Ish-bashkëpatrioti kosovar, aktualisht prift katolik në Detroit, Anton
Kqira, pasi që e ka pranuar se prej emocioneve të fuqishme ‘u dal
mendsh”, nëse nuk largohet me një kërkim falje para Zotit dhe para
“robit” duhet që të shkarkohet nga komuniteti katolik shqiptar i
atjeshëm
Fuqia mbresëlënëse e Nënës Tereze buronte pikërisht në faktin se ajo
tek secili njeri shihte shëmbëllesën e Jezusit. “Predikimi” i Anton
Kqirës është racist, kurse nga aspekti biblik dhe nëse marrim në
konsideratë parimet e Terezës së Lumnueme, mund të cilësohet edhe
blasfemi. Ndaj këtij “predikimi” politik të Kqirës sinqerisht kam
pritur të reagojnë intelektualë, bashkëqytetarë dhe bashkëkombës tanë
të besimit katolik.
Ndërsa reagimi i Ipeshkvisë së Kosovës ishte i qullët, oportun dhe joqytetar.
Nuk dua të shkruaj për të vënë shenja hipokrite të balancimit, mes
“Rastit Duka” dhe “Rastit Kqira”, sepse sa i përket edukimit qytetar,
të dy këta klerikë i shoh si injorantë dhe plot pasione urrejtjeje me
prapavijë fetare e politike. Shkruaj për të vënë në pah rritjen e
(pa)pritur pas lufte të antagonizmave dhe radikalizmave etnikë, fetarë
dhe klasorë në shoqërinë kosovare dhe rrezikimin e kohezionit kombëtar.
Në të njëjtën ditë kur nga policia e Kosovës e me urdhër të gjykatës u
deportua Kastriot Duka, më 3 mars, se kishte shkelur dispozitat e
ligjit për të huajt, si një uragan shpërtheu në media një “dramë
absurdi” me protagonist një prift katolik kosovar, fjalimi emotiv i të
cilit logjikisht ishte i paqëndrueshëm dhe mendërisht i retarduar. Ai
shihej tek pështynte mbi bashkëkombësit e tij dhe lirinë e tyre, pas
arrestimit të tre vëllezërve Duka që në grup kishin planifikuar, sipas
gjyqësisë amerikane, sulme në bazën amerikane të Fort Dix të New
Jerseyt dhe të cilët pastaj u dënuan me burg të përjetshëm duke marrë
edhe dënimin e gjerë moral të shqiptarëve. Sakaq, rikthimi në debatet
ndërshqiptare i këtij fjalimi të pështirë të Kqirës ishte thjesht edhe
një manipulim shtesë për të krijuar një balancë mes dy të këqijave dhe
ky rikthim” i “rastit Kqira” po përdorej dendur si “protestë” ndaj
deportimit të Dukës, kur dihet se ai fjalim është mbajtur para tre
vjetësh. Me rikthimin në debat të këtij rasti, islamikë ekstremë duan
t’i vënë në sprovë liberalët kosovarë madje edhe besimtarët e moderuar,
përse nuk e kanë dënuar paraqitjen e tij. Ata duan të na thonë: “Ju
jeni kundër islamit, ju doni ta shuani islamin dhe ta dominoni
shoqërinë kosovare nga prizmi i krishterimit”.
Kujt i duhet barazimi i “dy poleve” kombëtare për nga të këqijat?
Apo “palët ndërluftuese” në media duan ta bindin qytetarinë kosovare se
janë identikë për nga agresiviteti dhe përjashtimi i tjetrit?
Nuk ka asgjë më personale (private) sesa besimi dhe aplikimi i tij në
jetën e njeriut. Por, nuk ka më mizore se kur besimi dhe feja përdoren
për qëllime politike, për të krijuar mbifuqi dhe pushet dominimi ndaj
tjetrit ose edhe më zi, kur feja përdoret për primat në kulturë, komb
dhe shtet.
Nënvetëdija e radikalëve “talebanë” fetarë (të krishterë e myslimanë)
ose edhe ekstremistëve politikë është e strukturuar njësoj, ata tjetrin
e stigmatizojnë si armik i fesë përkatëse, kombit, klasës, partisë...
Ky diskurs agresiv e shtron dilemën e tolerancës si instrument i
pushtetit, jo për bashkëjetesë qytetare në komb dhe shtet mes grupeve
të ndryshme etnolinguale, fetare e politike, por për mbajtjen nën
kontroll të armiqësive, aq sa nuk e cenojnë pushtetin, i cili përdor
akëcilin antagonizëm për nevojat e tij. Po të lihej besimi monoteist në
burimin e vet dhe të mos përdorej për qëllime ekspansioniste e politike
sigurisht që shoqëria njerëzore do të ishte më e drejtë dhe më humane.
Por feja po del gjithnjë e më shumë jashtë kontekstit të besimit në
Zotin dhe profetët. Po të ishin kombi dhe klasa ose partia të
konstituuara në baza të qytetarisë, njerëzit nuk do të kishin nevojë të
tolerojnë (toleranca është ta durosh tjetrin/tjetrë n) dhe të jenë të
toleruar, sepse qytetari që i bindet frymës së ligjeve, konstitucionit
dhe liberaldemokracisë nuk është e thënë të durojë (ta tolerojë)
agresionin e tjetrit, as fyerjen dhe blasfeminë. Pra qytetarët brenda
një shoqërie, tanimë edhe në përmasa globale koekzistojnë në paqe,
sepse nuk kanë nevojë të tolerohen, por kanë nevojë të pranohen, të
tillë çfarë janë.
Nuk jam ithtar i mendimit uniform, sipas rregullit ushtarak dhe e mbroj
mendimin ndryshe dhe lirinë e besimit, atë të shprehjes dhe të shtypit,
por që në të dyja rastet “tona” është abuzuar rëndë me këto liri.
Shoqëritë moderne janë shoqëri të debatit. Por, rreth këtij debati
global për mbajtjen e feve jashtë kornizave të politikës dhe brenda
normave ekumenike, duke qenë se intelektualët heshtin, turmat janë ato
që thyejnë shtizat, të nxitur nga pasione e ndjenja të fuqishme fetare,
e ku njeri masiv apo ‘ignoramus i kënduar’, sipas Ortega Y Gassetit bie
në barbarizëm që dëshmon mungesën e çfarëdo norme. Si të shmanget
gjykimi i turmave, që sipas Robert D. Kapllanit është si një kamerë
televizive, nuk ka kujtesë historike dhe është krejtësisht reduktive:
ajo ka parasysh vetëm çka hyn brenda fushëpamjes së saj dhe jo faktet e
koklavitura përtej saj. Përtej këtij gjykimi janë edhe intencat e
ndërtimit të një shoqërie qytetare që ia beson lirinë ligjit dhe që nuk
ka nevojë për të duruar (toleruar) tjetrin por që e pranon tjetrin.
Porse modeli kulturor i pranuar gjerësisht nga shoqëria shqiptare është
modeli perëndimor, duke përjashtuar kryqëzatat, ngase krimet e këtyre
fushatave ndaj myslimanëve madje i pranojnë shumë historianë dhe
intelektualë të paanshëm perëndimorë e krimet si të tilla nuk kanë
justifikim, paçka se ato krime nuk kanë të bëjnë me shqiptarët
myslimanë; mirëpo nëse flasim në kontekstin kosovar të lirisë, modeli
kulturor dhe politik i Perëndimit e jo i islamit ua mbajti gjallë atyre
shpresën e lirisë dhe Perëndimi ndërmori fushatën ajrore kundër
regjimit serb për t’i çliruar ata, ani pse shumica myslimanë dhe
pikërisht në këtë fakt qëndron epërsia e qytetërimit perëndimor në
kujtesën e kosovarëve mirënjohës, sërish duke i përjashtuar turmat. Për
çdo gjë pra mund të debatohet sepse nuk ka vlera të panegociueshme, por
nuk mund të negociohen ta zëmë zgjedhja kosovare e Amerikës ndaj
“boshtit të së keqes”; kodit civil ndaj sheriatit, demokracia liberale
ndaj despotizmit, të drejtat e njeriut dhe ato civile ndaj barbarisë
dhe tribalizmit. Vlerat e përbashkëta evropiane nuk janë në kolizion me
ushtrimin e lirë të fesë/feve, përndryshe as me islamin si fe në burim
paqësore me të tjerët. Shqiptarët (dhe posaçërisht kosovarët) në
momentin aktual gjeopolitik duhet t'i kristalizojnë dhe identifikojnë
interesat e tyre strategjike sepse shpesh ne kemi interesa të kundërta
politike dhe ekzistenciale me botën islame dhe arabe.
Prandaj, kosovarët duhet ta pajtojnë properëndimorizimin (si sistem
vlerash) si interes madhor i shoqërisë me trupin trekonfesional brenda
etnisë, por edhe shumetnicitetin brenda shtetit dhe kombit. Goxha zor
është, por intelektualët liberalë, nga masa i dallon mendimi i
shkëputur nga rendi i uniformuar (ushtarak) dhe nga intenca e
mobilizimit marksist-leninist të masave dhe duhet të veçohet nga
pasionet e ‘njeriut masiv’.
“Fjalimi” i këtij prifti dëshmon një kurthim psikolinguistik dhe logjik
në bashkëveprim me një gjendje emocionale të tensionit të lartë.
"Predikimi sheshelist" i tij, është i paqëndrueshëm gjuhësisht dhe
logjikisht, (larg qoftë, ai fare s'ka të bëjë me predikim fetar e
moral), duket se ligjërimi i tij buron nga urrejtja e shtresuar ndaj
islamit, pra është kryeherësh përjashtues dhe agresiv, pra ai është një
racist i kulluar.
Një fjali të tillë asnjëherë nuk e ka thënë në publik as vetë Kasapi i
Ballkanit, Millosheviq. Ai vazhdimisht ka thënë se po e lufton
terrorizmin kroat, islam, shqiptar, por kurrë s'ka thënë jo së paku
publikisht se do t'i rrjepë si qentë... E të gjithë librat e shenjtë e
thonë edhe këtë: Vrasësit dhe ata që e lëndojnë shpirtin e njeriut
shkojnë në ferr!
Madje një fjali të tillë (fjalët na shprehin vetë neve) s’do ta thoshte
as Osama Bin Laden për viktimat e 11 shtatorit në New York.
Por këndej pari disa klerikë agresivë dhe injorantë, thjesht
manipulatorë me ndjenjat e turmave, jo që nuk e meritojnë të jenë
“njerëz të Zotit” por s’e meritojnë as respektin qytetar dhe as atë
njerëzor.
Logjika e Kqirës si mendësi devijon nga burimi, pra nga katolicizmi,
sepse si gjuhë ajo është e strukturuar si tek çdo racist tjetër. Dhe
duke qenë se ky “predikim” ka shkaktuar rezignatë tek shumica e
kosovarëve, Kqira do të duhej me përulje të tërhiqej, jo vetëm nga jeta
publike, por edhe nga thirrja e meshtarit të krishterë, duke iu
drejtuar me një apologji bashkëqytetarë ve të tij në Kosovë dhe
komunitetit shqiptar në Detroit. Ose vetë komuniteti i tij duhet që me
urgjencë të kërkojë nga autoritetet kishtare shkarkimin e tij, për
shkak të gjuhës së tij raciste dhe fyerjes publike që ua ka bërë
myslimanëve. Shpirtrave të kafshuar duhet të paktën t’u kërkohet falje
me përgjërim, ndërkaq që pjesën e mbetur të jetës, prifti racist duhet
ta kalojë në ndonjë azil pleqsh nën kujdes intensiv mjekësor. Ai duhet
të ikën, për hir të thelbit të vetë krishterimit dhe sado pak t’i
mbëltojë plagët që ua ka shkaktuar kosovarëve.
Prandaj Kqira, ik!
halil.matoshi@ kohaditore. c
om
__._,_.___
Reply to sender | Reply to group | Reply via web post | Start a New Topic
Messages in this topic (1)
Recent Activity:
Visit Your Group
MARKETPLACE
Check out Yahoo! Movies to get a recap of this year's Oscar winners, red carpet
looks & nominated film trailers.
Switch to: Text-Only, Daily Digest • Unsubscribe • Terms of Use
.
__,_._,___
--
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur