*Është me të vërtetë për të ardhur keq që shqiptarët e sotëm njohin kaq
shumë nga bota që ata i rrethon por njohin shumë pak nga vetvetja. Nëpër
faqet e shtypit tonë herë pas here ne mund të gjejmë artikuj që flasin për
jetën e këtij pape apo atij prifti, këtij shkencëtari apo atij poeti
perëndimor, por rrallëherë ne mësojmë mbi njerëzit me famë që ne i kemi
dhuruar botës. Një nga personat më me famë që ne i kemi dhuruar botës së
shekullit të 20të nuk ka qënë Aleksandri i Madh. As Skënderbeu apo Nënë
Tereza e Kalkutës, por një shkodran i quajtur Nasirudin dhe i mirënjohur në
orient si Nasirudin Al-Albani. Mbiemri i tij të lë të kuptosh fare qartë se
ai nuk ishte anonim për kombësinë e tij Shqiptare, gjë që mund të çojë
ndonjë antishqiptar të spekullojë për origjinën e tij. Ai nuk u njoh kurrë
si Nasirudini i Kalkutës apo i Rijadit, por si Shejh Albani, apo në shqip
Zotnia Shqiptar. Ai ishte aq krenar për identitetin e tij kombëtar saqë atë
e pllakosi në mbiemrin e tij Al-Albani që në shqip nga arabishtja përkthehet
‘shqiptari’.

Emri original i Shejh Albanit për të cilin ky shkrim flet, ishte Nasirudin
Nuh Nexhati. Ai u lind në Shkodër në vitin 1914 në një familje të varfër
muslimane shkodrane. Babai i tij quhej Haxhi Nuhu. Ai kishte studiuar për
disa vite me radhë në Stamboll përpara se të kthehej në Shkodër. Gjatë
qëndrimit në Shkodër Haxhi Nuhu u morr me edukimin fetar. Por shpejt ai,
ashtu si shumë shqiptarë të tjerë të kohës së tij u detyrua të largohet nga
vendlindja. Familja e Haxhi Nuhut emigroi në Damask të Sirisë, gjatë kohës
kur Shqipëria ishte nën rregjimin e Zogut. Në këtë qytet Haxhi Nuhu i
Shkodrës rriti një djalë të quajtur Nasirudin i cili në të ardhmen do të
bëhej me famë. Nasirudini i vogël kaloi fëmijërinë dhe kreu shkollën fillore
në Damaskun e famshëm, mes rrënojave të të kaluarës Bizantine, Emevite,
Abaside dhe Otomane të këtij qyteti me famë të botës Islame ku jetoi Gjon
Pagëzori dhe themeluan kryeqytetin Kalifët e famshëm Emevij. Duke qenë një
student i zellshëm dhe ndikuar nga dijet fetare të të atit, te Nasirudin
Albani shpejt do të lindte gjeniu i ardhshëm i shkencës fetare të hadithit
për botën muslimane të shekullit të 20të.

Nasirudin Albani mbahet në botën moderne islame si rilindësi i shkollës se
studimit të kronolgjisë së hadithit / apo kronologjisë së historisë
profetike. Interesi i Nasirudin Nexhatit për shkencën e hadithit lindi kur
ai ishte 20 vjeç nga një artikull i revistës "Menar". Shkrimi në fjalë
merrej me një analizë të librit "Ringjallja e diturive fetare" të filozofit
të madh musliman, Imam Gazaliut. Analiza rreth gabimeve dhe arritjeve të
Imam Gazaliut ishin ato që do ta shndërronin Nasirudin Albanin në studiuesin
dhe kritikun më gjenial të shkencës së historisë profetike islame të
shekullit të 20të. I kredhur në studime nga 8 deri 12 orë në ditë në
bibliotekat e Damaskut të famshëm Emevit ku fshihen pasuritë e së kaluarës
së famshme të botës arabe, Albani i hyri rrugës së vështirë të riekzaminimit
dhe revizionimit të shkencës së hadithit – apo historisë profetike islame.
Revizionimit të vërtetësisë shkencore të sa e sa shkrimeve mbi historinë
profetike të islamit të cilat ndër shekuj kishin kaluar mes shumë njerëzish,
rracash dhe rregjimesh që Dar-Al-Islami historik ka përjetuar.

Duke ngulmuar me këmbëngulje shkencëtari Sheh Albani arriti të analizonte sa
e sa hadithe nga e kaluara islame; të vërtetojë apo rrëzojë saktësinë dhe
kronologjinë e tyre, të analizonte zinxhirin e transmetimit të hadithit nga
dishepujt e hershëm të Islamit të cilët në shumë raste përdornin analogji
gojore për të rregjistruar historitë e së kaluarës. Duke përdorur një talent
historiani të paepur Albani arriti deri aty sa të rivlerësoj historianët e
hershëm të Islamit, saktësinë e transmetimit të tyre dhe ndërthurjen e
drejtë të bazave shkencore të kësaj historie të shenjtë. Puna kolosale e
Shejh Albanit e cila për nga ana shkencore gërmonte në dokumentat më të
hershme të historisë islame e bën atë të përsërisi punën ngulmuese që vetëm
klasikët e Islamit si Bukhari, Muslimi dhe Tirmidhi mbahet mënd të kenë bërë
gjatë shekullit të 9të.

Shejh Nasirudin Al-Albani ishte revolucionar i shkencës hadithike islame të
shekullit të 20të. Ai pati guximin intelektual që t’iu hapi shkollarëve
musliman dyert e Ixhtihadit / apo mendimit alternativ dhe riekzaminimit të
dogmave fetare, të cilat qëndronin të mbyllura nga ortodoksia sunite prej
shekujsh. Si rrjedhojë e famës dhe dijeve shkencore që kishte, Shejh Albani
u thërrit në Arabinë Saudite si lektor i shkencave te hadithit në
Universitetin Islamik të Medines. Ai lektoroi aty për rreth 3 vjet për tu
kthyer sërisht më pas në Damask. Jeta e Shejh Albanit e pa atë të jetojë në
Jordani, Liban, Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe finalisht në kryeqytetin e
Jordanisë në Aman, në të cilin edhe ndërroi jetë më 2 Tetor 1999.

Duke qënë ndjekës i shkollës Saudite të Islamit, asaj Selefije, Shejh Albani
shihet si një nga dijetarët më kryesor të kësaj shkolle gjatë shekullit të
20të. Së bashku me muftiun e Arabisë Saudite, Sheh Ibn Baazin, Albani ka
qënë një nga autoritetet kryesore të shkollës Saudite të shekullit të
kaluar. Fetvatë (gjykimet fetare) të Albanit kanë patur forcë të bindin
muslimanët nga Maroku e deri në Çeçeni, nga Indonezia e deri në Bosnje. Duke
qënë se shkolla ‘selefite’ e islamit pa bumin e saj më të madh gjatë
revolucionit ekonomik që nafta i solli vendeve arabe në vitet 80’, fama e
Albanit ishte gjithashtu pjesëmarrëse e këtij revolucioni ideologjiko –
ekonomik të botës Arabe të Gjirit. Megjithatë guximi revolucionar i Albanit
për të riekzaminuar themelet e historiografisë Islame e bën atë në shumë
raste pre të sulmeve nga sektarët.


Për ndjekësit e shkollës selefite Shejh Albani ngelet një nga autoritetet më
të rëndësishme të tyre, ndoshta pas vetë Muhamed Ibn Abdul-Vehabit që e
reformoi këtë shkollë Islame gjatë shekullit të 18të. Historia e tre
mbretërive Arabo Saudite, duke përfshirë edhe Arabinë Saudite të sotme është
jashtëzakonisht e lidhur dhe ndërtuar mbi shkollën selefite apo siç ajo
njihet nga armiqtë e saj Vehabite. Për arsyen e lartpërmendur Shejh Albani
është një nga personalitetet më të dashura dhe njohura në mbretërinë
Saudite, në botën arabe dhe ndjekësit e shkollës Saudite nëpër botë.

Shejh Nasirudin Al-Albani nuk jetoi në Kalkuta për të ushqyer të varfërit e
as nuk pushtoi Indinë si Aleksandri i Madh. Por ai arriti të pushtojë zemrat
e miliona muslimanëve anembanë globit, të cilët kur dëgjojnë emrin e tij
luten me rrespekt ndaj Krijuesit të Madh që ti dhurojë mëshirë shqiptarit me
famë. Më 2 Tetor 1999 kur Hoxha me famë shkodran ndërroi jetë e gjithë bota
muslimane shkroi për këtë shqiptar me famë. Që nga Sarajeva e deri në
Xhakarta muslimanët përkujtuan këtë kolos të madh që po i largohej botës së
shkencave Islame. Këtij revizionisti që pati guximin intelektual të
riekzaminojë kronologjitë historike të të kaluarës Islame.


I vetmi vend në të cilin asnjë gazetë nuk u kujtua të shkruaj për Shejh
ALBANIN ishte padyshim atdheu i tij: Shqipëria. Ky shkrim mundohet të mbuloj
këtë turp historik tonin me këtë përpjekje modeste. Kujtimi i tij qoftë i
gjallë përjetë dhe historia pastë mëshirë për ne, popullin që nuk kemi
mësuar kurrë të vlerësojme vetveten dhe historinë tonë.

Olsi Jezexhi*

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në fjalaebukur@googlegroups.com
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
fjalaebukur-unsubscr...@googlegroups.com
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

To unsubscribe from this group, send email to 
fjalaebukur+unsubscribegooglegroups.com or reply to this email with the words 
"REMOVE ME" as the subject.

Antwoord per e-mail aan