Shpirti i shenjtë të mbështetet Hamdi Nuhiju Gjithmonë kur nisem rrugës së shkrimeve, ose publikimeve më kap një ngazëllim i madh i cili reflekton direkt në brendësinë time. Fjala duhet të ndërtohet e renditet në mënyrën më të mirë. Mesazhi duhet të jetë i qartë, në vend dhe në kohë të duhur. Ai nuk guxon të humb nga elokuenca, muzikaliteti dhe kënaqësia që duhet të ndjejë pranuesi i mesazhit. Shkruesi nuk guxon asnjëherë që të shoh në shkronjat, por në pranuesin e mesazhit. E ndërton mesazhin mbi baza të pranuesit! E izolon veten dhe mendimin e tij mbi këto baza. I rikthehet historisë, sjell argumente, freskon mendjen dhe shpirtin e pranuesit të mesazhit përmes logjikës së të pikturuarit të fjalëve. Pranues të mesazhit nuk janë vetëm njerëzit që janë lexuesit e mundshëm të shkrimit ose mendimit tënd të hedhur në letër. Pranues i mesazhit mbi të gjitha është nefsi, egoja dhe vetvetja. Autori shkruan për veten para se të shkruaj për të tjerët. Ai përmirëson veten, e këshillon, shpeshherë edhe e kritikon e qorton. Është mirë që ta llogarisim veten në peshoren e veprave të mira dhe ndalimeve, para se të merremi në llogari. Duke e përmirësuar veten i përmirësojmë edhe të tjerët. Natyra e Islamit është e tillë. Fillimisht njeriu duhet të këshillojë veten, pastaj familjen e tij, e pastaj të dalë në shoqëri. Por, shpeshherë këto gjëra ngatërrohen dhe i ndryshohet kahja thirrjes. Kësaj here këshillën nuk po e përkufizojmë tek tingujt e nxjerra prej gojës dhe zemrës. Por, tek fjalët e pikturuara në letër nga shpirti, mendja dhe zemra e njeriut. Për çdo shkrues që ka synim arritjen e kënaqësisë së Allahut, është me rëndësi jetike që para vetes ti ketë si bazë gjithmonë katër ajetet e para të Sures Kalem. Edhe nëse dëshiron që të kontribuosh edhe ti në rrugën e thirrjes islame përmes publikimeve të ndryshme, futu në urtësinë e këtyre ajeteve, nxjerri në shpirt ato, pikturoji dhe vepro në bazë të tyre deri në përfundim të jetës. Nuk ka dyshim se me emrin e Allahut do të kesh gjithmonë sukses. Thotë Allahu xh.sh. në Kur`an:” Nun, betohem në pendën dhe në atë çka shkruajnë!Ti, me dhuratën (pejgamber) e Zotit tënd, nuk je i çmendur!Dhe se ti, pa dyshim do të kesh shpërblim të pandërprerë! Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!”( Kur`an:68/1-4) Allahu xh.sh. betohet në pendën, prandaj kujdes se çka shkruan. Ai betohet në mirësitë që mund të rrjedhin prej pendës e cila shfrytëzohet në rrugën e Tij. Betohet në pendën e cila kërkon udhëzimin e komplet botës. Betohet në pendën e cila nxjerr mrekulli të ndryshme shkencore prej të cilave i gjithë universi dhe njerëzimi përfitojnë. E Ai nuk betohet në pendën e cila shan Zotin, myslimanët, Islamin. Për Muhamed Gazalin, Imam Hasan el Benna patë thënë:” Shkruaj, se Shpirti i shenjtë ( Xhibrili) ty të mbështetet, Allahu është me ty”. A ka fjalë të ëmbël dhe më inspiruese se kjo për një shkrues që synon të arrijë kënaqësinë e Allahut? Paramendo t`ia vendosësh vetes një pikë, ose një objektiv se ku dëshiron të arrish. Rreth atij objektivi të punosh gjatë tërë jetës tënde. Dhe në momentin kur sheh se po i afrohesh objektivit përfundimtar, ti dëshpërohesh, hidhërohesh, dalin në pah shenja të lodhjes nga kjo rrugë. Për njeriun e sinqertë dhe të devotshëm i cili fjalët e Allahut të Madhërishëm i merr në kuptimin e veprimtarisë së menjëhershme islame, nuk ka vend për pushim, ose pauzë. Ai nuk guxon që të pushoj, ngaqë nga fjalët dhe veprat e tij mbështetet shpirti i shenjtë. Dhe kjo logjikë e shtynë, e stimulon secilin shkrues që të vazhdojë gjithmonë të përmirësojë veten dhe të thërras në përmirësim edhe të tjerët. Logjika e shpirtit të shenjtë, e nxit njeriun që të jetë gjithmonë zgjuar dhe të mos ketë kohë për të humbur kohën. Mirësitë e kësaj rruge janë të shumta. Njeriu jo vetëm që inspirohet për të shkruar, por ai edhe nxitet e stimulohet edhe për të lexuar. Ngaqë, të shkruash nuk është gjë e lehtë! Nëse bëjmë një llogari të shpejt, do të na dalin në pah gjëra interesante rreth ndërtimit të një shkrimi për hir të Allahut. Njeriu për të shkruar harxhon kohë në leximin e librave të ndryshme, harxhon para në blerjen e librave të ndryshme, harxhon energji në shprehjen e mendimeve të tij, dhe së fundi harxhon para në shpërndarjen ose plasmanin e ideve të tij. Po i vështruam pak më ndryshe ajetet më lartë, na vjen interesant fakti se në atë renditje përmendet edhe Morali i Lartë i Resulullahut s.a.v.s. Njeriu nuk guxon që ta ndotë pendën e tij me amoral, ngaqë qëllimi i përdorimit të kësaj pende duhet të jetë i pastër për Allahun. Shohim sot shumë shkrimtar, publicist, analist, e opinionbërës në mesin e popullatës sonë të cilët e ndotin pendën e tyre përmes veprave të shëmtuara dhe amorale. Allahu pastroftë mendimet tona prej djallëzive të djallit të mallkuar dhe na mundësoftë që pendët tona ti përdorim gjithmonë në rrugën e Tij.
-- Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në Google Groups. Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected] Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në [email protected] Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në http://groups.google.com/group/fjalaebukur
