ajo nuk është miratuar për të qenë
kandidate për një deputet në Uells dhe unë nuk besoj se ndonjëherë ka pasur një
vend në Uells”, citojmë nga letra që Nicholas Bourne, lideri i Partisë
Konservatore të Uellsit i ka dërguar Forumit Musliman të Shqipërisë.
Letra
Në letrën informuese drejtuar Partisë Konservatore të Uellsit, Forumi Musliman
referuar deklaratave të Bogdanit në emisionin “Déjà vu” të datës 12.12.2009,
theksonte mes të tjerash se “Znj. Bogdani është shprehur shumë e shqetësuar për
rrezikun e ‘islamizimit të Evropës’, për shkak të refuzimit që muslimanët i
bëjnë asimilimit ndaj kulturës evropiane. Në një moment gjatë emisionit ajo u
shpreh se “një pjesë veriore e Londrës tani njihet si Londonistan, sepse po të
shkosh atje, të duket vetja si në Middle East” dhe “mua më vrasin sytë kur
shikoj në mes të Londrës njerëz me ferexhe”. Gjithashtu, ajo ka shprehur
shqetësim për eventualitetin e pranimit të Turqisë në BE për shkak të fesë
islame të popullatës së saj, e cila sipas kësaj zonje, “do të prishë ekuilibrat
e Evropës së Bashkuar”. Mandej, Forumi Musliman i Shqipërisë shprehej se “për
sa më sipër, jemi të mendimit
që deklaratat e znj. Bogdani duhet të shihen me vëmendje nga organizmat e
partisë suaj”.
Reagon Mirela Bogdani: Me sulmojne ekstremistet
Mirela Bogdani në një prononcim të djeshëm për “Gazeta Shqiptare” pretendon se
letra e Partisë Konservatore, që bën fjalë për skualifikimin e saj nga lista e
kandidatëve për deputet në Uells, duhet të vërtetohet për autenticitetin e saj.
Bogdani sqaron se në datën 6 nëntor 2009, ajo është kualifikuar në Listën
Kombëtare të Kandidatëve për Deputetë të Partisë Konservatore Britanike dhe
prej asaj dite, sipas saj, nuk i është njoftuar asnjë vendim për skualifikimin
nga kjo listë. “Gazeta Shqiptare” boton më poshtë të plotë reagimin e Bogdanit:
“Pas disa komenteve të mia mbi ferexhetë dhe islamikët në emisionin “De ja vu”
në dhjetorin e vitit të kaluar, disa individë dhe një organizatë ekstremiste
fondamentaliste, e quajtur Forumi Musliman Shqiptar, pas së cilës fshihet
individi i rrezikshëm Olsi Jazexhiu, filluan një fushatë ndaj meje duke më
etiketuar si islamofobe. Kjo fushatë përfshiu e-maila dhe kërcënime, letra e
telefonata drejtuar institucionit ku unë punoj momentalisht, Top Channel-it, si
dhe Partisë Konservatore Britanike. Nga bisedat e bëra me njerëz të ndryshëm,
si p.sh, me përfaqësues të Komunitetit Musliman Shqiptar, me studiuesen
britanike Miranda Vickers që ka shkruar mbi Islamin në Shqipëri, me gazetarë
dhe akademikë, mësova që kjo organizatë e dyshimtë lufton për vendosjen e një
rryme fondamentaliste të Islamit në Shqipëri dhe për këtë arsye dhe Komuniteti
Musliman Shqiptar, që është një organizate decente, që
përfaqëson rrymën e moderuar të Islamit, është distancuar prej tyre dhe i kanë
denoncuar në shumë raste. Pra, individi i rrezikshëm Olsi Jazexhiu dhe kjo
organizatë, e cila për hir të vërtetës përbëhet veç prej një grusht fanatikësh,
bënë ç’është e mundur që të hakmerren për komentet dhe denoncimin që iu bëra
unë në shkrime të mia, madje deri në Britani, me letra e telefonata pranë
Partisë Konservatore për të dëmtuar kandidaturën time. Letra e cila është
dërguar nga Jazexhiu në “Gazetën Shqiptare”, është një fabrikim i tij, pasi unë
nuk kam dijeni për një letër të tillë (gjëja më minimale që bëhet në një rast
të tillë, është t’i dërgohet për dijeni dhe personit përkatës). Lidhur me
kandidimin tim, pas një seleksionimi paraprak, në 6 nëntor të vitit të kaluar
unë fitova PAB (Parliamentary Assesment Board), e cila më kualifikoi në Listën
Kombëtare të Kandidatëve për
Deputetë të Partisë Konservatore Britanike dhe u caktova të luftoj në Uells.
Bashkëngjitur keni dokumentin e Komitetit për Përzgjedhjen e Kandidatëve që e
tregon këtë. Në fund të muajit unë do shkoj në Uells për të vazhduar procesin.
Megjithatë, unë jam shumë e zhgënjyer nga ‘Gazeta Shqiptare’ që vendosin të
botojnë një letër të pavërtetuar për autenticitetin e saj dhe dërguar nga një
organizatë e dyshimtë.
--
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur