*Rrëfimi nga Muharremçja*

*29 mars 2010-Tetovë*

* *

*Hamdi Nuhiju*

* *

Sistemi i vlerave për njeriun ka rëndësinë e veçantë. Ai sistem dallon prej
njërit konceptim të njeriut tek konceptimi tjetër. Në ditët dhe netët e
kësaj fryme të këtij mentaliteti, është bërë shumë e vështirë që sistemi
vlerave të shndërrohet në traditë. Por tradita të shndërrohet në ves është
ende më vështirë. Megjithatë njeriu i ditëve tona, e gjen vesin e traditën
të shndërruar në Islam dhe Islamin të shndërruar në ves e traditë tek Xhamia
Muharremçe në Tetovë.

Të eturit pas traditës të shndërruar në Islam shpeshherë udhëtojmë e
vizitojmë miqtë tanë të Islamit të cilët me thjeshtësinë e tyre janë
shndërruar në pika eliksiri mbi vetëdijen dhe jetën e një myslimani.
Ngjarjet, fenomenet e traditat dinë të na bëjnë regjistrues të tyre të
saktë. Pa dëshirë njeriu shndërrohet edhe në ‘kroniken’ për ta bartur
perceptimin e traditës në formën më të mirë. Kësaj i thonë traditë përmes
harfeve. Po, harfet zhurmojnë dhe xhamia buçatet nga zëri i nxënësve që
njëzëshëm recitojnë nga libri i Krijuesit. Ata janë të detyruar ta dinë edhe
kuptimin e harfeve dhe fjalëve që thonë. Kjo rrugë hap shpresën për të iu
mundësuar mendjes për ta komentuar fjalën e të Lartmadhërishmit në kohëra të
favorshme për personalitetet e nxënësve. Nuk është pa shpresë as jeta e cila
ekziston me prezencën e këtyre xhamive me traditë. Por është tmerruese të
dëgjosh se ka xhami në mesin tonë që gjatë gjithë ekzistencës së saj nuk ka
arritur që të nxjerr as një memorizues të Kur`anit-hafëz! Xhamitë janë
objekte, ata nuk nxjerrin njohës të Kur`anit. Por, frekuentuesit dhe
udhëheqësit e tyre nuk kujdesen aspak për këtë sferë të rëndësishme të
ekzistencës së fjalëve të Krijuesit në shpirtra dhe mendje të njerëzve.

Unë kërkova zemër, por nuk gjeta të tillë që të më pranojë Mua. Më kërko dhe
unë gjendem në zemrat që më duan dhe që i dua, në zemrat që më dinë dhe që i
di.

Zemrat pa prezencën e Krijuesit janë të shkrira e të bëra dhe e pluhur. Ata
ujiten përmes dashurisë ndaj Allahut, e vdesin në mungesë të kësaj dashurie.
Ndoshta si organe mund të gjenden tek njerëzit, por ato janë të vdekura
ngaqë nuk ushqehen nga burimi i të gjitha mirësive. Mbyllen me ndrytë e të
keqes dhe botën e identifikojnë si përhershmëri të së mirës. Ata ujiten
përmes fjalëve të Krijuesit, freskohen dhe marrin pamje të re. Janë
gjithmonë të reja, edhe pse e vjetra duket në ballët e fytyrave që bien në
sexhde. Janë gjithmonë më dritë, edhe pse drita është pak për ta përshkruar
simbolin e gjallësisë.

Paramendo stilin e xhamive të vjetra. Aty ende vjen era dhikër. Shumë
gjenerata në to kanë bërë dhikër dhe iu janë lutur Zotit për mirësi. Ndërsa
xhamitë e reja të ndërtuara si nuse me ngjyra të ‘Perëndimit’, të bukura sa
të kërkosh, por kanë ngelur të betonizuara pa fasadimin e shpirtrave me
fjalët e Krijuesit.

Ndërmjet së resë dhe së vjetrës gjendet Xhamia Muharremçe në Tetovë. Mualimi
i saj, Jusuf efendi Jakupi, me seriozitetin më të madh qëndron në digat e
vështirësive që ka puna e tij. Vetëm të analizoni pak veprimtarinë e tij, e
të hulumtoni rreth thjeshtësisë së tij do të mahniteni. Shpeshherë jam
dëshmitar i punës së tij. Ka hoxhallarë të cilët gjenden në institucione të
rëndësishme, por që as një përqind të mundit të tij ( Jusuf efendi Jakupit)
nuk japin në rrugën e fesë. Ah sikur ta jepnin. Ata po thonë, po na mungon
shembulli. Jo, shembulli ekziston, po a ka kush merr mësim?

Kësaj here ora 9 e mëngjesit u takuam me Jusuf efendi Jakupin tek xhamia
Muharremçe. Ai me biçikletën e tij erdhi në xhami, me një fytyrë të zverdhur
ngaqë ka ardhur me vonesë. Ndërsa nxënësit që e pritnin ishin të klasave të
pesta, të katërta, e të treta. Ai i zverdhur ngaqë punën e tij e llogaritke
amanet. Jo që mund ta ndëshkonte ndonjë njeri. Jo që mund ta përjashtonte
prej punës ndonjë institucion, ngaqë ka shumë hoxhallarë të cilët nuk dalin
as namazin ta falin në xhami, se iu duket ‘profesion’ falja e namazit.
Filloi një nga një me plot durim ti dëgjoj e ti përmirësoj nxënëset dhe
nxënësit e tij. Paramendoni ishin mbi 60! Të gjithëve iu kushtonte rëndësinë
e duhur, të gjithë i përmirësonte ku duhej, nuk toleronte asnjërin të
kapërcej pa e mësuar mirë atë që ia ka dhënë për mësim.

Mektebi i tij i rrethuar me mbi 2000 libra të karakterit islam dhe me nxënës
që zhurmonin përmes harfeve është një shembull se si të punosh për Islam. U
bë ora 14 e 30, unë u detyrova të ikë për në Kumanovë, ndërsa Jusuf efendi
Jakupin e lashë duke vazhduar misionin e tij, në ndërtimin e harfeve të
Kur`anit në shpirtrat e zemrat e atyre nxënësve. Ah sa fat ka Tetova për një
njeri të këtillë!

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

To unsubscribe, reply using "remove me" as the subject.

Antwoord per e-mail aan