Shesin ar e kafshë për t’u shpërngulur ne Europe 
Postuar nga enj
Marrë nga Gazeta Koha Ditore
Kumanovë, 19 shkurt - Fshatarët shesin kafshët shtëpiake, ndërsa nuset 
floririn, për të grumbulluar paratë e udhës së gjatë e pa kthim. 

Në Kumanovë kurrë nuk ka pasur kaq shumë ofrues të arit sa këto ditë, ndërsa 
pazari i gjësë së gjallë është mbushur përplot me kafshë shtëpiake. 

Të gjithë kërkojnë të shesin dhe vetëm shesin, ndërsa me paratë e fituara 
blejnë bileta për në një drejtim. Shqiptarët po shpërngulen në mënyrë të 
heshtur, shkollat po boshatisen. 

Pronari i argjendarisë “Rexho”, Rexhep Hasani thotë se ka shumë njerëz që 
ofrojnë ar për të shitur. “Kjo nuk është për mirë, pasi ari blihet për qejf dhe 
shitet për hall. E shesin se po ikin në kurbet. Në të dy dyqanet e mia vijnë 
plot njerëz për të shitur ar. Në 90 për qind të rasteve nuk ia marrim, se ato i 
shesin për zor, gjë që nuk është mirë”, deklaron për gazetën “Lajm” pronari i 
kësaj argjendarie. 

Rexhep Hasani ka 23 vjet që merret me këtë punë dhe nuk mban mend asnjëherë një 
numër kaq të madh njerëzish të interesuar për të shitur arin. “Kështu s’ka bo 
vaki asnjëherë, as në luftën e Kosovës, as në luftën e Maqedonisë. Kjo nuk 
është shenjë e mirë për ne”, thotë ai, duke sqaruar se vetë personat që ofrojnë 
arin për të shitur ia tregojnë arsyet pse e bëjnë atë. 

Ndërsa numri i nxënësve që largohen nga shkollat sa vjen e rritet. Vetëm në 
shkollën fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë, 12 nxënës kanë marrë 
fletëshpërnguljet, ndërsa disa të tjerë presin që t’i marrin së shpejti. 

“Për momentin kemi 12 nxënës të larguar, ndërsa ditëve të ardhshme pritet që të 
rritet numri i nxënësve që kërkojnë të marrin fletëshpërnguljet”, tha Ylber 
Limani, drejtor i kësaj shkolle. 

Ai sqaron se ata nuk mund t’i vlerësojnë si të larguar nxënësit që nuk kanë 
marrë fletëshpërngulje. “Veç nxënësve që janë larguar ka dhe plot prindër që 
interesohen për procedurat”, thotë ai.  

Edhe në 11 shkollat e tjera fillore të komunës së Kumanovës dhe Likovës, 
situata është e ngjashme me atë të shkollës “Bajram Shabani”, ku dhjetëra 
nxënës kanë marrë fletëshpërnguljet.

Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) në Kumanovë e Likovë është e brengosur 
për situatën. “Numri i nxënësve në këto dy komuna për çdo ditë e më shumë po 
zvogëlohet, sepse nxënësit me prindërit e tyre po shpërngulen masivisht për në 
Belgjikë, Francë, etj. për shkak të kushteve të rënda ekonomike, papunësisë, 
paperspektivës dhe jostabilitetit të vendit tonë, e atje po kërkojnë azil”. 

Psikologu Lulëzim Murtezani thotë se kjo është një mënyrë moderne, bashkëkohore 
e asimilimit të njerëzve. “Tash nuk kemi asimilim me dhunë, asimilim 
institucional, por kemi një mënyrë tjetër, kemi pasaporta dhe kemi liri për të 
ikur. Edhe kjo mënyrë e asimilimit është shumë e rrezikshme. Nëse nuk kemi 
strategji për të bërë punësimin, sidomos të të rinjve, nuk do të mund t’i themi 
stop kësaj dukurie”, thotë ky psikolog.

Ai sqaron se viktima të këtij asimilimi janë  kryesisht familjet që nuk kanë 
kushte të mira ekzistenciale. Sipas Murtezanit,  problemi do të vazhdojë deri 
në momentin kur institucionet të marrin  masa për ta penguar atë. Kushtet 
ekzistenciale, të cilat gjenden në majën e piramidës, janë faktori kryesor që i 
detyron këto familje për të marrë rrugën e shpërnguljes. 

“Meqë këto nevoja ekzistenciale nuk plotësohen, ata gjejnë rrugë të ndryshme. 
Në rastin konkret, qytetarët duke mos pasur perspektivë, marrin rrugën e 
largët. Shumë njerëz janë të rrezikuar, janë në gjendje jo të mirë ekonomike 
dhe vizioni i tyre është që me çdo kusht të shkëpusin rrënjët nga ky ambient 
dhe normalisht shpëtimin e gjejnë në një ambient tjetër”, thotë ai.

Javëve të fundit dhjetëra autobusë të mbushur kryesisht me shqiptarë nisen 
drejt Belgjikës, Francës, Austrisë, Gjermanisë e Zvicrës. 


      

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan