FUNDI I BOTËS
Ne dhe vdekja Ç`farë është vdekja? A ka njeri që nuk i beson asaj dhe a ka mundësi dikush t`i ikë vdekjes?! (vazhdon nga java e kaluar) Gjatë katër javëve të kaluara kam sjellë disa fakte dhe argumente se çdo njeri, pavarësisht besimit dhe përkatësisë së tij fetare, doemos duhet të besojë në gjëra të fshehta, sepse është një realitet pashmangshëm. Këtu do të përpiqem të shkruaj shkurtimisht për vdekjen si pjesë e fundit e kësaj bote, ani pse njerëzit flasin për fundin e botës, flasin për kiametin, e harrojnë vdekjen, harrojnë se me vdekjen e tyre veç është bërë kiameti për ta. Por, nuk duhet të preokupohemi shumë se a do të jetë kiameti më 2012, apo më herët apo më vonë, sa duhet të preokupohemi për vdekjen tonë nga e cila nuk mund të shmangemi dhe e cila mund të na vijë në çdo çast. Që nga krijimi i kësaj bote, që nga njeriu i parë njerëzit kanë diskutuar për vdekjen dhe rreth saj, më konkretisht nga vdekja e parë e birit të njeriut të parë, Ademit, (paqja e Zotit qoftë mbi të!) e deri më sot njerëzit vazhdojnë të flasin e të diskutojnë rreth këtij fenomeni që ne e quajmë vdekje. Bile, them lirisht se një nga fenomenet që më shumë flasin njerëzit në tërë botën, në të gjitha kohët dhe vendet, është vdekja. Ashtu siç është një nga fenomenet që më së shumti ka rënë në ujdi i tërë njerëzimi i të gjitha kohëve, pavarësisht se si e kanë quajtur dhe komunikuar atë. Vdekja, për të cilën shumë gjatë folën të dërguarit e Allahut që nga Ademi e deri te Muhamedi (paqja e Zotit qoftë mbi të!); vdekja të cilën shumë e përmendën të gjitha librat qiellorë; vdekja, për të cilën edhe ne si popull flasim shumë, çfarë është?! Fund, mërzi, bela, frikë, tragjedi, humbje, dëshpërim, ndarje, vetmi, varr, errësirë...të gjitha këto kuptime dhe të tjera trokasin trurin e njeriut kur kujton vdekjen. A thua vetëm kaq apo edhe më shumë?! Jo, ajo është edhe më shumë se kaq. Vdekja është ajo e cila i rrëzon mbretërit nga froni i tyre, ndan njeriun nga pasuria e tij, i ndanë nënat nga fëmijët, ndan të dashurin nga e dashura, largon njeriun nga kjo botë. Ndalesh e kutohesh: deri dje i dashuri ynë ishte në mesin tonë, jetonim me të, kënaqeshim, hanim e pinim bashkë, ndërsa sot nuk është më, nuk ekziston, vendi i tij është i zbraztë. Të duket para syve se ai diku është, por e vërteta është se ai më nuk është. Deri dje ishte mbi këtë tokë, në mesin tonë, ndërsa sot, kërkoje kudo në tërë botën, nuk do mund ta gjesh. Ai tashmë është nën këmbët tona. Deri dje ai zgjohej, vishej e mbathej, hante dhe pinte, qeshte dhe fliste, ndërsa sot ai ka heshtur, nuk hanë e as nuk pinë. Tashmë atë e hanë insektet e shumta, tashmë ai është bërë ushqim i dikujt tjetër, duke mos pasur fuqi t`i largojë ato insekte nga trupi i tij. Deri dje ishte i bukur, i hijshëm, ndërsa me vdekjen ai u shëmtua, iu prish fytyra. Deri dje u gëzohej kur e shihje, ndërsa sot, po ta kishe parë, do të ishe trishtuar, do të kishe ikur nga ai. Ja kjo është vdekja, të nderuar e të dashur. Mos qoftë kështu si po them unë, më tregoni, më thoni se jam çmendur, se nuk e kam mirë. Më thoni se e kam gabim! Por, jo, unë nuk e kam gabim, unë nuk jam në ëndërr, por të tjerë ka që janë në ëndërr, janë fjetur, e kur do të vdesin, do të zgjohen, siç thotë një poet arab: Njerëzit janë fjetur. Kur të vdesin do të zgjohen. Çfarë është vdekja? Është një derë në të cilën çdo njeri ka për ta kaluar, apo thuaj nëse do: ashtu siç është fund i kësaj bote, ajo është fillim i një bote tjetër, i një bote për të cilën pak lodhen njerëzit, botë për të cilën pak punojnë për të. Sa për t`jua kujtuar, them se jeta e kësaj bote nuk është asgjë tjetër vetëm një fazë e jetës së gjatë të njeriut, ngase njeriu ka qenë edhe para se të vinte në këtë botë. Ai ka kaluar faza të ndryshme, në etapa të ndryshme. Ai për herë të parë është krijuar qëmoti para se të krijohen toka dhe qielli, atëherë kur i krijoi Allahu të gjithë shpirtrat përnjëherë. Pastaj, së dyti, ai është krijuar në barkun e nënës së tij, i mbështjell si lëmsh rreth vetes ka jetuar për disa muaj, pastaj ka ardhur në këtë botë, që është etapa e tij e tretë. Është interesant se sikur njeriut nuk i kujtohet asgjë nga ato dy etapa të jetës së tij, bile ndoshta mund të konkludojmë se po te ishte në gjendje që ai të meditojë në barkun e nënës së vet e ne të bisedojmë me të, ai do të mendonte se ajo është e vetmja jetë dhe se kot do të ishim munduar ta bindim se ka edhe një botë tjetër, bile kjo është më e mirë, më e gjerë sesa ajo në të cilën gjendet në të. Por, pse atij nuk ia kap mendja dhe se pse nuk mund ta bindim atë, kjo nuk do të thotë se kjo botë nuk ekziston dhe vjen koha e ai del me zor, pa dëshirën e tij në këtë botë dhe e sheh se vërtet kjo qenka reale dhe shumë e madhe. E njëjta gjë do të ndodhë me njeriun i cili me dhunë do të dalë nga kjo botë, pa u pyetur fare, e do ta shohë se atje ka një botë tjetër, bile edhe më e gjerë sesa kjo që jemi tash në të, edhe pse tash, sa është në këtë botë, ndoshta e mohon, e kundërshton. E, ndoshta, po të ketë mundësi, nuk del nga kjo botë fare, por ja që edhe ajo kohë do të vijë e do ta shohë me sytë e vet, ashtu siç e ka parë këtë botë kur ka dalë nga barku i nënës së vet. Na mbetet ende për të folur për vdekjen dhe rreth saj, por për mos ta zgjatur më shumë, këtë herë po lëmë me kaq. Deri në javën e ardhshme, SELAM ALEJKUM VE RAHMETULLAH! Epoka e re - e premte 26 shkurt 2010 Dr.Shefqet Krasniqi Përgatiti: www.ferki-mirena.tk _________________________________________________________________ Hotmail: Free, trusted and rich email service. https://signup.live.com/signup.aspx?id=60969 -- Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në Google Groups. Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected] Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në [email protected] Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në http://groups.google.com/group/fjalaebukur
