Çdo përpjetë e ka edhe tatëpjetën Isha në fakultet kur mësuam për letërsinë arabe të Andaluzisë. Në mes të tjerash, edhe një vjershë shumë të bukur të një poeti arab dedikuar rënies së Andaluzisë nën pushtetin evropian. Vjersha fillonte me një varg shumë interesant: "Çdo gjë kur arrin kulmin fillon të bie". Dhe filloi të na shpjegojë profesori kuptimin e këtij vargu dhe të gjithë asaj vjershe. Ende më kujtohet ai komentim shumë i prekshëm, i cili është në përputhshmëri me ligjet e natyrës që i ka caktuar Zoti. Populli ynë thotë: "Çdo përpjetë e ka edhe tatëpjetën". Po të nderuar lexues, këtë ligj të Zotit në tokë e kam analizuar më pas, bukur gjatë, dhe kam gjetur plot fakte dhe argumente në Kuran dhe hadith (thëniet e Profetit), por edhe në jetën e përditshme, zaten kështu na qenka jeta, kështu na qenka e caktuar, sot këtu, nesër atje, sot lart e nesër poshtë, derisa të vijë koha e të dalim krejt prej kësaj dynjaje. Për këtë arsye, mendoj se ne nuk duhet të mërzitemi shumë kur vjen caktimi i Allahut dhe kur largohemi nga ndonjë detyrë apo përgjegjësi që e kemi, si p.sh vijnë vdekja, sëmundja, pleqëria, apo të skadon afati i punësimit në atë post etj. Por ajo çka ia vlen të mërzitemi e të brengosemi shumë është: a i kemi shfrytëzuar sa duhet ato mundësi dhe kompetenca sa i kemi pasur në dorë? Thuaj ndryshe: sa kemi punuar për veten tonë dhe shoqërinë përderisa kemi qenë në atë pozitë nga e cila kemi mundur të kontribuojmë?! Kjo është me rëndësi për secilin nga ne, sa e shfrytëzojmë rininë, pasurinë, shëndetin, kohën e lirë, aftësitë dhe dijen që kemi, pozitën dhe autoritetin? Të gjitha ato kalojnë, sot ndoshta i ke, por nuk i shfrytëzon, e pastaj neser nuk i ke, të merren ato mundësi, e pendohesh pse nuk i ke shfrytëzuar sa i ke pasur në dorë. Por, kot, tashmë është bërë vonë, tepër vonë. Shikoni sa mirë na mëson Profeti ynë (Paqja e Zotit qoftë mbi të!) në lidhje me këtë, ku thotë: "Shfrytëzoji pesë gjëra para pesëve: rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para se të angazhohesh dhe jetën tënde para vdekjes". Urdhëroni dhe analizojeni secilën nga këto pesë pika dhe do të bindeni në atë që thamë më lart. Për atë arsye njeriu në botën tjetër për asgjë nuk mërzitet më shumë sesa për mosshfrytëzimin e këtyre gjërave sa i ka pasur në dorë. Ndërsa ne për çdo ditë po e shohim se gjërat janë në ndryshim. Ato kurrë nuk janë stabile: sot je i ri nesër i vjetër, sot i pasur nesër i varfër, sot je në pozitë nesër të merret ajo pozitë, sot ke mundësi t´i ndihmosh dikujt e të bësh mirë, nesër nuk mundësh e kështu me radhë. Nga ky kontest unë kam formuar një bindje në vetën time, që dua t´ua përkujtoj edhe dashamirëve të mi se: nëse e kemi shfrytëzuar sa duhet atë që e kemi pasur në dorë, pasi të na ketë ikur, nuk mërzitemi e brengosemi shumë, sepse ajo më nuk është në kompetencën tonë, nuk kemi kohë ta vajtojmë e të merremi me të, por vazhdojmë të merremi me gjëra të tjera. Ky parim është për çdo gjë, është edhe për humbjen e të afërmve, p.sh. nëse e ke respektuar prindin sa ka qenë gjallë, nuk ke pse qan e mërzitesh pasi të ketë vdekur. Prandaj, porosia ime është që të punojmë shumë t´i shfrytëzojmë secili në këndin e vet ato rrugë e mundësi që i kemi në dispozicion, sepse vetëm ashtu nuk do të pendohemi më vonë, por çfarëdo që të ndodhë me ne, do të jemi krenarë. Allahu na bëftë që të jemi krenarë me punët tona, veprat tona, dhe me të gjitha ato që kemi punuar dhe punojmë në këtë jetë të shkurtër. Zoti ju shpërbleftë! (Kjo ishte kolumna e fundit në paraqitjet e autorit të nderuar imam Shefqet Krasniqi. Kolegjiumi i redaksisë e falënderon autorin për kontributin e çmueshëm të dhënë për çdo të premte në këtë rubrikë, ndërsa lexuesit për leximin, durimin, vërejtjet dhe kërkesat për laryshinë e opinioneve) Epoka e Re - e premte 16 prill 2010 Dr.Shefqet Krasniqi Përgatiti: www.ferki-mirena.tk _________________________________________________________________ Your E-mail and More On-the-Go. Get Windows Live Hotmail Free. https://signup.live.com/signup.aspx?id=60969
-- Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në Google Groups. Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected] Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në [email protected] Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në http://groups.google.com/group/fjalaebukur
