*Jo mendje të çoroditura e shpirtra të trazuar*

*Jerida KULLA*

* *

*Vlerat e një populli përcillen ndër breza nga personalitete e njerëz me
zemër të madhe, që nuk njohin egoizmin, mendjemadhësinë e smirën. Ata veç
kthjellojnë mendjet, qetësojnë shpirtrat dhe i bëjnë njerëzit të
përgjegjshëm për atë që duhet të luftojnë e të synojnë në jetë.*



 *Nga *një vështrim i shpejtë i historisë së zhvillimit të besimeve fetare,
jo vetëm në vendin tonë, por edhe në ato të rajonit, vihen re se ka të
përbashkëta, që i afrojnë, por dhe të veçanta, që i dallojnë. E, në këto të
fundit, Shqipëria, si dhe në jo pak fusha të tjera, ka veçoritë e veta, herë
pozitive dhe herë jo. Kështu, në asnjë vend të rajonit, madje dhe më gjerë,
besimet fetare nuk janë ndaluar siç u bë tek ne nga regjimi komunist. Por,
një e veçantë tjetër, që jo pa mburrje e përmendin shpesh politikanët tanë,
sikur të ishte fryt i punës dhe i përkushtimit të tyre, është modeli
shqiptar i harmonisë ndër fetare, model që shpesh i referohen edhe studiues
  të huaj, disa prej të cilëve, nga mungesa e informacionit ose nga
keqdashja, dalin në përfundime të cunguara e jo të vërteta. Nuk është i
rëndësishëm thjesht fakti që krerët e besimeve fetare në Shqipëri i shohim
bashkë në ngjarje të mëdha, ditë përkujtimore e festa kombëtare. Natyrisht,
kjo ka rëndësi jo thjesht simbolike. E rëndësishme është respektimi i
besimit të njëri-tjetrit nga vetë besimtarët dhe mirëkuptimi për atë çka i
intereson komunitetit ku jetojnë e kudo që ndodhen. Në shumë fshatra e zona
në Shqipëri nuk i bën njeri përshtypje, që një nga dy vëllezërit e një
familjeje myslimane ka marrë për grua  vajzën e një familjeje të besimit
ortodoks apo katolik. Një gjë e tillë nuk është se ka lindur në ditët e
sotme, ajo vjen nga larg, shumë vite më parë.

Në vitet e demokracisë, pas ndrydhjes për disa dekada nga regjimi komunist,
ka një frymëmarrje të gjerë e të thellë të besimeve, që duket që nga
besimtari i çliruar nga frika e ankthi e deri në tërë rrjetin e ngritur me
mund e vështirësi të institucioneve fetare dhe të objekteve të ndryshme
sociale, arsimore e kulturore, si: kopshte, shkolla, qendra kulturore,
radio, shtëpi botuese, shtypshkronja, revista, literaturë fetare e
shkencore, etj, që në themel kanë orientimin fetar. Por, megjithëkëtë klimë
të shëndetshme, aty-këtu duken e ngrehin krye edhe shfaqje e dukuri të
dëmshme, që bëhen shkak për prishjen e qetësisë dhe të harmonisë jo vetëm të
besimtarëve, por të gjithë shoqërisë. Besimtarët myslimanë, në Shqipëri,
janë në shumicë, krahasuar me besimtarët e feve të tjera. Ky fakt ndokujt do
t’i krijonte mendimin se qëndrimi e sjellja e tyre do të ishte jo pa
probleme. Në fakt nuk ndodh kështu. Sa herë ka pasur, në njërën apo tjetrën
mënyrë, shfaqje të vogla e sporadike, që mund të çonin në prishjen e
mirëkuptimit e të harmoninë midis besimtarëve të feve të ndryshme, në fshat,
qytet apo zonë të tërë, gjithmonë kanë dalë njerëz që dinë të trajtojnë me
durim e urtësi problemin dhe kanë kthjelluar mendjet e çoroditura e qetësuar
shpirtrat e trazuar.

Sot, nëse shikon një femër të mbuluar me shami, për të mos thënë edhe
fytyrën, nuk tërheq aspak vëmendjen e kalimtarëve në rrugë, autobus, market
e gjetkë. Megjithëkëtë, kohët e fundit janë mbajtur qëndrime të ashpra deri
në mos lejimin e vazhdimit të studimeve të vajzave që shkonin në fakultet me
kokën mbuluar me shami, me arsyetimin, nga drejtuesit e institucioneve, se
nuk e lejon rregullorja e shkollës. Nëse harton një ligj apo rregullore, në
kundërshtim të hapur me liritë e të drejtat themelore të njeriut, natyrisht
që në një argumentim të tillë, që e ke stisur vetë, do të biesh. Në shkollë,
për vetë natyrën e saj, rregullorja përcakton edhe detyra e të drejta që nuk
janë për qytetarët në përgjithësi, por nëse ato nuk prekin procesin e
formimit edukativ dhe atë arsimor të nxënësit e studentit, por edhe të
kolektivit, nxënësit dhe studentit nuk ka pse t’i  bëhet kufizimi, fjala
vjen në rastin konkret i përdorimit të shamisë nga ato vajza që e dëshirojnë
atë, ashtu siç nuk kufizohet mbajtja e kryqit varur në qafë nga vajza apo
djali i një feje tjetër, që janë në të njëjtën klasë apo shkollë. Mbulimi i
kokës nuk përbën asnjë problem, ndryshe do të ishte nëse nxënësja ose
studentja do të mbulonte fytyrën, ku do të vështirësohej ose bëhej e
pamundur identifikimi i saj pamor, dhe që mund të bëhej shkak e të
shfrytëzohej për incidente e veprime të dëmshme e të dënueshme. Qëndrime të
tilla ndaj përdorimit të shamisë ka edhe në vende të zhvilluara të Evropës,
ku në çdo klasë është i vendosur në mur Krishti i kryqëzuar, pavarësisht se
në klasë ndodhen studentë të feve të ndryshme. Në ato vende  numri i
besimtarëve të fesë islame është i vogël. Edhe në to, natyrisht, reagimet
janë të ndryshme e përfshihen edhe personalitete politike, shkencore dhe
fetare, krahas qytetarëve të thjeshtë besimtarë ose jo.

Kohët e fundit në vende dominuese në Shqipëri, nga ku mund të shihen sa më
shumë, jo në një rast janë ngritur, rrëzuar e ngritur përsëri kryqe të
mëdhenj, që  me të drejtë, në një ose tjetrën mënyrë, krijojnë reagim të
besimtarëve myslimanë. Çdo fe ka programin e strategjinë e saj për shtimin e
besimtarëve në tërësi dhe të besimtarëve praktikantë në veçanti. Dhe kjo
është normale, e natyrshme. I panatyrshëm është provokimi që bëhet nga
misionarë të ndryshëm, edhe pse jo të shumtë, që mundohen e manipulojnë
besimtarë të një feje e i shfrytëzojnë ata për të provokuar besimtarët e një
feje tjetër, siç janë edhe rastet e vendosjes së kryqeve.

Klerikë myslimanë, ortodoksë e katolikë, të huaj dhe shqiptarë, herë pas
herë janë bërë të njohur nga media, për fytyrën e vërtetë të tyre, ndryshe
nga ajo që janë munduar të shfaqin para besimtarëve. Probleme të moralit,
mashtrimet, falsifikimit, grindjet e sherret për poste e prona, etj, kanë
bërë që jo vetëm qytetarë të zakonshëm, por edhe besimtarët të jenë të
kujdesshëm e të mos bien pre e njerëzve që kanë veshur petkun e misionarit
fetar, për ta shfrytëzuar atë për qëllime të ulëta e të dënueshme
rreptësisht nga feja dhe ligji.

U ndërtuan shumë xhami, ashtu siç u ndërtuan dhe shumë kisha, krahas atyre
të paktave që regjimi i la thjesht si monument kulture, që sipas tij, t’i
tregohej  brezave të ardhshëm, se nga këto institucione fetare i
transmetohej popullit e pa vërteta. Një xhami e tillë është edhe ajo e
Et’hem Beut, në qendër të Tiranës, në kryqëzim rrugësh e qarkullim të madh
të mjeteve e kalimtarëve. Falja në trotuar dhe shesh e besimtarëve ditën e
premte, në atë mjedis zhurme dhe kaosi, është krejtësisht e papërshtatshme
dhe nuk është në nderin as të besimtarëve e krerëve të Komitetit Mysliman,
as të bashkisë e qeveritarëve lart. Ashtu siç janë zgjidhur shumë probleme
të vështira e të ndërlikuara, mund e duhet të ishin zgjidhur në kohë, se
kanë kaluar 20 vjet, edhe problemet e pronave e të ishin ndërtuar xhami me
madhësinë e duhur, por edhe me sheshin e nevojshëm të tyre për të përballuar
fluksin e besimtarëve.

Për besimtarët myslimanë, familja, ka qenë dhe ngelet e shenjtë dhe është
trajtuar me kujdesin më të madh, por në kushtet e sotme të globalizimit,
problemet e saj janë bërë më delikate e të brishta. Familja është tronditur
e trazuar shumë, ndaj dhe kërkohet të mbahen më të forta e të shëndetshme si
lidhjet e dashurisë e të besimit të ndërsjellë midis bashkëshortëve, ashtu
dhe dashuria e respekti i fëmijëve ndaj prindërve. Por lëvizjet e qarkullimi
i ideve, njerëzve, kapitaleve e teknologjive, sot është bërë kaq i shpejtë
dhe ndryshimet janë kaq të mëdha, sa është e pamundur të sigurosh sukses, të
arrish qëllimin me frazeologji të përgjithshme e pa nerv, me sjellje dhe
qëndrime të rëndomta që as ngrohin, as ftohin njeri, pa “investim” të gjerë
e të thellë të mendimit krijues e argumentit bindës, në përshtatje me
nivelin, hallin e problemet që ka besimtari. Këto janë pasuri të njerëzve të
aftë e të përkushtuar, që i japin fesë dimensionin shpirtëror dhe social të
kohës. Dhe këta asnjëherë nuk i kanë munguar besimit islam, por kanë qenë të
pranishëm në tërë hierarkinë fetare, duke dhënë kontributin e tyre të çmuar
në çdo kohë. Ndonjë, që gabimisht ndodhet i rreshtuar në grupin e klerikëve
e misionarëve të fesë, që jo vetëm me punën, por edhe me prezantimin e tij
në publik, le shumë për të dëshiruar, nuk mund të errësojë aspak punën
gjithë pasion e dashuri të shumë e shumë të tjerëve.

Vështirë të ketë ngelur ndonjë qytetar pa u takuar me disa punonjës fetarë,
themi punonjës se ata nuk mund të jenë besimtarë, punonjës të një feje që
nuk është ndjerë më parë, por që janë shumë të bezdisur dhe që nuk është e
lehtë të shkëputesh prej tyre. Në vend që me punën e tyre të çlodhin
besimtarët, që duan të afrojë e mbushin jetën me sa më shumë ngjarje e
gëzime, i predikojnë një jetë boshe, të zbehtë, duke i  broçkollitur
lloj-lloj kotësira pafund për jetën e përtejme. Nga media, jo pak herë është
bërë e ditur se fëmijë, që i kanë dhënë fund jetës së tyre, në një formë ose
në një tjetër, kanë marrë pjesë në aktivitetet e organizuara nga këta
punonjës. Është fakt, që në këto vitet e demokracisë, në vendin tonë, janë
ngritur edhe shumë shoqata e fondacione, që në licencat e tyre kanë veç të
tjerave, ose mbi të tjerat, veprimtarinë për kulturimin, bamirësinë dhe
besimin e qytetarëve. Se kush është “bulmeti” i tyre  për njeriun e familjen
e sa  të vërteta janë ato, vështirë se mund t’i përgjigjet saktë kush.
Vlerat e një populli përcillen ndër breza nga personalitete e njerëz me
zemër të madhe, që nuk njohin egoizmin, mendjemadhësinë e smirën. Ata veç
kthjellojnë mendjet, qetësojnë shpirtrat dhe i bëjnë njerëzit të
përgjegjshëm për atë që duhet të luftojnë e synojnë në jetë. Në çdo periudhë
të historisë familja ka pasur veçoritë e problemet e saj, por sot ato janë
më të vështira, më të ndërlikuarae tepër komplekse, ku ndërthuren shumë
faktorë, sa shpirtërorë, aq edhe ligjorë, sa ekonomikë, aq edhe kulturorë e
arsimorë, sa modernë, aq edhe klasikë, etj, që kërkojnë interesimin, punën e
përgjegjësinë e individit, shoqërisë, shkollës, shtetit e padyshim të
institucioneve fetare, nga ku merr edhe dimensionin e vërtetë shpirtëror, pa
të cilin  njeriu, familja, vetë jeta nuk do të kishin kuptim. Kështu do të
kishim pak mendje të çoroditura dhe pak shpirtra të trazuar. Përmendim vetëm
një fakt: Në tri lidhje martesore një divorcohet. Çfarë bëhet me fëmijët e
tyre?! Me këtë rast po shtojmë vetëm një thënie profetike: “Gjëja më e
rëndësishme, që mund të bëjë një baba për fëmijët e tij është të dojë nënën
e tyre.”

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan